Prof. Dr. Agron F. Fico: Shembulli kroat dhe problematikat e mprehta të Samitit të Diasporës që kërkojnë zgjidhje

506
Sigal

Samiti i diasporës në
vizionin intelektual

Mbajtja e samitit të
Diasporës në Tiranë në nëntorin e këtij viti është një ngjarje e shënuar
kombëtare. Madje, meqë është edhe hera e parë e një tubimi kaq të gjerë dhe
gjithëpërfshirës, ndofta mund të quhet edhe “historik”. Në librin “Diaspora e
Rilindur” (Tiranë, 2006), si dhe një varg artikujsh si: “Diaspora  e harruar”, “Sfida e zhvillimit të kulturës
në Diasporë”, “Diaspora nuk është njerkë” etj., kam analizuar disa dukuri të
zhvillimit të Diasporës shqiptare në SHBA. Daspora shqiptare në Amerikë ka një
histori mbi njëqindvjeçare. Ajo ka dhënë një ndihmesë të madhe në fatet e
kombit shqiptar; për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe
vendosjen e sistemit pluralist demokratik. Aty lindën dhe u ngjizën lëvizje të
fuqishme atdhetare dhe dolën shtetarë të mëdhenj dhe shkrimtarë të shquar si
Fan Stilian Noli, Faik Konica dhe intelektualë të tjerë të zjarrtë. Ndryshimet
thelbësore demokratike në Shqipëri më 1990 dhe dëbimi i pushtuesve serbë nga
Kosova më 1999, sollën ndryshime sasiore dhe cilësore në shtrirjen dhe
përbërjen e Diasporës shqiptare. Tashmë mijëra e mijëra shqiptarë emigrantë
jetojnë dhe punojnë në shtetet fqinje (Itali dhe Greqi) dhe në mjaft vende të
Evropës Perëndimore, si Gjermani, Angli, Belgjikë, Zvicër, Francë e të tjera.
Kjo gjeografi e re e shpërndarjes dhe e vendosjes së diasporës shqiptare nëpër
botë në shekullin  XXI dhe të epokës së
globalizmit dhe revolucionit kompjuterik ka  shtruar detyrën e një konceptimi tërësor që
kërkon një mendim dhe vizion të ri, që t’iu përgjigjet këtyre ndryshimeve, por
edhe t’i kthejë këto bashkësi shqiptare në vende të ndryshme në një organizëm
të fuqishëm bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe t’i vendosë në nivelet e bashkësive
të kombësive të tjera dhe të përparuara, si në SHBA ashtu edhe në vendet e
tjera. Sfida e këtyre ndryshimeve në vetë shtrirjen dhe përbërjen e Diasporës
kërkon gjetjen e formave organizuese më të shkathëta, më të gjera dhe
funksionale. Vetë samiti, si një kongres i mbarë Diasporës, padyshim do t’i
shtrojë dhe do t’i trajtojë këto sfida. Sfidat dhe ndryshimet kërkojnë një
organizim të ri të vetë Diasporës, që të ndihmojnë dhe lehtësojnë zgjidhjen e
problemeve madhore që kanë, të tilla si ruajtja dhe mësimi i gjuhës shqipe dhe
traditat shqiptare kombëtare, ndihma dhe investimet në fushat jetike në
Shqipëri dhe në Kosovë; bashkërendimi i aktiviteteve
shkencore-artistike-kulturore, ndihma për emigrantët e rinj: si punësimi,
shkollimi, shëndeti etj.  Diaspora
shqiptare nëpër botë është realitet i ri dhe dinamik, pjesë e kombit shqiptar.
Për integrimin e dëshiruar mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe gjithë hapësirës
shqiptare, kërkohet të ndërtohet një koncept dhe këndvështrim i ri
bashkëkohor:  E para: Të kapërcehet
përfytyrimi dhe mendësia folklorike, se emigrimi është kryesisht një dukuri
ekonomike. Këtë kuptim ngushtësisht ekonomik të kurbetit e gjen edhe në këngët
e shumta të folklorit, në vargjet e Çajupit dhe tek shkrimtarë të tjerë.  E dyta: Cila është zgjidhja? Si mund të
arrihet një integrim gjithëpërfshirës i këtyre bashkësive shqiptare në shtete
të ndryshme me Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë hapësirën shqiptare?

 Sfida kryesore është mungesa e një kuadri
ligjor

Diaspora shqiptare,
tashmë, është kthyer në bashkësi të fuqishme demokratike, që kanë të drejtën të
dëgjohen në instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës. Në
ligjin themeltar, në Kushtetutë, duhet të bëhen ndryshime dhe të përfshihet e
drejta e votimit edhe për shqiptarët e emigracionit. Mbi të gjitha, të njihet e
drejta që të kenë përfaqësuesit e vet si deputetë në Kuvend. Kjo është
kryesore, sepse lidh ligjërisht shtetin-mëmë me gjymtyrët e veta të larguara.
Po përmend vetëm një fakt: Kroacia ka 13 deputetë nga diaspora e vet. Diaspora
të ketë të drejta, të ketë  financime, si
dhe lidhje ligjore me ministritë dhe institucionet përkatëse në vendlindje.
Domosdoshmëria e zgjidhjes së problemeve jetike me Diasporën nuk mund të
arrihet vetëm me ngritje qendrash studimore, qoftë edhe me ngritjen e ndonjë
instituti për Diasporën, pa u krijuar më parë kuadri i duhur ligjor. Problemi
kryesor që ndeshet në jetën e Diasporës është çështja e ruajtjes së identitetit
të vet kombëtar, të gjuhës dhe traditave kombëtare në gjirin e shoqërive e
shteteve ku janë vendosur. Kombet e tjera e kanë zgjidhur çështjen e ruajtjes
së identitetit të vet kombëtar duke ngritur një sistem të tërë: shtëpi kulture,
institucione arsimore, librari, teatro etnike etj. Shteti i Shqipërisë dhe ai i
Kosovës nuk duhet vetëm të ndihmojnë me specialistë, me dërgim librash dhe
literaturë për lexime, por të ndihmojnë edhe financiarisht për ngritjen e
institucioneve të gjuhës dhe traditave shqiptare në shtetet ku janë emigrantët
tanë. Gjuha shqipe ka qenë dhe duhet të jetë përparësi për Diasporën. Pas viteve
1990 në Shqipëri dhe 1999 në Kosovë, emigracioni drejt Amerikës dhe shteteve të
tjera perëndimore dhe fqinjëve tanë ka fituar tipare specifike, me gjithë
strukturën dhe elementet përbërëse. Ata kanë ardhur nga Shqipëria me rrugë të
ndryshme, (me anë të lotarisë, me anë të ri-shtetëzimit, strehimit politik, por
fatkeqësisht edhe me rrugë të paligjshme etj.) Familjet e tyre, me origjinë
fshatare, punëtore ose intelektuale, në realitetin e ri ballafaqohen me
probleme nga më të ndryshmet. Kryesore dhe e përbashkët është punësimi dhe
përshtatja me këtë shoqëri të re. I gëzueshëm është fakti që brezat e rinj të
ardhur dëshirojnë dhe kërkojnë që të arsimohen në këtë shoqëri të re  me synim që të sigurojnë një punësim më të qëndrueshëm
dhe me të ardhura më të mira.  Përvoja
ime e gjatë, lidhjet e përditshme me shqiptarët në Amerikë, më kanë forcuar
bindjen se gjuha shqipe, mësimi dhe trajtimi i saj me seriozitet dhe
përgjegjësi kombëtare, është bërë një përparësi e bashkësive shqiptare në
emigracion. Gjuha amtare, gjuha shqipe, është identiteti ynë, është vlera më e
madhe, më e çmuar kombëtare dhe sigurisht, krenaria jonë. Shkrimtarët shqiptarë
të të gjitha kohëve, ata të traditës dhe bashkëkohës, e kanë çmuar dhe e çmojnë
lart gjuhën shqipe. I kanë kushtuar vëmendja të madhe dhe e kanë poetizuar.
Naim Frashëri, poet i madh i Rilindjes kombëtare do të shkruante thjesht, por
me një nderim monumental:  Gjuha jonë sa
e mire/Sa e ëmbël, sa e gjerë/Sa e lehtë, sa e lire/ Sa e bukur, sa e vlerë.

Ndërsa Ndre Mjeda do ta
krahasonte muzikalitetin e gjuhës shqipe me këngën e bilbilit:  Përmbi za që shlon bylbyli/Gjuha shqype
m’shungllon/Përmbi er’ që nep zymbyli/Pa da zemrën ma ngushllon.

Mësimi i gjuhës shqipe
në Diasporë kërkon një perceptim më të gjerë. Ky është një proces kompleks dhe
nuk duhet ngushtuar vetëm tek mësimi i fëmijëve. Një bashkëkombës më thoshte
një ditë: “Në vitet ’50-‘60, kur u larguam nga Shqipëria, ishim fëmijë dhe ende
nuk e kishim fituar plotërinë e gjuhës amtare shqipe. Kështu, sot e kësaj dite
ndjejmë vështirësi për të komunikuar lirshëm në të folur dhe në të shkruar…”.
Pra, gjuha është si ajri i bjeshkëve shqiptare, që të gjithë duhet ta thithin
për të ruajtur identitetin kombëtar. Në të gjithë larminë e formave dhe
metodave që mund të përdoreshin, kryesore është që të mësohet gjuha e njësuar
kombëtare, që është edhe baza e librave dhe programeve televizive, që tashmë
shkojnë edhe tek shikuesit shqiptarë të Diasporës. Për gjuhën shqipe, përveç
disa nismave të veçuara, me hapjen e të ndonjë shkolle fillestare për mësimin e
gjuhës shqipe, nuk ka ndonjë merakosje institucionale. Ka në Diasporë në
Amerikë me dhjetëra shoqata, shoqëri, madje edhe institucione si “Vatra”,
Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Këshilli Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan etj., të cilët nuk kanë ndonjë strategji, program, ose nuk
kanë bërë ndonjë aktivitet për ruajtjen e gjuhës shqipe në gjirin e shoqërive
euro-atlantike në gjirin e mërgimtarëve. Familja, natyrisht, loz rol parësor,
në mbajtjen gjallë të gjuhës amtare, por ajo duhet ndihmuar në mënyrë të
organizuar. Institucionet arsimore dhe kulturore në Shqipëri dhe në Kosovë
duhet edhe ato të ndjejnë përgjegjësi për mbajtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe
edhe tek bashkatdhetarët që jetojnë dhe punojnë në shtete të tjera me statusin
e emigrantit. Gjuha shqipe në Diasporë flitet dobët dhe shkruhet keq. Në
tubime, në shkrime, të botuara në gazeta dhe në mjaft libra, gjuha shqipe
paraqitet e varfër, me ndërtime të gabuara dhe me ndikime gjymtuese nga gjuhët
e huaja. Në Diasporën shqiptare tashmë është krijuar një elitë e re shqiptare
dhe intelektuale. Nga gjiri i saj kanë dalë artistë të shquar me famë botërore,
shkencëtarë, sportistë, kërcimtarë etj. Në Diasporën shqiptare të Amerikës
është krijuar “Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve”, “Shoqata e mjekëve
shqiptarë-amerikanë”, që përfshin kryesisht mjekë të moshave 30-40- vjeçare.
Samiti i Diasporës që pritet të mbahet në këtë muaj do të përqendrohet edhe në
probleme të tjera madhore, të tilla si njohja e pensioneve të emigrantëve
shqiptarë në shtetet ku punojnë dhe jetojnë, zbatimi i barazisë në pasaportat e
shqiptarëve dhe e drejta që të hapin shkolla në gjuhën shqipe etj. Në përfundim
mund të thuhet se, në shekullin XXI vetë jeta dhe ekzistenca e Diasporës duhet
të shikohet në këndin e një koncepti bashkëkohor integrues me kombin tonë. Ajo
është dhuratë e kombit dhe nuk duhet shikuar e trajtuar si njerkë, por me
dashuri dhe përkushtim.