Prof. Dr. Agron F. Fico/ Mirë historiani i shquari, po gjuhëtari i madh?

290
Vendosja e bustit të akademikut Aleks Buda në sheshin para Akademisë së Shkencave është një akt kulturor i bukur dhe i gëzueshëm, se nderohet një historian i shquar dhe një personalitet i shkencës shqiptare, duke qenë edhe kryetari i saj në fillimet e këtij Institucioni të lartë shkencor. Është për të përshëndetur vendimi i kryesisë së Akademisë së Shkencave për ngritjen e një busti për Aleks Budën në marrëveshje me Bashkinë e Tiranës. Por mendoj se, në ketë rast mund dhe duhej trajtuar në të njëjtin vendim edhe ngritja e një busti për Eqrem Çabejn, gjuhëtarin e madh. Aleks Buda dhe Eqrem Çabej, një dyshe dijetarësh të shquar, me vepra të shumta dhe të njohur në botën akademike edhe jashtë Shqipërisë, ishin edhe dy natyra njerëzore të ndryshme, që dukej sikur riprodhonin natyrën e qyteteve nga vinin. Ndërsa profesor Aleks Buda me natyrën e qeshur sikur të kujton Elbasanin e Ditës së Verës dhe të ballokumeve, Profesor Eqrem Çabej të sjell pranë Gjirokastrën e gurtë e të ndërtesave-kështjellë, që pamjen argjend e shfaq në mëngjeset e majit, kur dielli del mbi malin e Buretos dhe vesa i jep malit të Gjerë dhe qytetit të purpurtën e argjend gati ëndërritëse. Profesor Aleks Budën e kam njohur nga afër; ai edhe si njeri ishte shembulli i intelektualit xhentëlmen, gojë-ëmbël, me një buzëqeshje pranverore në fytyrën e vet të fisme. Me të drejtë, në fjalën e përurimit të bustit, u thanë mjaft mendime e vlerësime nderuese. Nderimi i profesor Aleks Budës është edhe një çast përsiatjeje për kulturën dhe për domosdoshmërinë që të nderohen edhe mjaft shkencëtarë dhe specialist të njohur në rrafsh kombëtar. Për fat të mirë Shqipëria ka nxjerrë në mjaft degë të shkencave të ndryshme edhe personalitete me status shkencor kombëtar, të cilët me veprat e tyre i kanë sjellë dobi ekonomisë dhe shkencës e kulturës kombëtare.
Natyrisht, nuk është e domosdoshme të nderohen vetëm duke ngritur buste. Kryesore është vendosja e disa kritereve shkencore e morale që këto nderime të kenë edhe pëlqimin dhe miratimin e publikut të gjerë. Ato që shohim në disa aspekte të këtyre vlerësimeve si në rastin e emërtimit të rrugëve me vendime të Bashkisë, në disa raste janë të pamerituara, por edhe me ngarkesë politike-partiake. Një rrugicë mbi të ashtuquajturin Oxhaku (mbi murin e ish-Akademisë ushtarake) mban emrin e një shkrimtari me pseudonimin “xhaxhai”, një poet bejtexhi i ish-elitës komuniste. Dhe ky nuk është i vetmi rast. Po kështu shije jo të mirë kanë lënë edhe disa dekorime nga Presidenti i Republikës, që kanë qenë sa të pamerituara, aq edhe thjesht për kontribute partiakë. Ndërsa figura të shquara të historisë kombëtare si Rauf Fico nuk kanë asnjë vlerësim dinjitoz nga ky institucion. Kur u krijua Akademia e Shkencave, në vitin 1972, një ngjarje e shënuar në historinë e shkencës shqiptare, Aleks Buda dhe Eqrem Çabej dy figurat më të njohura gjer atëherë të shkencës ishin krah për krah. Profesor Aleks Buda u zgjodh edhe Kryetar i saj dhe profesor Eqrem Çabej vlerësohet si gjuhëtar i madh dhe i njohur gjerësisht edhe në Europë.
Të dy shkencëtarë atdhetarë dhe elitarë, të dy me vepra e kontribute madhore në shkencën shqiptare. Të dy të lartësuar dhe të nderuar edhe në tribunat shkencore europiane. Akademik Eqrem Çabej është përfaqësuesi më i shquar i gjuhësisë shqiptare. Ishte dhe u bë, me një punë shkencore mbi gjysmë shekulli, ikonë e shqipes moderne. Eqrem Çabej lindi në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Aty kaloi fëmijërinë dhe mbaroi shkollën qytetëse me nota shumë të mira. Pas mbarimit të shkollës qytetëse fitoi të drejtën e një burse të dhënë nga Prefektura e atëhershme e Gjirokastrës që të vazhdonte studimet e mesme dhe të larta jashtë shtetit. Eqrem Çabej përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme dhe universitetin e Vjenës. Po në Vjenë mbrojti edhe doktoraturën me një temë studimi italo-shqiptare. Diploma e doktoraturës mban nënshkrim nga Prof. Dr. Paul Kreçmer, Prof. Dr. Norbert Jokli dhe Prof. Dr. Karlo Paçi – korifenj të studimeve indo-europiane. Këto rezultate të shkëlqyera dëshmonin se po lindte dhe formohej një talent i studimeve të ardhshme të gjuhës shqipe. Edhe pse iu dha mundësia e punësimit në Universitetin e famshëm të Vjenës, ngulmoi të kthehej në Atdhe, ku i shërbeu me përkushtim të pamasë shkencës dhe kulturës shqiptare. Prof. Eqrem Çabej mbeti shpirtërisht i lidhur me qytetin e vendlindjes; edhe në moshën e thyer i kujtonte me mall njerëzit dhe qytetin. Kam pasur fatin e bardhë ta njoh nga afër dhe të punoj me dijetarin e shquar, Eqrem Çabejn. Ishte i thjeshtë, fjalëpakë, si dhe gjithmonë i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, pavarësisht nga statusi qytetar. Pyeste dhe interesohej për çdo material gjuhësor, folklorik, etnografik, që sillnin punonjësit e rinj nga ekspeditat kërkimore në terren. Nuk harronte kurrë që, edhe për informacionin më të thjeshtë që i komunikoje, të shënonte në referencat: “Kumtuar me gojë nga…”. Në personalitetin e tij akademik ndriste kërkesa e lartë dhe metoda rreptësisht shkencore. Më kujtohet një diskutim i profesor Çabejt në një mbledhje të redaksisë së njohur “Studime Filologjike”. Foli fare shkurt e tha: “Kam dy vërejtje parimore”. Ndërkohë mendova se profesori i nderuar do ta përmbyste studimin. Po jo! Shprehimisht tha: “Në paragrafin e dytë të faqes së parë mungon një pikë, ndërsa në fjalinë përmbyllëse të faqes 5 duhen shënuar dy pikat e shkronjës “e” te fjala ‘stinë’”. Sado paradoksale t’i duket lexuesit të zakonshëm, kjo dëshmonte kërkesat e larta të një shkencëtari të madh. Kanë kaluar dhjetëvjeçarë dhe këto kërkesa më janë ngulitur thellë në vetëdijen time profesionale. Akademik Eqrem Çabej ishte një dijetar poliedrik. Arritjet shkencore i kishte madhore. Në çdo lëmë që punoi, ai vuri gurë themeli. Gjithë jeta shkencore e Prof. Eqrem Çabejt iu kushtua monumentit më të rëndësishëm të kombit, gjuhës shqipe. Në këtë lëmë Çabej u bë sa studiuesi i palodhur, aq edhe arkitekti i saj. Jeta e profesor Çabejt ka qenë plot dallgë. Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, kur shpërtheu fushata e “fletë-rrufeve” ai u bë një nga viktimat më të egra të saj. E shikoja të dredhur para fletë-rrufeve në emër të tij që shënonte me dorën e munduar se çfarë shkruhej për të, e çdo herë me dukej më i mpakur dhe më i plakur, sepse autorët e pandëshkuar ende të këtij krimi moral-psikologjik kërkonin gjithnjë përgjigje për paçavuret e tyre, të cilat mbaronin me frazën kërcënuese: Përgjigju profesor! Thellohu! Kjo luftë morale e psikologjike e tronditi thellë profesorin e nderuar dhe i shkurtoi jetën fizike. Është për të ardhur keq që askush gjer më sot nuk ka kërkuar të falur ndaj profesorit për këto veprimtari antinjerëzore. Në fushën e gjuhësisë Çabej trajtoi probleme kyçe dhe dha përfundime tronditëse, duke u siguruar studimeve shqiptare një vend nderi në gjuhësinë indo-europiane. 

Ja shkurt disa nga fushat e trajtuara nga Çabej:
1. Çështja e lashtësisë së gjuhës shqipe, e prejardhjes së saj, mbetet problematikë e përhershme.
2. Profesor Çabej, si njohës i thellë i historisë të gjuhës shqipe, u mor gjerësisht me shkrimtarët e vjetër si, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani etj., si dhe me të folmen e arbëreshëve te Greqisë dhe Italisë.
3. Dijetari i madh, në universin e vet shkencor, edhe pse iu përkushtua më fort çështjeve të studimit diakronik të shqipes, nuk i ka konceptuar ato të shkëputura nga çështjet e studimit sinkronik të kësaj gjuhe, pra me vëmendje trajtoi edhe problemet e shqipes bashkëkohore.
4. Studimet etimologjike përbëjnë një lëmë të veçantë e parësor të korpusit shkencor të Çabejt. Kjo detyrë, sa e vështirë aq edhe komplekse, u përballua me dinjitet shkencor cilësor nga Prof. Eqrem Çabej.
5. Çabej është etnolog, historian, gjeograf, etimolog, hartues tekstesh për shkollat, është mësues, planifikues gjuhësor. Interesi dhe studimet për folklorin janë një tjetër fushë e universit shkencor të Çabejt.
Kudo që shkonte, në tubime shkencore europiane ose për të mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinës, Çabej, me mendimin e thellë shkencor dhe sjelljet fisnike, linte përshtypje të rrallë.
Në Prishtinë, sa herë shkonte për leksione, studentët, intelektualët e shumtë, kolegët e prisnin me nderime të veçanta. Në auditorët ku mbante leksionet ishte varur parulla: “Atë që Skënderbeu bëri me shpatë, Prof. Eqrem Çabej e bëri me penë.” Çabej për gjysmë shekulli ka punuar me përkushtim si rrallëkush dhe ka arritur përfundime të mëdha në fushën e albanologjisë dhe ballkanologjisë. Ai është dijetar i përmasave europiane. Studimet dhe artikujt shkencorë e kumtesat e Çabejt janë botuar në mjaft vende të Europës: Austri, Francë, Greqi, Itali, Gjermani, Rumani, Poloni, ish-Jugosllavi, Turqi etj.Studimet e shumta dhe në lëmenjtë më të ndryshëm të gjuhësisë shqiptare, hapën horizonte të reja në studimet albanologjike dhe sollën krijimin e shkollës gjuhësore kombëtare shqiptare dhe përbëjnë një kontribut të pashoq të këtij dijetari të talentuar. Ka ardhur koha që përmendorja e këtij shkencëtari me përmasa europiane të vendoset para ndërtesës së Akademisë së Shkencave në Tiranë, si mishërimi dhe simboli më i lartë i shkencës kombëtare shqiptare.