Prof. Dr. Adrian Civici: Paketa e Maleve, ndërhyrje sociale dhe ekonomike që synon zhvillimin e zonave malore

Dikur thuhej “T’u qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”. Sot janë braktisur fushat, toka nuk punohet, jane shkrirë ish- NB-të, por në skenë na ka dalë “Paketa e Maleve”. Sipas burimeve të Telegraf.al në “Paketën e Maleve” janë piketuar për t’u përvetësuar  zonat më të mira turistike nga oligarkia e lidhur dhe ortakët e zyrtarëve.

Paketa e Maleve është një paketë masash dhe ndërhyrjesh politike, sociale dhe ekonomike që synon zhvillimin e zonave malore, rritjen e cilësisë së jetës së banorëve të tyre dhe frenimin e braktisjes së territoreve. Kjo iniciativë përfshin një sërë politikash publike për të përmirësuar jetesën, aksesin në shërbime dhe infrastrukturën në zonat malore. Qëllimet kryesore të Paketës së Maleve: Zhvillimi rural dhe agroturizmi; Fuqizimi ekonomik i komuniteteve malore; Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, shkollore dhe shëndetësore; Rritja e përfshirjes sociale dhe arsimore; Nxitja e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së burimeve natyrore.

Çfarë përfshin konkretisht “paketa e maleve”?

  1. 1. Subvencione për blegtorinë dhe bujqësinë malore; Nxitje për rritjen e blegtorisë tradicionale dhe përpunimin artizanal të produkteve të qumështit; Grante për përpunimin dhe ambalazhimin e produkteve autoktone.
  2. 2. Mbështetje për agroturizmin; Krijimi i strukturave të akomodimit në fshatra malorë. Lehtësira për bizneset që ofrojnë ushqim, guida apo aktivitete natyrore. Projekte për turizëm të qëndrueshëm, guida dhe rrjete turistike lokale.
  3. Përmirësim i infrastrukturës bazë; Investime në rrugë rurale, ujësjellës, rrjet energjie dhe lidhje dixhitale; rindërtim ose rikonstruksion i shkollave, ambulancave dhe qendrave të komunitetit.
  4. Masa sociale për të ndalur zbrazjen e këtyre zonave;
NOA

A rrezikojmë të përfitojnë oligarkët nga “paketa e maleve”? Po, rreziku ekziston, nëse mungon transparenca, monitorimi dhe përfshirja e komunitetit vendor. Si mund të përfitojnë oligarkët? Kjo për disa arsye. Ata kanë akses të privilegjuar në informacion dhe procedura; Nëse aplikimi dhe miratimi i projekteve nuk bëhet në mënyrë transparente, atëherë aktorët me lidhje politike dhe financiare kanë avantazh. “500 aplikuesit e parë” për të përfituar zero taksa për 10 vite është një kriter jo selektiv, por kronologjik – kush ka më shumë resurse, aplikon më shpejt dhe më në përputhje me kriteret. Ndërsa një banor i thjeshtë në zonat malore ka vështirësi për të hartuar projekte dhe përmbushur dokumentacionin, një oligark mund të përdorë firma konsulence, juristë dhe lidhje politike për të realizuar një aplikim “të përkryer”. Ka ndodhur që politikat zhvillimore për bujqësinë, turizmin apo energjinë janë përdorur si kanale për përfitime private të aktorëve të fuqishëm, shpesh përmes formave “ligjërisht të rregullta”.

Si mund të parandalohet përfitimi nga oligarkët? Eksperienca shqiptare, dhe ajo e disa vendeve të tjera të BE evidenton disa masa e politika të domosdoshme “anti-oligarki”, të tilla si: Transparencë totale: Publikim online i të gjitha aplikimeve dhe përfituesve; Përfshirje e bashkive dhe komuniteteve lokale në vlerësimin dhe përzgjedhjen e projekteve; Kufizime ligjore për transferimin e pronësisë ose shitjen e investimit; Konsultim publik për çdo ndërtim në zona të mbrojtura ose historike. Përjashtimi i kompanive me histori abuzimi apo konflikt interesi.

Ka kritika se në Shqipëri mungojnë infrastruktura, uji, kanalizimet, energjia, ilaçet, personeli mjekësor, shkollat, nxënësit, burimet njerëzore të shërbimeve etj. Me Paketën e Maleve, përfituesve, ashtu sikurse dhe investitorëve strategjikë të bregdetit dhe qendrave turistike do u çohen me shpenzimet e taksapaguesve, uji, energjia, kanalizimet, pa llogaritur tokën.

Kryeministri Rama ka theksuar se “Paketa e Maleve” është një program i plotë për ndihmë financiare, i orientuar drejt rikonstrukturimit të shtëpive për bujtina, financimeve për turizëm malor dhe rritjes së investimeve në agroturizëm. “Për 500 aplikuesit e parë nuk do të ketë asnjë lloj takse për 10 vite”. Mesazhi për diasporën është i qartë: kthehuni, investoni në trojet e baballarëve tuaj sidomos në zonat malore investoni kursimet në Shqipëri zero taksa për 10 vjet”. Megjithatë, për këto politika e për këtë vision të Qeverisë shqiptare ka disa kritika e paqartësi që tashmë janë pjesë e debatit dhe sugjerimeve publike.

Nga një vështrim më i përgjithshëm, kritikat ndaj Paketës fokusohen në disa elementë : Mungesë e një strategjie zhvillimi të qëndrueshëm. Paketa e Maleve nuk shoqërohet me një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillimin rural, siç kanë shumë vende të BE-së; Përfshirje e ulët e komuniteteve lokale në vendimmarrje; Egziston një frikë se projektet e miratuara nuk pasqyrojnë sa duhet nevojat reale të zonave malore; Mendohet se do të përfitojnë më shumë emigrantët me disponibilitete monetare, dhe jo banorët ekzistues të zonave malore, që nuk kanë shumë akses në kredi. Disa ambientalistë shqetësohen se lehtësitë në ndërtim mund të çojnë në shfrytëzim komercial të peizazheve natyrore, sidomos në zona të mbrojtura. Edhe nëse ndërtohen shtëpi apo bujtina, mungesa e rrugëve, energjisë, furnizimit me ujë, shërbimi shëndetësor e arsimor, sistemi i kanalizimeve, etj, mbeten problem për t’u parë me përparësi. Financimi dhe mbikqyrja mbeten sfida për të garantuar që fondet të shkojnë tek përfituesit realë.

Ndoshta do të ishte mirë që projektet e bllokuara të AZHBR-së të praktikoheshin dhe shpërndaheshin edhe për fuqizimin e blegtorisë në zonat malore dhe agroindustrisë së produkteve tradicionale të këtyre zonave, pasi do t’i jepej frymëmarrje bujqësisë dhe blegtorisë, e cila sot është pothuaj e falimentuar, sepse nuk ka ku ta çojë prodhimin, si qumështi, prodhimet e bulmetit, mishin, vezët, produktet e pemtarisë, bujqësisë etj? Si e shikoni Ju zgjidhjen ?!

Po, teorikisht disa projekte të bllokuara nga AZHBR mund të rikualifikohen ose riaktivizohen në kuadrin e “Paketa e Maleve”, natyrisht, nëse: Projektet janë të përputhshme me qëllimet dhe prioritetet e Paketës (turizëm malor, bujqësi e qëndrueshme, blegtori, agro-përpunim, etj.); Institucionet përkatëse (AZHBR, Ministria e Bujqësisë dhe Bashkitë) bashkëpunojnë për rishikimin teknik, rifinancimin apo riorientimin e projekteve. Nëse ndodh një ristrukturim formal apo procedural që i lejon këto projekte të kalojnë në një linjë të re financimi apo mbështetjeje. Por, çfarë janë “projektet e bllokuara” të AZHBR? Janë projekte të financuara pjesërisht nga programet IPARD II, programet kombëtare ose skemat e subvencionimit bujqësor, që nuk janë finalizuar për shkak të mungesës së fondeve, problemeve teknike, mosplotesimit të dokumentacionit, mospërputhjeve me standardet, apo mospërmbushjes së kritereve për likuidim, apo kanë mbetur në fazën e projekt-idesë, ose me investime të papërfunduara. Çfarë ofron Paketa e Maleve në këtë aspekt? Ajo fokusohet më shumë te ndërtimi/rikonstruksioni i shtëpive tradicionale për bujtina, lehtësira për agroturizëm; investime për rrigjallërimin e ekonomive malore, rikthimi i popullsisë në zona të braktisura. Pra, nëse projekti i AZHBR-së ka qenë për ndërtimin e një bujtine, agropërpunim, blerje pajisjesh bujqësore për ferma në zonat malore, etj, atëherë ka shumë mundësi të përshtatet brenda kritereve të Paketës së Maleve.