Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi: Falja e vonuar për kanabizimin e Shqipërisë

262
*
Sigal

– Më falni për kanabizimin e Shqipërisë! Në fund të fundit e dorëzova ministrin dhe e mbylla atë faj!

– Më falni se u talla me Kushtetutën, me Kushtetuesen, me Opozitën, me Presidencën, me të gjitha institucionet e shtetit! Në fund të fundit ky jam unë! Nuk e dua institucionalizimin! Mund të drejtoj me akte normative!

– Më falni se kooptova në Parlament, në administratë e në qeveri mafien, trafikantët, vrasësit, përdhunuesit, hajdutët e shtëpive dhe të makinave! E bëra se isha i painformuar! Nuk ka mundësi që si kryeministër t’i di bëmat e gjithësecilit!

– Më falni që bëra ligje të posaçme për t’u dhënë prona oligarkëve! Ata e kanë fajin, sepse më joshën me një pjesë të majme të parasë!

– Më falni që e dhashë Shqipërinë dhe qeverisjen me Partneritet Publik Privat! Në fund të fundit kështu mendova – Shteti nuk është i aftë sa privati!

– Më falni se me urdhëra verbale e akte-normative, në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën, prisha me mijëra shtëpi banimi, me qëllim që t’u jap disa mundësi për fitim sipërmarrësve afër meje! Ishte gabim, por ama një gabim i domosdoshëm!

– Më falni se nuk e di që Serbia është armiku i Kosovës. Në fund të fundit i besova Presidentit të Serbisë, kur ai më thoshte se problemi nuk është Serbia, problemi është Kosova!

– Më falni se punova për ndarjen e Kosovës! Doja që të zgjidhja konfliktin me Serbinë. Për mua ishte më mirë që të jepnim territore e të mos grindeshim vazhdimisht!

– Më falni që nuk kam reaguar kur gjatë darkave me sipërmarrës të huaj zëvendësi im ka kërkuar pjesën e “tortës” në investim! Mendoja se bënte shaka!

– Më falni që nuk shkoj asnjëherë në zyrë, vetëm kur pres Merkelin, Ursulën, apo ndonjë personalitet të huaj! E kam bezdi zyrën. I kam bezdi dhe mbledhjet e qeverisë. Nuk shkoj se më dhemb koka! Më me qejf shkoj n’qenef, sesa në zyrë!

– Më falni që shaj, bërtas, fyej, shqyej dhe ndëshkoj këdo që më del përpara e më kritikon, opozitën, gazetarët, etj. Nuk do të përsëritet më! Por vetëm nëse ata nuk më kritikojnë më!

– Më falni se ju kam gënjyer për çdo gjë 20 vjet radhazi, si kryetar bashkie, si kryetar opozite e si kryeministër i vendit! Por këtë shkollë kam bërë te Sorosi! Nuk di të them të vërteta!

-Më falni se ju kam vjedhur me e pa patronazhistë! Unë e kam ves vjedhjen, sidomos atë të votës! Nuk më del shpirti po nuk vodha!

– Më falni se ju përçava e ju bëra pikë e pesë! Jo vetëm ju këtu në Tiranë, por edhe ata në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në diasporë, kudo ku ka shqiptarë! Ju përçava me Open Balkanin e me lloj iniciativash pro-serbe e pro-ruse! Por kështu mendonte edhe Aleksandër Vuçiç. Pra nuk është vetëm faji im! Është edhe faji i presidentit të Serbisë!

– Më falni se bashkëpunova me Dalinën e Sorosin për ta shpallur Sali Berishën non-grata! Nuk e dija se po ringjallet e po ngrihet si feniksi për ta rikthyer opozitën! Në fund të fundit vetes ia futa me këtë gabim që kam bërë!

– Më falni që 600 mijë shqiptarë i përzura nga vendi dhe e zbraza Shqipërinë nga forca më aktive e punës! Por do ta zgjidh në të ardhmen. Do t’i zëvendësoj me indianë, afrikanë dhe bangladeshas!

Më falni, më falni për njëmilion të zeza që ia kam bërë këtij vendi e këtij populli! Aman më falni, vetëm nga pushteti mos më rrëzoni! Se pushteti më jep para dhe me para rikuperoj pushtet! Prandaj dhe kërkoj falje, nuk jap dorëheqje!