Pensionistët janë një ndër shtresat e diskriminuara prej “maliqit” ligjor dhe me ligj diferencohen edhe ata vetë mes tyre (pensionet para e pas viteve 90), bonuset (sikurse ai për energjinë elektrike) etj.
Pavarësisht retorikave, shteti ynë ligjor është rrënuar sistematikisht nga politika e ditës që si çdo gjë, edhe legjislacionin, e ka koklavitur në shërbim të interesave të saj. Shtojca pas shtojcash, gërma pas gërmash, “kozmetika estetike” ligjore sot ka bërë, që ligjet dhe “transparenca” ligjore të jetë një gjë-a-gjëzë ku lepuri fle ngado.
Ligj që nuk ngjit!
Një ligj korrekt niset nga parimi, është i qartë e shmang marifete, interpretime e lojra ligjore që nëpërkëmbin interesin publik e qytetar. Mjerisht, tani kemi një zallamahi e ngrehinë ligjore që shpesh nuk niset nga interesi qytetar, por ai i politikës fluide të ditës si në thelbin e plot ligjeve që cënojnë barazinë mes shtetasve ashtu dhe mënyrën si miratohen në Kuvënd.
Refreni “Hapet votimi… miratohet neni” në Kuvënd ka degraduar në karshillëk rutinë ndaj qytetarit që këtej sheh një palë që bën deri “Prometeun” e mban zjarrin gjallë e andej sheh një mazhorancë që valvit kartonin jeshil tërë kohën në ajër, sepse ligjet kalohen breshëri.
Në këtë proçes ligjbërjeje qytetari ndjehet i huaj. Qoftë nga mënyra sesi hyjnë në Kuvënd ata që flasin në emër të tij, propozimi, debati e argumentat për përmbajtjen e ligjeve, rrumpalla e seancave shkaktuar nga peng-marrja e miratimi me telekomandë mes anarkisë etj. Kjo bën që Kuvëndi të katandiset në “zyrë” noterie ku “zbardhen” akte, në mos të jetësuara, të projektuara me interesa klienteliste pas (konçesionet, investitorët stragjikë, ligji zgjedhor etj).
Pabarazi nga “lart” mes të barabartëve!
Shpesh ligji jo vetëm që nuk garanton barazinë mes qytetarëve, por përkundrazi legalizon pabarazinë mes tyre ku e fituar mbetet vetëm politika, sepse qytetarët në masë, direkt apo indirekt, preken nga nënshtrimi i ligjit ndaj oreksit politik.
Sot me ligj është cënuar siguria juridike! Si në rastin e pronës historike (ligji populist me motiv zgjedhor 7501) ku toka e “xanun” legalizohet falas, por shoqëria paguan për infrastrukturën e shërbimet publike, pabarazia në strehim (ligji për banorët në banesa ish-pronë private që i la pa shtëpi ata ndërkohë që për të njëjtin kontribut jete qindra-mijra familje privatizuan hyrje në vitet 90 dhe cave sot shteti u ofron sërisht banesa falas pas tërmetit etj).
Po nga “lart” sot është shtresëzuar shoqëria përmes politikave klienteliste që kanë krijuar hendek mes të kamurve e të skamurve, diskriminohet qytetari korrekt në favor të abuzuesit (faturat elektrike etj), braktiset me “vetadministrimin” e pallateve etj sajesa “ligjore” që cënojnë besimin në ligj.
Bonusi i energjisë e dinjiteti i moshës së tretë
Pensionistët janë një ndër shtresat e diskriminuara prej “maliqit” ligjor dhe me ligj diferencohen edhe ata vetë mes tyre (pensionet para e pas viteve 90), bonuset (sikurse ai për energjinë elektrike) etj.
Bonusin e energjisë sot e marrin vetëm pensionistët që kanë shtëpi me emrin e tyre. Ata që janë të pastrehë, banojnë tek fëmijët, jo! Dhe kjo, për një pensionist që nuk ka shtëpi me tapi, sepse shteti nuk ia dha këtë mundësi si të tjerëve (psh. ata që banonin në banesa ish-pronë private) është padrejtësi “ligjore” e vuajtur dyfish. Ju mohua një kontribut jete dhe u la pa shtëpi dhe sot qeveria e përdor mungesën e tapisë si sebep për të mos i dhënë bonusin për energjinë!
Pensionisti, më vete apo tek fëmijët, rron me një pension modest që do të turpëronte këdo qeveri. Por jo qeverinë e politikën tonë cinike dhe të akullt që rriti rrogën e Presidentit që të rriste menjëherë rrogat e saj (preteksi i Piramidës së rrogave) dhe ndërkohë e mori shtruar për buxhetorët e për të moshuarit, që sot janë nesër nuk janë, e ka lënë në perspektivë! Pensionisti, tapi apo jo, njëlloj nuk ia del dot. Qoftë për ilaçe, ushqime, kafe, fatura etj dhe t’i zësh në gojë mungesën e tapisë për bonus energjie për të cilën ti si shtet mban përgjegjësi kur e le pa shtëpi(!), është amoralitet politik.
Nëse i moshuari jeton me fëmijët, një shtet e qeveri dinjitoze (që sot nuk ofron një shërbim përkujdesjeje spitalor, shtëpiak apo azili dinjitoz) duhet të jetë jo vetëm mirënjohës për këtë lehtësim, por mbase edhe duhet të kompensojë financiarisht familjarët që lënë punën e kujdesen për të moshuarit e sëmurë, të mundësojë bonusin e energjisë pa dallim deri edhe të ofrojë kredi të butë strehimi që këta të moshuar t’u lënë diçka pas fëmijëve si të gjithë deri tani.
Ligj për jetë e mot
Një qeveri korrekte, parimore dhe humane nuk u shton “bishta” ligjeve, që krijojnë pabarazi mes nesh. Ligji duhet të jetë parimor e transparent dhe pensionisti është pensionist, pavarësisht ku e me kë jeton dhe meriton vëmëndje njëlloj.
Në rastin e të moshuarve koha nuk pret e shpërfillja e harresa ndaj atyre që dhanë aq shumë dikur lëndon, aq më tepër kur qeveris një parti e “majtë”që në fakt nuk është paradox, sepse Partia Social-ishte ka kohë që nuk është e tillë dhe populizmin, atë e bëjnë edhe diktaturat në botë!
Përtej retorikave e sloganeve bombastike për “suksese” e “arritje” që çuditërisht ende nuk ngjallin besim e shpresë në vend, ajo që sot ka pllakosur kudo është varfëria, padrejtësia e shpërfillja e politikës e qeverisë ndaj qytetarit që rrugëdalje ka mbijetesën e ashpër apo emigrimin mes brengash. Sepse ligji e zbatimi i tij, ai që duhej të ishte në anën e qytetarit dhe frymëzonte atë, është katandisur në truk të politikës për t’i bërë bisht drejtësisë për abuzimin historik.
Ligj i mirë është ligji i qartë e parimor, që reziston në kohë sikundër doket, zakonet e kanunet historike. Xhungla e koklavitja e legjislacionit nuk është veçse “mjegull” e stisur që të humbë gjurmët “ujku” i abuzimit. Dhe sa kohë me sistemin aktual zgjedhor rotacioni politik mbetet iluzion, ligji do të mbetet shaka e hidhur dhe qytetari do të ndjehet i huaj në vendin e tij.