Prof. Arben Malaj: Mos e prekni shkollën tregtare të Vlorës

Politikanë të Vlorës, ndiqni modelin e shkollës “Harry Fultz”, ruani trashëgiminë e shkollave si pjesë e  trashëgimisë dhe historisë të qyteteve tona dhe të gjithë Shqipërisë. MOS PREKNI SHKOLLËN TREGTARE TË VLORES!  Shkolla Tregtare e Vlorës është një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në qytet dhe një simbol historik i edukimit dhe përgatitjes së brezave. Çdo tentativë për ta spostuar fizikisht, apo për t’i liruar truallin ndërtimit të pallateve do të ishte një turp i madh për politikëbërësit dhe një dëm i pakthyeshëm për qytetin.

Nëse ndodh kjo, do të jetë jo vetëm një akt i papërgjegjshëm, por edhe një krim i dënueshëm moralisht dhe ligjërisht, për dy arsye:

Sigal

-Italianët nuk ndërtonin kazerma ushtarake pa blerë më parë tokën. Zona është historikisht truall shtetëror me funksion publik.

– Edhe sikur të jetë tokë private, interesi për një arsimim cilësor prevalon mbi çdo interes ndërtimi. Kushtetuta e lejon shpronësimin për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën, kur ka interes publik.

Këtë shqetësim ia kam paraqitur me kërkesë zyrtare, përpara disa muajve Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Ekonomisë (ku përfshihet edhe arsimi profesional), Bashkisë së Vlorës dhe Drejtorisë së Shkollës.

Ministria e Arsimit më ka konfirmuar se nuk ka kompetencë mbi shkollat e mesme profesionale.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dha një përgjigje të paqartë dhe anashkaluese.

Drejtoresha e shkollës më sqaroi me të drejtë se vendimmarrja i takon MEKI

Vetëm Bashkia e Vlorës nuk ka kthyer përgjigje duke shkelur hapur ligjin për të drejtën e informimit.

Këmbëngulja jo vetëm e imja nuk do të ndalet. Të ndalojmë babëzinë e ndërtimit që po gërryen hapësirat publike të arsimit dhe kujtesës sonë historike! Bashkohuni me zërin tonë për të mbrojtur Shkollën Tregtare.Mos lejoni që Vlorës t’i hiqen themelet që kanë ndërtuar dinjitetin e saj!