Preng Cub Lleshi/ Një përgjigje e shpëlarë në mbrojtje të “Ballit Kombëtar”

676
Refleksione rreth shkrimit të Andrea Stefanit “Përgjigje për veteranët dhe të tjerët”
Duke lexuar “serinë” e shkrimeve të analistit Andrea Stefani në mbrojtje të “Ballit Kombëtar”, se si më erdhi në mendje poema madhore e Shefqet Musarait “Epopeja e Ballit Kombëtar”, në të cilën, me gjuhën e artit, demaskohet tradhtia e kësaj organizate kolaboracionistësh shqiptarë. E kujtova këtë poemë dhe pyeta vetën: “Mos vallë edhe analisti ynë Stefani do ta titullojë serinë e shkrimeve në mbrojtje të ballistëve “Epopeja e Ballit Kombëtar”?! Se shqiptarët do të ziheshin ngushtë; nuk do të dinin cilin të besonin për “bëmat” e “Ballit”: Shefqet Musarain Apo Andrea Stefanin? Por, kur lexova përgjigjen e tij drejtuar veteranëve dhe të tjerëve, me mendimin për “t`u rrëfyer” dhe “për të larë mëkatet”, ndërrova mendim. Jo, thashë vete. Andrea nuk paska “takat” (fuqi) për ta “rishkruar” “Epopenë e Ballit Kombëtar?! Se Shefqet Musarai, edhe i vdekur, e bën me turp analistin tonë, që përpiqet të sjellë në jetë kufoma ballistësh, që shkuan “në jetën e pasosur” me vulën e tradhtisë në ballë! Më mirë bën t`ia lërë këtë ndërmarrje të palavdishme Uran Butkës, apo Alimadhit, sepse atyre u takon ta mbrojnë farefisin e vet! Se, me “përgjigjet” që u jep veteranëve dhe të tjerëve në shkrimin e tij të fundit (në qoftë i tillë), ai, përsëri, zbulohet keq jo vetëm si mbrojtës i ballisto-zogistëve, por edhe si një antikomunist i tipit “Ndregjoni dhe jo i tipit Vacllav Havel! Se, që nga fillimi e deri në fund, edhe pse ka “shpikur” ca çështje, për ta bërë disi “më interesant” shkrimin, zotëron “konkluzioni” i tij, sipas të cilit “sektarizmi i udhëheqjes komuniste ishte njëri ndër faktorët që e shtyu Ballin në tradhti” (?!) Por një “konkluzion” i tillë është për të qeshur e për të qarë. Se këtu analist Stefani, duke dashur të vërë vetullat, nxjerr sytë: Pohon se “Balli” shkau “në tradhti”! Veçse analisti ynë bëhet disi qesharak, kur aktin e tradhtisë së ballistëve e “përligj” me “sektarizmin e udhëheqjes komuniste”, duke harruar se një “logjikë” të tillë populli e përtall në proverbin e vet, sipas të cilit, “për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë”!
Të përpiqesh…

Të përpiqesh për të “justifikuar” tradhtinë e ballistëve e të zogistëve ndaj Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar me “sektarizmin e udhëheqjes komuniste” është jo thjesht një mendjelehtësi e çuditshme, por një marrëzi logjike. Se analisti duhet ta dijë që tradhtia, veçanërisht tradhtia ndaj atdheut, nuk falet! Pra nuk kishte arsye që ballistët, “për inat të komunistëve”, të bashkëpunonim me pushtuesit fashistë! Se edhe vetë Hitleri i pat quajtur “njerëzit më të poshtër” ata që e ndihmonin për të pushtuar vendin e tyre! Dhe, sikur të mos i mjaftonte “sektarizmi i udhëheqjes Komuniste” në qëndrimin ndaj Ballit, për të “justifikuar tradhtinë e tij ndaj Luftës Antifashiste, Andrea Stefani stis, si një antikomunist pasionant, edhe një “konkluzion” tjetër absurd. Sipas tij ishin “intrigat politike të Hoxhës dhe këshilltarëve të tij jugosllavë (?!) për shndërrimin e luftës çlirimtare në revolucion Bolshevik…(?!) qenë një faktor përcaktues, që i shtyu një pjesë të nacionalistëve (?!) … të bashkëpunonin me nazistët gjermanë”. Ky “konkluzion” na rikujton jo vetëm anekdotën e nuses që, “për inat” të vjehrrës, shkon e “fle me mullixhinë”, por edhe përrallat bastarde e shpifjet e paskrupullta të “historianëve” të Ballit, të cilët e quajnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si “luftë civile”. Ndaj, pa u zgjatur në shpjegimin e këtij nocioni, duam t`i themi analisti: Na thuaj një rast në historinë botërore që të dëshmojë se “lufta civile” ka çuar ndonjë popull në fitoren e lirisë! Por analisti ynë besoj se i çudit edhe disa kolegë të tij, kur, pa mbajtur parasysh rrethanat historike në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pa mbajtur parasysh se ajo ishte luftë kundër pushtuesve fashistë, përrallis kundër “marrjes së pushtetit me dhunë dhe jo demokratikisht me zgjedhje”. (?!) Se, për të mos u zgjatur shumë me këtë çështje, themelet e pushtetit të ri që do të lindte pas luftës ishin hedhur në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942 dhe ishin ligjëruar më 24 Maji 1944, në kongresin e Përmetit. Këto të vërteta mësuesi i dikurshëm i filozofisë marksiste ua thoshte nxënësve të tij në vitet e socializmit. Po ja që edhe Andrea Stefani, si shumë intelektualë të tjerë të sojit të tij, “ndërroi mendje” në erën e të famshmes “demokraci pluraliste”. Ai që, si Kadareja, dikur, e ngrinte në qiell Enver Hoxhën si themelues dhe udhëheqës të PPSH, tani e padit si “tradhtar” të vendit të tij, sepse paska “grisur marrëveshjen e Mukjes”. Se, sipas tij, “Asnjë e keqe nuk do t’i vinte Luftës nga zbatimi i asaj marrëveshje”.
Kur e dëgjon analistin të thotë marrëzira të tilla

Dhe, kur e dëgjon analistin të thotë marrëzira të tilla, njeriu i ndershëm ka të drejtë të pyesë: I ka harruar ish – mësuesi i filozofisë marksiste të vërtetat që u ka thënë dikur nxënësve të tij, apo tani, në erën e “demokracisë pluraliste”, këto të vërteta i duken gënjeshtra?! Se ai, siç rezulton nga ca citime që sjell nga arkivat në mbrojtje të “tezave” të tij do t`i ketë hasur edhe pohimet e tre protagonistëve të asaj periudhe historike, të Ymer Dishnicës, Sejfulla Malëshovës dhe Bedri Spahiut për marrëveshjen e Mukjes dhe “grisjen e saj” me Vendim të Këshillit Antifashist në vitin 1942. Se këta, më pohimet e tyre, e djegin përrallën ballisto-zogiste të analistit, sipas të cilës “Hoxha e grisi marrëveshjen jo për hir të bashkimit por për hir të përçarjes (?!), pa të cilën ai nuk vinte dot në pushtet”, duke e quajtur këtë grisje “një akt të padenjë të PKSH”. (?!) E djeg këtë përrallë qoftë edhe pohimi i Ymer Dishnicës, i cili theksonte se “Atje (në Konferencën e Mukjes-shënimi im) ne pamë Ballin me letra të hapura, ethet që patën për të fituar kolltuk, trashëgimtarë të vërtetë të fashizmit, siç tha Nakua”. (Arkivi i PPSH, Fondi 40, Dosja 12). “Ne u thonim, shtonte më tej Ymer Ishnica, se këto vendime (vendimet e Konferencës së Mukjes-shënimi im) do të aprovoheshin në Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe nuk mund t`i pranojmë pa marrë pëlqimin e organizatës sonë”. Dhe, sikur ta dinte se do të lindnin në të ardhmen falsifikatore të të vërtetave historike, shton: “Me raportin e z. Enver Hoxha jam dakord, se është zëri i pastër i kombit, zëri i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, është zëri i Lëvizjes sonë”. Këto të vërteta i shpaloste edhe Bedri Spahiu, kur shprehej qartë se “Mukja u përmbys jo për sentimentalizëm, jo se do të ndahej kolltuku, por se nuk mund të pranohej Balli Kombëtar të merrte pjesë në qeveri…Ai duhej të dilte nga shkolla e luftës, që të hynte në Front e të kërkonte pastaj ta zgjidhte populli në qeveri”. (AQP, Fondi 40, Dosja 1). Dhe përpara këtyre pohimeve lapidare, idetë e të cilëve gjenden edhe në male dokumentesh të ndryshme historike për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rolin e Enver Hoxhës si Komandant i kësaj lufte, duhet t`i bëjnë me turp mbrojtësit e kufomës politike të “Ballit Kombëtar”. Se. siç thoshte kryeprifti Fan S. Noli, ”Sikur të ngjante e pangjara dhe ballistët tanë të kishin qëndruar në fuqi pas disfatës gjermane, përfundimi do të ishte një anarki e plotë, më e keqe se ajo e Greqisë, e cila do ta shpinte Shqipërinë ose në një diktaturë reaksionare ose në copëtimin final”. (Gazeta “Dielli” (Boston), 1947, 26 mars, nr. 5767). 
Edhe pse nuk i mungon kultura

Por analistit Stefani, edhe pse nuk i mungon kultura, bie në pozitat mjerane të antikomunistëve injorantë, kur shtron pyetjen: “A janë njësoj komunizmi dhe nazizmi, Enveri me Hitlerin”? Se “komunizmi”, siç duhet ta dijë ish-mësuesi i filozofisë marksiste, është doktrina që predikon lirinë dhe barazinë në shoqërinë njerëzore, kurse nazizmi, siç e dinë njerëzit me kulturë mesatare, në programin e vet kishte në ballë tezën hitleriane “Dojçland ybër Ales”, që përkthehet në shqip “Gjermania mbi të gjithë”. Pra, siç kuptohet lehtë, komunizmi dhe nazizmi janë dy doktrina diametralisht të kundërta: E para është “doktrina e lirisë” dhe e dyta “doktrina e robërisë”! Se, të ishin njësoj Komunizmi dhe nazizmi, Rusvelti e Çurçilli nuk do të zgjidhnin si aleat kundër Gjermanisë naziste komunistin Stalin, figura e të cilit, çuditërisht, e tmerron shumë analistin tonë, si të gjithë antikomunistët e kësaj bote. Sidoqoftë, për të mos u zgjatur me teorizime mbi këto doktrina, e shoh të arsyeshme t`i kujtoj kolegut tim të dikurshëm vargjet e një poezie të poetit dhe të dramaturgut të madh gjerman, Bertold Breht, i cili shkruante për komunizmin:
“Të marrët e quajnë të marrë dhe të ndyrët të ndyrë, 
Ai është kundër ndyrësisë dhe marrëzisë…. 
Ai është fundi i krimeve…
Fundi i çmendurisë”!
(“Kurt Tuholski, Erik Vajnert, Bertold Breht, f. 133)
Dhe, pasi ka vendosur shenjën e barazimit midis komunizmit dhe nazizmit(?!), analisti “ynë” bën marrëzinë e radhës, vendos shenjën e barazimit edhe midis Hitlerit e Enverit! (?!) Dhe shkarravit, për ta “argumentuar” këtë, se “Hiltleri adhurohej në Gjermani njësoj si Enveri në Shqipëri”, duke kujtuar edhe “festat me flamuj të kuq… dhe lule e duartrokitje për xhaxhi Adolfin… njësoj si me xhaxhin tonë Enver në 1 maj”. Por, duke dashur t`i shkojë gjer në fund krahasimit të Enverit me Hitlerin, Stefani thotë një broçkull që nuk mund ta thotë një intelektual i kulturuar. Pasi pohon se “Enveri nuk bënte dot luftë. Qoftë edhe për Kosovën” (?!), shton se Enveri “u stabilizua në pushtet me mbështetjen e jugosllavëve(?!)prandaj… sakrifikoi kërkesën e drejtë për vetëvendosje të Kosovës…. duke i dhënë përparësi qëndrimit në karrigen e pushtetit”. Veçse këtë pohim e bën krejt të pabesueshëm, bile, edhe qesharak, pohimi i historianes ruse Nina Smirnova, e cila ka shkruar: “Nuk e kuptoj se përse disa politikanë e studiues në Shqipëri e sulmojnë aq shumë Enver Hoxhën për qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Këta, qofshin profesorë a çfarë do qofshin në Shqipëri, janë sharlatanë në shkencë dhe sahanlëpirës në politikë”, duke shtuar se “Enver Hoxha, …për hir të Kosovës, ishte gati t`i vinte flakën Jugosllavisë e më gjerë”. (Okelio e librit “Masakra e Tivarit”) Po ç`ta zgjatim me përgjigjën e shpëlarë në mbrojtje të Ballit Kombëtar të Andrea Stefanit! Se jo vetëm shqiptarët e ndershëm, por edhe popujt evropianë e dinë se kush ishte Hitleri e kush ishte Enveri! I dinte këto të vërteta edhe burri i madh i Francës-Sharl Dë Gol, kur shkruante se “Enver Hoxha është lideri më patriot në Evropë. Falë luftës, mbrojtjes dhe ndërtimit të atdheut të tij, ai meriton respekt”, duke shtuar se “askush më shumë se Enver Hoxha nuk e meriton thënien “Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon”!
*Autor i 14 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë
Sigal