Plani i Himarës dhe Diplomacia Greke

745
Albert Gajo

Ditët e fundit pati komente të njëpasnjëshme të diplomacisë greke kundër procedurave të ndjekura për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë. Shënjestra kryesore e këtij sulmi, çuditërisht këtë radhë, nuk është vënë Bashkia Himarë apo Këshilli Bashkiak që miratoi në parim draftin e ri të këtij Plani, po vetë Kryeministri Rama….Megjithatë në këtë shënim nuk do të bëj avokatin mbrojtës të Kryeministrit, por do të ndriçoj këtë çështje në dy këndvështrime të tjera,

Së pari, të theksoj se ç’është ky draft plan i miratuar; 

së dyti, a shkelen të drejtat e minoritetit grek gjatë dhe pas miratimit të këtij Plani?
Për çështjen e parë duhet theksuar, se që nga viti 2012 ish Bashkia Himarë, e cila shtrihej për gjatë vijës bregdetare nga Palasa deri në Borsh, ka një plan të miratuar dhe që është në fuqi deri në miratimin e planit të ri, i cili u miratua me konsesus të plotë nga përfaqësuesit e të gjithë forcave politike të ish Bashkisë Himarë përfshirë PBDNJ. Plani i ri që është hartuar në pjesën më të madhe ka marrë parasysh tërësisht këtë plan, duke bërë njëkohësisht integrimin e këtij rajoni tashmë të planizuar me dy ish Bashkitë e tjera të Vranishtit dhe Lukovës. Pra, në esencë plani i ri lejon një perspektivë zhvillimi të dy këtyre dy ish komunave me Bashkinë e re Himarë, duke i dhënë sinergji të reja këtij rajoni. Në këtë mënyrë, ndërhyrja në planin e vjetër të Bashkisë Himarë, ka përforcuar karakterin e zhvillimit të këtij rajoni me destinacion turizmin elitar, duke ruajtur në maksimum trashëgiminë kulturore dhe veçantitë natyrore të këtij rajoni.

Së dyti, nëse preken interesat e komunitetit të minoritetit grek në këtë rajon ato mund të quhen të prekura në Vranisht dhe në ish Komunën Lukovë, por, që në dijeninë time, në këto dy ish komuna ka pak ose aspak komunitet grek.

Pas këtij sqarimi të shkurtër le të të ndalem pak edhe në deklaratat e Ministrisë së Jashtme greke.

Si ish zv Ministër i Integrimit Evropian e që i njoh si rrallë kush në Shqipëri detyrimet dhe të drejtat që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit gjykoj, se miratimi i një plani të përgjithshëm vendor, jo vetëm që nuk ka lidhje me ndonjë fushë të të drejtave të njeriut, por përkundrazi, miratimi i tij, përfshirë dhe strategjitë sektoriale dhe kombëtare, është një parakusht për Integrimin Evropian.

Duket që deklarata të tilla janë të nxitura nga fraksione të ekstremizmit grek në diplomacinë e vendit fqinj që frymëzohen nga njerëz që kërkojnë të jenë protagonistë, duke nxitur frymën e mosmarrëveshjeve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por, nëse janë të mirëkuptuara nevoja e këtyre individëve në Shqipëri për protagonizëm, për mua është e pafalshme mediokriteti i deklaratave të Ministrisë së Jashtme Greke, gjë që flet, jo vetëm siç e përmenda më lart të influencës së qarqeve ekstremiste greke, por edhe për cektësinë e të kuptuarit të situatës konkrete në Shqipëri.
Sigal