Qeveria është problemi

627
Dr. Bledar KURTI

Qeveria dhe qytetari
“Qeveria nuk është zgjidhja për problemet tona. Qeveria është problemi,” ka thënë Ronald Reagan, Presidenti i 40-të i ShBA. Kjo thënie ka shumë kuptim në vendet me prejardhje anglo-saksone, për shkak të filozofisë së tyre racionale në lidhje me raportin popull-qeveri, por nuk ka kuptim për një vend si Shqipëria e cila historikisht ka qenë e sunduar nga pushtues ose diktatura. Është e habitshme, se si vetëm një thënie e tillë bën dallimin midis botëkuptimit perëndimor dhe atij lindor. Perëndimi e sheh raportin popull-qeveri në mënyrë horizontale, pra, populli dhe qeveria ecin paralelisht, ndërsa vendet lindore, sidomos ato ish diktatoriale e shohin këtë raport vertikalisht, qeveria “mbi” dhe populli “nën”, qeveria “lart” e populli “poshtë.” Në perëndim populli e sheh qeverinë si rival, ndërsa këtu tek ne si “Zot” dhe “shpëtimtar.” Një qytetar perëndimor e quan qeverinë si problemin e vetëm që ka, sepse problemet e tjera ai apo ajo i zgjidh vetë; paratë di si t’i menaxhojë vetë; shkollën e zgjedh vetë; punën e kërkon vetë; me pushime zgjedh kur të dojë vetë; shëndetësinë e paguan vetë; dhe tokën e tij, që ia ka lënë trashëgimi gjyshi, me aq shumë mund e dashuri, di si ta menaxhojë më mirë se sa një drejtoreshë me shkollim mesatar që e ka caktuar në detyrë partia apo ka njohje me ndonjë figurë politike. Një perëndimor familjar e pa vese ka më shumë besim tek aftësia e vet për t’i shpenzuar paratë që ka në xhep apo në bankë, se sa tek ndonjë burokrat që vjedh ditën e i lë paratë në ruletë natën. Ndërsa në Shqipëri nuk ka bisedë që le jashtë qeverinë. Qeveria, e parë vertikalisht, si Zot dhe Shpëtimtar, është subjekt i çdo bisede, çdo ankese, çdo dëshire. Ajo është brenda xhepit, brenda frigoriferit, gjithmonë brenda televizorit, brenda dhomës së gjumit, e madje brenda WC-së kur shtyp butonin e shkarkimit dhe kupton që nuk ka ujë. Qeveria shihet si edukatori i fëmijëve të tu, plotësuesi i nevojave të gruas tënde, i zoti i shtëpisë që ta kanë lënë trashëgimi prindërit apo e blerë me kredi, dhe padroni i jetës tënde. Sot, ndoshta më shumë se sa çdo moment tjetër në historinë e këtij shteti, shqiptarët e shohin qeverinë si Shpëtimtar për jetën dhe problemet e tyre. Në fakt, ky është gabimi më i madh. Sepse qeveria nuk është zgjidhja, por problemi. Kështu ka qenë e kështu do të jetë gjithmonë, që kur ishe në mitrën e nënës e deri sa të shkosh në grykën e varrit. Qeveria nuk duhet parë vertikalisht, as si Zot e, as si Shpëtimtar. Zot dhe Shpëtimtar është Jezus Krishti, por një grup njerëzish të lindur nga gjaku e mishi, me një nivel arsimi mesatar (me raste edhe elementar) nuk mund të përbëjnë asgjë më shumë se sa një individ të zakonshëm. Qeveria duhet parë horizontalisht, si një rivale e rreptë e mirëqenies sonë. Duke i paguar taksat dhe më pas duke i kërkuar llogari e bërë përgjegjëse për administrimin e tyre. Duke e paguar me mundin e punës sonë e duke i kërkuar në shkëmbim, sigurinë, shërbimet civile dhe sociale që i takon të ofrojë. Në një raport horizontal, qytetari i kërkon llogari qeverisë, por në raportin vertikal shqiptar, siç kemi parë katër vitet e fundit, e do vazhdojmë të shohim edhe më shumë në katër vitet e ardhshme, qeveria i kërkon llogari qytetarit. Si për shembull: përse nuk bëhesh me zanat në moshën 50 vjeçare, sepse punë ka, por nuk ka profesionistë? E për çfarë e do këtë degë në universitet, qeveria ka një plan për ty në këtë degën tjetër?! E dokrra si këto. Nëse do përdorej kjo retorikë në ShBA, Angli, Gjermani etj, qeveria do rrëzohej brenda një ore. Sepse këta popuj e shohin qeverinë në krah të tyre duke vrapuar maratonën e pafundme të rivalitetit qytetar-qeveri të marrjes së kompetencave, ndërsa këtu qeveria, e parë si hyjni nga qytetari, e meriton të përdhosë dinjitetin e shqiptarëve atje poshtë, shumë poshtë, nga froni i saj i lavdisë në qiej.

Qeveria Neo-Liberale
Në dy dekadat e fundit, bota po sundohet nga fryma dhe filozofia neo-liberale. Kjo frymë nisi paralelisht në universitetet më të njohura të botës, mediet më me zë, organizatat ndërkombëtare dhe krerët e përzgjedhur të disa qeverive. Universitetet, sidomos ato amerikane, iu rikthyen filozofisë Marksiste, mediet shpikën konceptin e Lajmit të Rremë (Fake News) organizatat ndërkombëtare promovuan diversitetin kulturor, gjinor e seksual, si çelësin e një bote më të lumtur, ndërsa qeveritë propaganduan një qasje të re politike dhe raporti midis qytetarit dhe qeverisë. Të gjitha këto ishin të koordinuara për të arritur një qëllim: qeveria (ose autoritetet drejtuese) të bëhet zot të jetës tënde dhe padronë të familjes tënde. U arritën shumë revolucione neo-liberale gjatë këtyre dy dekadave: nisi me revolucionin e spektrit politik e njohur me rrugën e mesme ose përtej të majtës apo të djathtës; më pas me shpërbërjen e formulës klasike – fëmija është së pari, fëmijë i babait e nënës së vet, pastaj i atdheut dhe i shtetit – duke e bërë – fëmija është i shtetit dhe atdheut e më pas i prindërve të tij duke lejuar kështu që shteti të ndërhynte direkt tek edukimi i fëmijëve, si rrjedhojë duke kontrolluar të gjithë brezat e rinj. Zhbënë formulën bazike shoqërore: burrë+grua+fëmijë, duke promovuar mutacione anormale familjare homoseksuale. Kryen pranvera arabe e madje planifikuan edhe pranverën e Vatikanit. Dhe së fundmi me Lajmin e Rremë (Fake News), e cila është një mekanizëm sfumimi të së vërtetës dhe një pasqyrë kotësie, e cila merr imazhin e rremë të njërës anë dhe e pasqyron si të vërtetë në anën tjetër, duke krijuar kështu një iluzion hipnotik që e mban individin të izoluar brenda një fluske realiteti virtual, dhe shumë larg të vërtetës. Neo-liberalizmi ka ardhur edhe në Shqipëri dhe qeveria do bëjë atë që i intereson më shumë: të afrojë altoparlantët e saj sa më pranë veshit të qytetarit dhe t’i flasë pa pushim brenda kokës së tij, në gjumë apo zgjuar qoftë ai, se sa e mirë është ajo e se sa i paaftë është ai; sa e zgjuar është qeveria e se sa jo profesionist është ai; se sa shumë interesohet qeveria për fëmijët e tij dhe sa injorant është ai për të ardhmen e ndritur të brezave të rinj; se sa shumë e do qeveria tokën e gjyshit të tij dhe se sa pak e do ai; se sa net pa gjumë qëndron qeveria për të zgjidhur problemet e vendit e se sa dembel është ai; se sa e bukur është bërë jeta e shqiptarëve por se sa i verbër është ai për ta parë; se sa shumë janë të mbushura xhepat e tij me para por se sa i marrë është ai që nuk e ndien; sa të bukura janë sheshet, pedonalet dhe kullat prej betoni, por se sa i pa sofistikuar është ai që nuk e kupton artin modern; se çfarë plani gjenial ka qeveria për votën e tij, por se sa mangësi ka ai në njohjen e vizionit të Shqipërisë evropiane; se sa e gjelbëruar dhe e begatë është Shqipëria, por sa mendje të pistë e të mbrapshtë kanë shqiptarët që ëndërrojnë për fusha e magazina me kanabis të njomë e të thatë. Propaganda neo-liberale promovon fjalët dhe jo punën; ajo promovon utopinë dhe jo realitetin; ajo injekton ëndrra surreale dhe nuk plotëson nevojat standarde të një shoqërie. Ajo flet për Shqipërinë e gjeneratës tjetër duke shmangur përgjegjësinë e brezit të sotëm që ndodhet në kufirin e mbijetesës. Ajo prodhon frikë dhe njëkohësisht ofron formulën e zgjidhjes së kësaj frike specifike që ka prodhuar vetë. E gjitha për ta bërë qeverinë, Zot të jetës së individit. E bëjnë këtë me njerëzit e thjeshtë, e bëjnë këtë edhe me njerëzit e rëndësishëm si për shembull vetë Presidentin e ShBA, Donald Trump që lufton një betejë të përditshme me Lajmin e Rremë (Fake News) Shqipëria sot ka një qeveri të re. A do jetë ajo mbi qytetarët apo në krah të qytetarëve këtë e vendosin vetë shqiptarët. Janë vetë shqiptarët ata të cilët duhet të zgjedhin ta shohin qeverinë si zgjidhjen e problemeve të tyre apo si vetë problemin. Ata duhet të zgjedhin t’i kërkojnë llogari për administrimin e taksave të tyre apo ti binden verbërisht vizionit të një grupi të caktuar njerëzish. Ata duhet të zgjedhin të bëhen racionalë e të dallojnë produktet me retorikën e një qeverie. Teksa e gjithë media neo-liberale e poshtëron dita-ditës punën, imazhin, personalitetin dhe familjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump, brenda gjashtë muajve të presidencës së tij, nga periudha Janar-Korrik 2017, ky është bilanci që ai ka: u hapën 1 milion vende të reja pune; papunësia shënon shifrën më të ulët në 16 vitet e fundit dhe eksportet arrijnë shifrën 194.4 miliardë dollarë, më e larta kjo në 3 vitet e fundit. A është kjo retorikë apo punë? A nuk meritojnë edhe shqiptarët shifra konkrete të cilat ndikojnë rritjen e standardit të jetesës? Vendet e pasura dhe të zhvilluara dallojnë nga ato të varfra e të prapambetura nga fakti, se sa kohë shpenzojnë për të folur në publik drejtuesit e tyre. Drejtuesit e vendeve të zhvilluara kanë fjalë pak e punë shumë, ndërsa këtu tek ne; fjalë shumë e punë pak. Fatkeqësisht, faji për këtë është i vetë qytetarëve sepse kur nuk ka veshë për të dëgjuar askush nuk do flasë. Ndaj, mos dëgjoni më fjalimet teatrale që iu vijnë nga qielli qeveritar, por jini sovran të jetës suaj, sepse siç e tha Presidenti Reagan “Qeveria është problemi,” ndërsa zgjidhja jeni vetë ju. 
Sigal