Ph.D. Elmi Berisha: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të jetë nën patronazhin e Presidentit Joe Biden

203

Në të njëjtin diskurs politik po vepron edhe i deleguari i Stejt Departamentit për Ballkaninin Perëndimor z. Eskobar, i cili muajt e fundit po bën një presion të paparë ndaj delegacionit kosovar dhe ka pasur deklarata jo të balancuara dhe aspak diplomatike duke aluduar në përgjegjësi të palës kosovare sa i takon zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

Sigal

 

Në cilësinë e kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe si aktor i proceseve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jam duke përcjellur me vëmendje të veçantë procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pas zotimit të palëve me 27 shkurt dhe Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me 18 mars të këtij viti, jo vetëm si “Vatër” por edhe si komunitet shqiptar në SHBA, kemi vërejtje substanciale dhe shqetësime serioze në raport me agjendën, konceptin e udhëheqjes së negociatave e në veçanti me përpjekjet në heshtje që të barazohet viktima me xhelatin. Në veçanti jemi të shqetësuar me presionin e madh që po i bëhët delegacionit të Kosovës që të bëjë koncesione dhe compromise, të cilat kam drojë se do e dobësojnë rendin kushtetues, rregullimin e brendshëm shtetëror dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Se kush është Serbia dhe lidershipi i saj, tanimë e di e gjithë bota demokratike dhe opinioni i gjerë ndërkombëtar. Se sa është Serbia “demokratike” dhe sa i respekton ajo marrëveshjet dhe zotimet ndërkombëtare po ashtu është e njohur për të gjithë opinionin ndërkombëtar. Se Serbia është ledhatuar dhe i janë bërë koncensione dhe vazhdojnë t’i bëhen ende nga disa vende evropiane, kjo nuk është gjë e re. Që nga 18 marsi kur është zotuar dhe obliguar që ta respektojë plotësisht Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia ka bërë dhjetëra shkelje të kësaj marrëveshjeje, qoftë me deklarata nga presidenti (ish funksionar i partisë së kryeçetnikut Sheshel dhe ministër i Millosheviqit), qoftë nga ministri i Jashtëm serb (ish zëdhënës i partisë së Millosheviqit dhe tani kryetar i partisë së tij), ndërkohë që nuk kemi dëgjuar asnjë reagim të vetëm nga “ndërmjetësit” dhe garantuesit e kësaj marrëveshje. Shqetësuese është se vetëm një veprim minor ose një deklarim publik i zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, të cilët veprojnë konform kushtetutës së shtetit sovran të Kosovës lidhur me këtë proces, vijnë reagime dhe presione të menjëhershme nga “ndërmjetësit kujdestarë” dhe garantuesit e marrëveshjes. Kosova është e lirë dhe e pavarur falë angazhimit maksimal të shtetit dhe popullit amerikan, për çka ju jemi përjetësisht mirënjohës. Sipas vlerësimit tim, në muajt e fundit ka një diskurs tjetër të diplomatëve të SHBA-ve të angazhuar në Ballkanin Perëndimor sa i takon procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Qasja dhe deklarimet e tyre shpeshherë bien ndesh me parimet themelore demokratike dhe në shumë raste duke mbajtur anë në favor të Serbisë. Konkretisht jam ndjerë i befasuar me disa deklarata të ambasadorit të SHBA-ve në Beograd z.  Chris Hill, një diplomat me përvojë të madhe në rajon dhe njohës i shkëlqyeshëm i raporteve Kosovë – Serbi. Deklarimet e tij publike kohëve të fundit janë pa sens diplomatik dhe në mbështetje të “diktatorit të vogël” Vuçiq, për profilin e të cilit këto ditë ka shkruar gazeta prestigjioze amerikane Neë York Times, e cila pasqyron krimin e organizuar dhe krimet e tjera të viteve të fundit në Serbi si dhe nëntokën e këtij shteti që e lidh drejtpërdrejt me Vuçiq, i cili kohëve të fundit është bërë “partner i besueshëm” i diplomatëve amerikan. Në të njëjtin diskurs politik po vepron edhe i deleguari i Stejt Departamentit për Ballkaninin Perëndimor z. Eskobar, i cili muajt e fundit po bën një presion të paparë ndaj delegacionit kosovar dhe ka pasur deklarata jo të balancuara dhe aspak diplomatike duke aluduar në përgjegjësi të palës kosovare sa i takon zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Vlerësoj se qeveria e Kosovës ka qenë tejet konstruktive dhe kooperative në këtë proces, kurse Serbia në secilin rast ka tentuar të minojë dhe t’i eskivojë obligimeve për jetësimin e marrëveshjes. “Shuttle diplomacia” e Eskobar nuk mund të llogaritet as në përmbajtje e as në veprime me atë të ambasadorit të ndjerë Riçard Holbruk. Ambasadori Holbruk vepronte konkretisht, me vendosmëri dhe nuk bënte balancë mes xhelatit dhe viktimës. Ne si komunitet shqiptaro-amerikan, që ishim dhe vazhdojmë të jemi tejet aktiv në këto procese, në të cilat, personalisht, kam qenë pjesë e disa takimeve me Holbruk në periudhën 1998-1999 dhe me ambasadorin Frank Vizner 2005-2008, shpeshherë me kërkesë të tyre, ku na njoftonin në detaje me ecurinë e proceseve në të dy periudhat e veprimtarisë së tyre në emrin e popullit dhe të qeverisë së SHBA-ve. Z. Eskobar nuk e ka parë të arsyeshme të takohet asnjëherë me përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan. Mbase mendon që po vepron dhe ka potencën politike të ambasadorit Holbruk! Rezultatet flasin të kundërtën! Këpucët e Holbruk janë të mëdha dhe nuk i bien taman as z. Eskobar e as z.Hill! Por është një diplomat amerikan në rajon që është shëmbull i ambasadorit me kredibilitet të lartë dhe me qasje racionale të balancuar dhe të paanshme. Ky është ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë z. Hovenier. Angazhimet e tij për Kosovën dhe sidomos asistimi dhe këshillat e tij në menaxhimin e krizave të vitit të fundit, të provokuara dhe dirigjuara nga Beogradi zyrtar në veri të vendit, janë për t’u admiruar.

Qasja dhe veprimet e tilla diplomatike janë në funksion të paqes, stabilitetit dhe sundimit të rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës, si shtet demokratik, me përbërje multietnike. Shteti i Kosovës është “fëmijë” i mikut tonë dhe partnerit strategjik të kombit tonë SHBA-ve, prandaj roli i SHBA-ve në përfundimin e procesit të normalizimit në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë shumë më proaktiv, më dinamik, i paanshëm dhe të bazohet në realitetin e ri. Kjo qasje e kohëve të fundit nga këta diplomatë të SHBA-ve që janë të kyçur në këtë proces lë shumë për të dëshiruar. Konsideroj se është momenti i fundit që Presidenti Baiden të monitorojë personalisht këtë proces tejet të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë njohës i mirë i raporteve në rajon, dhe duke qenë se është marrë me dekada me këtë çështje, duke ditur orientimin strategjik të Kosovës pro integrimeve euro-atlantike, është momenti i fundit që Presidenti Baiden, me autoritetin e tij, t’i japë kahje të duhur dhe dinamikë më proaktive përmbylljes së këtij procesi në mënyrë reale dhe konform realitetit të ri, që është meritë edhe e kujdesit të SHBA-ve për paqe dhe stabilitet në këto hapësira.