Alban BARDHI/ Spastrim, apo pastrim?!

542
Sigal

Drejtuesi i institucionit, nëpunësi i thjeshtë, polici në rrugë, doganieri në sportel, mësuesi në klasë, punonjësja e hipotekës që bën SMS në sportel, gjyqtari në seancë, i cili nuk zbaton as orën e vendosur vet, etj., etj., por dhe në ambientet publike, në kafene, në rrugë dhe në komunikim, janë  “fytyra, ekrani” i shtetit përpara shikuesit- popull. Gjithashtu ata janë produkti i shoqërisë. Këta duhet të jenë domosdoshmërish edhe “majaja” e saj! Por ndodh, e provuar dhe të vendosur në peshoren e sovranit, shumica të mos jenë majaja, por krundet e një shoqërie.

Ata që çirren se po bëhet spastrim mbi këtë administratë të korruptuar dhe të diskredituar, duhet përkthyer: Se po bëhet dhe duhet bërë pastrim. Gjithashtu pastrim i thellë, duke pastruar nga abuzuesit, por edhe gjithë institucionet, “pllakat, muret dhe suvaja, duhet nxjerrë jashtë, sepse mbetet brenda “plehu, infeksioni” shkruante kohë me parë një autor, i fjalës së shkruar në një të përditshme.

Shumë drejtues lokal, gradalartë edhe në Vlorë, janë të katapultuar e graduar nga politika. Merita e tyre e vetme është: Militantizmi. Për rrjedhojë edhe koshienca minimale duhet t’i bindi pas përmbysjes së pushtet-zullumit nga vota e protestës së 23 qershorit: Të vetëlargohen qytetarisht nga pozicionet sekondare. Sepse testi i tyre: Të keqpërdorur dhe të lëhtëpërdorur, ka humbur, siç u vetëdeklarua ditë më parë një drejtues i tillë në një televizion rajonal në Vlora, pa ia bërë publik emrin, përveç gjestit civil. Drejtues të tillë, po dhe nëpunës të administratës jo pak rezultojnë si prurje nga zonat rurale, po dhe me psikologji rurale, madje dhe nga jashtë Vlorës. Thua të ketë deficencë kapacitetesh, teknicienësh e specialistë të zakonshëm, elektrixhinj për në ÇEZ Vlora, e punë në sektorin shtetëror, por të gjendet “azineja” jashtë kësaj harte?! Qytetaria vlonjate ndihet e fyer, po dhe e diskriminuar njëherazi me arsyetimin e vet: “Fshati qeveris qytetin”! Ka prej atyre që kanë përfituar nga sistemi pjesën: Tokë, troje, kullota, pyjet pra janë shpërblyer me ligjin 7501. Ato i kanë lënë shkretë, apo të dhënë me qira, tokën dhe tufën e bagëtive dhe të qenve. Nga ana tjetër kanë pushtuar hapësira publike në qytet, ndërtime pa leje, në buzë detin, por të vendosur dhe në administratë shtetërore, tundin gradat e çelësat?! Pra në punët shtetërore ka të punësuar me bollëk, të ardhur nga lëvizja e lirë. Pra sistemi politik këta njerëz i favorizon shumëfish, të rrjepin me të dy duart dhe mbi pjesën tjetër, duke diskriminuar qytetarinë, të përjashtuar nga e drejta e punësimit, por dhe e përzgjedhjes?!

Kjo është pabarazi-babëzi, diskriminim nga politika tërkuzë e tranzicion-stanacionit, bërë nga pushteti i përmbysur me votën e 23 qershorit. Nga ana tjetër drejtuesit dhe gjithë të zgjedhurit e komunave dhe bashkive dhe në qarkun e Vlorës rezultojnë të banojnë në qytet dhe të drejtojnë në fshat! Ky sistem politik të jetë favorit vetëm për këtë pjesëz?

Kësaj i thonë si kënga. “Koka në Stamboll, trupi në Janinë”, arsyetonte në opinion e tij intelektuali Mehmet Allushi.

Kjo është administrata e sotme, fytyra reale e shtetit të djeshëm! Në këtë rast, nuk po bëhet spastrim, siç çirret opozita, por bëhet dhe duhet bërë pastrim nga ndotja që ka bërë opozita e djeshme, të kërkuar nga pozita e sotme, nga vendimmarrja e shqiptarëve më 23 qershor.