Peter Tase/ Kontributi i Diplomacisë Parlamentare në forcimin e lidhjeve Shqiptaro-Turke, 2007-2013

532
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë gjatë legjislaturës së shtatë ka dhënë një kontribut të çmuar në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Turqisë. Në kuadrin e forcimit të këtij bashkëpunimi, ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, ka ndërmarrë disa nisma dhe vizita të shpeshta në Ankara, ashtu si edhe pala turke ka shprehur një vullnet të admirueshëm në shëndoshjen e këtyre marrëdhënieve politike, ushtarake, tregtare dhe kulturore duke vizituar disa herë Tiranën gjatë tetë viteve të fundit. Në këto tetë vjet numri i takimeve zyrtare midis dy vendeve është rritur dukshëm, por edhe sektorët e bashkëpunimit dypalësh janë zgjeruar gjithmonë e më shumë gjate viteve të fundit, ndoshta detajet e vizitave më të rëndësishme zyrtare të bëra nga autoritetet e të dy vendeve do të hidhte më shumë dritë mbi rolin e pazëvendësueshëm që ka diplomacia parlamentare e Tiranës në forcimin e lidhjeve tradicionale me popullin mik turk, si dhe të shërbejë si një shembull pozitiv dhe traditë, që duhet pasuruar më tej nga drejtuesit e porsa-ardhur në kuvendin e Shqipërisë. Më 24 dhjetor 2008, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pret në Tiranë, homologun e saj, kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Z. Koksal Toptan. Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë theksoi se “Turqia njohu Kosovën, (të dy vendet) ratifikuam protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe iu përgjigja ftesës tuaj për të realizuar këtë vizitë zyrtare në Tiranë”. Pas takimit kokë më kokë, delegacioni i deputetëve nga Ankaraja zhvilloi një takim me deputetët shqiptar. Miqtë turq theksuan se ndiheshin si në shtëpinë e tyre në Tiranë, ashtu sikurse ndihen edhe qytetarët me origjinë shqiptare në Turqi. Kryetarja e Kuvendit, rikujtoi vizitën e saj tepër miqësore në Turqi dhe takimet me personalitetet më të larta të shtetit. Gjithashtu, u ndal edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Gjatë viteve 2006-2008 investimet turke kanë pësuar një rritje të admirueshme duke arritur një shifër rekord prej 860 milion euro, kundrejt 135 milion euro të investuara në 2005. Është domethënës fakti që në vitin 2008 grupi parlamentar i miqësisë Turqi-Shqipëri kishte 360 deputetë nga 540 deputetë që ka Asambleja e Turqisë. Ankaraja është anëtare me një nga potencialet më të rëndësishme ushtarake në Aleancën e NATO-s dhe ka shprehur në mënyrë konstante mbështetjen e saj në anëtarësimin e Shqipërisë në këtë aleancë. Më 11 dhjetor 2009 Kryetarja e Kuvendit takon Presidentin e Turqisë, Abdullah Gül, i cili nënvizoi gjatë takimit se “Shqipëria dhe Turqia janë më shumë se dy partnerë strategjikë”. Znj. Topalli, konfirmoj vullnetin politik të Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Turqinë si një aleate tradicionale e Shqipërisë, ku vuri ne dukje mbështetjen e pakursyer të Turqisë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Presidenti Gül theksoj: “Ishte një nder dhe kënaqësi për ne, që votuam protokollin e anëtarësimit tuaj në NATO, pasi ne e kemi konsideruar këtë si një vendim shumë të rëndësishëm”. Kryetarja e delegacionit tha se “Shqipëria dhe shqiptarët kanë gjetur gjithmonë tek shteti, qeveria dhe populli turk një vëlla të madh në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimitMë10 Mars 2010, në një takim me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti Gül përshëndeti ecurinë dinamike të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve, ai u shpreh se Turqia inkurajon ambicien e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian, sikurse mbështeti fort anëtarësimin e saj në NATO. Sipas presidentit Turk, “Shqipëria e meriton, pasi në vizitat e tij si Ministër i Punëve të Jashtme, edhe si President është dëshmitar i reformave të thella e të guximshme të Qeverisë së saj”. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli pasi shprehu kënaqësinë e vizitës në një vend me lidhje të forta historike dhe miqësore, vlerësoi se, “sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, me treguesit ekonomik më pozitive në rajon, që shmangën prekjen nga kriza financiare botërore”. Lidhur me ecurinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se procesi ka hyrë në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme. Presidenti Gül u shpreh se Turqia është e vendosur të mbështesë çështjen e Pavarësisë së Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë e tyre se midis dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe një bashkëpunim në rritje në fushën e investimeve, në shkëmbime tregtare, në fushën ushtarake, në arsim dhe në mjekësi.

Më 8 Mars 2010 kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar speciale në Samitin Botëror për të Drejtat e Grave në Turqi. Ky eveniment ishte nën kujdesin e Kryeministrit Erdogan, i cili theksoi: “Sado të ndryshme në kultura dhe qytetërimet e tyre, gratë ndajnë sfida globale në një botë, që megjithëse po bëhet çdo ditë më e vogël, çështjet e barazisë gjinore mbeten çështje të mëdha të demokracisë dhe parësore në axhendën politike të të gjitha qeverive”. Në fjalën e saj, në këtë Samit, Kryetarja e Kuvendit u shpreh: “Nga tryezat në familje dhe deri në tryezat e vendim-marrjes duhet të luftojmë për të garantuar çfarë na takon, për zotësi apo inteligjencë, për aftësi apo potencial të dhënë nga perëndia; në çdo çast duhet të përpiqemi të sfidojmë kohën. Është sfida jonë e përditshme, për demokraci në shtëpi, në treg dhe në shtet, është sfida jonë e përditshme për të ndarë jo vetëm vlera të përbashkëta, por edhe interesa të përbashkëta, sepse përballojmë sfida të njëjta”. Më 20 Shkurt 2013 Znj.Topalli zhvillon takimin e radhës me Presidentin e Turqisë. Në Pallatin Presidencial turk, Presidenti i Turqisë, Abdullah Gül priti në një takim miqësor Znj. Topalli, ku në bisedë u theksua niveli i lartë i marrëdhënieve politike dhe rrënjët e thella të miqësisë. Dy personalitet, duke shprehur rëndësinë e takimeve të tilla të nivelit të lartë, pohuan se mes dy vendeve mike ka ende mjaft potenciale për t’u vënë në lëvizje. Znj. Topalli me Kryeministrin Erdogan në 19 Shkurt 2013,  diskutuan mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik, projekti i gazsjellësit TAP që kalon nga Turqia drejt Shqipërisë, por edhe rritja e shkëmbimeve tregtare midis dy popujve ku vihet në dukje investimi direkt i Turqisë, i cili këtë vit kalon më shumë se 1 miliard Dollar. Biznesi turk punëson më shumë se 3000 punonjës shqiptar duke e bërë Turqinë të jetë investitori i tretë më i madh për investimet në Shqipëri..