PD çon në ndjekje penale Ramën dhe Tahirin

446
Sigal

Opozita: Shpërdorin detyre, ligji parashikon deri në 7 vjet heqje lirie

Partia Demokratike çoi për ndjekje penale kryeministrin Edi Rama si edhe Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Padia ndaj kreut të ekzekutivit dhe shefit të rendit u depozituan nga deputetët, Arben Ristani dhe Oerd Bylykbashi, me pretendimin se është shkelur ligji në emërimin e kreut të Policisë së Shtetit dhe zëvendësit e tij. Sipas Ristanit, ligji parashikon qartë se posti i Shefit të Policisë së Shtetit merret vetëm nga ata individë të cilët kanë bërë arsimin përkatës, gradën përkatëse, të ketë tri vite në poste drejtuese në polici, si edhe të ketë 16 vjet punë pa shkëputje në 20 vitet e fundit në Policinë e Shtetit. Sipas PD-së, të tria këto kritere nuk janë përmbushur në emërimin e kreut të Policisë së Shtetit. “Më e spikatur ishte në emërimet e fundit, ku është shkelur neni 21 i ligjit për Policinë e Shtetit i cili parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të ketë arsimin përkatës, duhet të ketë gradën përkatëse drejtues i parë për më shumë se 3 vjet të cilën nuk e ka, duhet të ketë përvojën në punë me 16 vite të pandërprera në 20 vitet e fundit. Pra, të tre këto kritere ligjore, të cilat janë kritere taksative që nuk lënë vend për ekuivok dhe interpretim, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Po kështu, edhe për dy nëndrejtorët dhe drejtorët nëpër qarqe, që nuk u janë nënshtruar procedurave të ripranimit në polici dhe nuk janë marrë parasysh kriteret që ata duhet të plotësojnë që të jenë në vendet e punës. E gjitha kjo, i shkakton një pasojë shumë të rëndë shtetit ligjor në Shqipëri, i shkakton një pasojë shumë të rëndë punës normale të Policisë së Shtetit, e cila është e angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe çdo kriminaliteti në vendin tonë”,- theksoi deputeti Arben Ristani.

Padia e PD-së ndaj Ramës dhe Tahirit bazohej në argumentin se Kryeministri emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa Ministri i Brendshëm emëron dy zëvendësuesit e tij. Kërkesa vijonte më pas me akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ana e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, që sipas PD-së, mund të dënohet deri në 7 vite heqje lirie. “Me anë të këtij kallëzimi, duam të qëndrojmë fort për shtetin ligjor në Shqipëri, duam të qëndrojmë fort kundër çdo veprimi që shkel ligjin dhe të fitojmë qytetarinë nga antiligji. Në Shqipëri nuk mund të sundojë antiligji, por duhet të sundojë ligji. Ju mund të shikoni ligjin, i cili parashikon se vepra penale për shpërdorim detyre parashikon një dënim me heqje lirie deri në 7 vite. Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm është i Kryeministrit, emërimi i dy nëndrejtorëve është i ministrit dhe në bashkëpunim me Drejtorin e Policisë kanë bërë këtë paligjshmëri”, tha Ristani.