Përparim Kabo: 3 Kunguj … dhe Shqipëria Europiane…

161
Sigal

Dje ndalova tek një shitore frutash dhe zarzavatesh. Është një ritual imi, që e bëj, së paku dy herë në javë; të martën dhe të premten…Isha pak me nxitim, sepse në një orar të caktuar duhej të mbërrija në shtëpi. Shitësja është një grua e shkathët dhe shumë punëtore, e qetë dhe korrekte në komunikim. Po bëja gati mallrat, që në fakt ishin disa, ndërkohë që hynin për një gjë të vetme qytetarë dhe e vendosnin në peshë. Shitësja u thoshte kaq e aq dhe, kryesisht, shpenzonin fare pak. Tek- tuk, dikush më thoshte: “Më fal, se hyra pa radhë!” U thoja:” Vazhdo, por pak shpejt!” Kur isha duke mbyllur punët e mia, pranë meje u afrua një grua e shkurtër, pak e bëshme, e veshur me një pardesy të viteve ‘80, të shekullit të kaluar. Vuri mbi peshore 3 kunguj dhe priti që të dëgjonte sa kushtonin. Pa ardhur përgjigjja, vuri dhe një të katërt, që mbante ende në duar. 600 lekë, – i tha shitësja. Zonja e vjetër në moshë, ia nisi muhabetit. Dmth 200 lekë copa! Diçka më pak, – ndërhyri shitësja, – por mos na vono! Plaka nisi të rrëmonte për qindarkat e kungujve. Nënë, – i thashë, – merri dhe lëre, se i paguaj unë, se jam me nxitim. Po jo, ,- pse të m’i paguash ti! Ndërkohë, u kthye nga unë dhe më njohu. Oh, profesori! Sa kënaqësi! Të ndjek në televizor dhe mbushem… Edhe unë kam qenë pedagoge… I hodha dorën në shpatull dhe i thashë: “Jemi kolegë dhe ju jeni e nderuar!” Fjalët e mia u përzjenë me një mallëngjim. Ajo grua, që kishte punuar rreth 40 vite dhe kishte përgatitur breza me studentë, ishte veshur si 40 vite më parë dhe çmonte se një kungull me 200 lekë të vjetra e rëndonte xhepin e saj të varfër… “Shumë faleminderit!, – tha, por me aq dashuri dhe gëzim, dhe u largua. Unë mbarova punë, pagova dhe u largova për te makina. Kur lashë qeset, u kujtova që nuk kisha paguar kungujt. U ktheva dhe i thashë shitëses:” Më fal, se nuk pagova kungujt!” Nxorra një monedhë letër, 5 mijë lekëshe. Ja, mbaji këtu! Po ik, o profesor, – ma preu shitësja. Mos e thyej, lëre! Ata kunguj janë ata në buzë të trotuarit, që ne i shesim me çmim shumë të ulët, se janë të ndenjur, dhe…, që të mos i hedhim, ua ofrojmë hallexhinjve! Këto fjalë më vranë në zemër… Pra.., kungujt për kolegen time, ishin ato mbeturinat pranë kalbësirave… Ehh, Shqipëria ime/ jona europiane…! Ca flasin për botoksin, ca për veshjet e shtrenjta, ca për pushimet luksoze, ca për çmime apartamentesh dhe për jahte… Por, ajo që edukoi dhe formoi breza, matet me 3-4 kunguj, që të kalonte një apo dy vakte ushqim…!