PD,Tabaku: Qeveria ka rritur borxhin për luksin e vet

470
Sigal

 Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se borxhi prej 240 milion dollarë është marrë vetëm për luks.

 Deputetja demokrate, Jorida Tabaku në një prononcim për mediat është shprehur se: “Që nga data 4 tetor, përmes aktit normativ, qeveria i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarë, i cili merret i gjithi kryesisht nga tregu i brendshëm, duke i hequr mundësinë bizneseve të përdorin këtë për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve”. Sipas Tabakut, kjo është paaftësi apo më keq akoma, devijim i të ardhurave nga buxheti i shtetit të cilën duhet ta paguajnë shqiptarët me borxhin e ri. Asnjëherë, në asnjë situatë, institucionet kryesore të mbledhjes të të ardhurave nuk kanë pasur një performancë kaq të dobët, as në 1997, dhe as në 2005. Dua t’ju rikujtoj që në 2005 mbas ndërrimit të qeverive u mblodhën rreth 120 milionë dollarë më shume se sa ishte parashikuar nga qeveria socialiste”. Deputetja Tabaku ka ngritur pyetjen se për çfarë do të përdoret ky borxh. Sipas Tabakut, “për herë të parë në Shqipëri ne kthehemi 10 vite pas, ku borxhi nuk përdoret më për investime, ashtu siç i takon të jetë, por do të përdoret ekskluzivisht për shpenzime operative. Borxhi nuk përdoret as për rrugë të reja e rritje pagash. Kjo qeveri jo vetëm që e ka deklaruar se nuk do t’i rrisë më pagat, jo vetëm që ka deklaruar se nuk do të kryejë asnjë investim publik por nuk garanton dot as pagat e punonjësve të administratës së për të hapur vende të reja pune as nuk mendohet”. “Po kemi rritje, kemi rritje tek shpenzimet për pritje e përcjellje e për zyra e rregullime te tjera. Kemi rritje që variojnë nga 130 mijë dollarë tek Ministria e Jashtme, në mbi 600 mijë dollarë në Kryeministri dhe deri ne 4.2 milionë dollarë në Ministrinë e Ekonomisë. Ndërkohë që shqiptarëve, hapja e çdo ministrie të re i kushton mesatarisht 300 mijë dollarë për 3 muajt në vijim”- u shpreh Tabaku. Partia Demokratike i kërkon kryeministrit Rama të përgjigjet se përse duhej të merrej borxhi prej 600 mijë dollarësh. Jorida Tabaku nënvizoi se: “Shqipëria që ne lamë në javën e parë të shtatorit është ajo që lexuam në raportin e progresit, një vend me probleme, por që ndryshe nga gjithë rajoni arriti të mbijetojë në periudhë krize pikërisht sepse u stimulua ekonomia. Me këtë akt normativ ne po i heqim mundësitë e zhvillimit biznesit, po rrisim borxhin për shqiptarët, për të justifikuar maninë e qeveritarëve të rinj për shpenzime luksi”.

 PD: Qeveria spektakël në TV ndërkohë që krimi po 3-fishohet

Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë per shoë në një kohë që sipas saj krimi ne vend trefishohet.

Në një deklarate për mediat, deputeti i PD-së, Keltis Kruja u shpreh se ndërsa Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit janë përfshirë në marrëzinë e shkarkimeve kolektive, dhe në ethet e emërimit të oficereve të tyre besnikë, në vend po ndodhin çdo ditë, vjedhje, krime, aksidente, dhe vrasje.“Javën e fundit janë trefishuar vjedhjet e banesave, janë dyfishuar vjedhjet e makinave, është rritur dyfish krimi i vendosjes së lëndëve eksplozive në banesa dhe biznese. Janë rritur aksidentet dhe vrasjet, dhe ka rene fuqia zbuluese e policisë”- tha ai.

Sipas tij, qeveria e sotme premtoi reduktim të krimit, por ngjarjet e ditës tregojnë se krimi është trefishuar dhe pasiguria e jetës është rritur në nivele të frikshme.

 “Qeveria dhe Ministri i Brendshëm po veprojnë në fakt me dorë të hekurt kundër oficerëve profesionistë ne kundërshtim të plotë me ligjin për Policinë e Shtetit, dhe po i lënë dorë të lirë krimit. Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo situatë dramatike, dhe gjendet pranë të afërmve dhe familjarëve të viktimave”- tha Kruja. Ai theksoi se opozita nuk është ajo që kërkon përfitim politik prej viktimave dhe funeraleve, sic ka bërë rëndom në 8 vite kryeministri i sotëm, por është e shqetësuar për pasigurinë që shoqëron sot jetën e qytetarit shqiptar. “Ne i kërkojmë qeverisë të heqë dorë nga spektakli i ekraneve, dhe të zbresë në terren e të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur jetën e qytetarëve të vendit. Shqiptaret meritojnë te kenë një qeveri që të garantojë sigurinë e jetës së tyre dhe jo një tufe zyrtarësh që rendin kush e kush të pushtojë më parë ekranet, revistat e gazetat”- tha ai.