Genc Pollo:  Binjakët e paudhë të Ballkanit

171
Sigal


Si Vuçiçi e Rama po sfidojnë e këcënojnë Brukselin; saqë presidenca çeke e Bashkimit Europian sugjeron kthimin e vizave për Serbinë e Shqipërinë

1-Bangladeshasit e Edit
Vizitën në Tiranë në tetor të vitit të kaluar të z. Karl Nehammer, asokohe ministër i brendshëm i Austrisë, si zakonisht qeveria e paraqiti duke theksuar rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit miqësor mes dy shteteve. Media austriake kishte një tjetër opinion: Nehammer shkoi në Tiranë për të zgjidhur problemin e “bangladeshasve të Edi Ramës”. Mbase lexuesit i kujtohet se në pranverë 2021 Rama, pëballë sipërmarrësve që ankoheshin për mungesë të krahut të punës, premtoi t’a zgjidhte problemin fët e fët: “ju sjell unë nga Bangladeshi! Të shtruar e të dëgjuar me punë plot e llafe hiç”. Por siç rrëfyen më vonë përfaqësuesit e biznesit dhe siç dëshmuan hetimet penale historia e bangladeshasve ishte çështje emigracioni ilegal për në Europën e pasur; ku Shqipëria ofrohej legalisht vetëm si stacion tranziti. Bangladeshasit që arrinin në vendin tonë zhdukeshin pas dy tre muajsh punësim. Agjencitë e punës që u “caktuan” për të sjellë “punëtorët” tek bizneset punëmarrëse bënë ca para të shpejta dhe kaq. Çështja do të ishte mbyllur e harruar nëse policia austriake përmes monitorimit të telefonave celularë nuk do të kishte gjetur se 99% e bangladeshasve të Edi Ramës mbasi “zhdukeshin” në Shqipëri rishfaqeshin pas gati dy javësh në Vjenë. Prandaj edhe ministri i brendshëm mori udhën për në Tiranë që t’i kërkonte qeverisë anullimin e “vizave të punës” me Bangladeshin e vende të ngjashme.

2-Historia përsëritet por jo si farsë
Një vit më vonë Karl Nehammer është kancelar i Austrisë. Por hallet e tij duket se mbeten po ato. Në fillim të tetorit ai tok me kryeministrin hungarez organizuan në Budapest një “samit tripalësh” për emigracionin e paligjshëm duke përfshirë edhe presidentin Serb. E thënë më thjesht zotërinjtë Nehammer e Orban thirrën Vuçiçin për t’i thënë se po përmbyste Zonën Schengen me indianë, kinezë, tunizianë, burundas etj., etj. dhe se kjo duhet të merrte fund. Vuçiçi, ndryshe nga Rama, nuk lëshon viza pune por i ka hequr krejt vizat për shtetasit e një liste të gjatë vendesh në Afrikë, në Lindjen e Afërt e në Azi. Këta shtetas dynden në Beograd përmes linjave ajrore ekonomike dhe direkt pastaj hyjnë në zonën Schengen; kryesisht përmes Hungarisë për t’u ndalur në Austri, Zvicër e Gjermani. Krahasuar me 2021 numri i emigrantëve përmese këtij shtegu është trefishuar. Kjo si pasojë e “abuzimit në Serbi me regjimin pa viza me Schengenin” deklaroi të premten ministri i brendshëm austriak Gerhard Karner.

3-Për Kosovën e për Putinin
Interesante janë edhe motivet e Serbisë: Sipas ministres së brendshme gjermane Nancy Faeser lista serbe e shteteve “pa viza” është e njëjtë me listën e shteteve që refuzojnë njohjen Kosovës së pavarur. Pra është një shpërblim nga Vuçiçi. Por shpërblim me leverdi sepse është pa kosto për Serbinë.
Sipas ministres së drejtësisë së Zvicrës Keller-Sutter disa qeveri europiane
mendojnë se Vuçiçi po vepron me porosi të Putinit; sepse Kremlinit i intereson në këtë moment presioni destabilizues mbi Europën.
Pra Beogradi me një gur don të vrasë dy zogj. I pari është cinik por i kuptueshëm. I dyti është i kuptueshëm dhe cinik. Por aty spikat edhe mosmirënjohja: aksesin pa viza të akorduar me zemërgjerësi nga Brukseli në v. 2009 Vuçiçi e përdor për të minuar gjeopolitikisht Bashkimin Europian.

4-Përgjigja europaine
Në shtator Austria, Gjermania, Zvicra, Kroacia e Sllovenia ndërhynë tek Komisioni Europian përmes një letre të përbashkët që t’i bëhej presion Serbisë e ndonjë shteti tjetër të Ballkanit Perëndimor që ata të përshtasnin regjimin e vizave me rregullat e Zonës Schengen. Dhjetë ditë më parë vizitoi Tiranën Zv. Presidenti i Komisionit Europian Margaritis Shinas ku takoi personelin e FRONTEX-it, (forca kufitare europiane) dhe pastaj në Beograd ku në publik foli për emigracionin dhe domosdoshmërinë e kontrollit të tij si dhe premtoi ndihmën përkatëse. Më tej kanë vijuar mbledhjet e ministrave të brendshëm të Europës në Vjenë me kolegët nga Ballkani (nga Tirana i dëgjueshmi Çuçi, i ngarkuar me pashaportat e florinjta) si dhe së afërmi në Luksemburg (BE mes vedit).

5-Të dy tok dhe thupra çeke

Në Shqipëri vizat e punës gjatë verës vazhdojnë të prodhojnë emigracion të paligjshëm në BE. Por Tirana kësaj radhe është e dyta në listë mbas Serbisë si problem akut. Megjithatë Edi Rama, për të mos e lenë vetëm Vuçiçin, ka rilançuar prej disa muajsh në publik nismën e pasaportave të florinjta. Madje në qeveri ka miratuar edhe vendime për këtë; të fundit në korrik. Për ligj në Kuvend nuk ka më nevojë se kreu punë me opozitën jenishere (mbasi ne të tjerët dogjëm mandatet!). Komisioni Europian ka paditur në gjykatë Maltën, një shtet anëtar! Pikërisht se nuk e anulloi plotësisht një skemë të ngjashme!! Në këtë moment një vend si Shqipëria, që sapo filloi negociatat për anëtarësim, e sfidon Brukselin. Tashti veç krimit e korrupsionit shqetësim shtesë është dhe siguria: rusë apo bjellorusë “problematikë” mund të infiltrohen në BE me pashaporta shqiptare. Prandaj edhe reagimet e shumta e të qarta nga Komisioni në Bruksel e delegacioni në Tiranë.
Interesant është se vetëm Vuçiçi e Rama sillen kështu me Bashkimin Europian. Edhe malazezët, maqedonasit e boshnjakët prej më se një dekade udhetojnë pa viza ne Europë. Por qeveritë e tyre në asnjë rast nuk e kanë sfiduar e kërcënuar BE-në me ortek emigrantësh si Lukashenko apo me pasaporta të florinjta si politikano-mafiozët që vranë gazetaren Daphne Caruana-Galizia.
Prandaj edhe Çekia, e cila mban presidencën e radhës në BE, qarkulloi më 11 tetor në Bruksel një notë interne ku sugjerohej edhe anullimi i regjimit pa viza per Serbine e Shqipërinë. Fakti që Serbia e Shqipëria nuk e linjëzuan kurrë plotësisht me Bashkimin Europian  hyrjen pa viza nga shtete të treta megjithëse gëzojnë vetë hyrje pa vizë në BE “kontribuon për rritjen e numrit të emigrantëve të parregullt  që hyjnë në BE përmes kësaj rruge…Shtetas veçanërisht nga Turqia, Tunisia, India, Kuba dhe Burundi hyjnë legalisht me linjë ajrore në Serbi (dhe nga disa syresh edhe në Shqipëri) dhe një numër i madh i tyre vazhdojnë rrugën për të hyrë në shtetet anëtare” thuhet shprehimisht në notë.

 

Për këdo që ka veshë të dëgjojë e mend të kuptojë.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet
17 tetor 2022