Nga Rushan Dosti – Rrëfimi i veçantë i Gramoz Mimanit: Njollën që mora në diktaturë, nuk ma hoqën kurrë!

97
Sigal

“Sa lexon mbiemrin, mendja të shkon tek familja e madhe e Qypërllinjëve të Roshnikut, të cilët bën emër të madh në Stamboll duke u graduar si Vezirë të Turqisë. Mimanët jetojnë prej shekujsh në Roshnik dhe janë fisi më i njohur i atdhetarizmit dhe patriotizmit në këtë zone. Shtëpitë e Orhan Mimanit (Anes) siç e kanë njohur, kanë qënë bazë e rëndësishme në të gjitha luftrat dhe betejat që janë zhvilluar në Qarkun e Beratit. Mikpritja dhe bujaria kanë qënë virtyti bazik i Mimanëve të Roshnikut”

Në kërkim të personazheve të galerisë “njerëz të thjeshtë – familje të mëdha”, e gjezdisa mendjen në zonat rurale, ku ka jo vetëm njerëz punëtorë, por edhe krijues e artistë të mirëfilltë. Nëse deri tani kam shkruar për mësues dinjitozë, inxhinierë të zot, ushtarakë model, mjek duarartë etj, këtë herë ndryshova “busull” dhe vendosa të ulem këmbëkryq në vatrën e njerëzve të thjeshtë e të familjeve të mëdha, pikërisht në fshat. Zgjodha Roshnikun pasi aty pritet shoku dhe miku në mënyrën më të mire të mundshme dhe për faktin qe është epiqendra e turizmit në zonat agroturistike të Beratit. Të shkosh në Roshnik e të mos takosh Gramoz Mimanin, të ka shkuuar rruga dëm. Ai është një njeri që ka një staturë të çuditshme dhe vështirë se mund ta përshkruaj ashtu siç është në të vërtetë. Nëse mund të flasim për njerëz të thjeshtë, Gramoz Mimani, në kuptimin e plotë të fjalës, është më i thjeshtë se vetë thjeshtësia. Familja e tij, den baba den, deri në ditët e sotme, ka qënë dhe është familje e madhe oxhaku që pret e përcjell mysafirë. Duke vijuar “skanerin” e Mozit, them me bindje se ai është njohja ime më e çuditshme dhe më fitimprurëse që kam bërë ndonjëherë. Jo vetëm pse është njeri punëtor, por dhe një njeri artist me shpirt e zemër të madhe. Me Mozin na ka lidhur krijimtaria, kryesish poezia, të cilën ai e ka patur një ëndërr të fëmijërisë së tij, por për shkak të asaj njollës në biografi, u detyrua ta linte fletoren në qerren e fshatit ku ai punoi një jetë të tërë, deri sa erdhi demokracia. Ai është autor i tri librave me poezi, “Qaj hallet me ty Tomorr”, “ A vdesin ëndrrat?”, “Tatuazh i zemrës”.  Ka kaluar një jetë kalvaresh të vështirë, por asnjëherë nuk u dorëzua. Për këtë qëndresë vitale, ai thotë me shaka: “Njollën që mora në diktaturë, nuk kanë për të ma hequr kurrë!”.

Po kush është roshnikasi Gramoz Mimani?

Sa lexon mbiemrin, mendja të shkon tek familja e madhe e Qypërllinjëve të Roshnikut, të cilët bën emër të madh në Stamboll duke u graduar si Vezirë të Turqisë. Mimanët jetojnë prej shekujsh në Roshnik dhe janë fisi më i njohur i atdhetarizmit dhe patriotizmit në këtë zone. Shtëpitë e Orhan Mimanit (Anes) siç e kanë njohur, kanë qënë bazë e rëndësishme në të gjitha luftrat dhe betejat që janë zhvilluar në Qarkun e Beratit. Mikpritja dhe bujaria kanë qënë virtyti bazik i Mimanëve të Roshnikut. Gramozi është fëmija i vogël i Orhan Mimanit nga Roshniku dhe ka lindur me 25 Dhjetor 1953 (vitin kur ka vdekur Josif Stalini ). Ai erdhi në jetë pas katër fëmijëve më të mëdhenj, dy vëllezërve dhe dy motrave. Qysh fëmijë kishte pasion leximin e librave dhe vazhdimin e shkolës, për të qënë dikush në jetë. Klasën e parë fillore e filloi në vitin 1960 dhe e mbaroi më 1964, nga klasa e parë deri në të tetën shkëlqeu në mësime dhe veçnarisht në letërsi ku edhe i qante zemra. Por karriera e tij arsimore do të rrëzohej sa hap e mbyll sytë, nga një rrufe në qiell të kaltër. As e kishte menduar ndonjëherë ky fëmijë me plotë ëndrra, se metastazat e luftës së klasave do të ngjiteshin deri në Roshnik, madhe do të gllabëronin familjen e tij dhe vetë Gramozin e vogël. Në vitin 1969, kur moshatarët e tij vazhduan shkollën e mesme dhe më pas të lartën, Gramozi filloi punë krahu në fshat për të ndihmuar familjen edhe pse shpatullat i kishte ende të njoma. Familja e tij kishte marrë statusin “kulak” pa asnjë provë apo argument. Edhe pse e lanë pa shkollë djaloshi nga Roshniku, përveç punëve të rëndomta të fshatit, argëtohej nëpërmjet leximit të librave. Asnjëherë nuk e hoqi librin nga dora duke lexuar tregime, novela, vëllime poetike, romane etj. E kishte pasion dhe pasioni lind dhe nuk ka njeri ta lidh me pranga apo ta burgos. I tronditur për atë ç’ka po vuante shpirtërisht, në vitin 1972 – 1974 kreu shërbimin ushtarak, për të cilin e degdisën në Kukës në shërbimin kundërajror. E dinte se ruhej dhe survejohej, ndaj nuk linte asnjë shkak për indisiplinim. Në Kukës me sjelljen dhe korretësinë e tij krijoj besimin dhe respektin e kolektivit dhe trupës komanduese. Gramozi kujton komandantin e baterisë kundërajrore Agron Poga, i cili e kishte pagëzuar si “Pushkin” për faktin që në teori nuk të falte.  Mbas ushtrisë erdhi në fshatin e tij në Roshnik dhe filloj punë në kooperativë (në brigadën e faragjereve), natyrisht për të mos qënë në kontakt me masën kooperativiste. Punonte dhe shkruante poezi, të cilat here pas here i griste apo i përzjente me faragjeret. Fletoret e tij mbeten në qerren e fshatit, troku i së cilës e trëmb edhe sot e kësaj dite. Në vitin 1975 provoi të vazhdonte shkollën e mesme pa shkëputje nga puna në Berat. Ishte një ëndërr e tij, por nuk ia dhanë të drejtën.  Për fatin e tij të mirë në vitin 1976 në Roshnik u hap shkolla e mesme bujqësore.  Gramozi nuk hezitoi dhe u regjistrua i pari dhe ishte i pari i klasës. Nga matura e parë 1976 – 1980, nga 50 nxënës mbaruan shkollën vetëm 14 prej tyre. I inkurajuar nga rezultatet, pas mbarimit të maturës më 1980, Gramozi bëri kërkesë për shkollë të lartë me korespondencë. Por partia e kornizoi emrin e tij me rreth të kuq.  “Nuk kishte vrasje shpirtërore dhe psikologjike që kam përjetuar ndonjëherë në jetën time”, thotë 72 vjeçari nga Roshniku.  Me ardhjen e demokracisë angazhohet si drejtues në radhët e Partisë Demokratike dhe bëhet Kryetar i Degës së PD në Roshnik dhe punësohet si punonjës në Filialin e Postës në Berat. Gjatë kësaj kohe penalizohet pa asnjë fakt, apo prove dhe e larguan nga puna. Iu përkushtua poezisë duke botuar librin e pare “Qaj hallet me ty Tomorr”, më pas “A vdesin ëndrrat” dhe së fundi “Tatuazh i zemrës”. Ka në dorë disa libra të tjerë. Rast unikal, që një njeri i lodhur nga puna dhe jeta, argëtohet dhe rinohet me poezinë. Gramozi ka tre fëmijë 1 djalë e dy vajza dhe jeton në Roshnik me bashkëshorten e tij.

Historia e dhimbshme e persekutimit

Gjithçka ka nisur me babain dhe familjen e tij gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare, kohë kur shqiptarët u ndanë në dy kampe kundërshtare. E vërteta qëndron në faktin që familja e Orhan Mimanit, lindur në Roshnik, në vitin 1914, nuk ka qënë palë me asnjërin e as me tjetrin, përveçse ka pritur dhe përcjellë çdo njeri që ka trokitur në shtëpinë e tij, pa pyetur se kush ishte njëri e kush tjetri.  Orhani ishte djalë i vetëm, s’kishte as motër as vëlla dhe i ati i vdiq i ri në kohën e zisë në moshën 38 vjeçare Kështu që Orhani ngeli jetim pa baba në moshën 6 vjeçare. Refija, e ëma e Orhanit, gjyshja e Gramozit, ishte nga bejlerët e Zaloshnjes, e bija e Kahreman Dostit.  Qazimin, babain e Moisi Zaloshnjes, Orhani e kishte, dajo, (Moisiu mori mbiemrin e fshatit Zaloshnje kur iku për të jetuar në Tiranë). Hanja ishte njeriu më i leçitur dhe me i zgjuar në krahinë. Lufta Nacionalçlirimtare e gjeti të martuar me të bijën e Riza beut po nga Roshniku, me të cilën lindi dhe rriti 5 fëmijë, 3 djem e 2 vajza. Në vitet e luftës e gjithë pasuria e tij u shkri për luftën pa patur asnjë paragjykim për karakterin e saj. Në shtëpinë e Orhan Mimanit kanë bujtur me dhjetra luftëtarë të lirisë, por edhe përfaqësues të Ballit Kombëtar, sepse kjo familje kujtdo që trokiste në derë i thoshte: bujrum! Duke qënë nip në Skrapar, gati  të gjithë krerët e Partisë Komuniste si:  Kareman Ylli Neshat Hysi, Mane Nishova, Iljaz Sevrani, Tajar Grepcka e të tjerë, të cilët hanin, pinin dhe flinin. Po në këtë shtëpi kanë bujtur edhe krerë të Ballit Kombëtar si: Abaz Ermenji, Maliq Dushari, Cane Dushari, Xhelal Staravecka, Kadri e Bektash Cakrani, Fetah Gurazezi, Besim Belishova e shumë të tjerë. Orhani nuk kishte lidhje me Ballin, por shumë prej tyre i kishte miq dhe miku nuk gjykohet për bindje. Pikërisht pse darkonin apo drejtonin edhe ballistëtOrhan mimanin e cilësuan bashkëpunëtor me ta, gjë që nuk rezulton e vërtetë. Në Roshnik në këtë periudhë u formua Qarkori i Partise Komuniste, më 6 – 9 Shkurt 1943, dhe Orhani i ftoi krerët për drekë, si mikpritës dhe patriot. Midis tyre ishte edhe A. Shehu, që shërbente në Komandën e vendit, i cili ishte njeriu më negative, mendjemadh e imoral. Duke luajtur me koburen, ky njeri plagosi  një tjetër në qafë.  Orhani kujtonte se plumbi ruhet në dollapin e murit si dëshmitar i asaj kohe të pështirë për racën njerëzore. Njeriu që u plagos nuk ishte do sido, por ishte pronari i shtëpisë ku u formua Qarkori i Partisë Komuniste, sot ajo shtëpi është muze. Në kujtimet e Orhanit shkruhet se atje ishte dhe Rizaj, vjehrri i tij, i cili kur pa gjakun e të plagosurit lëshoi një ofshamë shpirtërore: “Na vratë o u vraftë Allahu!  Ne me bukë dhe ju me gurë!”. Kjo shprehje e Rizai u shënua në dosjen e biografisë së tij dhe  më vonë e bënë kulak. Të njëjtën gjë pësoi edhe familja e Mimanëve,të cilës iu hoq triska e frontit dhe u shpall kulake. E akuzuan se kishte fallsifikuar kuponin tatimor të dorëzimit të drithit, dhe kjo ishte arsyja që i hoqën triskën e frontit dhe tre vjet pas gjyqit ia rikthyen prapë. Orhani u largua nga jeta i rënë nga vakti dhe pa mundur të marrë pronën që iu premtua pas viteve 1990. Sa qe gjallë ai ndiqte situatën me kujdes dhe tregohej i matur. Ngushëllimin egjente tek vargjet: “Vaj vatani e vaj mileti/ Që kur u bë qëni langua/ ….Mortja që s’më hëngri mua!”. Xha Orhani u largua, por “njollën” e vënë nga të tjerët ua la fëmijëve, por kusurret më të mëdha i hoqi Gramozi, që më të drejtë deklaron: “Njollën që mora në diktaturë, nuk ma hoqën kurrë….!”