Ardita Bufaj
Pedagoge në Universitetin e Arteve
Viti 2025 shënon 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të kompozitorit të njohur rus Dmitri Shostakoviç (1906–1975), një prej figurave më të shquara të muzikës së shekullit XX. Trashëgimia e tij muzikore përfaqëson një dialog të pandërprerë mes artit dhe politikës, duke mishëruar tensionin e krijimtarisë individuale nën presionin e ideologjisë sovjetike. Lindur në Shën Petrograd, më 1906, (emri i qytetit u riemërua në 1914 në Shën Peterburg) në një familje intelektuale, ku dashuria për muzikën ishte e trashëguar nga nëna e tij pianiste, e cila pati një ndikim të madh në formimin e tij të hershëm muzikor. Shostakoviçi hyri në konservatorin e qytetit në moshën 13-vjeçare, në drejtimin e një prej personaliteteve më të mëdha të asaj periudhe, Aleksandër Glazunov. Ai do të spikaste talentin e Shostakoviçit si pianist dhe kompozitor ku ndër vite do e trajtonte si studentin më të preferuar të tij. Kompozimet e para të Shostakoviçit ishin disa vepra pianistike, por vepra e parë madhore, me të cilën do të mbronte diplomën ishte Simfonia Nr. 1, (1926). Vetë Shostakoviç do ta quante këtë simfoni “ditëlindjen” e tij muzikore, ku suksesi i arritur e shpalli atë si kompozitorin e parë të madh sovjetik. Simfonia u vlerësua për gjuhën muzikore, ku forma klasike ndërthurej me kontraste dhe tensione dramatike të pazgjidhura, element që mbeti si shenjë dalluese e stilit të tij, i cili dëshmonte qartë ndikimin që pati nga një tjetër kompozitor i njohur në atë periudhë, Gustav Mahler. Reputacioni i tij ndërkombëtar u rrit shpejt. Simfonia e radhës ishtë një kremtim i revolucionit të tetorit të vitit 1917, ku në përmbajtjen e saj lartësohej figura e Leninit dhe Bolshevikëve. Tensioni midis gjendjes personale, dhe politikës do të kthehej në një tipar identifikues gjatë gjithë krijimtarisë së tij ndër vite. Fama e hershme do të sfidohej në vitet ’30, kur klima politike në Bashkimin Sovjetik u bë e rrezikshme për për të gjithë artistët rus. Shostakoviçi në atë kohë do të shihej si një një figurë e dyzuar: nga njëra anë, si kompozitori besnik, i cili u shpall zyrtarisht përfaqësues i realizmit socialist dhe nga ana tjetër, një kompozitor që vazhdimisht ishtë nën vëzhgimin e pushtetit. Sulmi publik në Pravda pas operës “Zonja Makbeth” e Mtsenskut (premierë në 1934), e vendosi kompozitorin nën hijen e frikës dhe të mbrojtjes për të gjetur një gjuhë të re kompozicionale. Ai e ndjeu rrezikun dhe reagoi duke anulluar premierën e simfonisë së katërt (1935-1936), e shkruar në kulmin e aftësisë së tij krijuese, ku fundi i simfonisë u vlerësua si gjëndje e zymtë dhe e papranueshme për idealet e Realizmit Sovjetik. Kjo simfoni u ekzekutua në skenë në vitin 1961, tetë vjet pas vdekjes së Stalinit.
Një gjuhë e re muzikore u mishërua në Simfoninë Nr. 5 (1937), një vepër që vetë kompozitori e quajti “përgjigje krijuese ndaj kritikave të drejta”, ndërsa për publikun vinte si një protestë e koduar, e cila në pamje të parë përshtatej me idealet e socializmit, por nën sipërfaqe, lexoheshin dy versione, një zyrtar i dukshëm dhe një version i brendshëm, që nëpërmjet muzikës shprehte realitetin e frikës dhe mbijetesës së kompozitorit. Simfonia u dirizhua nën baketën e dirigjentëve më të mëdhenj botërorë, ku Yevgeny Mravinsky i cili dirizhoi premierën, i dha një tingëllim solemn dhe tragjik. Ndërsa amerikani Leonard Bernstein u dallua për tempin e shpejtë të kohës së fundit dhe vetë Shostakoviç do e cilësonte si interpretimin më të saktë sipas kërkesave të tij. Dirigjenti Andris Nelsons, të gjitha kohët e simfonisë i ndërtoi si një rrëfim dramatik të tensionit mes nënshtrimit dhe revoltës.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shostakoviçi kompozoi një tjetër simfoni, e cila u kthye në simbol të qëndresës gjatë rrethimi nazist të qytetit të Leningradit. Simfonia Nr. 7 me nëntitullin “Leningrad, u bë akt i propagandistikës si dhe një dëshmi e jashtëzakonshme e forcës morale të popullit rus. Partitura e kësaj simfonie u dërgua fshehurazi në Londër dhe u interpretua në sallën “Proms” në vitin 1942.
Më vonë, në vitet 60’, ai iu rikthye kujtesës historike të censuruar. Simfonia Nr. 13 “Babi Yar” (1962), me tekstin të poetit Yevgeny Yevtushenko, trajtonte masakrën e mijëra hebrenjve nga nazistët në Babi Yar, Kiev (1941). Simfonia u përball me polemika të ashpra dhe ndërhyrje nga drejtues të qarqeve artistike sovjetike, por për kritikët perëndimore ngelej si një nga aktet më të forta të moralit dhe ndërgjegjes artistike të Shostakoviçit.
Sot, figura e Shostakoviçit mbetet ende si një nyje e pazgjidhur mes artit dhe politikës. Në Rusi, muzika e tij duhej të interpretohej sipas filtrit ideologjik të regjimit Stalinist, ndërsa në Perëndim, ai përcaktohej si simbol i artistit që nëpërmjet kodeve të veprave të tij, veçanërisht simfonive, të cilat u lexuan si dokumente të guximshme të rezistencës morale kundër totalitarizmit. Shumë kritikë europianë, e shohin jo vetëm si një kompozitor të madh rus, por dhe si një zë universal i Shek. XX, i vendosur krahas kompozitorëve botërorë si Beethoven, Mahler, etj. të cilët përdornin gjuhën e simfonisë për të reflektuar mbi fatin e individit përballë historisë së njerëzimit. Krahësimi i perceptimit është domethënës, pasi në Bashkimin Sovjetik muzika e tij duhet të ishte simbol i besnikërisë ndaj regjimit, ndërsa në skenën ndërkombëtare, si simbol i rebelimit të heshtur. Ky kontrast i dukshëm është pjesë e misterit dhe magnetizimit të tij artistik.
Paralelisht me simfonitë, Shostakoviçi shkroi një cikël prej 15 kuartetesh për harqe, shpesh të lexuara si “ditarë personalë”, si reflektim mbi jetën e tij nën diktaturën komuniste. Kjo “gjuhë e dyfishtë”, ku ironia ndërthuret me dramatizmin, dëshmon aftësinë e tij të vecantë si kompozitor për të ndërtuar një komunikim të fshehtë me publikun.

Dmitri Shostakoviç ndërroi jetë më 9 gusht 1975, ku burimet zyrtare komuniste e minimizuan lajmin e vdekjes së tij, duke reflektuar qëndrimin ambivalent të regjimit ndaj tij dhe dualitetin tallës së muzikës së tij orakulare. Gazeta “Pravda”, priti disa ditë për të botuar një nekrologji plot me klishe të gjuhës së njohur të Partisë Sovjetike, duke e ngritur Shostakoviçin si një kompozitor atdhetar dhe besnik të Rusisë. Sot, trashëgimia e tij muzikore mbetet e ndarë mes dy këndvështrimeve: në Rusi, si ndërtues i një tradite muzikore kombëtare monumentale dhe në Perëndim, si simbol i rezistencës së heshtur ndaj totalitarizmit. 




















