‘Një shfaqje madhështore solidariteti’/ Xi Jinping do të mbledh mbi 20 liderë botërorë në Kinë për samitin e sigurisë

Presidenti kinez Xi Jinping do të presë javën e ardhshme në Tianjin një forum rajonal sigurie me mbi 20 liderë botërorë, në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Sipas Reuters, ky është një sinjal solidariteti i vendeve të Jugut Global në epokën e Presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa njëkohësisht i jep një Rusi të dobësuar një tjetër pikë në arenën diplomatike.

Në samit do të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin, si dhe udhëheqës nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Juglindore. Kryeministri indian Narendra Modi do të vizitojë Kinën për herë të parë pas më shumë se shtatë vitesh, ndërkohë që pritet të diskutohet lehtësimi i tensioneve të krijuara pas përplasjeve kufitare mes Indisë dhe Kinës në vitin 2020.

NOA

Samiti konsiderohet si më i madhi i SCO-së që nga themelimi i saj në vitin 2001. Blloku përfshin aktualisht 10 anëtarë të përhershëm dhe 16 vende me status vëzhguesi ose dialogu, duke zgjeruar fushën nga siguria dhe lufta kundër terrorizmit drejt bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak.

Megjithatë, tensionet mes disa anëtarëve mbeten, veçanërisht mes Indisë dhe Pakistanit, që kanë penguar edhe miratimin e deklaratave të përbashkëta në takime të mëparshme. Analistët parashikojnë se Xi dhe Modi mund të shpallin hapa gradualë për uljen e tensioneve, përfshirë lehtësimin e kufizimeve tregtare dhe të vizave, si dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha si klima dhe kontaktet njerëzore.

Ekspertët theksojnë se samiti i Tianjinit nuk pritet të sjellë njoftime madhore politike, por vlera e tij qëndron tek konsolidimi i opsioneve të reja për vendet e Jugut Global në një rend ndërkombëtar që po shfaqet gjithnjë e më shumë si post-amerikan.