Nesip Kaçi/ Ataturku dhe Shqipëria

825
Mustafa Qemali, Ataturku, i cili rrjedh nga një familje fshatare pranë qytezës Koxhaxhëk, komunë në Dibër, ka lindur më 1881 në Selanik dhe vitet e fëmijërisë dhe rinisë i ka kaluar në Shqipëri e Maqedoni. M. Q. Ataturku, i rritur në një rreth, ku shqiptarët e turqit janë lidhur edhe me marrëdhënie martesore, problemet socio-etnike dhe politike të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e të Rumelisë i dinte fare mirë. Kapiteni shtatmadhor M. Q. Ataturk, që bashkëpunonte edhe me patriotët shqiptarë, në një bisedë më 1907, në Karaferia me shokët e tij ushtarakë i thoshte mikut të tij të ngushtë, Ali Fuat Xhebesoj, lidhur me fatin e shtetit osman: “…Fuqitë e mëdha kanë vendosur me kohë të copëtojnë perandorinë osmane dhe tani presin kohën për të vënë në zbatim planet e tyre. Sipas këtij projekti pjesa lindore dhe perëndimore e Trakisë do të mbetet në duar të turqve… Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Greqia do t’u lihen vendeve të sipërpërmendura në bazë të shumicës etnike, sipas vendimit të konferencës diplomatike që do të mbahet në Stamboll, e drejtuar prej shtetit osman…Shqipëria do të shpallet e pavarur”. (Shoku im i shkollës, Ataturk. Kujtime të gjeneral Ali Fuat Xhebesoj, Stanboll 1967, faqe 116). Pasi më 1908 u rishpall Meshrutijeti, Hyrieti, Liria e bazuar në Kushtetutën e pezulluar që më 1876, me përpjekjet e përbashkëta të muxhahidëve turq dhe intelektualëve shqiptarë, partia “Ittihat ve Terakki” (Bashkim dhe Përparim) kishte organizuar në Selanik një miting dhe darkë ceremoniale. Në atë darkë festive kishin marrë pjesë edhe oficeri turk Mustafa Qemali, patrioti gjirokastrit Bajo Topulli dhe udhëheqësi i çetave kombëtare shqiptare, korçari Mihal Grameno, të cilët patën midis tyre një bisedë intime, lavdëruan dhe përgëzuan revolucionin e 23 korrikut 1908, ( Kryengritja shqiptare, Mihal Grameno, faqe 114 dhe Shahin Kolonja, shkruar nga Piro Tako, Tiranë 1984, faqe 264) M. Qemali kishte asistuar në operacionin ushtarak në Shqipëri më 1910. Një ditë kur kuvendonte me oficerët e Korparmatës së tretë, një oficer gjerman deshi të ngrinte dollinë për nderin dhe fitoren osmane, mirëpo u kundërshtua nga M. Qemali, i cili duke u ngritur në këmbë i dha këtë përgjigje oficerit gjerman: “-Unë, si një oficer turk, nuk është e mundur ta ngre dollinë për dorëzimin e shqiptarëve. Dëgjoni shokë! Jo dita e osmanlinjve, por do të vijë dita e ushtrisë turke, e popullit turk, që do të gëzojë pavarësinë! Dhe ne, gotat e rakisë, do t’i pimë krenarë për nderin e armatës fitimtare turke…” ( Mustafa Qemal Ataturku dhe Turqia bashkëkohore; Johannes Glosneck, përkthyer nga Arif Gelen, Ankara 1976, faqe 39.)M. Qemali, pasi themeloi qeverinë e Turqisë së re, më 23 prill 1920 në Ankara vendosi edhe marrëdhënie politike, ushtarake kulturore me qeverinë shqiptare, që kishte lindur nga Kongresi i Lushnjës, më 28-31 janar 1920. Në ato vite Turqia e re po luftonte me Greqinë, e cila ishte bërë masha e superfuqive europiane. Grekët, që kishin zbarkuar, më 15 maj 1919 në Izmir, nuk kërcënonin vetëm Anadollin po edhe qeverinë e Tiranës dhe përpiqeshin të aneksonin Shqipërinë jugore, të ashtuquajtur “Vorio Epir” (Epiri i Veriut). Shqipëria dhe Greqia nuk ishin marrë vesh në Konferencën e Paqes të mbajtur në Paris gjatë viteve 1919-1920. Strategu i madh Mustafa Qemali, që synonte të përçante armatën greke më 1920, i dërgoi qeverisë së Tiranës një delegacion ushtarakësh 25 vetash të kryesuar prej kolonelit të shtatmadhorisë Salahadin Saip Shkoza, i cili ishte nga Prizreni, ai organizoi ushtrinë e re shqiptare, me porosi te Ataturkut mori nënshtetësinë shqiptare, u zgjodh deputet dhe shërbeu ministër i mbrojtjes kombëtare ne kabinetin e Iljaz Vrionit gjatë viteve 1921 dhe 1922. Ushtria turke dhe populli turk, që ishin ngritur në luftën nacional-çlirimtare nën udhëheqjen e Mustafa Qemalit, më 9 shator 1922 i hodhi grekët në det përpara Izmirit. Bashkëpunimi ushtarak, kulturor, ekonomik, që filloi midis Ankarasë dhe Tiranës përfundoi me Marrëveshjen Miqësore të nënshkruar në Ankara, më 15 dhjetor 1923. Neni i parë i kësaj marrëveshje, që vazhdon të jetë në fuqi, është si vijon: “-1. Midis Republikës së Turqisë dhe Shtetit Shqiptar, në mes të nënshtetasve shqiptarë dhe turq, do të sundojë paqja, miqësia dhe vëllazëria e përhershme dhe kjo miqësi nuk do të prishet kurrë” ( Kodi III, Vëllimi 6, viti 1923)
Lidhjet miqësore tradicionale dhe historike vazhduan pa pasur asnjë problem. Do kujtuar se bajraktari Ahmet Zogu, më 24 dhjetor 1924, me ndihmën e serbëve rrëzoi qeverinë demokratike republikane të Fan. S. Nolit dhe u mbështet tek Italia fashiste, deri më 7 prill 1939. A. Zogu, megjithëse kishte premtuar se nuk do të largohej nga Republika, më 1 shtator 1928 u vetëshpall “Mbreti i shqiptarëve’’. Mustafa Qemal Ataturku u zemërua shumë. Kur gazetari francez M. Henry Berraux, u prit prej M. Q. Ataturkut, lidhur me shpalljen e mbretërisë zogolliane, Mustafa Qemali i tha: -Si?! Aprovim i mbretërisë shqiptare?… Jo! Nuk është e mundur! Ju lutem mos më bëni fjalë për atë “person”… Unë nuk e njoh Zogun! S’dua ta njoh fare…! (Le Petit Parisien, 11 tetor 1928)
Po edhe gazetat turke të asaj kohe mbretërinë zogolliane nuk e aprovuan, e kritikuan gjerë e gjatë. Gjithashtu, ballkanologu gjerman Richard Busehzunther, duke komentuar vetëshpalljen e mbretërisë së Zogut shkruante: “Rrezikun e mbretërisë për shqiptarët, së pari e kishte parakuptuar M. Q. Ataturku. Duke u vetëshpallur mbret, A. Zogu interesat kombëtare dhe patriotike të Shqipërisë i kishte shfrytëzuar për interesat e tij personale dhe shërbimet publike i kishe vënë në interesin familjar zogollian. Shqipërinë e kishte bërë çiflig të zogollianëve. Faturën e këtij gabimi e pagoi populli. Shqipëria i ishte shitur Italisë, pavarësinë ia dhuroi Romës fashiste…Këtë rrezik vetëm M. Qemal Ataturku largpamës e kishte dalluar, diplomatët europianë ishin në gjumë…” ( Albanien , Leipzig, 1939, faqe 95) Presidenti M. Q. Ataturk, që tërhoqi ministrin e tij nga Tirana, marrëdhëniet miqësore me mbretërinë shqiptare, deri sa ndërroi jetën më 1938, i kishte vënë në frigorifer. Mirëpo shqiptardashësi Ataturk, që synonte interesat e Shqipërisë, marrëdhëniet diplomatike s’i ndërpreu. Sidomos gjatë viteve 1929-33, kur ishte krijua Antanta Ballkanike, ftonte dhe Shqipërinë në kongrese. Në mbledhjen e vitit 1932 kishte marrë pjesë si delegati i Shqipërisë, poeti i “Lahutës së Malcisë”, At Gjergj Fishta. Marrëdhëniet diplomatike të Turqisë me Shqipërinë deri më 1938 rregulloheshin me “Chargé d’affaires” (i ngarkuar me punë), ndërsa konsullata turke e Vlorës ishte mbyllur që më 1930. Presidenti i Republikës së Turqisë M. Q. Ataturku, që kishte shkruar me dorën e tij 197 faqe për librin, që do të botohej më 1931-1932 prej Prof. Dr. Afet Inan me titullin “Medeni Bilgiler” (Njohuri Civile) për shkollat e mesme, popullin shqiptar, të udhëhequr nga mbreti Ahmet Zogu, nuk e konsideronte të lire. Ataturku, bajraktarin A. Zogu, i cili ishte shkolluar në Stamboll, s’e fali kurrë po edhe marrëdhëniet qeveritare me Tiranën nuk i ndërpreu, sepse Ataturku respektonte dhe mendonte për popullin shqiptar, sidomos për intelektualët e Shqipërisë që kishte një simpati të madhe. Librin e Ismet Toto-s, “Gazi Mustafa Qemal-Ataturk’’ (1935) e kishte pritur me kënaqësi dhe shpresonte se edhe Shqipëria do të arrinte të bëhej një shtet republikan. Ataturku e dinte mirë se populli dhe intelektualët e Shqipërisë ishin demokratë. Për këtë shkak M.Qemali dërgonte gazetarët e diplomatët më të mirë në Shqipëri. Diplomati dhe romancieri i shquar Jakup Kadri Karaosmanoglu, që shërbeu si ministër në Tiranë gjatë viteve 1934-1936, mbresat dhe përshtypjet e tij për Shqipërinë i botoi në gazeta dhe më vonë si libër me titull “Zoraki diplomat” (Diplomat padashje), Stanboll 1955. Jakup Kadri Karaosmanoglu para se të emërohej ministër në Tiranë punonte në kabinetin e Ataturkut, i cili e vlerësonte për aftësitë që kishte. Një ditë e thirri në zyrë dhe i tha kam menduar të shkosh në Tiranë ministër, ata që kemi menduar nuk ma mbushin mendjen. Karaosmanoglu i tha: Pasha, jam dakord dhe erdhi në Shqipëri, ku shërbeu dy vjet. Gjithashtu edhe shkrimtarët përparimtarë shqiptarë në gazetat e revistat shqiptare si “Bota e Re’’ dhe “Përpjekja Shqiptare” (1936-1938), drejtuar nga Branko Merxhani, si dhe në fletore të diasporës shqiptare “Liria Kombëtare (Zvicër), “Dielli (Boston), botonin shkrime e studime serioze për Ataturkun dhe Turqinë qemaliste. Ismet Toto-ja që kishte botuar monografinë e mirënjohur “Gazi M. Q. Ataturk” (1935), ishte kalbur në burgun e Ahmet Zogut. Vlen të theksohet se, presidenti M. Q. Ataturk, sidomos gjatë viteve 1930-34 kur zhvillohej Lidhja Ballkanike dhe kur priste në audiencë ministrat e Shqipërisë, nuk zinte në gojë emrin e A. Zogut, po vlerësonte marrëdhëniet miqësore turko-shqiptare dhe kombit shqiptar i uronte lumturi, begati, qetësi e paqe. Sipas ushtarit të dalluar shqiptar, Ahmet Turkdogani nga Prishtina, roje e Ataturkut, qysh nga viti 1919 deri më 1938, Ataturku zhvillimet e Shqipërisë i ndiqte me kujdes dhe ushqente shpresë se edhe populli shqiptar liridashës do të shpëtonte nga sulltan Ahmet Zogu, do të gëzonte demokracinë që e meritonte.
A ishte shqiptar, Mustafai i madh?
Është e natyrshme të kërkohet me kujdes dhe të mësohet origjina e një njeriu të madh si Ataturku. 
Ai ka lindur në Selanik, më 25 dhjetor 1881, në një shtëpi modeste pranë limanit, e cila sot është muzeum. Mbi derën e saj lexohen këto fjalë: Ataturku, shpëtimtari i madh dhe heroi i pashoq i Turqisë, ka lindur në këtë shtëpi më 1881”. Babai i tij, Ali Rizai, ish-nëpunës, por më vonë u mor me tregti private. Nëna e Mustafait, Zybejde-ja ka qenë një zonjë shtëpiake. Kur M. Qemali vazhdonte shkollën e mesme ushtarake, mësuesi i tij, që quhej edhe ai Mustafa, i propozon: -Unë quhem Mustafa, edhe ti Mustafa, kjo nuk më pëlqen. Midis nesh duhet të ketë një ndryshim, prandaj këtej e tutje emri yt do të jetë Mustafa Qemal. Fjala qemal në fjalorin turko-arab ka kuptimin: i pjekur. Më 1934, ministri i arsimit i asaj kohe tha në radio: “Mustafa Qemali është ati i turqve” dhe qysh nga kjo ditë, gazetat dhe populli e quajtën Ataturk. Udhëheqësi i Turqisë të nesërmen mori letërnjoftimin e ri, ku mbiemri i tij ishte shkruar, Ataturk. (vijon në numrin e ardhshëm)

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 23.12.2015
Sigal