Ne bëjmë sikur…

744
Izet S. ÇULLI

Zjarr që ka ndezur flakë gjithë vendin. Digjen pyje të tërë, një pasuri e paçmuar që u përket gjithë brezave dhe për t’u zëvendësuar ato, duhen shumë dhjetëvjeçarë. Dëmi që sjell kjo batërdi e jashtëzakonshme do të kuptohet më vonë, në vitet e afërt. Këtu nuk bëhet asfare fjalë vetëm materialisht dhe ekonomikisht, por edhe shëndetësisht dhe ekologjikisht.

-Nuk hyjnë mjetet!-ankohen gjithandej ata që ndeshen me flakët gllabëruese dhe drejtuesit e tyre. Po pse more njerëz, nuk e dimë ne që në mal nuk mund të futen zjarrfikëset?! Edhe rrugë automobilistike po të kishte atje (!), makineri të atilla nuk mund të shkonin e të hynin parcelë më parcelë apo shpatmal më shpatmal.

-Po si nuk na dhimbsen pyje të tillë të mrekullueshëm, siç janë pyllnajat, me bukuritë e tyre trallisëse, sidomos ato në Llogara, Gërmenj, Golik, Lurë, Dumre, Theth, Hotovë ( o Zot, ruaje Bredhin e Hotovës!) dhe gjetkë.

Po ende nuk e dimë ne (apo bëjmë sikur) se vetëm nga ajri mund të ndërhyhet për të përballuar këtë gjendje të rëndë, katastrofike. Dhe kërkojmë ndihmë nga vendet fqinje e më tej nga Evropa. Po pse me më pak shpenzime marramendëse e kursime, në këta 27 vjet, a nuk mund të blinim së paku për çdo dy vjet nga një avion të tillë hidrik? Kam parasysh këtu, se të huajt nuk besoj të na i sjellin gjithmonë falas ato. Pra le të kursejmë paratë në udhëtimet e shumta jashtë shtetit, si edhe për zyrat luksoze të pushtetarëve, me harxhimet dhe pivilegjet e deputetëve apo të zyrtarëve të tjerë!

Nuk e di, po kaq piromanë paskemi qenë ne si popull që përvëlojnë pyllishtet tona të stërmëdha, të cilat, në shumicën e tyre, i djegin me vetëdijen tonë të shprishur dhe asfare nga temperaturat e larta, sepse zjarri zakonisht nuk ndizet vetë, pa zjarr. Po të ndodhte kështu, do të ishin shkrumbuar ato vende e kontinente, ku mbizotërojnë nxehtësi më të larta se ato të vendit tonë.

Ah, ç’m’u kujtua vargu nismës i poemës së papërsëritshme të Naim Frashërit: “O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë!”

Duhet shënuar se në përgjithësi ne vuajmë nga amnezia apo jemi disi kujtesëdobët, ndaj edhe motmotin tjetër, sërish do të vazhdojmë të njëjtin refren kobsjellës: Do shuajmë zjarret!- duke bërtitur sa kemi në kokë,/ sigurisht, kur ndoshta s’do të ngelet pyll mbi këtë tokë!
Sigal