Engjëll Musai/ Për Pushtet, koalicion edhe me djallin!

611
Fushata elektorale e 21 Qershorit duket se ka kohë që ka nisur, pavarësisht se zyrtarisht ajo fillon 35 ditë para datës zyrtare të dekretuar nga Presidenti i Republikës. E Majta dhe e Djathta kanë ditë që janë përfshirë nga ethet, ankthi, pakënaqësitë, por edhe testimet në heshtje të elektoratit. Dihet se bastionet kryesore janë ato që do të rrisin imazhin e qeverisë, apo të opozitës, në rast fitoreje dhe ky imazh do të ndikojë edhe në revanshin, që këto parti do të nisin për zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës. Nuk ka asnjë dyshim, se përveç Tiranës, qytetet e rëndësishme dhe barometër do të jenë edhe Durrësi, Shkodra, Vlora, Korça dhe Elbasani. Pikërisht, këto 5 bashkitë do të përcaktojnë edhe të ardhmen e koalicioneve aktualë. E Djathta kërkon rritje të elektoratit, për të treguar se gjërat nuk janë më si në zgjedhjet e 2013-ës, ku u ndëshkuan nga 1 milion shuplakat e koalicionit të Rilindjes (PS-LSI), ndërkohë që e Majta kërkon të mbajë këtë numër, për t’u thënë shqiptarëve se reformat e ndërmara kanë qënë të drejta dhe janë përqafuar nga Rilindasit e saj. Por, e vërteta është disi ndryshe, pasi e Djathta në zgjedhjet e fundit arriti “fundin e pusit” dhe veç ngjitjes, nuk kishte ku të shkonte me keq, pavarësisht lojërave me të pavarurit. E Majta ka premtuar shumë, por varfëria është ulur këmbëkryq dhe, për rrjedhojë, vendet e pahapura të punës, nepotizmi dhe klientelizmi është në baraspeshë me premtimet e Rilindjes. Për këtë fakt, e Majta po kërkon të grumbullojë rreth vetes lloj – lloj njerëzish, grupimesh, anonimë dhe parti anonime, të majtë e të djathtë, pa dallim bindjesh, krahine dhe ideje, me qëllimin final, që duke forcuar karriget e pushtetit lokal t’i shtojë jetgjatësinë pushtetit qendror. Nga ana tjetër, këto zgjedhje, veç të tjerash, do jenë edhe çështje numrash, pasi të dyja grupimet do të dalin me shifra dhe në fund do të thonë, që brenda 2 viteve arritëm të përbysim rezultatet dhe se kjo qeverisje nuk e ka legjitimitetin e vazhdimit të pushtetit, apo vendimmarrjes së saj absolute. Edi Rama dhe koalicioni i Rilindjes po tenton të marrë rreth vetes çfarë t’i dalë përpara dhe harron se ata që po lë pas janë shumë herë më shumë se sa ata që i afrohen. Veç të tjerave, aleatët tradicionalë të së Majtës, që kanë mbetur jashtë dhe që ishin pjesë e 1 milionë shuplakave të 2013-ës, jo vetëm kanë lidhje shpirtërore më PS-në, por i dhanë kësaj force politike plot 105 mijë vota në zgjedhjet e fundit. Lënia e partive social-demokrate, Frontit të Majtë dhe partive të tjera me përbërje të njëjtë sociale, do të godasin rëndë të Majtën, e cila kurrsesi nuk mund ta plotësojë boshllëkun e këtyre partive dhe pakënaqësive me partinë-fantazmë të Bamir Topit. Thirrja e partisë Çame është e pamenduar mirë, pasi kjo parti më shumë i merr se sa i jepë të Majtës. Sigurisht, ne nuk po flasim për ideale, sepse ato kanë vdekur dhe se këto koalicione janë kthyer në qendra pazaresh dhe më shumë selitë e këtyre pative ngjasojnë më kazinotë e bixhozit, se sa me ato të vendeve, ku nënshkruhet e ardhmja dhe fati i shqiptarëve. PDIU, nga njëra anë, mori deputetët e PD-së dhe, nga ana tjetër, kërkon edhe bashkitë e PS-së, në zonat ku ka një komunitet çam. Faktet tregojnë se në zonat e tjera influenca çame është e pandjeshme dhe në këtë rast ende nuk është e qartë, se përse i duhet ky koalicion socialistëve. Por ajo që përbën skandal në këtë koalicion ka të bëjë me FRD-në, e cila ngjan më shumë si një parti “kinemaje”, ku të njëtët fytyra dhe personazhe transferohen në disa qytete të Shqipërisë së Mesme dhe ky grusht njerëzish nuk ngre peshë, përkundrazi krijon më shumë pakënaqësi, pasi njerëzit që ka rreth vetes FRD-ja e Topit janë ata që kanë firmosur dhe flakur në rrugë socialistët pas humbjes së tyre në 2005-ën. Ndërkohë, që një pjesë tjetër është e implikuar në afera të pista dhe korruptive me pushtetin dhe pasuritë e tij. Vetë ish-presidenti Bamir Topi ka qënë më i kritikuari nga Departamenti amerikan i Shtetit, në raportet që ky institucion shpërndante për korrupsionin në Drejtësi, ku z.Topi ishte Kryetar i KLD-së. Një funksionar anonim, theksonte para disa vitesh, se vendi i një gjyqtari Apeli në Tiranë kushtonte deri në 200 mijë dollarë. Atëherë, lind pyetja: përse na u dashkan këto lloj koalicionesh? Kam frikë se me ofrimin e Topit, Kryeministri Rama, në vend të vendosë vetulla do të nxjerr sytë, sepse fushata do ndizet dhe faktet do jenë tronditëse. Ndaj, mendoj, që vetë e Majta duhet të jetë e matur, pasi disa koalicione fiktive nuk kanë vlerë dhe se shprehja e popullit, “më mirë shtëpia bosh, se sa djalli brenda,” është më aktuale se kurrë.
Sigal