Muharrem Dardha/ Jo vetëm nostalgji, por edhe disa probleme…

708
Sigal

Para pak ditësh (7 gusht) në gazetën “Telegraf” u botua shkrimi me titull: “Zëri i Vlorës” dhe misionierët e saj…”, shkruar nga Agim Jazaj. Si një bashkëpunëtor i vjetër i asaj gazete lokale, e lexova me kërshëri dhe ndërkaq një mall i veçantë më përfshiu teksa lexoja emrat e asaj plejade gazetarësh dhe bashkëpunëtorësh që punuan dhe kontribuuan në këtë gazetë, të cilët me të drejtë autori i shkrimit të sipërpërmendur i quante misionarë të shtypit shqiptar. Me shumë prej tyre jam njohur nga afër, jemi takuar në zyrat e redaksisë së gazetës “Zëri i Vlorës”, që asokohe e mbaj mend të vendosur në një godinë dykatëshe, diku në krye të rrugës Vlorë-Skelë dhe më pas në ndërtesën e re të ish-Komitetit të Partisë (sot Universiteti “Ismail Qemali”); kemi diskutuar plot pasion e dëshirë për ato çka botonim në faqet e kësaj gazete, e cila u bë shkolla e parë në rrugën e gazetarisë dhe të lidhjes sonë me publikun e gjerë. Aty na prisnin plot ngrohtësi drejtuesit e gazetës, i nderuari Zoi Toska, Tefta Gjoleka, një grua zemërmirë dhe aq e sjellshme, skrupulozi Dasho Matodashaj, i palodhuri Perlat Vebiu, që hipur mbi motorin e vjetër dhe aparatin fotografik në krah bridhte fshat më fshat për të sjell në faqet e gazetës fotoreportazhe të bukura dhe me tematikë të gjerë, gazetarët profesionistë Bashkim Fifo, Kleo Lati, Zana Mero, Petrit Brokaj…Me të tjerë jam njohur nga larg, nëpërmjet shkrimeve që botonin hera-herës në këtë gazetë të vogël lokale, por që për ne u bë një tribunë e vërtetë ku pasqyrohej jeta dhe veprimtaria e një  treve të gjerë, që fillonte nga Ura e Mifolit në Novoselë dhe deri në fshatrat e Bregut të kufizuar me Sarandën, nga stanet e barinjve të Sevasterit  e Vërmikut të largët, në Selenicën e minierës së bitumit, më e vjetra në Shqipëri dhe deri në ishullin e Sazanit e në Karaburun, ku shërbenin me qindra e mijëra ushtarakë e punonjës civilë… Të faleminderit i dashur Agim që na solle ato kujtime të paharruara të viteve të rinisë sonë, që si në një album të veçantë rendisje kaq shumë emra që janë skalitur tashmë në koleksionet e “Zërit të Vlorës” dhe që, dashtë Zoti, ruhen ende në bibliotekën e mirënjohur të qytetit të Vlorës. Secili nga ne: ti, unë, Arqileja, Baxhuli, Flamuri, Ira, Muhameti, Shefqeti, Thedhori, Vasili, Dionisi, Odisea, Roberti, Krenari, Bardhoshi, Hitoja, Maroja, Pandeliu, Faiku, Fotoja, Mezani, Vironi, Vllasi dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë (të më falin që nuk po iu përmend emrat, por që ti i nderuar Agim i ke radhitur aq mirë) dhamë pa asnjë interes diçka nga shpirti ynë, me bindjen se, krahas punëve tona profesionale si agronom, inxhinier, oficer, punëtor apo mësues, bënim diçka tjetër, po aq të bukur, publikimin në shtyp të jetës dhe sakrificave që njerëzit bënin në fronte të ndryshme të punës… Ndërsa lexoja dhe meditoja rreth këtij shkrimi memorial të mikut tonë Agim Jazaj, që edhe sot është aktiv dhe vazhdon të shkruaj në shtypin e përditshëm, veç ndjenjës së pashmangshme të nostalgjisë që më pushtoi, disa pyetje më ngacmonin në kokë dhe që po i hedh më tepër si një merak i brendshëm në këtë shkrim. Po sot si ruhet kjo traditë e bukur bashkëpunimi dhe komunikimi në organet e shtypit tonë të shkruar? Për fat të keq pothuajse nuk funksionon, është harruar. Përse sot, përveç gazetarëve rrogëtarë që punojnë në gazetat e revistat shumta që botohen (vetëm në Tiranë çdo ditë dalin mbi 25 të tilla), nuk ka të afirmuar një rreth bashkëpunëtorësh të tjerë që të shkruajnë e të informojnë ngado që jetojnë e punojnë? Më duket se pak, fare pak gjen të tillë, aq sa sinqerisht e kam të vështirë të rendis disa emra. Pse ndodh kjo?  Mund të jem i gabuar, por mendoj se së pari, kjo vjen nga që janë shkëputur lidhjet midis redaksive të gazetave me shumë nga ata që dëshirojnë të bashkëpunojnë me shtypin. Me ta mbahet një qëndrim i ftohtë dhe aspak inkurajues nga drejtuesit e gazetave dhe pronarët e tyre, më së shumti fushëpamja dhe fushëveprimi i tyre kufizohet në ato çka ndodh përreth kryeqytetit dhe shumë rrallë vijnë informacione nga jeta në rrethe, aq më tepër nga zonat e thella rurale. Është e vërtetë që tashmë informacioni është bërë më i shpejtë dhe më i informatizuar, por kjo nuk do të thotë aspak që të mos kesh bashkëpunëtor të shtypit edhe nga zona të thella, bie fjala në Dukagjin, në Has, në Poliçan, në Kurveleshin e Sipërm apo në fshatarët e Dropullit të Poshtëm. Sepse edhe atje jetojnë njerëz, ka jetë të gjallë, madje me më shumë vështirësi dhe më me shumë probleme. Me përjashtim disi të Greqisë, mungon pothuajse fare informacioni për mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, Itali, SHBA, Angli etj.. Këto probleme besoj se nuk janë të parëndësishme për t’u pasur në fokusin e vëmendjes së shtypit tonë të përditshëm, përkundrazi ato duhen vlerësuar njëlloj siç vlerësohen edhe problematikat që “vilen” nga jeta në zonat urbane apo nga zyrat e institucioneve qendrore të vendit. Kur shtroj çështjen e forcimit të rrjetit të bashkëpunëtorëve të shtypit, nuk flas për t’u kthyer në disa praktika që ndoshta u ka kaluar koha, për një punë më të organizuar me ata që dëshirojnë të jenë bashkëpunëtorë të shtypit, për kontakte të vijueshme apo takime periodike që mund të bëhet me ta, por gjithsesi një rrjet i tillë njerëzish të evidentuar do t’i bënin më të larmishme dhe më tërheqëse faqet e gazetave dhe revistave tona. E shikoni, vetëm nga gazeta lokale “Zëri i Vlorës, Agim Jazaj ka renditur mbi 120 emra bashkëpunëtorësh që ajo kishte në ato vite. Po kështu mund të evidentosh me dhjetëra e qindra edhe nga gazeta të tjera qendrore dhe lokale të asaj periudhe. Shumica prej tyre nuk kishin mbaruar shkollën për gazetari, por u bënë gazetarë nga puna dhe pasioni që kishin. Mjerisht sot shkollat e larta “prodhojnë” shumë gazetarë, por që pak mbetën të tillë, pak arrijnë të krijojnë një emër në një gazetë apo revistë, por më së shumti bredhin sa në një gazetë në tjetrin dhe nuk ngjisin gjëkundi. E si mund të quhet gazetar një njeri që nuk ka provuar kurrë të shkruaj një editorial, një reportazh apo përshkrim, një artikull problemor apo diçka tjetër?!. Më kujtohet se para pak vitesh në shtypin ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes u emërua një vajzë që kishte mbaruar për gazetari. Ajo ishte një vajzë e mirë, e edukuar, por kur e pyetën se, “ke botuar ndonjë shkrim si gazetare” ajo u përgjigj me sinqeritet: “Jo, nuk kam botuar asnjëherë”. Ajo punoi për disa kohë aty, por si gazetare nuk u shfaq kurrë! Gjithsesi, edhe me kaq, faleminderit i nderuar Agim Jazaj!