Martin Cukalla: Kryeministri flet për zhvillimet turistike të vendit, kurse nuk gjen shteg në errësirë për të dalë në dritë e të firmosi Statusin i Minatorit

51
Sigal

-Le ta quaj 36 orë në BULQIZË mes problemeve të pafund.

– Situata është ngurtësuar edhe në historikun komiko-tragjik të Rrugës së Arbërit, e cila vazhdon me probleme.

– Rruga e Arbërit, për paaftësi të politikës tonë, u tjetërsua duke nxjerrë drejtimin për në Qafë Thanë objekt të Koridorit 8 (?!!) çka ishte interesi gjeostrategjik i fqinjëve.

– Si banorët e Dushajt bllokuan rrugën e përzunë të fortët që kërkonin drurët e pyllit të Malit të Bardhë diku në verilindje të Bulqizës.

– Shthurja ligjore dhe realiteti, ka shpurë në rritjen e shpenzimeve buxhetore për hapjen e tunelit në Kalimash!

– Politika as e zgjidhi dhe as nuk u mor të aktivizojë interesimin e gjeologjisë shqiptare për pasuritë e nëntokës tonë, që ende flenë.

 

Martin Cukalla

 

1.

Ylli Pepo është në përfundim të një filmi.

Historia e Bulqizës dhe historiku i nxjerrjes së kromit aty, natyra me ashpërsitë dhe bukuritë e veta, njerëzit që punuan dhe ata që përpiqen të afrojnë vatanin e tyre në planet moderne të jetës! Aspekte, natyrisht aspekte njerëzore e pamje të veçanta nga ajo madhështi, që përmblidhet në një emër të veçantë për mua: Bulqiza! Ky është thelbi i filmit të Ylli Pepo-s me skenar të gazetares së mirënjohur Zana Zyrakja, autore e qindra emisioneve në Radio Tirana dhe dhjetra filmave dokumentarë e artistikë në Televizionin Shqiptar.

Ndërsa po përmbyll filmimet, Ylli më ftoi ta shoqëroj në Bulqizë, në një udhëtim të shkurtër për të marrë disa sekuenca që kompletojnë rregjizurën.

Interesant! Mendoj! Artisti punon drejtpërdrejtë me jetën që zhvillohet dhe zbulon në vepër të gjithë kompleksitetin që mbart koha dhe hapësira, politika drejtpërdrejtë në zhvillimet zbulon interesat dhe grupet e interesit që i nevoiten për t’u votuar!

Ylli Pepo kërkon njerëzit që bëjnë të renë europiane të Shqipërisë së sotme dhe veprat e tyre kudo ku ndodhen, por edhe prej të shkuarës ngre në ekran figurat e shquara që të mos lerë kohën të fshehë magjitë e jetës së tyre dhe bëmat në të cilat kombi ynë ngjiti shkallët e përparimit! Kujtoj filmat e sivjetëm të tij për Tefta Tashkon e Korçës, Jakov Xoxen e Fierit, durrsakun Andrea Alessi, vlonjatin Ali Asllani etj.

Politikanët, eh! Politikanët! Nga kryeministri e të gjithë pas tij, nuk lenë rast pa theksuar zhvillimet turistike të vendit, kurse për industrinë nxjerrëse që jep më të shumtën e vlerës së eksporteve të vitit, nuk gjejnë shteg në errësirë për të dalë në dritë e firmosin Statusin i Minatorit, a të njohin e zgjidhin problemet e mëdha të subjekteve të prodhimit aty ku punohet! Nuk mund të them që çka shohim e dëgjojmë është “qeverisje e punëve të vendit”, më saktë do ta quaja “qeverisje elektorale e njerëzve”….

2.

Ora 8. Nga Tirana nisemi grup.

“Për një orë do jemi në Bulqizë!”, dëgjoj zërin pas meje.

Është Bukurosh Koçi, kontributori i filmit, lindur e rritur në Bulqizë, pasurues nga profesioni, që ka ngritur në këmbë një korpus fabrikash dhe është në të vërtetë prodhuesi kryesor i koncentratit të kromit në vend.

Nuk më besohet. Me makinë të mirë dhe tre orë ishin pak të përshkoje aksin Tiranë-Laç-Shkopet-Burrel për të mbërritur Buqizën. Rrugë e vjetër tanimë, e harruar si koha e ikur!

Lamë pas periferinë kodrinore të Tiranës të urbanizuar rrëmujë e që nuk përfaqëson as fshat as qytet. Mbrapa mbeten dhe disa gryka tronditëse që ndajnë më dysh vargmalin Dajt-Krujë dhe një gurore famëkeqe të braktisur dhe futemi përtej Dajtit, në terenet emocionuese ku lëviz Rruga e Arbërit.

Rruga e Arbërit, rruga e Arbërit…Nuk mund të mos bie në mendime tek dëgjoj këtë emër.

E çthurur dhe çoroditëse siç ka qenë, e shfromuar dhe e përçarë siç është, politika ka ngadalësuar ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit edhe pse premisat kanë qenë vlerësuar. Kjo gjendje nuk mundet të shpjerë në normalitete përparimi pa u vetëkorigjuar në themel!

Situata është ngurtësuar edhe në historikun komiko-tragjik të Rrugës së Arbërit, e cila si gjeografi është thjesht segment i Koridorit 8, një arter strategjik i lidhjes Lindje-Perëndim i përcaktuar kështu qysh në vitin e largët 1982 nga presidenti amerikan i asaj kohe.

Rruga e Arbërit, për paaftësi të politikës tonë, u tjetërsua duke nxjerrë drejtimin për në Qafë Thanë objekt të Koridorit 8(?!!) çka ishte interesi gjeostrategjik i fqinjëve. Rrugës së projektuar të Arbërit iu ul standerti dhe iu zvarrit pa cak ndërtimi. Ky objekt po konsumon burime financiare shtesë pas shtese për të cilat nxirret si justifikim problematika gjeologjike.

I njejti prektekst u shfrytëzua për të shmangur përgjegjësitë politike e penale edhe në rastin e tunelit të Kalimashit. Në të vërtetë përgjegjësia është e qeverisjeve që, në interes të përfitimeve dhe përfituesve privatë, kanë prishur skemën studim: projektim: ndërtim dhe institucionet përkatëse të zbatimit e të ligjëshmërisë.

Parimi i pagesave të investimeve shtetërore mbi bazën e punës së kryer, është i mangët në rast se puna e kryer nuk mbështetet në një studim të thellë gjeologjik e në një projekt teknik të asaj që planifikohet të bëhet. Kjo shthurje ligjore dhe realiteti, ka shpurë në rritjen e shpenzimeve buxhetore për hapjen e tunelit në Kalimash!

Mungesa e studimit bëri që të rrëshqasin disa qindra metra nga tuneli i Murrizit, mungesa e projektit teknik të zbatimit bëri të ngecë në argjilat që fryhen përparimi i ballit të tunelit dhe të shtyhet e të shtyhet afati i vënies në punë…

I lë mënjanë mendimet dhe shijoj urat fantastike që lidhin terene të aksidentuara në luginën e lumit të Klosit, pamjet e njohura e mbresëlënëse të luginës së bukur të Plani të Bardhë dhe mbëritjen aq të shpejtë në atë çudinë e erërave me emrin Qafa e Buallit!

3.

Tuneli i Qafë Buallit hap e mbyll sytë është dhe vështrimi na përhapet mbi Bulqizë: lugina me qytetin në të dy anët e saj, fshatrat njeri pas tjertrit, malet e veshur në gjelbërim pyjesh e shkëmbinjsh! Dëbora mungon. Diku është formuar një liqen, i ri ky liqen dhe natyra e ka krijuar për të bërë të dukshëm gabimet njerëzore!

Në faqen veriore të malit që mban në shpinë liqejt e Balgjait, duket një rrugë, që lidh majën me asgjënë, sikur të jetë e varur rruga; poshtë saj shpatet e veshura me pyje. Është dora e të fortëve që tentoi të grabiste pyjet aty poshtë!, -më thonë. U ngritën në këmbë banorët e Vajkalit dhe i përzunë makineritë. Kështu bënë dhe banorët e Dushajt: bllokuan rrugën e përzunë të fortët që kërkonin drurët e pyllit të Malit të Bardhë diku në verilindje të Bulqizës.

Bukur janë zemërimi dhe kundërshtia për të drejtën dhe të vërtetën, më bukur janë zemërimi dhe kundërshtia ndaj të keqes e padrejtësisë kur për çështjet sociale përfshihen bashkësitë e lira njerëzore!

Bulqizën koha e ndërtoi në dy gjysëm qytete: Qyteti i Ri dhe Qyeti i Vjetër quhen, përballë njeri tjetrit, mbështetur në dy malet përkundrej që krijojnë luginën, i Riu nuk i ka mbushur të 38 vjetët, i Vjetri ka dyfishin e këtyre viteve dhe është çuditërisht më i përtërirë: me një shesh kryesor të shtruar me pllaka guri të bardhë ku nuk lejohen makinat, me godina të ulëta e të larta që ndahen nga rrugica e drurë të gjelbëruar, me kafene e hotele të cilësisë së mirë, me monumentin e minatorit dhe Pallatin e Kulturës…

Ora është 9. Fiks një orë që u nisëm prej Tirane. Hyj në Pallatin e Kulturës.

Këtu kam qëndruar dhe kur erdha së pari në Bulqizë: 3 janar 1975. Ftohtë. Erë, Dëborë dhe Akull.

Kafeneja e dikurshme tanimë është një sallë e shndërruar për ekspozita. Kostume popullore, në atë larminë e begatë të ngjyrave të ndezura të harbimit pranveror të natyrës malore, paraqiten bukur të vendosura në njerën anë të sallës. “Tani e kemi bërë!”, më thotë eksperti Pëllumb Dervishi, i cili muaj më parë më shpjegoi eksponatet e Muzeut të Minierës ndërtuar në krahun tjetër të godinës. Aty është dhe Jete Mazari, këngëtarja dibrane e grupit artistik të Bulqizës, një zë brilant që çlirohej lirshëm e bukur në këngët popullore të kësaj treve me folklor të rrallë.

Shkojmë në hotel. Godinë e rinovuar në arkitekurë, mermer i ndritshëm dhe bojëra qelibari që të bëjnë të ndjesh efektet e ambienteve të cilësisë së parë. Në kafenenë e hotelit gjejmë Kryetaren e Bashkisë. Një zonjë e re, tërë gjallëri për detyrën që ka marrë; duket krenare çfarë përfaqëson, e sigurtë në vetvete dhe ndoshta me ëndrra për ta bërë më të mirë jetesën në këtë qytet të shquar minatorësh. Grupi i xhirimit shkon në zyrën e saj për një intervistë.

Unë dhe inxhinier Kurt Skara marrim rrugën për në Batër të Martaneshit. Në timon është Ditjoni, djali i mikut tim të ndjerë, Isufit të mirë. Rruga është një skëterrë e vërtetë bërë nga rreshjet dhe mjetet e tonazhit të lartë, ndoshta dhe e lënë pas dore për shumë kohë.

Ecim nëpër një pjerrësirë të trishtuar; përtej duken male të mjergulluar dhe asgjë… si në një shkreti të heshtur, pa jetë njerëzore. Diku e diku ka sheshe me krom e makineri, pa njeri e pa zhurmë pune janë. Diku e diku ka galeri nga ku janë derdhur stoqe të mëdhenj gurësh, të heshtura e të pa zhurma dhe ato.

I kam parë ndryshe herët e tjera që kam qënë këtyre anëve, por mësoj se puna është zbehur.

Nuk më rrihet mua plakut pa e rrahur shqetësimin me inxhinier Kurtin.

“Nuk ka punime gjeologjike, nuk ka shtesa rezervash të reja kromi! Ato që ishin po pakësohen përditë…” Dhe të mendosh vrullin me të cilin u ndërtuan këtyre anëve galeri të reja, fabrika të reja pasurimi, sheshe të rinj për përpunimin e kromit.

Pa shërbimin gjeologjik në aktivitet kërkim-zbulimi nuk ka të nesërme minerare!

Politika as e zgjidhi dhe as nuk u mor të aktivizojë interesimin e gjeologjisë shqiptare për pasuritë e nëntokës tonë, ato që njihen e duhen shtuar dhe ato që nuk njihen e duhen bërë të njohura për të fuqizuar indistrinë nxjerrëse! Gjeologët u lanë mënjanë, në fatin e tyre për të mbijetuar, puna e tyre edhe pse me një produkt të shkëlqyer mbi te cilin u mbështet një industrializim i mbarë i vendit, u shumëzua me zero! Dhe aftësitë e tyre të krenueshme, thuajse me zero u shumëzuan…

Kulla Hupi!

Kisha dëgjuar për të, kisha parë dhe një dokumentar për të, por ndryshe është të jesh tek dera e saj; të heqësh këpucët sipas zakonit e të ngjitësh shkallët; të ecësh jashtë nëpër ato ambiente ku bashkëpunimi i njeriut të punës me natyrën zemërgjerë jep fryte mahnitëse!

Një rrugë e ngushtë, shtruar me kujdes me çakull të imtë, përmes kthesash e gjelbërim drurësh, të shpie tek Kulla Hupi.

Emri “Kulla Hupi” është shkruar me të bardhë në faqet e dukshme të gurëve të mëdhenj në kthesa a kryqëzime; bukur kjo përzgjedhje për orientim.

Makina parkohet në një lirishte me bar ku qëndrojnë dhe shumë të tjera.

Është ndërtuar e lashtë Kulla, dhe gjendet në mes drurësh të mëdhenj në faqen e malit gërqelor, që ngrihet prej Urës së Qytetit e drejt shpateve të Malit të Bardhë.

“Kullën na e la gjyshi amanet e unë e doja. Më janë dashur katër vite punë në minierë për të fituar lekë për të blerë materialet dhe për të kryer këtë punën këtu që të reabilitohej Kulla, të bëheshin këto terraca e sheshe dhe të rriteshin këto pemë të reja e bari në këtë pjerrësirë.

Nuk doja t’i ikja lashtësisë së Kullës! Që i vogël mblidhja sendet e vjetra që hidheshin të lodhura nga përdorimi dhe i sistemoja në nënçatinë e Kullës së Gjyshit.

Doja të shkrija në një atë lashtësi me nevojat e jetës dhe mundësitë që kemi sot për të jetuar…”

Mua më vjen ndër mend një djalë i Dyriçëve, që, në pyllin e vet buzë liqenit sipër në mal, dëshironte të ndërtonte objektin “Hani Dyriçi”; diku aty ku kishte qenë një trung i stërthatë me diametër tre metër, aty, ku larg syrit të të huajve e hafijeve, në kohët e para mblidheshin burrat për të drekuar e për të kuvenduar bëmat. Ai, djali i Dyriçëve që e kishte ruajtur pyllin me të shtëna topi të marrë nga depot në v.’97, ëndërronte një ndërtesë që dilte nga shkëmbi e nderej deri mbi liqen prej ku nisej një shteg i rrëpirtë për kalorësit, që donin të ngjiteshin në Dhoks për të kundruar pyjet e pamata e kullotat verore e liqenet e shumtë të asaj rrafshine që shtrihet deri në Malin e Tërnovës së Madhe.

M’u kujtua dhe çuni i Ketave, i shquari Jonni Ismaili që braktisi rininë e vet të hershme për të realizuar një ëndërr. “Ec e vrapo!”, -thotë vetë Ai. E kish nisur fëmijë stërvitjen. Rraskapitej tërë ditën e lume duke gjuajtur me grushtat e një vogëlani një thes me rërë të mbushur në dampën e fabrikës së pasurimit të kromit dhe dikur, dikur më vonë iku në Gjermani ku së pari punoi pjatalarës; duroi veç të tjerash dhe meritë pse ishte i shpejtë e korrekt në punë! Pas punës së mundimshme stërvitej në kickbox. Mandej, krenar që ishte nga Bulqiza, iu fut konkurimit dhe e fitoi sfidën e rëndë: u shpall kampion i Gjermanisë, në vitet 2011 dhe 2012, por edhe kampion bote.

Jeta bën të vetën, por kurajo nuk mposhtet, kur ushqehet nga një mendje e shëndoshë! Jonni Ismail Keta ka një shkollë kickboxi në Mynih dhe një qendër moderne të stërvitjes fizike. Nuk e ka harruar vendlindjen: Ka ndërtuar aty Kullën Keta. Një rrugë e asfaltuar që pjerrësohet butë e bukur shpatit të malësisë veriore të Bulqizës, të shpie tek ajo.

Një drekë e gatuar prej prodhimeve të veta dhe vera e vendit na shijojnë këtu në Kullën Hupi; kundrojmë ambjentet dhe mbrëmjen që po bie ngadalë dhe e freskët; i afrohemi një zjarri të ndezur jashtë dhe bisedojmë me disa të huaj që kanë bujtur aty përpara nesh.

Duke këmbyer kujtime me burra të fisit Hupi me të cilët kam punuar dikur në minierë, për qejf, rrotulloj një pjekës kafeje mbi prushin e një oxhaku, siç kam parë ta bënin dhe pleqtë e dikurshëm; në të vërtetë e rrotulloja gabim: përkundër!

Operatori Xhemal Reçi nuk ka kohë të shijojë bukuritë e pamjeve dhe ushqimin në Kullën Hupi. Gjithë kohën në lëvizje me aparatin e filmimit në dorë. Më së shumti kineast profesionist prej zemrës e talentit se prej zorit të detyrës. Eshtak e i gjatë, i heshtur, me vështrimin e përqëndruar në objektin që filmon, duket e më zhduket prej syve, në kërkim të këndeve më të përshtatshëm të filmimit dhe brezave të padukshëm të dritësimit të pamjes që ka radhën për t’u fiksuar në kamera.

Tek kthehemi në hotel nëpër terrin e natës, më çudit ndriçimi mbresëlënës i dy krahëve të qytetit unik të Bulqizës dhe i shpateve të malit në jug, ku natyrisht janë sheshet e galerive, që ngjiten e ngjiten si të duan të bëhen një me yjet.

 

Nesër do lexoni:

-Në Bulqizë kudo shikon grumbujt pambarim gurësh dhe gropat e hapura nga shëmbjet që shëmtojnë terenin plot rreziqe

-Në vendin e minierave janë dërmuar godina e rrugë dëgjohet zbehtë një alarm “po shteren ca burime ujore!”

-Këtu nuk mjaftojnë fjalimet e shtetarëve, por dora e shtetit për të ngritur infrastrukturën regjionale.