Marko Dajti/ Reformë politike para asaj në Drejtësi

554
I nderuar zoti ambasador!

Kam ndjekur me vëmendje insistimin tuaj për të bindur politikanët shqiptarë të votojnë draftin e Reformës në Drejtësi. Jam i bindur se jeni një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por nuk jam po aq i bindur se një ngritje kartonash në atë palo parlament të shpëtojë Shqipërinë. Nuk e di çfarë prisni ju pasi të miratohen ato ligje, por unë nuk pres më shumë se shkarkimi i ca gjyqtarëve apo prokurorëve që kanë orë më të shtrenjta se makina juaj. Sa do jenë? 5-6? E zemë 10? Por nga inati mund të prekë dhe ndonjë mik të inteligjencës suaj që punon në sistemin e drejtësisë se çfarë nuk pret nga këta politikanët tanë kur i zë inati. I servilosen Amerikës ditën dhe i bëjnë puçin natën! Vërtet besoni se Shqipëria do të shpëtojë me 10 njerëz të shkarkuar në gjyqësor? Më falni, i nderuar ambasador, që pa u lëkundur aspak në dashurinë për Amerikën, t’ju kujtoj se sistemin politik, ekonomik, shoqëror dhe gjyqësor i kemi ‘peshqesh’ nga Uashingtoni. Duke përfshirë edhe “burrat e shtetit” që kanë qeverisur në gjithë këto 25 vjet. Më vjen mirë që syri juaj i mprehtë ka arritur të dallojë orët që janë më të shtrenjta se makina juaj, por keni harruar të shikoni edhe vilat që janë më të shtrenjta se Shtëpia e Bardhë. Keni bërë ndonjë xhiro nga Surreli, Lundra, Gjiri i Lalzit, Golemi, Dardha apo Qeparoi? Mos keni edhe për pronarët e këtyre vilave ndonjë listë për të mos u dhënë viza siç keni për prokurorët? Keni premtuar se nuk do t’u jepni viza zyrtarëve të korruptuar. Megjithatë politikanët po i shohim që shkojnë e vijnë në Amerikë. Nëse u keni dhëne “çertifikatën e virgjërisë”, pse na lodhni kot me punë reformash? A ka mundësi që Ju të dini cilët janë gjyqtarët e korruptuar dhe të mos dini cilët janë politikanët e korruptuar? Dhe nëse i dini, pse nuk na i tregoni? Na i tregoni, i nderuar ambasador dhe mos kini frikë se po kaloni vijën e kuqe. Këtu nuk ka fare vijë të kuqe.
Kusuret e gjyqësorit
Po le të kthehemi te gjyqësori. Paraardhësit tuaj insistuan me të madhe se Shqipëria duhet të bënte reformë në Drejtësi qenë fillim të viteve ’90. Duhej krijuar drejtësi e pavarur. Dhe sistemi filloi duke ngritur Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pjesa më e madhe e këtij këshilli që duhet të ndëshkojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të zgjedhur. Këtë kërkuat ju. Një sistem të pavarur por që në të vërtetë u shndërrua në një korporatë. Sepse gjyqtarët dhe prokurorët zgjedhin njëri-tjetrin në të vetmin institucion që mund t’i ndëshkojë. Është i vetmi pushtet në Shqipëri që buron nga vetja dhe i shërben vetëm vetes së vet dhe këtë e kemi dhuratë nga paraardhësit tuaj, i nderuar ambasador. Pastaj na sollët shkollën e magjistraturës dhe na diktuat një ligj që askush nuk mund të emërohej si gjyqtar apo prokuror pa mbaruar këtë shkollë. Dhe kontribuuat drejtpërsëdrejti në ngritjen e një shkolle ku bëhen të njëjtat lëndë si në Fakultetin e Drejtësisë dhe në të cilën studentët hyjnë 22 vjeç dhe 25 vjeç dalin gjyqtarë e prokurorë. Faleminderit për dhuratën, zoti ambasador, por më lejoni një pyetje: Atje në Amerikë ju i keni gjyqtarët nga 25 vjeç? Një tjetër paraardhës i juaj nguli këmbë se duhej krijuar një task-forcë në Prokurori që të ndëshkonte qeveritarët e korruptuar. Ka nja 10 vjet që është krijuar, por vetëm zyrtarë që nuk po çon në burg kjo task-forca që ju na bëtë dhuratë. Tani i ka mbetur në dorë Llallës, që e tund mirë para përdorimit. Po për gjykatat administrative ju ka folur njeri? Një nga paraardhësit tuaj trokiste, si puna juaj, derë më derë duke vënë alarmin se vetëm kjo reforma do shpëtonte Shqipërinë. Shkoni sot në ato gjykata dhe shikoni se çfarë bëhet. Ato çështje që duhet të zgjidheshin për 30 ditë nuk mbyllen dot as për 30 muaj. Dhe me që ra llafi te Gjykata Administrative, doja t’iu pyesja nëse është normale atje tek ju, në Amerikën e madhe demokratike, që një kryetar bashkie të mbledhë kongresmenë, biznesmenë,, administratorë dhe punonjës të institucionit që ka në varësi dhe të rrethojë gjykatën për të imponuar një vendim në favor të tyre?

Po këtij karagjozi do t’ia jepni vizën për në Amerikë? Apo e ka pajisur me vizë Sorosi? Me këta palo politikanë do miratoni Reformën në Drejtësi ju? Prandaj i nderuar ambasador ka shumë të ngjarë që edhe kjo reforma juaj të katandiset në një vrimë në ujë. I keni kapur demat për bishti, jo prej brirësh. Me kë po negocioni për Drejtësi, zoti ambasador. Populli i njeh për hajdutë votash, mos vallë ju i njihni për burra të ndershëm? Në Shqipëri ka një sistem politik të bazuar në deformime monstruoze, por nuk ju kam dëgjuar të flisni për këtë. Keni bërë apel për të mos e shitur votën, por jo për të mos e vjedhur. Ju shqetësoheni kur shkelen të drejtat e homoseksualëve, por jo kur dhunohen ambientalistët, ngrini zërin kur një kryebashkiak kërkon seks për të emëruar një pastruese, por jo kur seksi prodhon drejtoresha, çoni marinsat për t’u bërë lulishte romëve, por nuk flisni kur Erioni ju prish shtëpitë e dyqanet, flisni për delet por jo për barinjtë, dënoni shitblerjen e votave, por jo vjedhjen e tyre.
Nuk ka Reformë në Drejtësi pa vullnet politik
Po na gënjeni ne dhe veten tuaj, zoti ambasador! Nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi pa vullnet politik dhe nuk mund të kërkohet vullnet politik nga hajdutët. Nuk ka Reformë në Drejtësi pa reformë në politikë dhe nuk ka reformë politike pa një institucion të pavarur që të numërojë dhe të garantojë votat e shqiptarëve. Ky institucion duhet të jetë në varësi të Gjykatës Kushtetuese, i vetmi institucion që deri më sot ka treguar një farë pavarësie nga politika. Pra istitucioni që ka përgjegjësinë për zgjedhjet të jetë në varësi të Gjykatës Kushtetuese dhe jo të politikës, për këtë ka nevojë populli shqiptar. Në qoftë se jeni vërtet mik i shqiptarëve, detyroni politikanët të zbatojnë ligjin e dekriminalizimit. Vetëm një parlament i pastër nga kriminelët mund të zbatojë Reformën në Drejtësi, ndryshe ata njerëz që duhet të ndëshkojnë të korruptuarit do zgjidhen me vota kriminelësh. Ky parlament nuk e bën dot Reformën në Drejtësi. Ose ta bëjë parlamenti i vitit 2017, ose kërkoni zgjedhje të parakohshme. Vetëm atëherë mund të ndodhë që të korruptuarit të kërkojnë vrimë ku të futen. Këtej nga ne thonë se “peshku qelbet nga koka”. Ngrijeni zërin tuaj që reforma të fillojë nga Kodi Zgjedhor, që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe jo të votojnë për përfaqësuesit që ua kanë zgjedhur të tjerët. Se hajduti zgjedh hajdutin. Ndihmojini shqiptarët që të ndërtojnë një sistem ku vjedhja e çdo vote të ndëshkohet në mënyrë shembullore dhe ku çdo njeri i ndershëm të ketë mundësi të kandidojë për të drejtuar këtë vend. Lëreni Reformën në Drejtësi parlamentit të ardhshëm Ndryshe, reforma juaj do të shërbejë vetëm si alibi për të mos ndëshkuar askënd, në emër të ‘pavarësisë së gjyqësorit’. Për ju mund të jetë hera e parë, por ne këtë film e kemi parë dhjetëra herë. Prandaj, i nderuar ambasador, mos u lodhni kot nga zyra e Berishës te ajo e Ramës dhe nga ajo e Ramës te ajo e Metës. Të tre këta do t’i gjeni prapë në ato zyra edhe pas 25 vjetësh të tjerë. 
*Kryetari i Frontit të Majtë
Sigal