Mark Marku: Qeveria dështoi me 20 cm borë, Prokuroria të nisë hetimet!

389
Sigal

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Mark Marku, komentoi situatën e krijuar nga moti i acartë, që ka përfshirë vendin në këto ditë shkurti.

I ftuar News24, Marku i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë firmat e mirëmbajtjes së rrugëve, bashkitë dhe koncesionarin e Rrugës së Kombit, pasi sipas tij, nuk reaguan në kohë për të parandaluar situatën.

Sipas Markut, situata në vendin tonë nuk është emergjente, pasi ka rënë vetëm 20 centimetra borë, por mosreagimi i firmave bëri që të krijohej kjo situatë, me rrugë të bllokuara dhe fshatra të tërë të izoluar e pa drita.

“Nuk janë të tepruara polemikat për motin e keq, sepse prej dy ditësh është bllokuar gjithë qarku. Dje ishte bllokuar aksi Milot-Lezhë, ishin bllokuar të gjitha rrugët e qarkut. 20 centimetra borë në vende të ndryshme, si Kosovë, Mal të Zi, etj. bien edhe në prill, por nuk bllokohen rrugët.

Kjo kohë ishte e parashikuar dhe kishte 20 cm borë, që nuk shkakton asnjë problem. Ishin 20 cm borë dhe u bllokua gjithë qarku. Kjo do të thotë se ka korrupsion. Janë kontraktuar firmat për të mirëmbajtur rrugët, por nuk e bëjnë këtë, sepse nuk ka kripë. Po hodhe kripë para se të bjerë borë, nuk ka ngricë.

Problemi është se pushteti lokal dhe qeveria dështuan me 20 cm borë. Ti lësh qytetarët në mëshirë të fatit kjo është katastrofë. Kemi korrupsion të tmerrshëm. Firmat thonë se po punojnë pas dy ditësh për të mirëmbajtur rrugën, kur duhet bërë që kur nis bora. Ka fshatra, i gjithë Kurbini, që është pa drita dy ditë. Nëse ne nuk paguajmë dritat, gjobitemi dhe shkojmë në burg, po shtetin kush e gjobit? Gjithë ato kompani që kanë marrë tenderat, por edhe bashkitë, edhe koncesionari për Rrugën e Kombit, duhet të shkojnë në Prokurori. Gjithë fshatrat janë të izoluar. Mund të ketë njerëz të sëmurë.

Janë të gjithë fshatrat e qarkut të izoluar. Sot po të sëmuret një njeri, vdes. Për këtë i them Prokurorisë të nisë hetimet dhe të cojë para drejtësisë të gjithë ata që janë paguar për këtë punë, për t’iu përgjigjur situatave emergjence. Kjo nuk është situatë emergjente, me 20 cm borë, por shteti nuk funksionon”, tha Marku.