Marash Gilaj: Gjynahqarë potencialë, që ndërseni SPAK- un për kundërshtarët

158
Sigal

“Doni të na bindni ne se drejtësia duhet të punojë me regji si në kohën e Qoftëlargut, që t’ju kënaqë orekset tuaja në eleminimin e atyre që mendojnë ndryshe. Dërgimi i kryebashkiakëve para SPAK , siç thoni ju, nuk bind njeri se e keni seriozisht. Ajo shprehja “Ndiq paranë”, do të ndihmonte këdo që është i interesuar të vërë drejtësi

Na keni lodhur me intriga: Hetoni aferat në Butrint që historia të mos jepet me koncesion. -Hetoni kanabizimin e vendit që ka shkaktuar qindra vrasje midis bandave dhe ngatërresa. Gjejeni shkakun e pagëzimit të vendit tonë me emrat:“Narkoshtet”, “ Kolumbi e Europës”

Kanë kaluar gati 5 vite, që kur filloi Vetingu në drejtësi, me të cilin mburret kryeministri dhe qeveria e tij bashkë me ndonjë ambassador, si e vetmja gjë që shitet si “sukses”, nëse mund ta quajmë të tillë! U duket se me këtë “arritje” justifikojnë qindra dështime spektakolare. Kur flasin për integrimin “e merituar”, që nuk ndodhi në nëntë vite të qeverisjes rilindase, gjejnë mënyrat më qesharake për ta përligjur ngeljen në klasë si: fajin e ka Europa, e deri tek Bullgaria që ka bllokuar Maqedoninë e Veriut. E për pasojë, na ka bllokuar edhe ne. Me ato që thonë në forume të ndryshme, në konferenca shtypi, për “sukses” të reformës në drejtësi, kur i kërkoni me ngulm SPAK – ut të hetojë këtë e atë, vërteton më së miri se reforma nuk po e jep frutin që pritej, se ajo nuk është e pavarur as e besueshme. Nuk ju ka bindur as ju, pasi po merret me “cironka” e me hajdutë pulash, ndërsa “Peshqit e mëdhenj” mbeten të paprekur. Disa nga këta peshq i mbani afër, i keni graduar në poste me rëndësi, edhe pse janë për t’u hetuar e rihetuar sipas dosjeve 339 e 184. Këtë ua vuri në dukje edhe gazetari kurajoz në një konferencë shtypi. Duket sikur doni të na vërtetoni shprehjen popullore “se nganjëherë nuk shihet trau para vetes, por qimja dallohet fare lehtë tek kundërshtari që ke përballë”. Pasi jeni bindur vetë, doni të na bindni edhe ne se drejtësia duhet të punojë me regji si në kohën e Qoftëlargut që t’ju kënaqë orekset tuaja në eleminimin e atyre që mendojnë ndryshe. S’ka problem se shkelen ligjet. Pra, drejtësia të jetë e komandueshme, e kapur. Fatkeqësi është që kërkesa juaj është pa moral dhe në kundërshtim me ligjin. Këtë ua kujtoi edhe z. Fatmir Xhafaj si kryetar i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Zotëria ju tha se rekomandimi për çështje konkrete është i ndaluar te SPAK-u, është shkelje ligji. Fjalët tuaja duan të thonë se ligjet janë bërë për t’u shkelur, nëse të kemi kuptuar drejt. Duke mbrojtur fajtorët, vërtetë shpëtoni ujkun, por vrisni delet, thënë në mënyrë figurative. “Po fale një shtypës, ke shtypur një botë”,- thoshte Saadi Shirazi, poet persian.

Kur thua se edhe ndërkombëtarët e vlerësojnë drejtësinë e reformuar, shkakton ilaritet. E kjo që po thoni e kërkoni këto kohët e fundit, e vërteton më së miri dështimin. Dërgimi i kryebashkiakëve para SPAK – ut, siç thoni ju, nuk bind njeri se e keni seriozisht. Eksperienca na ka treguar se qëndrimi ndaj rroshëve e gjushëve etj, ka qënë dhe mbetet skandaloz. Ju edhe “non gratat” i shikoni si të kundërt midis “të atyre” dhe “të tanëve.” Duket sikur njëra palë janë dekoruar e të tjerët janë dënuar me këto dy fjalë, për të njëjtat arsye. Këta, nga ana jonë, na duhen për vota, ndërsa ana tjetër vetëm na kritikon e përpiqet të na nxjerrë të palarat në shesh dhe një ditë, mund të na marrë edhe pushtetin. Këtë të fundit nuk e lejojmë, mendoni ju. Ndaj i doni të përfundojnë në burg. Duke shkelur edhe ligjet e duke na bindur se drejtësinë e keni djallosur, sa detyruat edhe ambasadoren të shprehte kundërshtinë ndaj kërkesave tuaja.

Problem të madh keni edhe me prokurorët e gjyqtarët, që ka rrëzuar Vetingu. Ju shqetëson mosdënimi i tyre, duke harruar dhjetra çështje të mëdha që duhet të hetoheshin me ngut dhe që prej 9 vitesh janë bërë mullar e gangrenë e pashërueshme. Në krye qëndron korrupsioni në çdo qelizë të shtetit e nivel qeverisës. Këtë po ua përsërit edhe DASH. Ju i kundërshtoni ose bëni veshin shurdh e syrin qorr. Duhet ditur e kuptuar se korrupsioni ushqen krimin dhe se mosndëshkimi i tij sjell të këqija të tjera pa fund. Është e kuptueshme, gjithashtu, se një i korruptuar nuk e lufton korrupsionin. Askush nuk pret një drejtësi si ajo e Temidas, gruas së Zeusit, sipas mitoilogjisë, që kishte atributet e rregullit dhe të drejtësisë. Thonë se ajo zinte sytë  për të mos parë kë kishte përpara, nëse i akuzuari ishte i thjeshtë, i pasur, i varfër ose titullar, sepse donte të gjykonte drejt. Ajo simbolizonte njeriun e drejtë e të rreptë që respektonte ligjin.

Ajo shprehja “Ndiq paranë”, do të ndihmonte këdo që është i interesuar të vërë drejtësi. Me siguri, do të kapte për brirësh ata që japin tendera sekret, pa garë, për rrugët që asfaltohen me shuma marramendëse për km. E njëjta gjë mund të thuhet për mjeksinë e shumë fusha të tjera. Hetoni aferat në Butrint që historia të mos jepet me koncesion. Mjaft me veprime okulte e perfide. Jemi ngopur me protagonizëm, demagogji, gënjeshtra e hipokrizi. Na keni lodhur me intriga, prepotencë e papërgjegjshmëri, djallëzi e cinizëm. Boll jeni vetëmburrur, keni treguar pabesi dhe egoizëm të tejskajshëm. Gjithçka që lidhet me korrupsionin është moralisht e turpshme dhe ligjërisht e dënueshme.

Hetoni kanabizimin e vendit që ka shkaktuar qindra vrasje midis bandave dhe ngatërresa, që s’u gjëndet fundi e shumë të sëmurë nga përdorimi i drogërave. Shikoni aksidentet që ndodhin për këtë shkak, burgosjet që rëndojnë taksat e popullit. Hetoni laboratorët e ndërtuar për këtë qëllim, gjurmoni dhe zbuloni kush i solli avionët e vegjël që e transportonin drogën. Hetoni atë që na turpëroi në sy të Evropës e të botës duke e bekuar këtë krim të organizuar. Gjejeni shkakun e pagëzimit të vendit tonë me emrat:“Narkoshtet”, “ Kolumbi e Europës” dhe kërkoni të hetohet. Lumturia që i falni popullit me legalizimin e drogës, rrezik të kalojë në çmenduri.

Ka shumë çështje që duhen hetuar. Hetoni inceneratorët, si afera më korruptive në një dekadë, që gllabëron miliona euro, qoftë edhe kur ato s’punojnë, pa harruar çdo lloj koncesioni, që nuk është i bazuar në ligj. Gjithçka që kanë lidhje me zgjedhjet e blera, të vjedhura e të shantazhuara duheshin parë me prioritet, sepse pa zgjedhje të lira e të ndershme, pushteti i kujtdo, që fiton me njëmijë marifete, është i paligjshëm. Është imorale dhe kriminale të blesh varfërinë, spiunllëkun nëpërmjet patronazhistëve, që duheshin hetuar edhe ata që i përdorën dhe i paguajnë. Janë këta që i zgjasin jetën një qeverie të paligjshme.“Ai që nuk e dallon të keqen, është e keqja vetë”, thoshte Aristoteli. Çdo njeriu të ndershëm e normal i intetreson të nxjerrë në dritë të vërtetën nga errësira e gënjeshtrës.

Në zyrat e shtetit kemi dyfishim të punonjësve në krahasim me vitin 2013. Pse? Po reforma territoriale çfarë efekti pati? Çfarë kursyem? Kuptohet, që këta duhen vetëm për vota dhe asgjë tjetër. Turp dhe krim! A nuk ia vlen të hetohet kjo dukuri e shëmtuar?

Kanë kaluar 11 vite nga ngjarja e 21 janarit, kur u vranë 4 protestues, por, edhe pse u bë gjyqi për këtë, s’ka vit që nuk përmendet. Ka edhe ngjarje të tjera që u hetuan nga drejtësia e pavetinguar si ajo e Gërdecit, 2 Prillit apo vrasja e A. Hajdarit, por qeveriu ngul këmbë tek ato që i përkasin palës tjetër. Kjo nuk kapërdihet. Sjell neveri. Kur ka tejkalim ligji sjell edhe vrasje siç ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë me 5 protestues të vrarë. Po të shkohet me këtë logjikë, siç i interpreton rilindja, i bie që për çdo vrasje të dënohet ministri që mbulon këtë sektor. E pse jo edhe kryeministri, me përjashtim të këtij që kemi.Tashmë, është e qartë se për të plotësuar dëshirat e shefit, arrihet vetëm duke shkelur ligjet.

Ka shumë për të hetuar në vazhdimësi. Pse të mos hetohen ata që urdhëruan shembjen e Teatrit kombëtar? Po me Porto – Romanon si do të veprohet? Këtu, në vendin tim dhe tëndin, thuajse çdo gjë, bëhet në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën. Shikoni çmimet, cilësinë e naftës. Pse i kemi më shtrEnjtë se komshinjtë? Një i njohur më thotë se naftën e merr në Mal të Zi, pasi është më lirë dhe me cilësi të lartë. Çfarë na pengon ne që s’e kemi të tillë? Hetojeni pra! Nuk mund të rri pa përmendur edhe lirinë e medias, sepse edhe këtu u turpëruam duke rënë 20 shkallë më poshtë në krahasim me një vit më parë. Fyerja dhe dhunimi i gazetarëve tek ne, për qeveritarët duket si diçka normale. Duke ndjekur paranë mund të zbulojmë se si dikush ka ndërtuar shumë vila, ka blerë makina të shtrenjta, ka miliona nëpër banka dhe nuk i justifikon kurrsesi me rrogën që merr. Hetoni pse po shpopullohet Shqipëria? Pse nuk integrohemi? A është diçka e qëllimshme? Boll u turpëruam si komb! Qeveri katastrofike! Boll keni kakarisur! Qeverisni një herë! Luftoni për të vërtetën. Ndërsa ata që vuajnë në padrejtësi, nuk duhet të përkulen para saj, sepse humbin pafajësinë dhe nderin.