Majlinda Keta/ Vetëm Oda e Madhe e dekriminalizuar mund të prodhojë Odat e Vogla qytetare

721
Ndërsa po afrohen zgjedhjet lokale të 21 qershorit dhe mjedisi politik parlamentar po “ndotet” në fakte e argument, ngjarje dhe kujtesa, në diskursin të “dekriminalizmit” nga njëri kah i politikës tek tjetri, pak kujt prej nesh po i lejohet qetësia dhe mundësia e të menduarit për më të mirin që meriton Kryebashkiakun e Tiranës apo aty ku po jetojmë. 
E nën teorinë që jo çdo e keqe vjen për keq harruam t’i kërkojmë edhe të mirën. Nga njëra anë kjo më duket një taktikë e gjetur politike nga Zeusat që votuesit të harrojnë çështje dhe probleme jetike të pazgjidhura edhe nga ky rrotacion politik i radhës, ndërsa hutohen e habiten, ndërsa ndjekin dhe pse jo bëhen fansa të shfaqjes parlamentare “dekriminalizim” përmes “të kriminuarve” publikë, por nga ana tjetër kjo është edhe një taktikë e shkëlqyer që nën “terror” të shfaqjes parlamentare alla Arturo Ui, ne, votuesit, si dele, pa menduar e krahasuar synimet dhe mundësitë tona, MUND edhe të shkojmë të votojmë urtë e pa bza atë që Zeusat e partive do na ofrojnë si ma të mirin prej krejtve, aktor të shfaqjes mëmë. Pak kush nga ne shkruan e shprehet publikisht që NE, votuesit nuk duhet të futeshim në këto zgjedhje me këtë Kod Zgjedhor që është burimi i skenarit të megashfaqjes parlamentare prej disa muajsh ku dekriminalizimin tentojnë ta shesin me duar të pastra ato që i ligjëruan ekzistencën përmes Kodit Zgjedhor të fundit, ato që kryen një krim publik, ndërsa tentuan të prodhonin Shqipërinë me krerë zeusikë nga 1 që kishim lënë pas qysh nga 1990/ta.
Pak kush nga ne, ndërsa ngrihet mbi neverinë për këto lloj partish politike, skenaristë dhe regjizorë të shfaqjes, tenton të shprehet e shkruajë se demokraci pa parti politike nuk mund të ketë POR ne, votuesit, e kemi detyrë jetike, kombëtare, që me votën tonë t’i “fshijmë” mundësinë faktorizimit që po këto skenaristë, regjizorë të dështuar të dekriminalizimit parlamentar ta rivinin edhe në skenën e teatrit lokal anë e kënd Shqipërisë të njëjtën shfaqje me të kllonuarit aktorë prej vendimarrjeve të Zeusave politikë. Qytetet tona do të mund të progresojnë nga aftësitë dhe inisiativat tona qytetare dhe jo nga sjelljet militanteske me ndarje parcelash politike, feudale për nga lloji i administrimit dhe sjelljet e njerëzve me dhe në to. Sot e gjithë bota po ndërton qytetet inteligjente, qytetet ku problemet e vjetra, sociale, ekonomike, mjedisore dhe kulturore kërkohen të trajtohen e zgjidhen me rrugë të reja, pikë së pari përmes koordinimit dhe bashkëpunimit. Asnjë aktor i megashfaqjes së mësipërme, brenda frymës dhe kulturës së beut të partisë nuk mundet ta bëjë këtë. Edhe kur disa cicërijnë jashtë ritmit dhe këngës së beut të partisë, ato ngjajnë më shumë me bilbilfryrës dredharakë se sa me “të penduarin” mbi atë që me heshtjen e tyre mundësuan të degradonte demokracia e partive të tyre. Qytetet tona, ne votuesit, nuk kemi nevojë të presim rilindjen e këtyre partive, skenaristë dhe regjisorë të shfaqjes tragji-komike mbi “Dekriminalizimin” e parlamentit, por duke filluar me kërkesën publike “Jo më këtë Kod Zgjedhor të Kryetarëve Zeusa!” ne mund të fillojmë të kontribojmë që Odës mëmë të shqiptarëve, parlamentit, t’i hapim rrugën e dekriminalizimit të vërtetë duke filluar nga Ligji Zgjedhor. Ishte kjo shfaqje e turpshme, edhe dje në parlament, pa mbarim në terma e diskurs, me argumenta të kapshëm e të padukshëm njëkohësisht drejt neverisë për t’i ndjekur, që më detyroi të bëj këtë ofertë publike; përpara se të shkojmë të votojmë më 21 qershor është emergjencë kombëtare ndryshimi i Kodit Zgjedhor, Kodi i Zeusave që prodhon çdo ditë shfaqje alla Arturo Ui, burimi i Al Kaponëve politikë dhe të kllonuarve të tyre lokalë. Na duhet të dekriminalizojmë Odën e Madhe të shqiptarizmës, Parlamentin e më pas të prodhojmë Odat e Vogla në funksion të qytetarëve dhe progresit inteligjent shqiptar. Më mirë një filozofi afatgjatë e qeverisjes se taktika ku arna nuk arnon dot as vrimen e zezë mbi të cilën mbështetet.
Sigal