Luftëtarët e lirisë dhe sprova e fundit

383
Sigal

Nga Gentian Çala

Duke qenë ndjekës dhe bashkëjetues i ngjarjeve (për më shumë se një dekadë) në Kosovë, nuk mund të rrija pa i shkruar disa fjalë mbi atë që po ndodh në dy-tre ditët e fundit atje. Dorëheqjet dhe dërgimet në Hagë të figurave më të rëndësishme të luftës dhe pasluftës në Kosovë duket se po përmbyllin kapitullin e ndëshkimit të luftrave tragjike në ish-Jugosllavi në fund të shekullit të shkuar. Prokuroria Speciale po përmbush misionin për të cilin u krijua me zell pas qurravitjeve serbe për krime mbi civilët në Kosovë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjysëm dëshmitë, sajesat dhe çfarëdo që mundën të mbledhin si të dhëna, serbët i përdorën dhe ua serivirën ndërkombëtarëve me të vetmin qëllim: vënien e shenjës së barazimit midis viktimës dhe viktimizuesit.

Tashmë figurat më të rëndësishme të luftës çlirimtare të Kosovës u duhet të mbrojnë veten para Tribunalit të Hagës dhe pastërtinë e luftës. Kjo ju jep atyre mundësinë të çlirohen nga akuza mbi krime hipotetike të gjatë dhe pas luftës në Kosovë, për të cilat ka pasur shpesh herë fjalë që shpërndaheshin qëllimisht në opinion. Akuza e ngritur në fund të mandatit të Prokurorisë Speciale tregon se kanë pasur vështirësi të mbledhin fakte mbi krimet e hetuara dhe besoj se Tribunali do ta ketë të vështirë ti provojë ato. Serbët po përpiqen ta diskreditojnë publikisht luftēn çlirimtare, kurse çlirimtarëve po u jepet një mundësi të faktojnë pastërtinë e figurave dhe të drejtimit të forcave çlirimtare.

Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Në këtë rast aksioma nuk zhbëhet nga kauza e drejtë. Kush ka bërë krime duhet dënuar. Ramushi e kaloi dy herë sprovën dhe doli i pafajshëm në të dyja rastet. Sprova e fundit duket sprova e drejtësisë dhe luftëtarët kam besim se do ta kalojnë me sukses. Kjo nuk ve aspak nē pikëpyetje kauzën. UÇK-ja kishte brenda vetes mijëra patriotë që sakrifikuan shumë për liri. Në Tribunal nuk po shkon UÇK-ja, por disa figura të zinxhirit komandues që kishin marrë përgjegjësinë e drejtimit të saj dhe të mbajtjes larg të strukturave nga torturimet apo vrasjet.
Na duhet të presim për të kuptuar verdiktin e drejtësisë mbi individët, sepse verdikti mbi UÇK-në është dhënë me kohë: “liria e ka një emër – Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.