Luftar PETOSHATI*/Ushtarakët, një jetë në shërbim të kombit

619
Sigal

Si një kuadër ushtarak i vjetër, jam i ndjeshëm për të ndjekur gjithë atë mori shqetësimesh, që preokupojnë kolegët që kanë kohë apo sa kanë dalë në pension dhe rezervë të ushtrisë kombëtare epo për ata që janë në krye të detyrës e të shërbimit të tyre. Natyrisht që kam detyrim e kënaqësi të shfaq në tërësi e në veçanti qëndrimin tim për sagën e madhe të punës, përpjekjeve të kuadrove ushtarake shqiptare, në kohë dhe në hapësirë, në shërbim të nënës Shqipëri. Mua, padyshim dhe gjithë shokëve të mi, më tërheqin, më thërrasin, më mësojnë, më intrigojnë gjithë ato opinione, parashtresa , mendime e kritika që parashtrojnë shokët tanë ushtarakë në shtypin e shkruar. Kujdesi e preokupacioni i gjithë atyre që dalin në publik, për mua, përbën një risi qytetare të klasës së parë. Të gjithë obligohen për të dhënë secili zërin si individ apo kolektiv të kësaj qytetarie. Unë i falënderoj gjithë shokët që interesohen me preokupim dhe obligim për të dhënë mendimet, për të folur me zërin e vetë, me diapazonin e vetë për çfarë na shqetëson dhe preokupon imediatisht gjithë ne oficerëve e nënoficerëve, aktivë, në rezervë dhe pension. Në fakt, një falënderim i përzemërt, si fillim dhe në vijimësi, do te shkonte për drejtuesit e gazetës “Telegraf”, që i kanë dhënë mundësi të përditshme e të përhershme shkrimeve problematike me shtrirje të gjerë, veçmas për ne oficerët. Është detyrim e kënaqësi për përkujdesjen e tyre dashamirëse. Ne oficerët përballemi me faktorin ekonomik e social, që lidhen me polifaktorë të tjerë që varen nga shoqëria e lirë, tregu i lirë, dhe qeveria vullnetmirë, që gjithë këta faktorë t’i harmonizojë me ligje efikase me prirje për zbatim me vullnet e dëshirë. Do me falni, por ne, përpara se t’i paraqesim kërkesat qeverisë dhe institucioneve “brenda dhe jashtë vendit”, si shoqatë apo shoqata duhet të bëjmë protagonistin, të prezantohemi për të na njohur kush jemi, të kujt jemi, ku kemi qenë, çfarë kemi bërë, si e kemi bërë dhe çfarë kemi në dorë për të punuar, ndihmuar, vepruar e ecur përpara. Ne erdhëm në historinë e jetës dhe aktivitetit të Shqipërisë mbas çlirimit të vendit nga nazifashistët e kolaboracionistët dhe në kohën kur ajo mjekohej e shërohej nga plagët e rënda të luftës. Ca nga ne ishin pionierë që morën pjesë në atë luftë e që u futën në rrugën e shkollës, dhe ju e dini që të gjithë ne ishin së toku një nga të katërtit individë të armatës së madhe që ulej çdo ditë në bangat e shkollës shqiptare gjer në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Mësuam me dëshirë, vullnet, pasion e dëgjuam mirë urtësinë e mësuesve tanë për shkollën, diturinë dhe përparimin e vendit me njerëz të ditur dhe atdhetarë. Shumë shokë tanët u dërguan jashtë shtetit, në vendet e ish- bllokut socialist, ku mbaruan shkollë, universitete, akademi. Ne ushtarakët në fillim punuam nën komandën e atyre që bënë luftën, si djem, vëllezër e shokë të tyre e mandej dora-dorës gjersa ushtria që u krijua në luftë do të bënte afro gjysmë shekulli gjer në vitet nëntëdhjetë. Ne shkuam në çdo cep të Shqipërisë, atje ku ishin të dislokuara repartet e ushtrisë. Atje shkuam, punuam dhe ndjemë gjithë risitë që ka jeta ushtarake. Dëgjo mirë ti nëpunës burokrat, që s’ke haber nga ushtria, por dhe nëse ke haber, ne kuadrove të ushtrisë, me llogaritë që ke bërë për ne, na ke bërë qeder. Ty të kenë porositur, dhe kjo s’diskutohet aspak, që një titullar partiak, që për hallin tonë nuk bëhet shumë merak, që pakëson llogarinë, se dhe ti do të kesh ylefe në sapllak. Ty, o shebek, mund të them me fjalët që thotë një shok i joni: “Një ushtarak në shërbim të eprorëve të vet partiakë nuk i shërben Shqipërisë”. Ju duhet të dini biografinë tonë, se e kini aty në dosje, në duar, se shumë prej nesh i kini veçuar me qëllim për t’i dëmtuar. Ca përrallaxhinj thonë se ne, armiqtë që kishim s’na kishin veç një kafshatë. Ashtu është vërtetë, por ishte një kafshatë që nuk kapërdihej, siç nuk u kapërdi, veç sëmundjeve që e brenë së brendshmi atë sistem të vetmbytur nga drejtuesit. Kush diskuton për punën tonë atdhetare është një keqdashës, sa dhe vrasës i interesave dhe kërkesave jetësore të ligjshme, si bij e pjese e popullit. Një oficeri, në afro 40 vjet të shërbimit në ushtri, i bie që 15-17 vjet të ketë qëndruar larg familjes. Le të kenë mirësinë, dëshirën e transparencën ata që llogarisin vjetërsinë e shërbimit tonë të bëjnë këtë llogari. Mbase dhe sot janë librat e shërbimit në arkiv; nëse nuk i gjejnë, të pyesin kuadrot më të vjetër, që e ngrysëm jetën në ushtri. Ne s’jemi kuqezi, as rozë, blozë, e as blu. Pjesëmarrja jonë në proceset demokratike qe e denjë. Ne pamë edhe proceset që ndoqi ushtria në integrimin e saj, që ka pikëpyetje të shumta. Kërkuam që të kishim statusin e ushtarakut, punuam e lobuam, por ishte rrugë e vështirë, gjer sa e përfituam, por të sakatosur, gjë që ne s’pranuam e revokuam. Më është dhënë rasti të marrë pjesë në protestat tona të bëra ndaj të dy qeverive, ku ne grumbulluam përvojë nga qëndrimet e shtetarëve kryeqeveritarë. Ata na mashtruan dhe na dolën ballë për ballë. Kush janë këta që guxojnë të na shkelin me këmbë e të na bien vërdallë? Janë ata që ne duhet të besojmë, siç është se ata nuk duan të jemi gjallë. Më thoni sa kanë ndërruar jetë nga radhët tona, që s’e kanë marrë shtesën për statusin, më bëni llogari. Faktet janë fakte, të drejtpërdrejta e të tërthorta, tronditëse, të hidhur. Ministrat e Mbrojtjes në detyrë të ardhur me ne janë çmallur, duke i lexuar e shënuar gjithë kërkesat, po ç’kanë zbardhur? Shkurt, janë tallur. Faktet janë të djeshme e të tanishme: Ne kemi vartësi nga komandantët e përgjithshëm. Nuk dimë të jetë publikuar ndonjë pritje, takim i kërkuar nge shoqata e ushtarakëve me presidentët, apo të këtyre të fundit me shoqatat e ushtarakëve ose grupet e ushtarakëve, ku të jenë shtruar, diskutuar, kërkuar e shënuar kërkesat e ushtarakëve. Në këtë farë feje që është futur politika, është mbyllur për ta, për ne, ajo derë, demek dera e presidentit si komandant i përgjithshëm, që pret vartësit e tij ushtarakë, që me ligj i ka në komandë. Presidentët bëjnë pritje e takime, ku mbajnë fjalime e bëjnë dekorime, por për hallet e ushtarakëve as kujtohen t’i dëgjojnë, pale të shënojnë apo të japin orientime, zgjidhje e përfundimet që duhet. Në kohën kur pushtetarët marrin të ardhura të majme mbi rrugë e nën rrugë, me vandak dhe lugë, sera jonë s’ka shanse as shpresë që të fitojë të drejtën e pensionit, që e meriton si pagesë. Shtetit e shtetarëve nuk u vjen zor, ua heq me akte normative pjesë-pjesë. Më thoni a ka këtu ndershmëri, besë e karakter? Kurrë! Ne duhet të shkojmë e të ballafaqohemi karta-karta. Kush nga titullarët e shoqatave flet për pritshmëri, zgjidhje të problemit, zgjidhja duhet kërkuar shpejt. Do t’u thosha këtyre zotërinjve që ne, po ta kishim çuar qyshkur problemin në Gjykatën e Lartë, do kishim fituar të drejtën e pagës. Por rruga jonë e zgjidhjes është tek fillimi, që të shtyhet më tutje na duhet bashkëpunim, afrim, anëtarësimi dhe kontribuim për ngritjen e atyre që kërkojmë. Nga ne duhet të dihen e zbërthehen, argumentohen, nxirren dhe parashtrohen defektet që vlejnë si bazë për t ‘u ballafaquar në rrugën gjyqësore, të kombinuar dhe me protesta, ecurinë e të cilave e kanë nxitur qeveritarët. Ne s’na mbushin dot mendjen disa drejtues në ISKSH që guxojnë me paturpësi dhe bëjnë llogari kaluar e me rrugë korruptive, pasi ata kanë vjedhur gjithë pensionistët dhe po na vjedhin edhe ne. Puna e dytë është keqdashëse e kriminale; ata me urdhra e udhëzime të shfuqizuara kanë grabitur e përvetësuar pensionet e dhjetëra pensionistëve, që me ndihmën e sindikatës i kanë paditur dhe fituar, gjer sa kanë kërkuar falje publike. Shoqatat të shtrihen në bazë, të pyesin, të kërkojnë e të mbledhin dhjetëra fakte që flasin për korrupsion me rrugë informale e banale. Nuk gjykoj se duke krijuar një parti, dëmton një shoqatë. Jo, mor zotërinj, por në të gjitha këto shoqata ka anëtarësi të shumë partive, dhe ato s’janë prishur. Unë jam anëtar i SHKURSH-it, por jam dhe në sindikatën e pensionistëve dhe të papunëve. Askush nuk më mohon të obligohem në një parti. Problemi duhet shtruar në tërësi, në mbledhje efektive të ushtarakëve. Atje të dëgjohen mendimet, konkluzionet, përgjithësimet e më vonë vendimet. Jam i tëri për bashkimin e shoqatave. Është koha të flaket egoizmi dhe separatizmi. Bashkimi jep diturinë, fuqinë dhe madhështinë. Për hallin tonë kemi shans që me mirëkuptim, duke pasur njeri-tjetrin pranë, të mos katandisemi të  veçuar e mjeranë apo të vegjetojë maksima e keqe: “Dymbëdhjetë ushtarë, dymbëdhjetë kapedanë”.

*Anëtar i SHKURSH dhe Kryetar i Sindikatës së Pensionistëve, Vlorë