Lavdosh Ferruni: TECi i Bangladeshit – Super ndotje, super mashtrim për të vjedhur dhe turizëm seksual në Vlorë

352
Lavdosh Ferruni
Sigal

“Pasi vetëm për 2 vjet vjedhja ndërtohet mbi bazën e gati 700 milion euro xhiro (qira+mirëmbajtje+blerje nafte), në bashkëpunim me qeveritarë, që kanë autoritetin për të firmosur marrëveshje. A nuk është vjedhje që TECi është blerë në Bangladesh për 15 milion EUR dhe i shitet qeverisë shqiptare brenda 2 viteve për 50,000 EUR ( qira 68,000 EUR/ditë x 730 ditë) ?”

Ministrja Balluku, me zërin e saj të ëmbël tha se do vinë 2 anije në Vlorë, që do prodhojnë energji elektrike. Qytetari i zakonshëm nuk ka pse të shqetësohet se do vijnë 2 anije, madje përveç zbukurimit të peisazhit detar do prodhojnë edhe energji. Vërtet. Kjo ngjan edhe si një ide inovative në sytë e qytetarit dhe njëkohësisht zgjidhje perfekte për krizën energjitike, e cila sipas kryeministrit mund të sjellë dhe pamundësinë e importit, se s’do ketë energji elektrike për të shitur në tregun ndërkombëtar. Kështu me anijet duhet të jemi shumë të kënaqur edhe me çmimin minimal të prodhimit prej tyre prej 170 euro për MWh. Por gazetari guxon dhe pyet kryeministrin me çfarë do digjet që të prodhohet kjo energji? “Me gaz, me gaz të lëngshëm” përgjigjet kryeministri. Dhe kështu u qetësuan edhe një pjesë e qytetarëve, më të vëmëndshëm për këto anijet, sidomos në Vlorë.


Mashtrimi

I gjithë ky prolog është një supermashtrim, që përgatit një supervjedhje, të ngjashme me inceneratorët, por në përmasa më të mëdha, gjithashtu e shtrirë nga sot që “anijet” po i afrohen Vlorës dhe për të paktën 2-3 dekada të tjera.

Së pari dhe më pak e rëndësishme për t’u sqaruar është se nuk janë 2 anije që do vinë, janë 2 kapanone të mëdha, që kanë brenda disa gjeneratorë dhe po rimorkohen nga një anije prej Bangladeshit për t’u ngecur në Triport në Gji të Vlorës. Së dyti këta gjeneratorë do djegin naftë të rëndë, jo gaz, si tha kryeministri.

Mashtrim i madh vjen me dokumentin bazë për këtë sipërmarrje, që është Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis (VTHNM), që realizohet, në konflikt interesi, nga kompania konsulente ABKON, që është njëherazi në partneritet me kompaninë italiane RENCO, që do menaxhojë njësinë e gjeneratorëve në Triport. Në këtë dokument thuhet se “Impianti termik lundrues”(termi zyrtar) plotëson standartet e Bashkimit Europian (BE) të emetimeve të gazrave të dëmshëm dhe ndotës të tjerë. Në fakt, nga vetë të dhënat e publikuara pikërisht në këtë VTHNM vihet re qartë presencA shumëfish e normave të ndotjes të lejuara nga BE. Edhe në VTHNM të hartuar në Bangladesh në vitin 1998 prej vetë IFC për këtë impiant as nuk përmenden standartet e BE, madje thuhet se normat e emetimet si të gazrave ndotës  në disa ndotës nuk respektojnë as standartet më të ulta të Bankçs Botçrore, por vetëm një guidë të Bankës Botërore. Dhe sigurisht duhet konsideruar se tani pas 25 viteve punë të TECi të Bangladeshit, emetimet dhe ndotja janë edhe shumë më të mëdha, për shkak të amortizimit të tij.

“Në këto gjeneratorë do digjen 600 ton naftë e rëndë në një ditë, kjo sasi presupozon që të furnizohen afërsisht 100,000 makina me nga 6 litra naftë të keqe dhe që të gjitha makinat të përshkojnë nga 100 km secila brenda Vlorës.”

Vjedhja

Vjedhja është përvetësim në mënyrë të fshehtë i diçkaje, që është pronë shoqërore a pasuri e tjetërkujt. TECi- i Bangladeshit, duke fshehur ndotjen, që shkakton, gjëndjen e impiantit, duke fshehur alternativat shumë herë më të mira, me kosto më të ulët dhe më të pastra thjesht bën të mundur vjedhjen, që është gjigande, pasi vetëm për 2 vjet vjedhja ndërtohet mbi bazën e gati 700 milion EUR xhiro (qira+mirëmbajtje+blerje nafte) Vjedhja ndërtohet, si në shumë raste në bashkëpunim me qeveritarë, që kanë autoritetin për të firmosur marrëveshje. A nuk është vjedhje që TECi është blerë në Bangladesh për 15 milion EUR dhe i shitet qeverisë shqiptare brenda 2 viteve për 50,000 EUR ( qira 68,000 EUR/ditë x 730 ditë) ?

A nuk është vjedhje e shoqërisë shqiptare që me 700 milion euro me TEC-in e Bangladeshit do kemi një impiant me super ndotje me kapacitet 100 MWh, ndërsa me investim të 700 milion euro në impiante të vogla, të mesme e të mëdha fotovoltaike ndërtohet një kapacitet prej 700Mh gjenerim energjie e pastër dhe mijra të punësuar?

Por fakti i fshehjes së alternativës së shtimit të të ardhurave nga turizmi në zonë dhe në gjithë Vlorën në alternativën që TEC-i i Bangladeshit nuk ndërtohet (alterntivë për t’u studjuar me ligj) a nuk ndihmon vjedhjen?

Po e ndalojmë këtu analizën e nuk po shtrihemi se çfarë përmasa do marrë vjedhja me vënien në punë të TEC-it të Vlorës, ndërtimit të TEC-eve të tjera, të super terminalit të gazit etj.

“Është e pamoralshme që kompanitë e naftës dhe gazit të bëjnë fitime rekord nga kjo krizë energjetike në kurrizin e njerëzve dhe komuniteteve më të varfëra, me një kosto masive për klimën,”- tha sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, pak ditë më parë.

“Unë u bëj thirrje të gjitha qeverive të tatojnë këto fitime të tepërta dhe të përdorin fondet për të mbështetur njerëzit më të çMueshëm në këto kohë të vështira.”- shtoi ai.

“E vetmja rrugë e vërtetë drejt sigurisë energjitike, çmimeve të qëndrueshme të saj, zhvillimit dhe një planeti të jetueshëm, qëndron tek braktisja e karburanteve fosile ndotëse dhe përshpejtimi i tranzicionit energjetik, bazuar tek burimet e rinovueshme” ngre zërin Antonio Guterrres së fundmi.

“Janë rreth 300 punëtorë meshkuj nga Bangladeshi që do vënë në punë TEC-in e Bangladeshit në Vlorë. Këta punëtorë do punojnë aty për 2 vjet si skllevër modern, por që kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në Vlorë. Këta punëtorë janë një kontigjent potencial i lartë për të zhvilluar turizmin seksual në Vlorë”

Ndotja

Në momentin që gjërat fillojnë e qartësohen me rastin e TEC-it të Bangladeshit kuptohet dhe më mirë ndotja nga qytetarët.

Kështu është mësuar se do digjen në këto gjeneratorë 600 ton naftë e rëndë në një ditë, pra 600,000 kilogram. Kjo sasi presupozon që të furnizohen afërsisht 100,000 makina me nga 6 litra naftë të keqe dhe që të gjitha makinat të përshkojnë nga 100 km secila brenda Vlorës. A ka qytetar që nuk e kupton superndotjen? Sasitë kolosale të ujit për ftohje të motorëve do të shkarkohen në det, duke shtuar me mbi 14 grade celcius tempraturçn e detit, duke shkatërruar faunën detare në një hapësirë të gjërë. Tjetçr, bloza e sedimentuar në tokë së pari do të shkatërrojë pyllin e sodës dhe do nxjerrë jashtë përdorimit për konsum prodhimet bujqësore, për të paktën në një rreze deri 5 km. Gjallesat në Lagunën e Nartës rrezikohen të asgjësohen, përfshi largimin e shpendëve migrator nga zona.

“Turizmi” seksual

Është fakt. Janë rreth 300 punëtorë meshkuj nga Bangladeshi që do vënë në punë TEC-in e Bangladeshit në Vlorë. Këta punëtorë do punojnë aty për 2 vjet si skllevër modern, por që kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në Vlorë. Këta punëtorë janë një kontigjent potencial i lartë për të zhvilluar turizmin seksual në Vlorë. Nuk dimë në ç’formë ilegale, apo legale do ndodhi, por jemi në një situatë ku nuk ka pasur precedentë të vendosjes në Vlorë një kontigjent kaq i madh të huajsh meshkuj dhe për një kohë kaq të gjatë!

Ajo që mendojmë është se nuk do mirëpritet në Vlorë ky lloj turizmi.

Është momenti që Vlora dhe gjithë Shqipëria të kërkojë që konsorciumi Excelerate dhe Renco t’i gjejnë vendin TEC-it të Bangladeshit se nuk ka vend në një shtet europian. I sygjerojmë konsorciumit ta kalojnë TEC-in për skrap.