Analizë nga Abas Goxhaj / Populli është si pasqyra për qeveritë: Po e pe me hile dhe djallëzi dhe ai ashtu të sheh. Nëse e pe me të qeshur edhe ai me të qeshur të shikon. Populli duhet pyetur për ato probleme që ka njohuri e që janë: A duhet vendosur dënimi me vdekje? A na duhen 140 deputetë kur në Shqipëri votojnë 30% e banorëve..? Po, a ka mundësi, që populli të japë mendim për “Open Balkan” kur janë bërë katër marrëveshje ndërqeveritare për “Open Balkan” pa e pyetur popullin?!
- Këshillimi Kombëtar, jehonë e vijës së masave të dikurshme.
- -Kur populli bëhet dele qeveritë bëhen përbindësha
- -Më skandaloze e tallëse, se sa formale është se populli pyetet, kur janë bërë katër marrëveshje ndër qeveritare për “OPEN BALKAN”!
- -Po punove me hile, popullin e ke havale, as vend vari nuk ke.
Populli është si pasqyra për qeveritë: Po e pe me hile dhe djallëzi dhe ai ashtu të sheh. Nëse e pe me të qeshur edhe ai me të qeshur të shikon. Kur populli merret për budalla, qeveritë janë idiote. Kur populli bëhet dele qeveritë bëhen përbindësha.
Sipas normave dhe rregullave populli, duhet pyetur për ato probleme, që ka njohuri e që është në gjendje të japë mendime të pjekura, si p.sh: A duhet vendosur dënimi me vdekje? A duhet rivendosur numri i deputetëve në raport me numrin e popullsisë konkrete në territorin e RSH
Ç’farë na duhen 140 deputetë kur në Shqipëri jetojnë rreth 1500000 banorë..? E ndonjë çështje tjetër madhore e konkrete.
Por, ç’farë vihet re në 12 pikat ku këshillohet Qeveria sot?
Po, a ka mundësi, që populli të japë mendim për “Open Balkan”?!
Për të dhënë mendim për këtë nismë, duhen dije ekonomike, financiare, diplomatike, historike etj. Më skandaloze e tallëse, se sa formale është se populli pyetet, kur janë bërë katër marrëveshje ndërqeveritare për “Open Balkan”
Kjo më kujton një ngjarje në fshatin tim:
Dy të rinj ishin dashuruar dhe u martuan, pa miratimin e prindërve, për arësye të ndryshme.
Prindërit e vajzës u acaruan, mbasi pretendonin që djali ju a kishte rrëmbyer me zorr vajzën.
U muarën të rinjtë dhe u pyetën në zyrën e Këshillit Popullor të fshatit. Ata pranuan se e kishin marrë njeri-tjetrin me pëlqimin e tyre.
Atëhere, kryetari i këshillit popullor, për të qetësuar “gjakrat”, thirri babain e djalit dhe i thanë që të shkonte të kërkonte dorën e nuses tek prindrit e saj.
Babai i djalit, ngriti supet dhe i habitur pyeti kryetarin:
-Po, ç’farë dore t’i kërkoj unë babait të vajzës, kur djali im i ka marrë dorë e këmbë vajzës, të tallem me të?!
Pastaj,-vazhdoi ai, -po nëqoftëse babai i vajzës, nuk na a jep “Dorën” e vajzës, ç’do bëhet?!
-Do mundohemi që t’i bindim patjetër, t’ju a japin-tha kryetari!
Është indentike kjo shprehje, me përgjigjen që dha Kryeministri Rama, kur një gazetar e pyeti në studion “OPEN” para një jave:
-Z, Kryeministër, ç’do të bëhet nëse populli, 90 % thotë “jo”, për një nga këto pika?
-Do mundohemi t’i bindim patjetër?! Pra: ti bindim, ashtu si mendon qeveria..!
2- Nga ana tjetër, kur qeveritë nuk zbatojnë ligjet e parlamentit vendimet e saj etj, a ka mundësi që populli të besojë se do zbatojë mendimin e tij ? !
Këta janë si çelësat-buqicat, që prodhoheshin në Shkodër, që nuk i hapte as çelësi i tyre!
Po punove me hile, popullin e ke havale, as vend vari nuk ke.
Populli, duke kuptuar djallëzinë e formalizmin e marrjes së mendimit të tij, i ja ka kthyer “ RESTON me të njëjtën monedhë”,- bile me ironizime dhe tallje- me marifet, se ndryshe ju “pritej koka” në kohën e monizmit!
Po e argumentoj këtë, me një shembull origjinal, ndodhur në Golëm, para 1990.
-Ishte muaji shtator 1967, vit kur në mbarë vendin, kishte shpërthyer një lëvizje e madhe: kundër fesë e besimit fetar, kundër zakoneve prapanike dhe për emancipimin-liritë-e gruas.
Në Golëm kishte ardhur një delegacion nga Komiteti i Partisë, ku Kryetarja e org, Gruas në rreth, drejtonte mbledhjen e popullit të fshatit, mbledhur në shtëpinë e kulturës..
Ajo, mbasi pershëndeti gjithë pjesëmarrësit e shumtë, theksoi rëndësinë e vendimit të Partisë, për të pyetur e marrë mendime nga populli, se si duhet t’u jepen më shumë të drejta dhe liri grave e si duhen ndihmuar ato, mbasi janë shumë të ngarkuara me punë kooperative, shtëpie, fshati etj.
Duke hedhur me kujdes sytë nga salla, ajo vrejti se një djalë, rreth 35-40 vjeç, i ulur në radhën e dytë të karrikeve, kishte ngritur kokën e hapur pakë gojën dhe “dëgjonte” me shumë vëmëndje të deleguarën. Kryetarja, i besoi qëndrimit serioz të tij dhe ju drejtua:
-Ja, pa çohu e na thuaj ti shok, se si e ndihmon gruan tënde konkretisht, mbasi Partia, nuk do llafe, por vepra..
Golëmasi, që shquhej për humorin e tij “të fshehur”, duke marrë një qëndrim serioz, kruajti pak zërin e trashë dhe filloi të fliste ngadalë, prerë dhe tepër serioz:
-Po fol, se boll u kapardise,-i tha një shoku i tij aty pranë-
-Si thua ti, të mos mendohem kur të flas për këtë problem kaq të rëndësishëm e serioz, që ka shqetësuar edhe Partinë atje lart?! –dhe ju drejtua presidiumit:
-Ju shoqe, që drejtoni GJITHË GRATË e RRETHIT, faleminderit që më pyesni dhe them 100 herë faleminderit Partisë, që më erdhi radha edhe mua me shokë, çobanë në këto male, të pyetemi e të merrni mëne-mëndje- nga ne.. Për nderin që më bëtë, unë do t’jua them “TROÇ” fare, se si e ndihmoj unë gruan.:
-Po, po, konkretisht, troç, si i thoni ju këndej- i tha e kënaqur e deleguara-veç, të lutem fol pak me zë të lartë e ngadalë, se i shënojmë diskutimet tuaja, të cilat do përcillen në Pleniumin e Partisë në rreth.
– Po, mirë xhan, “TROÇ” i kërkon Partia, troç e çkoqur fare do të tregoj edhe unë, mbasi Partia nuk na e ka me hile edhe ne nuk ja kemi asaj me hile..!-tha golemasi, duke parë me bisht të syrit sallën, që ishte vënë në qetësi të madhe, mbasi prisnin”xhevahirin” e radhës të këtij babaxhani të thekur.
– Gati kalemin, shoqe xhan, shëno se do filloj nashti?- pyeti golëmasi.
– Gati, vazhdo-i tha e kënaqur ajo me stilolaps në dorë.
– Më quajnë Lazo Lazaj, xhan, se ti nuk më pyete për ëmrin dhe mos shpie ndonjë ëmër tjetër në Rreth, se ndodhin këto ngatërresa.
-Pooo, keni të drejtë-i tha buzagaz e deleguara, që shënoi emrin në bllok me kapak të kuq.
-Unë e ndihmoj gruan, se e dua shumë dhe po e deshe, do t’a ndihmosh shoqe, pamvarësisht se ma kanë dhënë si me detyrim baba e mëma..!
Ja se si e ndihmoj unë “troç” gruan time:
Kur jam në shtëpi, ç’do darkë i shpie nga një zallëm-krah të madh- me cfaka-shkurre-, pastaj hamë bukë po bashkë, jo si të parët tanë që hanin njeri në një dhomë e tjetri në dhomën tjetër, dhe për të fjetur, flemë bashkë, në një stromë, jo si ca që burri flë në krevat e gruaja në stromë në dysheme. Aty, afër sabahut-mëngjezit- ngrihem avash-avash dhe i llakanis dybekun—rrahje e lehtë e dybekut për të mbledhur gjalpin.
Salla qeshi me të madhe, por ai nuk e prishi terezinë dhe shumë serioz e i “nervozuar” ju tha atyre:
– Mos qeshni ju, se na ka dalë nami neve golemasve për shaka dhe e merr për keq shoqja e deleguar. Për probleme serioze, duhet seriozitet e jo të qeshni pa “kuptim”. –dhe ju drejtua presidiumit:
– Më fal, xhan e deleguar, mos ua vur re këtyre ti, se këta kështu e kanë, i marrën gjërat qesharake, por këto janë gjëra serioze. Të më besosh mua, ja pyet edhe këta shokët që kam pranë: Hamzon, Zurdon e të gjithë burrat, po nuk i ndihmojmë kështu gratë.
E deleguara, e kënaqur shumë nga diskutimi “troç” i Golëmasit dhe jua dha fjalën të tjerëve për diskutim, ku thanë teori e jo praktikë si Lazua.
Në fund, ajo bëri konkluzionet duke e mbyllur me fjalët :
-Shumë mirë, ja këtë do Partia, t’i thoni TROÇ gjërat, si tha shoku Lazo. Nuk ma merrte mëndja , se do kishte burra kaq të emancipuar në Golëm, këtu majë malit…!
Këtë diskutim të golëmasit Lazo, ajo e citoi në Plenium dhe e kuptoi thelbin e diskutimit “TROÇ”, vetëm kur salla e pleniumit qeshi me të madhe.
La diskutimin në mes dhe u ul e skuqur dhe e turpëruar..!