Kozma Gjini: Lërini çunat të shprehen, z. Ministër!

613
Bashkëqytetarit dhe të afërmit tim, A.H, i cili në vitet ’60, për arsye se dëgjonte “Radio-Athina”, kur ishte ushtar në kufi, e kërcënuan me burg për agjitacion e propagandë dhe për t’i shpëtuar burgut u arratis në Greqi, sot, pas afër 70 vitesh, i kërcënohet i nipi, sepse është pjesë e grupit të djemve që publikuan një foto në rrjetet sociale me simbolin e shqiponjës. S’ka më paradoks të pështirë. Qytetari sot ka një familje të madhe (fis të vogël) në shtetin fqinjë dhe atje ka shtëpinë e tij ku jeton, rrit dhe edukon fëmijët. Janë nënshtetas grekë prej shumë vitesh. Nënshtetas, të lindur rritur e shkolluar me konceptet e qytetërimit helen. Më habit prononcimi i ministrit grek të mbrojtjes, z.Kotsias, i cili në përgjigje të publikimit të kësaj fotoje artistike u shpreh se “…kush nuk ndjehet grek, është mirë të kthehet në vendin e tij”. Një fjalë goje. Si mund të thoni kështu z. Ministër, kur ai babanë e ka shqiptar kurse nënën e ka greke? Të shkatërrohet familja, thoni ju? E thënë nga njëshi i Forcave kombëtare të ushtrisë, kjo shprehje merr përmasa dhe ngjyra politike dhe lë vend për reflektim. Kurse kërcënimet me burg (mos qofshin të gojës suaj), janë ekstremitete e rikthim në diktaturë… rikthim në dramat e antikitetit. Kjo nënkupton se ju z. Ministër e keni të “ndaluar” lirinë e shprehjes në ushtri. Se edhe simboli i shqiponjës që bënë çunat s’është gjë tjetër veçse një formë të shprehuri në mënyrë figurative. Gjestet, mimika, elementët e artit pamor e letrar-artistik janë mjete gjuhësore të komunikimit që përdoren nga çdo popull i botës. Diktatura i masakroi paraardhësit e tyre, i syrgjynosi, i dëboi nga atdheu dhe ata gjetën strehë tek ju, kurse sot, nipërit e tyre, pa vënë brisk në faqe, por me pushkën në sup për të mbrojtur shtetin helen, kërcënohen nga shteti i tyre. Paraardhësit e tyre lanë mëmëdheun se s’kishin bukë të hanin, por nuk u shkonte nëpër mend se vendi i civilizuar evropian… pjesëtar në BE, në NATO dhe në organizmat ndërkombëtare do të kontrollonte, survejonte edhe të shprehurit e që më pas do të ndërronin edhe emrat, mbiemrat dhe fenë sipas logjikës ortodokse greke, duke iu afruar diktatit. Dhe do ta fillonin ditën e re në shkollën tuaj me lutjen ortodokse, pavarësisht se një pjesë e tyre nuk janë të kësaj feje. Po nejse, tjetër paradoks ky. Po shyqyr thuaj që nuk e paskan bërë betimin çunat, se… Vërtet të afërmve të tyre u ka rënë bretku duke punuar në punët më të vështira dhe pa siguracione edhe sot e kësaj dite, por fëmijët e tyre, detyrën ushtarake e kanë të shenjtë, se në radhë të parë, prindërit janë koshientë ndajqytetarisë helene. A e dini ju z.ministër, se nipi në fjalë e disa nga djemtë…nuk kanë shkelur asnjëherë në tokën e stërgjyshit dhe vetëm nga harta njohin atë?A e dini ju z. Ministër se ata si gjuhë të parë kanë greqishten,kurse shqipen e flasin me shumë gabime? (Ndërsa disa moshatarë të tjerë nuk dinë të komunikojnë fare në shqip?).Gjynah nga zoti të mos dish gjuhën e nënës! Kjo ndodh, sepse ju nuk keni hapur qoftë edhe një shkollë shqipe në kufi, kurse ne, u kemi hapur shkolla greke tërë fëmijëve minoritarë. Mos kemi këtu një dallim racor? Bëjuani sa më shpejt nënshtetësinë bashkë kombasve të tyre dhe vet nxënësve që kanë lindur e po rriten në Greqi, z. Ministër, siç e keni miratuar në parlament. Bëjuani sa më shpejt edhe për faktin se djemtë tanë po mbajnë një goxha peshë në ushtrinë tuaj,se, sa për djemtë tuaj, ju i keni çuar për vakancë e studime e punë nëpër Evropë e Amerikë. Shfrytëzojeni, shfrytëzojeni këtë rast të bukur, se ne e kemi më të ultë se ju moshën mesatare, jo se i duam fëmijët më shumë se ju, por sepse bëjmë një vatër me kalamaj. Mos u merrni me çunat e rinj që s’kanë vënë brisk në faqe z. Ministër edhe pse mbajnë në supet e brishta pushkën e gishtin në këmbëz për të mbrojtur shtetin. Nga kush e ruajnë ata shtetin helen? Nga vëllezërit dhe kushërinjtë shqiptarë?Vëllai, vëllain do të vrasë me plumb kokës? Nga këta keni frikë ju? Po Shqipëria nuk ka ushtri, more mik. Ne kemi vetëm një simbolikë të gjelbërish, sepse nën shembullin e fqinjit dhe mikut tonë historik helen, ne jemi në NATO dhe hapësirën tonë ajrore ju na e ruani: 6 muaj ju dhe 6 muaj Italia. Kështu apo jo z. Ministër? Po merreni me axhami, themi ne këtej. Ata që bënë këtë gjest simbolik janë sa kanë kaluar gjimnazin, kurse ata që duan t’i ndalojnë të shprehurit, janë mbi 60 vjetarë, siç jeni edhe ju. Ata janë e ardhmja e Greqisë dhe Evropës së lirë e një ditë edhe pa kufij, kurse ju, jeni e shkuara që monitoroni edhe jetët e lira të rinisë. Ata janë motorët e gjenerimit të civilizimit të së nesërmes evropiane, kurse ju “frenuesit” e këtij integrimi sot. Ju jeni për forcimin e ushtrisë ndërsa ata janë për një botë pa ushtri,pa armë, e pa kufij. Sa herë keni qenë në Holandë apo në Belgjikë, z. Ministër? Të dy vendet e beneluxit kanë një kufij simbolik, një vijë pllakash me kryq të bardhë, ku shkelin përditë e pinë kafe nga njëra anë në tjetrën qytetarët e të dy shteteve. Do të arrijë Shqipëria dhe Greqia një ditë në këtë farë feje? Me këta çunat të shpresojmë se do të arrijmë, por me mentalitete të tilla si ju, zor se…. I keni parë z ,ministër, gjithë postimet e njerëzve nëpër botë me simbolin e shqiponjës? Dhe djemtë e shkretë, tashmë në siklet, të vënë para kërcënimit tuaj ( zoti na ruajt nga dramat e Eskilit, Euripidit e Sofokliut!), mbrohen me faktin se i kanë bërë tifo skuadrës suaj greke që ka si simbol shqiponjën (AEK). Ju s’mund t’i dënoni ata për këtë gjest, sepse simboli është një mënyrë artistike e të shprehurit. Atëherë mos i trembni. Boll i telendisët emigrantët duke u nderuar emrin , mbiemrin dhe fenë. S’mund të konceptohet dot që një ministër i një vendi demokratik,ku dhe vet fjala “demokraci” ka lindur nga ky vend i shenjtë, prej kaq vitesh anëtar i BE dhe NATOS, që vepron e frymon mes civilizimit evropian, të bjerë në llumin e anadollakëve ballkanas. Tentoi i nderuari kryeministër pa kollare… të bënte siç donin maxhoranca juaj, por Evropa i vuri kushtet, që detyrimisht të ecnit shinave të saj. Ok? Të vret zoti të trembësh gjakun e të trysnosh hovin rinor të këtyre djemve me kërcënime: “o bëni si them unë, o def”… të kujtdo kombi qofshin ata. Boll me kërcënime e me “rrjepje lëkurash…” për opinga z. Ministër. Lërini çunat të kryejnë me nder detyrën ushtarake dhe të na vijnë një herë e t’u shohim surratin, se vetëm në skype flasin me kushërinjtë e sa për shokët e moshatarët i kanë helenë e të kombësive të ndryshme, aty në Greqi. Lëreni progresin të xhiroj pa u ndalur. Lërini rininë të shprehet, z. Ministër!
Sigal