Rivlerësimi i klerikëve të persekutuar, nismë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

836
Haxhi Baba Edmond Brahimaj
Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! 
Së pari, ju falënderoj ju lexues që merrni në dorë dhe shfletoni këtë libër, ku do të njiheni me një pjesë të devocionit, përkushtimit e punës së klerikëve bektashianë shqiptarë që në emër të Zotit, iu përkushtuan besimtarëve, lirisë e demokracisë, duke bërë sakrifica deri dhe jetën e tyre përballë persekucionit, errësirës dhe të paudhëve. 
Zoti qoftë i kënaqur me ju dhe familjet tuaja, duke iu plotësuar çdo dëshirë!
Libri ‘Baba Shefqet Gllava, martir i demokracisë’ që keni në duar, është pjesa e parë e kolanës disa vëllime “Klerikë bektashinj të persekutuar”, që botohet nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, projekt që synon evidentimin e rolit të klerit bektashian, përkushtimin e tyre në shërbim të njerëzve, vuajtjet shpirtërore në dekada, qëndresën në mbrojtje të besimit, deri dhe para plumbave që u morën jetën. Në këtë kuadër, prej kohësh, Selia e Shenjtë është në vazhdim të punës për ndriçimin e kontributit të klerit bektashi të lënë në harresë, duke përgatitur për secilin, dosje të veçantë me dokumente zyrtare të arkivave vendase e të huaja, me dëshmi të bashkëvuajtësve të gjallë, kujtime të familjarëve e të afërmve, dorëshkrime e ditarë të klerikëve të persekutuar, relike të përdorura nga ata, etj… 
Në këtë projekt, kemi përfshirë e janë aktivizuar punonjës të kualifikuar të Kryegjyshatës, specialistë të medies e arkivave, historianë vendas e të huaj, intelektualë e njohës të rrugës së ndritur e plot sakrifica të bektashizmit. Ky libër që keni në dorë, pjesë e këtij projekti, mbështetur në dokumente origjinale e burime të tjera të besueshme, jep kalvarin e stërmundimshëm të një prej klerikëve bektashinj, baba Shefqet Gllava-Koshtani, ‘Martir i Demokracisë’, arrestuar në fund vitin 1947 dhe pushkatuar në ditët e para të vitit në vazhdim, nën akuza të stisura, vetëm se mbronte bektashizmin, luftonte për demokracinë e vatanin. Në këtë kuadër, falënderoj autorin e librit, bashkëpunëtorët si dhe të gjithë ata që ndihmuan në përgatitjen e tij.
Duke realizuar projektin e mësipërm, Kryegjyshata Botërore e Bektashizmit synon rivlerësimin e personaliteteve tona që kanë kontribuar për besimin tek Zoti, lirinë, çështjen kombëtare e demokracinë, por që u persekutuan padrejtësisht. Në këtë mënyrë, nëpërmjet dokumenteve të kohës, synohet të dalë në shesh e vërteta siç ka qenë, në mënyrë që klerikët bektashinj që u ndëshkuan, të prehen të qetë, e shoqëria tu kthej vlerësimin e vëmendjen e merituar për kontributin real që kanë dhënë.
I pa harruar kujtimi i klerikëve bektashinj që u persekutuan në mbrojtje të besimit, çështjes kombëtare e demokracisë!
Zoti ju bekoftë! 
Amin!
4-Kush ishte martiri i baktashizmit,
baba Shefqet Mahmuti-Gllava
Baba Shefqeti (Shefqet Mahmuti) u lind në vitin 1885 në fshatin Gllavë e Madhe të Tepelenës. Ai vinte nga një familje e njohur atdhetare me lidhje të hershme me besimin bektashian. Njëkohësisht, prindërit e tij, kishin dëshirë që Shefqeti të shkollohej dhe ti përkushtohej me shpirt besimit bektashian. Për këtë shkak, në vitin 1906, kur nuk kishte mbushur ende 11 vjeç, 
nisi të shkoj në shkollë në Turballi. Në vitin 1913, pas shtatë vitesh shkollim, Shefqet Mahmuti kthehet në vendlindje, në fshatin e tij në Gllavë, por tashmë i veshur me petkun e klerikut bektashian. Kjo ditë, mbahet men si një ditë e shënuar jo vetëm për klerikun e ri bektashian, por dhe familjarët, të afërmit dhe gjithë fshati. Djalin e ri të veshur me petkun e shenjtë, teksa ai u fut në fshat, pothuaj, askush nuk e njohu. Ishin motra e vëllezërit e tij, Xhemile, Refat, Jakup dhe Ahmet që e pritën të parët dhe u gëzuan pa masë për ardhjen e vëllait, jo vetëm se i kishte marr malli e kishin shumë kohë pa e parë, por dhe se ai tashmë ishte me uniformën e shenjtë. Spontanisht, klerikut të ri të sapo kthyer në vendlindje, nga ku u largua fëmijë, i bëhet një pritje madhështore. Në shtëpinë e Refatit erdhi pothuaj i gjithë fshati. Në respekt të tij, për gati një javë, besimtarë bektashianë të fshatit, shtruan dreka e darka. 
Pas vdekjes së baba Shefqetit, për 19 vite shërbeu në fshatin e tij në Gllavë dhe ishte baba për gjithë zonën. Falë përkushtimit të tij në shërbim të besimtarëve, ndihmës shpirtërore e halleve që kishin, baba Shefqeti fiton një simpati të madhe në gjithë zonën. Nisën të afrohen e të bëhen myhypë nga zona, nga Tepelena, Skrapari, Përmeti e Berati.
Në vitin 1928, baba Shefqeti u transferua në Koshtane. Në vend të tij, në Gllavë, shkon baba Qamili nga Skrapari. Ky i fundit, qëndroi në Gllavë deri sa u arrestua dhe më vonë u gjykua dhe u pushkatua.
Edhe atje ku shkoi, në Koshtan, i dhënë shpirtërisht e fizikisht bektashizmit, ai u gjendej pranë të varfërve, hallexhinjve, njerëzve pa përjashtim, në zgjidhjen e problemeve që kishin dhe forcimin e besimit tek Zoti. Me këtë sjellje, ai fiton respektin dhe dashurinë e besimtarëve. Besimtarët e Gllavës, bënë dhe një peticion ku kërkonin kthimin e baba Shefqetit në Gllavë, por ndërkohë, ai ishte shërbëtor i besimtarëve në të dy territoret që mbulonin këto teqe. Gjatë shërbimit të gjatë si klerik bektashian, ai administronte njëkohësisht një pasuri shumë të madhe që e vuri në shërbim të teqes dhe besimtarëve.
Në dhjetor të vitit 1948, baba Shefqeti u arrestua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit të kohës. Pas një gjykimi, dhe pse shumë dëshmi ishin pro tij, ai u dënua me pushkatim dhe më 14 janar të vitit 1948, u ekzekutua. U varros diku në një përrua në Gjirokastër (në vendin ku u ndërtua NSHN-ja, e nuk i janë gjetur eshtrat). Pasoja e pushkatimit të tij, i vuajti familja. Vëllezërve iu hoqën triskat e fronit, ndërsa nga familja e të afërmit, asnjë nga fëmijët nuk iu shkolluan. 
5- Baba Shefqet Mahmuti-Gllava sipas arkivave zyrtare
I njohur si baba i Koshtanit, i përkrahur dhe i nderuar nga komuniteti i tepelenas për aktivitetin e tij si klerik bektashi, patriot, njeri zemërbardhë, tolerant dhe gjithnjë pranë halleve të fukarenjve, ai do të mbetet në kujtesën e brezave si shëmbëlltyra e pafajësisë, mbi të cilin ra pa mëshirë dora kriminale e diktaturës komuniste. Baba Shefqeti u lind më 1891 në Gllavë të Tepelenës ku edhe kreu arsimin fillor. Më pas shkon të shërbejë në teqenë e Turballi Sulltanit (në Greqi). Më 28 nëntor 1912, ende djalë i ri, shkoi në Vlorë për ditën e flamurit së bashku me Sheh Beqir Toçin dhe shumë klerikë të tjerë sunni e bektashinj. Mbas masakrave të andartëve grekë në zonat e Jugut, me ardhjen e forcave austriake, në trevën e Tepelenës u krijua një hapësirë veprimi për patriotët dhe lehtësi ushtrimi për besimet fetarë.
Në vitet 1918 – 1920 baba Shefqeti nis punën si dervish, në Gllavë, në Koshtan e më vonë në teqenë e Krahsit. Gjatë viteve 1920 – 1930 merret vetëm me probleme fetare. Merr pjesë ne Kongresin e parë të bektashinjve në Prishtë të Skraparit. Madje në këtë kuvend madhor të bektashinjve, vihet në mbrojtje të grupit reformator të klerikëve, të cilët e shihnin perspektivën e besimit të tyre të pandarë prej perspektivës të kombit. Deviza, të cilën ky klerik e përqafoi dhe mbrojti deri ne fund, ishte “Pa atdhe nuk ka fe!” 
Në vitin 1930 baba Shefqeti u bë i njohur në gjithë krahinën e Tepelenës si një klerik patriot me reputacion për bindjet e tij fetare në shërbim të atdheut. Ishte njeri gojëmbël e pranë fshatarëve në të mira e të këqija. Sipas atyre që e kanë njohur nga afër, kishte ide politike populiste dhe shpesh propagandonte barazinë shoqërore dhe një lloj “socializmi” naiv me frymë fetare. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me indinjatë. Hyri në lidhje me patriotët e krahinës në përkrahje të luftës çlirimtare duke përkrahur moralisht rezistencën. Teqeja e tij në 
Koshtan ishte bazë ku priteshin e përcilleshin luftëtarët e lirisë, pa dallim bindjesh politike. Këtu ishin pritur partizanët e Zenel Shehut dhe nacionalistët e Syrja Vasjarit në luftën e përbashkët antifashiste.
Pas çlirimit u vu në shënjestër nga diktatura si klerik dhe njeri me bindje antikomuniste. Ishte kundër dhunës që shpërtheu ndaj nacionalistëve dhe sidomos, kundër ndërhyrjeve të shtetit në punët e besimit e deformimit të riteve fetare. Për këtë baba Shefqeti i Koshtanit u arrestua në dhjetor 1946. Sipas inskenimit të tipit komunist, u akuzua se bënte pjesë në “organizatën tradhtare me qëllim sabotimin e reformave dhe rrëzimin e pushtetit popullor”, themeluar e drejtuar nga Zenel Shehu, Syrja Vasjari dhe At Gjergj Suli.
U dënua me pushkatim me vendim të gjykatës ushtarake Gjirokastër dt. 17 nëntor 1947 dhe u pushkatua së bashku me të tjerët më 14 janar1948.
Sigal