Komunizmi vrau shqiptarizmin

1091
Sigal

Komunizmi e përbalti, e cungoi, e tjetërsoi dhe e mohoi Historinë e Shqipërisë, duke vrarë shqiptarizmin

“ Ky vend i bukur, Parajsa ku kanë folenë dhe prehen Perënditë, u shndërrua në një varrezë gjigande. Ky vend i pasur si mbitokë e nëntokë , por tejet i varfër dhe i vuajtur, u shndërrua në një burg të madh plot me rojtarë e të burgosur!” Vivra
Në përkrahje të shkrimit të z.Frank Shkreli, po jap disa mendime lidhur me pasojat e komunizmit në vendin tonë.Autori ka shumë të drejtë.
Me rënien e murit të Berlinit, komunizmi në Shqipëri nuk u rrëzua, veçse ndërroi petkun, njëlloj si ujku që veshi lëkurën e qengjit, por kurrë nuk u bë qengj. Sepse ujku qime ndërron por zakon s’e harron, ndaj kërkon kohë me mjegull që të bëjë kërdinë në kopetë e bagëtive. Kjo mjegull na veshi sytë dhe na errësoi mendjen ne, shqiptarëve, aq sa votuam për bijtë dhe niprit e persekutorëve tanë. Ata ishin dje, ata janë edhe sot, por më të kamufluar…Ata që mbroheshin nga imperialisto-kapitalizmi duke ndërtuar 750 000 bunkerë, kur shqiptarët ishin pa shtëpi ose tri a katër kurora banonin bashkë në 60 metra katrore vend, në vitin 1990, ishin të parët që shkuan në vendet kapitaliste perëndimoretë Evropës dhe në ShBA.
Të gjithë shqiptarët që besuan se më 1990 historia do të hynte në rrugën e saj të drejtë, me mendimin se, pasi do të korregjohej gjithçka e bërë gabim apo e keqtrajtuar, do të hidheshin hapat e një demokracie të vërtetë perëndimore, por fatkeësisht të gjithë u zhgënjyem. Gjatë këtyre tri dekadave të këtij tranzicioni të tejzgjatur, të plakur e të thinjur, u rrudhën mendimet, u mpakën njerëzit pasi me zhvillimet social-politike dhe kulturore në Shqipëri, komunizmi ka marrë ngjyra të reja kapitaliste, i zbukuruar me koncepte bashkëkohore, të reklamuara në ekran dhe mediat e shkruara. Porse jeta e vërtet e një kombi nuk është fasada, por strukturat shtetërore, të cilat kurrë nuk duhet të ringrihshin me po ata njerëz që kishin zhvilluar luftën e klasave, apo kishin bërë krime ndaj shqiptarëve.Për fat të keq gjatë këtyre transformimeve të mëdha në kampin socialist të lindjes, në Shqipëri nuk pati ndonjë përmbysje politike, sepse nga e njëjta parti (P.P.Sh), lindën si kërpudhat pas shiut partitë si “motra” me emra demokratikë blu, të kuq, rozë, me shkabë,ose me një përbërje mikse sepse kështu e kërkonte koha.
Kështu orientoi Katovica:“Ju të kuqtë e Shqipërisë, i thoni ndal diktaturës komuniste, duhet të krijoni pluralizëm politik…Nga ju varet fati i kombit. Nga radhët e partisë mëmë, emëroni kryetarët e partive.Të burgosurit e të përndjekurit politikë, i shpërbleni me një lëmoshë, u krijoni disa lehtësira, por pronat kurrë mos u ktheni pronarëve legjitim.U jepni vetëm nga një dëshmi, por kurrë mos i emëroni në sferat e larta drejtuese të shtetit.” –Këto vndime janë vënë në zbatim gjatë këtyre legjislaturave demokratike. Në bazë të statistikave fëmijët e të përndjekurve nuk janë trajtuar baraz me shqiptarët e tjerë, të cilët kanë zënë vendet kyçe në pushtet. Kjo indifrencë e shpërfillje ndaj tyre tregon se ende ekziston diferencimi klasor dhe pa droje them se është brezi i (IV) katërt i kësaj shtrese që vazhdon t’i bëhet luftë klase, jo drejtpërdrejtë, por duke i lënë pa punë, madje edhe ata që kanë rezultate në fushat që kanë studiuar, shpërfillen, anashkalohen, nuk u jepen vlerat dhe vendet e duhura. Ndaj tyre përdoret metoda e heshtjes, duke i lënë në harresë.
Cilido mund të pyesë ndërgjegjen:
-Ç’ndryshime rrënjësore politike ndodhën në Shqipëri në gjysmë shekulliu diktaturë?
-Mos vallë me rrëzimin e bustit të diktatorit, ra komunizmi? Jo…kurrë.
Këtij kombi që i mungonte liria dhe veçanërisht shqiptarëve të mohuar, pa asnjë të drejtë njerëzore, të leqendisur nëpër burgje dhe internime, të cilëve u mungonte liria vetjake, të dehur nga euforia e “rënies së sistemit komunist”, i besuan përrallës së shumëpritur.Asnjë shqiptar nuk arsyetoi me qetësi, me një gjykim e logjikë të ftohtë, por besoi se po hidheshin themelet e demokracisë. Askush nuk e vuri re se nuk u mbajt asnjë qëndrim për gjenocidin e zhvilluar brenda llojit te shqiptarët nga njerëzit e një race, e një gjaku që flisnin një gjuhë dhe kishin të njëjtat zakone. Cili gjyqtar apo udhëheqës i Partisë-shtet u dënua penalisht për krime të mëdha dhe monstruoze, antinjerëzore ndaj gjysmës së shqiptarëve?!
Për gjysmë shekulli kriminelët e diktaturës komuniste, besnik të marksizëm -leninizmit, zbatuan shpikjen më të madhe të historisë, Luftën e Klasave, më të egrën që ka njohur njerëzimi. Shqiptarët u bënë ujqër për të shqyer vëllezërit, motrat dhe bijtë e tyre. Komunizmi me një hendek të thellë i ndau Shqiptarët në dy kampe (pro partisë dhe kundër saj), duke ushqyer urrejtjen, mllefin, hasmërinë dhe hakmarrjen e vëllait ndaj vëllai, të djalit ndaj babait, të gruas ndaj burrit, gjë që vazhdon edhe sot. Krimi në familje është pasojë e regjimit komunist. Përçarja e një populli ishte dhe është në favor të fqinjëve për të realizuar synimet e tyre, ndaj rrëmbimit të trojeve etnike dhe historisë së kombit më të lashtë, Shqipërisë autoktone dhe gjuhës shqipe më e vjetra, e cila njihet si gjuha e fillimit. Kjo racë superiore që flet gjuhën më të lashtë në kontinent, e cila ka ndikuar në shtetformimet dhe zanafillën e gjuhëve të Evropës, u mohua nga të mëdhenjtë e politikës dhe diplomacisë evropiane, si dhe pseudohistorianët. Këtë të vërtetë të madhe, por të mohuar, e dëshmojnë mbishkrimet antike që u përkasin gjuhëve të vdekura, të cilat sot deshifrohen vetëm përmes gjuhës shqipe…
Kundër Shqipërisë padrejtësisht nisi copëzimi me përfundimin e luftës ruso-turke, si me konferencën e Stambollit(1876),Traktatin e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit (1878), konferencat e Paqes,(Paris –Londër) 1913-1915 & më1946 vazhdoi me PKSh në krye. Në vitin (1945) kur nën udhëheqjen e P.K.Sh, “mbrohej me fanatizëm “ integriteti tokësor i Shqipërisë dhe ndërtohej socializmi, Greqisë iu aneksua Çamëria, e cila ruan në gjirin e tokës së saj lashtësinë e kombit prej neolitit që nga pellazgët, ilirët e deri te shqiptarët. Më 1848 Kosova i kaloi Jugosllavisë si republikë e gjashtë. Enver Hoxha në bashkëpunim me agjentët serbë Mugosha dhe Popviç, përgatitën terrenin për kalimin e Shqipërisë si Republikë e VII e Jugosllavisë. Për këto tradhti Enver Hoxha u vlerësua nga marshalli Tito me dekoratën më të lartë “Hero i Popujve të Jugosllavisë”(1946).
Përse ky nder?
Sepse Enveri me klasën politike tradhtuan interesat e kombit shqiptar.
Lind pyetja: Pse ka qenë në dobi apo favor të historisë sonë kombëtare Komunizmi i cili transformoi dhe mohoi historinë, duke na bërë që për 50 vite, të besojmë euforinë e dogmave marksiste, që varfëruan shqiptarin materialisht dhe mendërisht ? Besa e shqiptarit ndër shekuj ka qenë shqiptaria si pasqyrë e ndërgjegjes kombëtare. Ku shkoi Besa e Shqiptarit? Ky vityt i shqiptarit u zëvendësua me dogmat marksiste –leniniste të huajtura nga Moska e Beogradi, që ua shplan trurin shqiptarëve dhe ua mbushën barkun me lugën bosh, me një sistem të paporovuar më parë. Sot për shkak të dogmave komuniste, është varfëruar ndërgjegja kombëtare.
E sotmja shërben si ura lidhëse mes të shkuarës së pakthyeshme dhe të nesërmes dilemë. Pa kujtuar dhe analizuar të djeshmen, kurrë nuk mund të ketë zhvillim demokratik dhe as të nesërme të sigurt. Pa shëruar plagët e së djeshmes, e cila ka nevojë për një Nuremberg , pasi siç ka ndodhur genocid shfarosës në gjithë trojet etnike shqiptare, nuk ka ndodhur në asnjë etni tjetër në Gad. Ilirik. Çuditërisht genocidi ndaj shqiptarëve është i papërfillshëm nga organizmat evropiane dhe nd/kombëtare.Çfarë qëndrimi u mbajt ndaj vrasjeve masive të Greqisë dhe Serbisë apo për krimet e diktaturës shqiptare. Po për shfarosjet në masë e shkombëtarizimet, në Çamëri, në Hanin e Hotit, Tivar, Serbenicë, Dardani dhe Shqipëri ku nëntoka e perlës së Adriatikut dhe Jonit është mbushur me varre pa emër? Kjo ishte vula e turpit që e damkosi historinë e këtij kombi të lashtë. Të pranojmë se baballarët komunistë shqiptarë, paskan mbajtur anën e historisë?! Ky është turpi dhe pohimi më i ulët , më antikombëtar, më antagonist me vetndërgjegjen e atyre që e pohojnë si dhe për çdo shqiptar me rrënjë gjenetike pellazgo-ilire.
Nuk di nëse bëmat 50 viteve diktaturë, krimet e sigurimit të shtetit,vrasjet e shqiptarëve pa gjyq gjatë luftës, vrasjet kundër fisnikërisë dhe intelektualëve të arsimuar në Perëndim. Burgosjet dhe vrasjet e luftëtarëve të lirisë si kriminel lufte, pa u çliruar Shqipëria qysh në tetor të vitit 1944. Vrasjet makabre të grupit të deputetëve, të inxhinierëve të kënetës së Maliqit e të minierës së Rubikut, të grupit të Naftës. Burgosja masive e kulakëve më 1951 që përfundoi me gjyqin e famshëm i marsit 1952, kundër bujqëve që s’përballonin dot taksat e jashtëzakonshme, vrasja e 22 inteklektualëve më 26 shkurt 1951, dënimet ndaj delegatëve të konferencës së Tiranës (1956) etj… Revolucioni kulturor u bë në Kinë, por u zbatua në Shqipëri me internime masive të familjeve të përndjekura nga qyteti në fshat, ku nuk kishin as shtëpi dhe as ekonomi. U mohuan punën, të drejtën e ushtrimit të profesionit intelektualëve, u ndalua shkollimi i lartë i sa e sa qytetarëve, më 16 gusht 1966. U prishën kisha dhe xhamia. U ndalua frekuentimi i institucioneve fetare, dënohej me burg besimi fetar, falja, ku si pasojë u burgosën dhe u vranë klerikët mysliman por veçanërisht qindra klerikë katolikë, të cilët kanë punuar për hapjen e shkollave dhe arsimit shqip qysh nga shek.XIV, XV, XVI, XVII… Nëse në Shqipëri nuk do të ushtrohej feja islame dhe ajo katolike, shqiptarët do të kishin pësuar fatin e shqiptarëve të jugut të vendit që kisha helene i ka konvertuar në të krishterë ortdoks, me emër, besim e shtetësi.
Pas viteve ’70, Partia nga frika e humbjes së pushtetit pa themele, filloi dhe vrau bijtë e saj dhe bashkëluftëtarët një e nga një. Sipas të dhënave zyrtare nga institucionet e Shqipërisë, gjatë regjimit komunist 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë u burgosën si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 shqiptarë janë vrarë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë të zhdukur. Vetëm në kampin famëkeq të Tepelenës vdiqën 300 fëmijë të pafajshëm.
Pse ishte në anën duhur të historisë çdo komunist shqiptar? Përse duhej të ishin krenarë, për një shtet që vrau ajkën e kombit , trurin dhe palcën e kombit? Përse duhet të krenohen shqiptarët për historinë e komunizmit? Mos vallë për radhëne qumështit, të përbrësmeve të qelbura, për mishin e kangurit, për 10 vezë në muaj, për gjysëm pule të kalbur, për një pako gjalp, një pako kafe në muaj? Kjo ishte një histori e turpshme për t’u shkruar dhe për t’ua lënë brezave. Duhet të shkruhet me shkronja të arta një histori që nis nga neoliti e deri në ditët tona me të mirat dhe të këqijat e politikës. Nëse nuk njohim gabimet tona, nuk mund të ndërtojmë një shtet të së drejtës ligjore. Drejtësia do të vendoset kur pushtetet të mos blihen nga korrupsioni dhe punët e zeza të krimit e trafiqeve të organizuara nga shteti. Pëlr këtë ne kemi nevojë për rritjen e ndërgjegjes kombëtare.

Vlorë, 7.8.2020

Esse nga Vilhelme Vrana Haxhiraj- Gazeta Dielli