Eduard HALIMI Ministër i Drejtësisë / Sondazhi 2012: Ministria e Drejtësisë e para

598
Sigal

Sot kemi në dorë raportin që Gjyqtarët kanë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Cili është besimi që gjyqtarët kanë ndaj KLD në lidhje me procesin jetik për ta, procesin e promovimit të gjyqtarëve. Sigurisht që gjithë vitit është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe në konsolidimin e institucioneve në forcimin e shtetit të së drejtës, rezultate këtë që edhe në progres raport ishin evidente dhe që përshkruheshin në mënyrë të qartë në lidhje me forcimin e disa prej shtyllave kryesore siç është transparenca. Dhe aktiviteti i mëparshëm që u zhvillua me ambasadorin Cannon dhe z. Neza për transparencën në sistemin gjyqësor, për monitorimin nga publiku, për pjesën tjetër për sa i përket pavarësisë së institucioneve, për pjesën tjetër për shtyllën tjetër të eficencës një reformë që ne e kemi në proces. Ky sondazh vjen në kohë më të mirë pasi ne jemi në momentin e implementimit të një prej reformave më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, atë të rishpërndarjes së numrit të gjyqtarëve në gjykatat e vendit. Do të jenë 320 gjyqtarë, të cilët do të rishpërndahen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas një studimi që është kryer nga Ministria e Drejtësisë së bashku me EURALIUS dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Do të kemi një fizionomi të re të të gjithë gjykatave në vend, Bashkimi Evropian, në progres raportin e tij, e ka përkrahur këtë reformë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme, madje edhe të vonuar.  E kemi diskutuar këtë reformë edhe më parë me anëtarët e KLD-së dhe sigurisht kjo reformë nuk mund të vinte pa u krijuar më parë një sistem pikëzimi, një sistem të karrierës së gjyqtarëve në bazë të meritës në mënyrë që të mos kemi ato praktika, të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të kritikueshme dhe që kanë dëmtuar jashtëzakonisht sistemin, praktika që kanë synuar transferimin e gjyqtarëve jo në bazë të meritës, por në bazë të interesave të njërit apo tjetrit. Ndaj edhe unë në radhë të parë do të përgëzoj Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për një sistem jashtëzakonisht pozitiv që është implementuar, për promovimin e gjyqtarëve në bazë të meritës dhe profesionalizmit. Javën e ardhshme në KLD do të shqyrtojnë rishpërndarjen mbi numrin e gjyqtarëve ndaj është shumë e rëndësishme sot që të dëgjojmë nga Qendra për Transparencë dhe Informim të lirë se cili është perceptimi i gjyqtarëve, çfarë duan gjyqtarët nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, besimi i tyre tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mënyrë që promovimi i gjyqtarëve ashtu si dhe përgjegjshmëria e gjyqtarëve, proceset disiplinore duhet të jenë të qarta dhe transparente. Unë përshëndes edhe kërkesën e disa anëtarëve të KLD në mbledhjen e kaluar për të bërë sa më transparent të gjithë procesin e inspektimit. Përgëzoj nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili bëri të mundur që dosjet të cilat flinin në KLD për procedimet disiplinore te gjyqtarëve që prej dy vjetësh u vunë në lëvizje duke iu përcjellë ministrit të drejtësisë për procedim disiplinor Gjyqtarëve që ishin inspektuar nga KLD por që dosja e të cilëve prej dy vitesh qëndronte në KLD. Kjo tregon se gjithë ekipi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zv/kryetari së bashku me anëtarët, janë të vendosur drejt një procesi transparent në KLD nga njëra anë për të çuar gjyqtarët, të cilët kryejnë shkelje për t’i përballur ata me ligjin dhe kushtetutën dhe nga ana tjetër gjithë procesin e transferimit të gjyqtarëve dhe promovimit ta bëjnë bazuar mbi vlera, ta bëjnë bazuar mbi aftësi, ta bëjnë bazuar mbi meritën por sigurisht besoj se do të mirëpritet jashtëzakonisht mirë nga gjyqtarët dhe përgëzoj z. Neza për studimin dhe e ftojë atë së bashku me ambasadën britanike që mbas disa muajsh, ndoshta në mars të vit të ardhshëm, të bëjnë një sondazh të dytë për të parë se cili ishte perceptimi i tyre me gjendjen e marsin e vitit 2012 me një vit më vonë pas mbledhjes së ardhshme të KLD-së, mbledhje në të cilën do të ketë lëvizje të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Prandaj është shumë e rëndësishme, që të gjithë ta kuptojnë, se ne nuk jemi njerëz, institucione të mbyllura por monitorët e publikut, monitorët e institucioneve na vëzhgojnë. Prandaj është shumë i rëndësishëm ky perceptim që vjen sot, por do të jetë po aq i rëndësishëm edhe perceptimi që do të vijë në mars të vit të ardhshëm për të parë punën e cilido në KLD.