Kastriot MYFTARAJ/ Monika Stafa, kjo kamikaze intelektuale iraniane

2756
Sigal

Gazetarja shqiptare ka një profil të dyfishtë intelektual, njëri prej të cilëve wshtw ai i njw tw  infiltruare nga Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri

    Çfarë lidhjeje ka midis Monika Stafës dhe një femre fanatike islamike të mbuluar me ferexhe? Me siguri që atyre të cilët e njohin Monika Stafën nëpërmjet ekranit të Top Channel do t’u duket absurde kjo pyetje dhe do të përgjigjen pa ngurim se nuk ka asnjë lidhje. Do të thonë se Monika Stafa është modeli i femrës intelektuale shqiptare, me frymë perëndimore. Në dukje është vërtet kështu. Por Monika Stafa ka një profil të dyfishtë intelektual. Njëri është profili i krijuar me paraqitjet e saj në ekran, si folëse në edicionin e lajmeve të Top Channel dhe me emisionin e saj të përjavshëm, por edhe me artikujt e botuar në shtyp dhe me librat e saj. Profili tjetër i saj është i njohur vetëm për shumë pak njerëz, në duart e të cilëve qarkullojnë botimet e financuara nga Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Tashmë është bërë e qartë se edhe Irani ka një projekt të mirëpërpunuar për të krijuar ndikimin e tij në Shqipëri, në radhë të parë atë kulturor, duke përdorur atë trashëgimi persiane (Persia është emri i hershëm i Iranit) të ardhur në Shqipëri nëpërmjet kanaleve otomane. Por synimi i iranianëve është që të provojnë se lidhjet dhe ngjashmëria mes Iranit dhe Shqipërisë shkojnë edhe përtej periudhës otomane.

    Për këtë projekt Irani nuk i kursen paratë, duke kërkuar që të joshë njerëz me profil të lartë publik, për të qenë pjesë e këtij projekti. Një prej tyre është Monika Stafa. Paratë iraniane (dhe ato janë euro ose dollarë të ardhur nga shitja e naftës, jo monedhë iraniane), e kanë entuziasmuar aq shumë Monika Stafën saqë ajo ka vënë në punë fantazinë për të zbuluar lidhje mes Shqipërisë dhe Iranit, të cilat nuk kanë të bëjnë asfare me trashëgiminë perso-otomane në Shqipëri, por që zenë fill shumë kohë para saj. Kjo gjë kuptohet kur lexon “studimin” që ka botuar Monika Stafa në librin “Lidhjet shqiptaro-iraniane: studime të zgjedhura historiko-kulturore”, që është një botim i Fondacionit shtetëror iranian “Saadi Shirazi”. Në këtë libër Monika Stafa paraqitet me dy “studime”. I pari mban titullin “Toka dhe deti në mendësinë e persëve dhe shqiptarëve”. Është e vërtetë se Shqipëria ka të përbashkët me Iranin atë që të dy janë vende bregdetare, ngjashmëri që Shqipëria e ndan me pjesën më të madhe të vendeve të botës veç Iranit. Por Monika Stafa, për të justifikuar thesin me para që ka marrë nga Teherani, zhvillon mbi këtë ngjashmëri një teori sipas të cilës mes Iranit dhe Shqipërisë ka lidhje kulturore dhe shpirtërore të thella, që shkojnë madje deri te thelbi i eposeve të dy vendeve, Eposit shqiptar të Kreshnikëve dhe Shah Namesë iraniane. Monika Stafa shkruan:

    “Në përgjithësi në gjithë epikën legjendare kreshnikët, të cilët studiuesit i kanë quajtur kështu, sepse veten e quajnë thjesht ‘trima’, përballen me një demon tjetër, me armikun që vjen nga toka. Dhe kjo është fryma e përgjithshme që sundon edhe mendësinë shqiptare vertikalisht edhe në kohën e sotme. Pikërisht në këtë pikë nis ngjashmëria midis dy popujve, persëve dhe shqiptarëve, në mënyrën si i vendosin në kujtesën e tyre historike tokën dhe detin. Edhe në eposin heroik pers, në poemën e madhe ‘Shah Name’ të Firdusiut, përkthyer mjeshtërisht nga orientalisti Vexhi Buhara, ka shpesh shenja të rrezikut të ardhur nga deti dhe të demonizmit të tij, por rreziku i përhershëm alarmant i heronjve të Shah Namesë është ai që vjen nga toka, është ushtria e Turanit që shkatërron gjithçka që trashëgoi Irani në shekuj. Konflikti midis Iranit dhe Turanit është i njëjti si në eposin e kreshnikëve shqiptarë: është konflikti i vendësve me të ardhurit, është konflikti i zotërve të vendit me lakmuesit e trojeve të të tjerëve”. (“Lidhjet shqiptaro-iraniane: studime të zgjedhura historiko-kulturore”, Botim i Fondacionit kulturor iranian “Saadi Shirazi”, Tiranë 2010, f. 162)

    Por, ndryshe nga ç’thotë Monika Stafa këtu nuk ka një ngjashmëri specifike shqiptaro-iraniane, se është është një vërtetë e tejkohshme historike, që vendeve që gjenden mes bregdetit dhe një prapatoke të gjerë kontinentale, rreziku u ka ardhur kryesisht nga toka. Edhe Greqisë së Vjetër, ndonëse një vend me një bregdet të gjatë, të ekspozuar ndaj Imperisë Perse, rreziku pers i erdhi kryesisht nga toka, nëpërmjet Termopileve. Edhe Romës së vjetër, rreziqet më të mëdha i erdhën nga toka, duke nisur që nga galët, te kartagjenasit, e më pas te dyndjet barbare të gotëve dhe hunëve. Në këtë pikë që thotë Monika, Shqipëria ngjan me Iranin, po aq sa ç’ngjan me Gjermaninë, Vendet e Ulëta, Greqinë, Rusinë, Kinën, Italinë, Rumaninë, Finlandën, Francën, Korenë, Indinë etj. Ironia është se këtë gjë e pohon edhe vetë Monika në “studimin” e saj kur shkruan: “Sipas mendimtarëve të sotëm, e gjithë historia e njerëzimit nuk është gjë tjetër veçse një kronologji ekuilibrash dhe çekuilibrash midis fuqisë tokësore dhe fuqisë detare, midis hinterlandit dhe bregdetit”. (“Lidhjet shqiptaro-iraniane: studime të zgjedhura historiko-kulturore”, Botim i Fondacionit kulturor iranian “Saadi Shirazi”, Tiranë 2010, f. 160)

    Monika gabon vetëm në një gjë, kur këtë tezë ua atribuon mendimtarëve të sotëm. Në të vërtetë kjo është një tezë shumë e hershme dhe gjendet që në librat e historianëve antikë, që prej Thucydides (Tukididi) e deri te Admirali Mahan, që është elaboruesi i saj më i hershëm modern, dhe që ka jetuar në vitet 1840-1914, pra që nuk është asfare bashkëkohor, siç mendon Monika. Monikës as që i kanë shkuar ndonjëherë ndërmend ide të tilla në jetën e saj, por ato ia thotë mentori i saj, Shaban Sinani i cili është dhe redaktori shkencor (?!) i librit dhe kontribues në të me disa “studime”, duke nisur që nga parathënia, e shkruar në bashkëautorësi me drejtorin iranian të Fondacionit “Saadi Shirazi”.

    Monika, siç e citova më lart, kur përmend “Shah Namenë” na thotë se heronjtë e saj luftonin kundër ushtrive turanike. Ndërsa në rastin e kreshnikëve Monika nuk na thotë se këta luftonin kundër sllavëve, se atë e vetëfrenon autocensura antinacionaliste. Për hir të parave iraniane Monika mund të lavdërojë paksa Eposin e Kreshnikëve, por nuk mund të përmendë serbët si armiq historikë, se Monika në versionin tjetër të saj, si intelektuale kozmopolite do të shkojë të marrë para në ambasadat dhe fondacionet perëndimore në Tiranë. Po sikur për dreq, ndonjërit prej tyre t’i bjerë në dorë libri me “studimet” e Monikës për Iranin? Monika Stafa është një femër e zgjuar. Ajo e di shumë mirë se çfarë rrezikon duke bashkëpunuar me Ambasadën Iraniane në Tiranë. Se Irani nuk i shpenzon më kot paratë. Njerëzit si Monika i duhen Iranit që në rast se SHBA do të sulmojnë ushtarakisht Iranin për shkak të projektit të tij bërthamor, atëherë në vendet e tyre  këta njerëz duhet të shprehen publikisht në mbrojtje të Iranit. Ata do të jenë të detyruar që ta bëjnë këtë gjë, se Irani do të publikojë dokumente për paratë që ata kanë marrë dhe për të cilat kanë firmosur. Rreziku është i lartë, por ndjenja intelektuale e vetëmbrojtjes te Monika qenka definitivisht më e ulët se lakmia e saj. Që Monika ndjen një rrezik, kuptohet edhe nga fakti se ajo nuk e ka botuar këtë “studim” të sajin, ku ka bërë “zbulime” gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeokulturore, edhe në gazetën “Shqip”, ku ajo boton artikujt e saj. Arsyeja është e qartë: Monika nuk do që kjo anë e veprimtarisë së saj “intelektuale” të bëhet e njohur gjerësisht në Shqipëri. Kush i lexon botimet e Fondacionit “Saadi Shirazi”, mendon Monika, kur ato nuk gjenden as në libraritë kryesore të Tiranës. Ja, e ka për detyrë që t’i lexojë SHISH, për aq sa i lexon, por me ta Monika e ka rregulluar punën me kohë. Monikës do t’ i pëlqente që për aventurën e saj intelektuale iraniane të mos merrte vesh as Ambasada e Izraelit në Tiranë, se Monika dëshiron që njëkohësisht të jetë studiuese e preferuar e Iranit dhe e Izraelit në Shqipëri, pra e dy armiqve për vdekje. Pasi ka bërë shumë shkrime prohebreje, Monika tash së fundi po përgatitet për të doktoruar me një tezë me titull “Hebrenjtë në Shqipëri: 1933-1944”, të cilën pritet që ta botojë edhe si libër. Por, për fatin e keq të Monikës, Mossadi mëson gjithçka, dhe me sa duket ka mësuar edhe për lidhjet iraniane të saj, se Ambasada e Izraelit në Tiranë sillet ftohtë ndaj Monikës. Dhe Monika e vuan shumë këtë gjë, se ajo e ka paraqitur veten si një njeri me lidhje të posaçme në Izrael. Në 1 shkurt 2010 Monika ishte e ftuar në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, në Top Channel, me rastin e ditës së kujtesës për Holokaustin. Atje Monika arriti deri aty sa tё merrte dhe pozitёn e zёdhёnёses sё shtetit izraelit, duke thёnё se Izraeli sё shpejti do ta njihte pavarёsinё e Kosovёs! Në atë kohë unë kam shkruar se këtu do të ishim edhe vitin tjetër dhe do të shihnim se Izraeli nuk do ta kishte njohur pavarёsinё e Kosovёs! Izraeli nuk e njohu pavarësinë e Kosovës as në 2011, as në 2012, as në 2013 dhe Monika nuk e kujtoi më deklaratën e saj.

    Edhe në rastin e “studimit” të saj me titull “Toka dhe deti në mendësinë e persëve dhe shqiptarëve”, Monika nuk i ka rezistuar dot joshjes për të ushtruar vesin e saj intelektual që të përpiqet të tregojë erudicion, ndonëse duke e bërë këtë gjë bën marrëzi nga më të çuditshmet. Ia vleu koha e humbur duke lexuar “studimin” e Monikës, se në të gjeta këtë “perlë” të saj: “Analogjikisht, termi venetisht ‘legat’ me kuptimin ‘i dërguar’, ‘ambasador’, erdhi deri në shqipen moderne në formën ‘lugat’, që e shpërfaq drejtpërsëdrejti demonizmin e fuqisë së huaj të ardhur nga deti”. (“Lidhjet shqiptaro-iraniane: studime të zgjedhura historiko-kulturore”, Botim i Fondacionit kulturor iranian “Saadi Shirazi”, Tiranë 2010, f. 161)

Nuk di se çfarë të bësh kur lexon këto radhë, të qeshësh apo të qash. Se është për të qarë që autorja e këtyre radhëve është mbajtëse e një diplome dhe e një masteri që i ka marrë në Universitetin publik të Tiranës, Fakulteti i Filologjisë, Departamenti i Historisë. Ndryshe nga ç’mendon Monika, fjala “lugat” (demon i keq) nuk e ka origjinën nga fjala latine “legat”. Në gjuhën shqipe fjala arabe “lugat” ka ardhur nëpërmjet turqishtes gjatë kohës së pushtimit otoman, gjë që thuhet edhe në librin e Tahir Dizdarit “Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe” (f. 589). Nëse gjërat do të kishin ndodhur siç thotë Monika, atëherë në gjuhën shqipe duhet të ekzistonte edhe fjala “Lugatë” (shtëpi e lugatëve), e prejardhur nga fjala latine “Legatë”, me kuptimin e ambasadës.

    Për t’u dukur interesante, Monika ka botuar në librin “Lidhjet shqiptaro-iraniane” edhe “studimin” e saj “Rumiu dhe Hollivudi”. Edhe këtu Monika ka bërë disa marrëzi të çuditshme intelektuale. Unë do të përmend vetëm njërën prej tyre dhe ajo më duket e mjaftueshme. Monika shkruan: “Në të vërtetë karakterin e përbotshëm të artit që krijoi Rumiu, e pati shënjuar qysh në emrin me të cilin njihet. Në emrin e Rumiut bashkohen dy kontinente: Azia dhe Europa. Emri i tij parësor shprehimisht do të thotë ‘Madhëri e besimit’, ndërsa emri me të cilin njihet botërisht do të thotë ‘rum, që i përket Rumelisë’, domethën pjesës evropiane të ish-Perandorisë Osmane”. (“Lidhjet shqiptaro-iraniane: studime të zgjedhura historiko-kulturore”, Botim i Fondacionit kulturor iranian “Saadi Shirazi”, Tiranë 2010, f. 344-345)

    Sipas këtyre që thotë Monika del se ky poet na paska jetuar në Ballkan, gjë që nuk është e vërtetë. Rumiu lindi në Taxhikistan, në provincën Balkh, që është në kufi me Afganistanin, madje që pjesërisht sot gjendet në këtë të fundit. Rumiu nuk shkoi kurrë më tej se Anadolli lindor gjatë jetës së tij, pra as që i është afruar Ballkanit. Tani, që t’ia bëj të qartë lexuesit se si ngatërrohet Monika kur do që të tregojë erudicion dhe sa e madhe është gafa e saj, le t’ i marrim gjërat me radhë.

Xhalal ad Din Muhamad Balkhi, i mbiquajtur Rumiu jetoi në vitet 1207-1273. Sa kohë jetonte ai nuk ekzistoi Perandoria Osmane, madje vetë Osmani themeluesi i perandorisë ishte ende fëmijë kur vdiq Rumiu. Osmanët do të kapërcenin detin për të ardhur në Ballkan, vetëm tetëdhjetë vite pas vdekjes së Rumiut, në mes të shekullit XIV. Është e vërtetë se Ballkanin e pushtuar prej tyre osmanët do ta quanin Rumeli, që do të thotë “vendi i rumëve”. Por në kohën kur jetoi Xhalal ad Din Muhamad Balkhi, fjalët “rum” dhe “Rumeli” nuk shenjonin hapësirën ballkanase, por Anadollin e sotëm, domethënë pjesën aziatike të Turqisë së sotme, e cila në atë kohë ishte ende tokë bizantine. Me fjalën “Rum” arabët quanin banorët e Perandorisë Bizantine në pjesën aziatike të saj, fqinje me ta. Origjina e kësaj fjale ishte nga fjala “romaioi”, apo “romioi”, që ishte versioni në greqisht i fjalës “roman”, pra nënshtetas i Romës (Perandorisë Romane). Me përparimin e pushtimeve arabe, vendi i rumëve erdhi duke u ngushtuar deri afërsisht në kufijtë lindorë të Turqisë së sotme. Turqit paraosmanë (selxhukët) e morën nga arabët emrin “rum” me të cilin quanin bizantinët. Me fjalën Rumeli (vendi i rumëve) turqit quanin Anadollin e sotëm me të cilin kufizoheshin. Ky emërtim mbeti edhe pasi turqit selxhukë pushtuan një pjesë të madhe të Anadollit bizantin, duke nisur që prej rreth katër dekadave para lindjes së Xhalal ad Din Muhamad Balkhit. Ky i fundit emigroi në Sulltanatin e Rumit, që gjendej në Anadollin e sotëm lindor. Emërtimin “Rumi” Xhalal ad Dinit ia dhanë në Persi. Persianët i quanin “rumë” të gjithë ata që jetonin në ish trojet bizantine, pavarësisht se ishin muslimanë, ashtu si në Serbi sot të gjithë serbët e ardhur nga Kosova i quajnë “shiptarë” (shqiptarë), meqënëse ra fjala një provë kjo se serbët në subkonshin e tyre e pranojnë se Kosova është shqiptare. Lexuesi tani e ka të qartë se në origjinë të gafave të Monikës është pikërisht njohja e përciptë e historisë, për të cilën ajo e mban veten si eksperte.

    Monika pretendon se librat kanë qenë pasion i saj që në fëmijëri, por kur nis e na rrëfen se si vajzë e vogël, e pasionuar pas librave, hynte në librari, në kohën e regjimit komunist, bën gabime që tregojnë se ajo as që ka shkelur në librari. Në artikullin “Për Shqipërinë”, të botuar në gazetën “Shqip” para disa javësh, Monika shkruan: “Kur ime më, më dërgonte të psonisja dikur (unë isha më shembullorja në familje për detyrat që më ngarkonin) në më të shumtën e herëve duhet të ktheja kusur, si dhe shoqet e mia e bënin këtë gjë me shumë korrektësi. Unë jo, jo, sepse një ndjesi e natyrshme më lindte të hidhja sytë drejt rrugës që të çonte në anën e djathtë të saj. Pak metra më poshtë ishte libraria dhe teta Silva që të priste gjithmonë buzagaz. Me kusurin në dorë më organizonte përzgjedhjen më të fundit të një libri që kish ardhur nga Shtëpia Botuese, asokohe e vetmja në Tiranë e që quhej ‘8 Nëntori’, dita e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Kështu i harroja sytë nervozë të sime mëje, të cilët më kot prisnin sqarime. As nuk prekesha më nga vërejtjet e saj. Kënaqësia që do merrja pasi të lexoja librin e radhës, më bënte trime dhe moskokëçarëse në ‘operacionet’ e mia rebele të kësaj natyre”. (Gazeta “Shqip”, 20 shtator 2013, f. 8)

    Në të vërtetë, siç e di mirë çdo njeri që lexonte libra në kohën e regjimit komunist, shtëpia botuese “8 nëntori” botonte librat politike (të Enver Hoxhës, klasikëve të marksizëm-leninizmit etj.). Ishte një shtëpi botuese tjetër, me emrin “Naim Frashëri” ajo që botonte letërsinë, si atë shqipe ashtu dhe atë të përkthyer nga gjuhët e huaja. Pikërisht librat e kësaj shtëpie botuese të dytë supozohej se blinte Monika, dhe emri i kësaj shtëpie botuese të dytë duhet t’i kishte mbetur asaj i ngulitur në kujtesë, siç ndodhte me çdo njeri që blinte libra në atë kohë, se kjo ishte shtëpia e vetme botuese që botonte letërsi. Merret vesh, Monika nuk ka blerë kurrë libra. Një mënyrë e tillë të gënjyeri si kjo e Monikës është simptomë e një sëmundjeje që quhet mitomani. Është me të vërtetë e çuditshme që një njeri që shfaq simptoma të tilla është gazetare dhe folëse në edicionin informativ të një televizioni të rëndësishëm në vend.

    Profili i dyfishtë intelektual që ka krijuar Monika për veten (oksidentale në dukje dhe orientale në thellësi), shkon deri në atë pikë që psikoanaliza e përcakton si çrregullim personaliteti. Kështu, Monika në version oksidentale, në disa artikuj të saj e qorton Shqipërinë si arkaike (p.sh. te artikulli i saj “100 vjet Shqipëri patriarkale”), i botuar në 4 dhjetor 2012 në gazetën “Shqip”. Por Monika me dukje oksidentale është Monika e rrejshme. Monika e vërtetë është ajo orientale, e cila djalin e saj të lindur në vitin 1998 e ka quajtur me një emër arab: Aladin!!! Në Shqipërinë e vitit 1998 vetëm një familje fanatike islamike mund ta quajë fëmijën e lindur me një emër arab. Kur këtë gjë e bën një folëse e një televizioni të madh, kjo është njëjtë sikur ajo të dalë në ekran e veshur me ferexhe. Për mua, është më intelektualisht e ndershme një femër e mbuluar me ferexhe, e cila bëhet kamikaze, se kjo Monika, e cila nuk mban ferexhe, por bëhet kamikaze intelektuale iraniane. Që Monika është e vetëdijshme për dëmin që i bën shoqërisë shqiptare me veprimet e saj, kjo kuptohet nga fakti se në librin e saj “Gati për rinisje”, të botuar vitin e kaluar, ku ka përmbledhur përshkrimet që u ka bërë udhëtimeve të saj jashtë vendit, mungon vetëm përshkrimi i saj për udhëtimin në kryeqytetin që sponsorizoi studimet e saj për lidhjet shqiptaro-iraniane, pra në Teheran. Në kryeqytetin e Iranit “studiuesit” që kontribuan në librin “Lidhjet shqiptaro-iraniane” u pritën si elita intelektuale e Shqipërisë, dhe vetë Monika si një historiane e shquar, çfarë nuk është, dhe si një personalitet mediatik, çfarë është.

Nëse libri i Monikës “Gati për rinisje” nuk na shërben për të zbuluar misteret e saj iraniane, ai na shërben shumë për të zbuluar çrregullime të tjera të personalitetit të saj. Në libër gjendet edhe shkrimi “Një takim i beftë me këngët antifashiste”, ku Monika tregon për një eksperiencë të saj gjatë një udhëtimi në Gjermani për të marrë pjesë në një nga ato takimet e panumërta demagogjike të turizmit të shoqërisë civile, që njerëzit si Monika e kanë shndërruar në aset, ajo debatoi me pjesëmarrës nga vende të tjera për një këngë partizane shqiptare (‘Bashkohi shokë me ne në çetë’), për të cilën një indian i thoshte se ishte këngë e njohur polake: ‘This is an Albanian song from the antifascist war?’- pyeti indiani i çuditur, madje dhe me një nënqeshje të lehtë. ‘Surely’- u krekosa sikur të ma kishte rrëmbyer njeri këngën time, me të cilën isha rritur shkallëve të Pallatit të Pionierëve në mes të Tiranës.” (Monika Shoshori Stafa, “Gati për rinisje”, Shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2012, f. 214)

Në fakt kot grindeshin të dy, indiani dhe Monika, se të dy kishin të drejtë, në kuptimin që kënga ishte shqiptare, aq sa ç’ishte edhe polake. Nëse aty do të kishte qenë një serb, do të ishte betuar se kënga ishte serbe. Arsyeja ishte se kjo këngë ishte në fakt një këngë partizanësh rusë të Uraleve, në kohën e Luftës Civile në Rusi. Emisarët e Kominternit e çuan më pas këngën në Poloni, Shqipëri, Jugosllavi etj. Mund ta kishin çuar edhe në Indi në rast se Stalini nuk do të kishte qenë aq diskret, duke mos e ngacmuar Perandorinë Britanike, pjesë e së cilës në atë kohë ishte India. Atëherë kolegu indian i Monikës do të betohej se ajo ishte këngë indiane. Duket hipokrizi e pastër gjithë ky përkushtim që tregon Monika për këtë këngë kur ajo vetë na tregon në një intervistë në revistën “MAPO” në 11 nëntor 2012 “Si ma refuzuan daljen në ekran për shkak të babait në burg”. Tekefundit, me të tilla këngë erdhi pushteti që futi në burg për arsye politike babain e Monikës dhe e lëndoi vajzën e vogël të talentuar, në emër të parimit të përgjegjësisë kolektive. Ka diçka intelektualisht perverse, diçka pavlikmorozoviane, në nostalgjinë e Monikës për këtë këngë, në krejt antifashizmin e Monikës. Shkurt, një çrregullim të qartë personaliteti. Ndoshta Monika është ushqyer me antifashizëm në familjen e burrit të saj, që është nipi i Qemal Stafës por edhe kjo është një rrethanë që flet kundër përkushtimit antifashist të Monikës. Qemal Stafa, i cili e deklaroi publikisht veten si komunist në gjyqin e komunistëve, në 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste mori një bursë shtetërore për të studiuar për jurist në Universitetin e Firences, aq të lakmuar edhe nga vetë italianët. Derisa regjimi fashist e toleronte madje e shpërblente kundërshtarin politik, regjimi antifashist nuk toleronte as që një adoleshente babai i së cilës ishte i dënuar si kundërshtar politik, të merrte pjesë në një shfaqje televizive fëmijësh. Mund të merret me mend lehtë se kjo vajzë nuk do të kishte mundësi që të merrte asnjë të drejtë studimi universitar nëse do të kishte vazhduar të ekzistonte ai regjim. Në këtë rast Monika do të kishte qenë një punëtore e thjeshtë në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov” dhe vështirë se do t’i ngjallte ndonjë emocion pozitiv kënga “Bashkohi shokë me ne në çetë” kur ta dëgjonte.

    Monika antifashiste prej disa vitesh ka nisur që t’i firmosë shkrimet e saj në shtyp me të dy mbiemrat e saj: Monika Shoshori Stafa. Mbiemri “Shoshori” supozohet që të jetë ai i vajzërisë. Them supozohet se në fakt edhe këtu ka një gjë që nuk shkon sepse në regjistrin e gjendjes civile, si mbiemër i vajzërisë i Monikës, figuron ai “Sheshari”. Ky është edhe mbiemri që mban babai i Monikës, gjithnjë sipas dokumenteve (Zenel Sheshari). Në të vërtetë, asnjëri prej dy mbiemrave, as ai “Shoshori” dhe as ai “Sheshari” nuk janë mbiemri i vërtetë i Monikës. I ati i Monikës ka lindur në fshatin Gjeçaj (Prezë) të Tiranës ku nuk ekziston as mbiemri “Sheshari” dhe as ai “Shoshori”, por vetëm mbiemri “Sheshori”, që është shumë i përhapur. Babai i Monikës, një burrë i nderuar, ka lindur në katundin Gjeçaj si Zenel Sheshori dhe me këtë mbiemër është arrestuar dhe dënuar nga regjimi komunist. Nëse familja e Monikës e ndryshoi mbiemrin pasi i hyri i ati në burg, siç bënin edhe të persekutuar të tjerë politikë, a nuk do të kishte qenë me vend që Monika të dilte nga ky lloj ilegaliteti i imponuar pas vitit 1990 dhe të rimerrte mbiemrin e parë? Këtë e them meqënëse ajo i firmos shkrimet e saj me dy mbiemra. Pra, duhej që të firmoste si Monika Sheshori Stafa. Se për ç’arsye Monika është ilegale si misionare iraniane, kjo nuk është e vështirë të kuptohet. Por se për ç’arsye Monika Sheshori është ilegale edhe sot pas mbi njëzet vitesh qëkurse ka rënë regjimi, që e detyroi të ndryshonte mbiemrin në “Shoshori”, kjo është me të vërtetë një top story, nëse do të shprehem me titullin e një emisioni të televizionit të saj. Qemal Stafa nuk u bë Qemal Stufa për të marrë bursën në Universitetin e Firences, në Italinë fashiste.

Në librin e Monikës “Gati për rinisje” do të gjeni përshkrime të udhëtimeve të saj në fshatra të ndryshme të Shqipërisë, duke përfshirë dhe fshatra të Tiranës (“Një kafe në Ndroq” etj.). Por në librin e Monikës nuk do të gjeni një shkrim të tillë për Prezën. Arsyeja është e qartë për atë që e njeh mirë Monikën. Ajo nuk dëshiron të thotë se nga një katund pranë Prezës, me emrin Gjeçaj, e ka origjinën ajo vetë dhe se atje ka lindur i ati i saj. Monika nuk dëshiron ta pranojë se është vetëm brezi i parë i qytetarit në familje. Njerëzit me mani të tilla bëjnë gafa nga më të çuditshmet në përpjekjet për t’u dukur super të qytetëruar dhe Monika është shembull për këtë. Monika, e cila çdo vit në janar nuk harron të bëjë nga një shkrim për Holokaustin me rastin e Ditës së Kujtesës, duket se nuk gjen kohë për të kujtuar mbiemrin e vet. A nuk duhet t’i shërbejë dita e kujtesës Monikës për të kujtuar mbiemrin e saj të cilin e ka “harruar”?