Jovan Bizhyti: Pse e kemi ulur kaq poshtë figurën e kandidatit për Deputet?

10
Sigal

Nga përvoja e parlamentit të parë, janë konstatuar të pakët figurat e deputetëve që diskutojnë e ngrenë probleme, ku shumë prej tyre shkojnë veç sa për të ngritur dorën për miratim. Është futur një frymë e keqe në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, ku kryetarët e partive, veçanërisht dy partitë e mëdha, i ndajnë kandidaturat, disa të preferuarit e kryetarit, që rreshtohen në listat e mbyllura pa u ballafaquar me zgjedhësit dhe të tjerët në listat e hapura.

Parlamenti është forumi legjislativ më i lartë i një shteti demokratik, ku bëjnë pjesë njerëzit më të zgjedhur e më të aftë të shtresave të shoqërisë. Ai është një nga pushtetet më demokratike, në krahasim me pushtetet e tjera, për faktin se pjestarët e tij, deputetët, janë të vetmit nga të gjitha pushtetet që i nënshterohen gjykimit të popullit, verdiktit të votës nëpërmjet zgjedhjeve të lira e demokratike.

U bënë tashmë rreth 35 vjet të ndryshimeve demokratike, që Shqipëria zhvillon zgjedhje të tilla të lira, konkuruese dhe demokratike, pavarësishtë mangësive që vrehen herëpashere nga zgjedhjet në zgjedhje. Parlamenti i parë pas zgjedhjeve të vitit 1992, që konfiguroi të parin parlament pluralist në Shqipëri pas ndryshimeve të sistemit, mund të themi se solli cilësisht jo vetëm pluralizmin politik të mendimit të lirë e konkurues, por cilësisht u duk dhe përzgjedhja e përfaqësimi intelektual i deputetëve, radhët e të cilëve ishin mbushur me shkencëtarë të fushave të ndryshme, me mjekë të shquar, inxhinjerë, juristë, pedagogë, pse jo dhe të shtresave të puntorëve e fshatarëve, sigurisht të përzgjedhur edhe nga niveli intelektual. Pra, pa frikë mund të themi se ai ka qenë parlamenti me përfaqësim më cilësor, pasi ende nuk ishin mësuar pelivanllëqet e mëvonëshme të blerjeve të mandateve, të vjedhjes e shit-blerjes së votës, servilizmit ndaj kryetarëve të partive e tjera, që nisën të praktikohen vite më vonë.

Megjithatë, nuk dua të ndalem në analizën e viteve të jetës parlamentare pluraliste, e cila ka zig-zaket e veta, por dua të theksoj faktin që niveli i parlamentit me mandatet ndër vite, ka ardhur në ulje jo vetëm të nivelit politik e intelektual, por dhe të personalitetit të deputetit, rroli i të cilit kërkohet të jetë sa më i lartë, sa më i besuar, e sa më përfaqësues i shtresave të popullit. Të vjenë keq kur sheh shpesh që zyra e deputetit në zonat e zgjedhura shpesh kthehet në zyrë punësimi për militantët, apo që pas zgjedhjeve nuk shihet më fytyra e tij në popull për njohjen me problemet dhe zgjidhjen e tyre.

Në zgjrdhjet e 11 Majit të këtij viti 2025, pas përfundimit të numurimit të votave si brenda vendit dhe të diasporës, u konstituan 140 deputet, nga të cilët 83 deputet u zgjodhën nga PS-ja, 50 deputet nga PD-ja, 3 deputet PSD-ja, 2 deputet partia “Mundësia” dhe nga 1 deputet, partia “Shqipëria bëhet” dhe “Lëvizja bashkë”. Sipas kritereve të vëna, PS-ja ka në përbërje 48 deputet meshkuj dhe 34 femra, nga të cilët 53 deputet janë të rinjë e të reja që futen për herë të parë në parlament. Në garën e zgjedhjeve, kjo parti vendosi 46 kandidat në listën e mbyllur dhe 37 në listën e hapur. Ndërsa nga PD-ja fituan në zgjedhje 43 deputet nga lista e mbyllur dhe 7 nga lista e hapur, nga të cilët 13 deputetë janë gra dhe 37 janë burra, ndërsa të rinjë janë 14 deputetë që ulen për herë të parë në parlament. Mesa duket, në listat e PD-së ende nuk është reflektuar në kriteret e duhura.

Nga përvoja e parlamentit të parë, janë konstatuar të pakët figurat e deputetëve, që diskutojnë e ngrenë probleme, aq më tepër në komisionet ku diskutohen e korigjohen imtësisht ligjet që i paraqiten parlamentit, ku shumë prej tyre shkojnë veç sa për të ngritur dorën për miratim. Eshtë futur një frymë e keqe në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, ku kryetarët e partive, veçanërisht dy partitë e mëdha, i ndajnë kandidaturat, disa të preferuarit e kryetarit, që rreshtohen në listat e mbyllura pa u ballafaquar me zgjedhësit dhe të tjerët në listat e hapura për t’u përzgjedhur nga votuesit. Kjo është një farsë që i është arnuar kodit zgjedhor dhe megjithëse thuhet herë pas here që të ndryshohet, kryetarët e mbajnë si as nën mëngë për të preferuarit e mburojës së tyre. Shifrat e mësipërme ku shumicën e deputetëve të zgjedhur e zënë listat e mbyllura të përzgjedhurit e kryetarëve, tregon se kjo shumicë vazhdojnë të zgjidhen pa garë, vetëm me votat e partisë.

Në parlamentin e këtyre zgjedhjeve, partia socialiste ka bërë përpjekje për ta rinovuar listën e mbyllur të preferuarve të kryetarit, ku zënë vend shumë figura të reja, ndërsa partia demokratike ka ruajtur me fanatizëm korracën e “besnikëve” të kryetarit, për të cilën shpesh opinionistët e kanë cilësuar edhe si, “lista e humbjes” së PD-së. Shifrat ku PS-ja në këto zgjedhje e rinovoi grupin e saj parlamentar me 53 deputetë të rinjë që ulen për herë të parë në parlament, ndërsa PD-ja e ka rinovuar me 14 deputetë të rinjë, tregon se rinovimi i politikës ende frenohet nga fanatikët besnikë të kryetarit. S’ka pse të ketë dy lista, fushata duhet të jetë e barabartë, e hapur dhe konkuruese për të gjithë deputetët, e jo disa të “nënës”, e disa të “njerkës”!

Figurën e kandidatit për deputet, veçanërisht në këto zgjedhje, e kanë ulur shumë poshtë jo pak kandidatura me precedent penal nën hetim nga drejtësia, pavarësisht justifikimit se janë të pa dënuar, ndaj tyre ka ndjekje penale, dyshohet për krime kryesisht për korrupsion. Disa të tillë janë në listat e PS-së, por jo pak dhe në PD. Eshtë e pa tolerueshme që në listën e PD-së u fut si kandidat për deputet edhe Ilir Meta, që aktualisht është i arrestuar në burg, me pretendimin për ta nxjerë nga burgu! Populli e dha verdiktin e tij, por për partinë që e kandidoi është një minus i madh, që ndikoi në një farë mase dhe në rezultatin final. Në këtë parti ka ndikuar jo pak dhe vet figura e Zotit Berisha, që është person nën akuzë nga drejtësia shqiptare, pavarësisht akuzave që mbartë shpallja “Non grata” nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Këmbëngulja për të futur në parlament figura të dyshuara për korrupsion dhe krime të tjera nën hetim nga drejtësia, tregon se shpesh parlamenti është kthyer në një strehë ku gjejnë mbrojtje “imuniteti” njerëzit e inkriminuar. Dhe kjo sigurisht e ka ulur shumë figurën e dinjitetin e ligjvënësve.

Figurën e deputetit në shumë raste e kanë ulur dhe sjelljet e dhunëshme jashtë dhe brenda parlamentit, siç ka ndodhur në parlamentin e parë me flakadanë, djegie karrikesh, deri dhe raste të dhunës fizike, shfaqe që u demostruan dhe në fushatën e 11 majit. Kjo ashpërsi e një klime të tensionuar, u duk gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ku veçanërisht liderët e dy partive të mëdha, Rama dhe Berisha, përdorën fjalorë të rënd ndaj njeri-tjetrit si, “Buf kënete”, “Plak i rrjedhur”, harrojnë se pleqëria vjenë për të gjithë, apo e kundërta ndaj PS-së, që u quajtë “Organizatë terroriste”, “Banda kriminale grabitëse të votave” e tjera, e tjera. Eshtë për të ardhur keq, kur pak ditë më parë, një grua e shkolluar që e mbanë veten për artiste, kandidate për deputete e PD-së, që nuk arriti të fitonte votat e nevojshme, akuzoi hapur në një intervistë popullin që nuk e votoi, duke e etiketuar, “Dele” dhe përdori shprehjen, “Më vjen turp që jam nga jugu i Shqipërisë”! Ndodh edhe kështu, kur të verbon militantizmi i tërbuar! Kjo kategori kandidatësh, si dhe mbi 50 të tjerë, pas numurimit të votave, doli se nuk kishin marrë as dhe një votë, del që nuk kanë votuar as veten e tyre, familja dhe shoqëria jo e jo!

Pavarësisht se dita e zgjedhjeve dhe numurimi i votave kaluan të qeta e pa tensione, rezultati final i humbjes vazhdon të kontestohet nga PD-ja, e cila në vazhdën e humbjeve të njëpasnjëshme, asnjëherë nuk e sheh disfatën dhe dobësitë ndaj vetes, por gjithnjë ndaj kundërshtarit, duke e akuzuar fituesin për vjedhje masive të votave. Po në rrethet e veriut, në Shkodër, Lezhë, e Kukës, ku zgjedhjet i fitoi PD-ja, pse nuk vepruan bandat grabitëse dhe presioni i administratës shtetrore? Pra, zgjedhje perfekte nuk ka dhe zor se do ketë, por mund të kontestosh një qëndër votimi, një zonë, një qytet apo një qark, por jo të refuzosh humbjen e thellë totale si brenda dhe jashtë vendit në diasporë! Si mund të akuzosh se votat u blenë dhe në diasporë, u blenë në Amerikë, në Kanada, në Ballkan dhe në gjithë Europën?!

E pa justifikushme është dhe rinumurimi i votave nga gara midis kandidatëve, kolegë brenda një partie, me dyshimin se i kanë vjedhur votat njeri-tjetrit! Më e theksuar kjo u duk midis disa kandidatëve të PS-së. Të thuash se ndodhi midis dy kandidatëve të rinjë, që janë të etur për t’u ulur në karriken e deputetit, mundet edhe të jetë e justifikuar, por të ketë xhelozi e dyshime midis kandidatësh që kanë një jetë të tërë në karriket e parlamentit dhe kërkojnë me çdo kusht të gjejnë sikur edhe një votë gabim, është njëllojë sikur të kërkosh “qimen në qull”. Janë disa deputetë senator veteranë të parlamentit, që kanë hyrë fare të rinjë në atë tempull dhe po thinjen për të dalë në pension po deputet! S’u bë qameti se s’u zgjodhe më, firmos borderonë e rrogës edhe në një punë tjetër, provoje dhe njëherë jetën e popullit të thjeshtë o zoti deputet!

Nëse pranon se çdo i zgjedhur është shërbetor i popullit, të cilën edhe deputetët tanë e trumbetojnë me të madhe në fushata zgjedhjesh, atëhere shërbeji popullit me përkushtim jo vetëm për kohën kur je në parlament, por po ashtu të angazhohesh edhe kur nuk zgjidhesh, duke qenë i devotshëm dhe në detyra të tjera. Bile figura dhe karakteri i njeriut njihet më mirë atëhere kur ai zbret nga karrikia dhe bashkohet me masën e popullit të thjeshtë. Një ish deputeti të njohur që u ligështua pse nuk u rizgjodh sërish, i dërgova një mesazh në vargje:

 

Si pa pritur zure mik një kryetar,

që të bëri deputet o miku im!

S’ta dëgjova njëherë zërin në kuvend;

në seanca shkon veç sa për votim.

 

Nuk ka gjë pse unë jetoj me një pension

dhe fëmijëve nuk u lash unë pasuri.

Kaq munda në këtë jetë të punojë;

shkojë i ndershëm nga kjo botë si njeri.

 

Ti me drogë e korrupsion je pasuruar;

trotuareve celularin mbanë në vesh,

shtoi pronat dhe makinat familjare,

drejtësinë prapa veshit do ta kesh.