Nga Prof. Kastriot Islami
Nuk do të jap asnjë recetë se ç’duhet bërë por vetëm t’i bëj me dije publikut tonë sesi ka komunikuar për çështjen e krizës së COVID-19, mbrëmë me francezët, Presidenti Makron…
Do të thotë dikush se çfarë na duhen këto, s’kemi përse mësojmë nga Franca?!
Përgjigja është e thjeshtë: vetëm për krahasim, sepse secili ka mendjen e tij e ka të drejtën të ruajë mendimin e tij. Për më tepër që tek ne gjithçka parafabrikohet e serviret thjesht si propagandë vetëm nga një individ që të gjithë e kanë të qartë se çfarë di, çfarë thotë dhe sesi sillet?! Më konkretisht, ja disa prej tyre:
1. Makron, që nga fillimi i aplikimit të masave të forta, në 16 mars 2020, ka dalë në televizor për të komunikuar me qytetarët vetëm 3 herë. Komunkimi serioz është bërë jo nga shtëpia e tij por përmes medias nga zyra e tij presidenciale. Ndërkohë që sipas edhe shpjegimeve të dhëna prej tij apo këshilltarëve të tij, gjithçka i ka komunikuar publikut është konsultuar më parë i) me të gjithë ekspertët dhe akademikët; ii) me grupet e interesit; iii) me forcat politike e përfaqësuesit e sindikatave; iv) me qeverinë; v) duke studiuar përvojën më të mirë të vendeve të tjera; dhe vi) në bashkëveprim, bashkëpunim e komunikim të përditshëm e transparent me qytetarët…
2. Makron ka deklaruar se rreth 2 muaj pas “izolimit total” në 16 mars 2020, do të fillojë kthimi gradual dhe i diferencuar në normalitet, në 11 maj 2020. Ka pasur gjatë të gjithë javës së fundit një debat në media, ku janë angazhuar të gjithë llojet e ekspertëve, nga virologë e epidemiologë, ekonomistë, akademikë e nobelistë, psikologë e psikiatër, e deri politologë e politikanë…që kanë sugjeruar se nga njëra anë francezëve duhet t’u sqarohet rëndësia e madhe e qëndrimit në izolim por nga ana tjetër ata presin një datë të qartë se kur do të mund të dalin nga ky izolim strikt. Të gjithë ngulnin këmbë për një “datë të saktë” jo evazive. Dhe mesa duket prandaj Makron ka deklaruar datën 11 maj 2020. Por nga ky moment nuk do të ketë asnjë masë shtesë.
3. Makron ka deklaruar se sipas mendimit të shkencëtarëve, edhe pas 11 majit 2020, “virusi do të vazhdojë të qarkullojë..”, prandaj s’do të mund të imagjinohen për një fare kohe masa për “rikthim të plotë në normalitet”. E vetmja mënyrë për t’iu shmangur kontakteve me virusin do të mbetet zgjatja e arsyeshme e masave të “distancimit social”, pra të gjithë duhet të përgatiten të “bashkëjetojnë edhe për një fare kohe me virusin”, kohë që mund të jetë disa muaj.
4. Makron në kontakt me ekspertët e fushës ka qënë shumë i qartë përsa i përket çështjes delikate e të debatueshme të “gjurmimit të qytetarëve” për GPS: i) kjo krizë në asnjë rast s’do të dobësojë aspak demokracinë dhe s’do të kafshojë të drejtat themelore; ii) nëse do të pranohet ky opsion ai do të jetë vullnetar dhe pa asnjë pasojë për të ardhmen; iii) gjithçka do të vendoset pas një debati transparent në parlament e të aksesueshëm nga publiku.
5. Makron ka urdhëruar qeverinë që pas 15 ditësh të publikojë planin e veprimeve për pas 11 majin 2020. Qeveria dhe autoritetet vendore do të vlerësojnë situatën çdo javë për të marrë vendimet e duhura për fazat pasuese.
6. Markon ka deklaruar se pas 11 majit do të fillojë hapja progresive e kopshteve e çerdheve, e shkollave të mesme dhe atyre të ciklit të ulët, kurse hapja e universiteteve duket se s’do të mund të ndodhë para verës. Për masat më konkrete ka ngarkuar qeverinë që të marrë të gjithë vendimet e nevojshme për të implementuar këto masa.
7. Makron ka deklaruar po ashtu se “s’do të ketë hapje të aktiviteteve ku ka pjesëmarrje të një numri të madhe qytetarësh”, deri në një datë të dytë pas 11 majit. Më konkretisht, s’do të hapen baret, restorantet, kafet, hotelet, kinematë, teatrot, sallat e spektakleve, muzeumet…”. Kurse festivalet e evenimenet ku ka grumbullime masive do të mund të zhvillohen vetëm duke filluar nga mesi i muajit korrik.
8. Makron ka qenë shumë i qartë edhe për çështjen e “testimeve dhe maskave”. Përderisa nuk do të ketë një vaksinë për të gjithë dhe medikamente për të shëruar sëmundjet e shkaktuar nga COVID-19, kthimi progresiv në normalitet do të mund të realizohet a) duke “i bërë testin e identifikimit të pranisë së virusit çdo personi që ka simptoma apo shenja të COVID-19; numri i testeve është planifikuar të rritet çdo javë në mënyrë të konsiderueshme”; b) duke mbajtur gjatë të gjithë kohës kudo maskën për përdorim publik. Franca me një popullsi prej 65 milion banorësh, ka siguruar 40 milion maska që vijnë çdo javë nga Kina përveç që një pjesë e madhe e tyre do të prodhohen në Francë…Po ashtu janë marrë masat për testin e imunitetit për një sasi sa më të madhe qytetarësh…sepse mendohet që kjo do të ndihmonte qeverinë për hartimin e planit të diferencuar të daljes nga izolimi.
9. Makron, duke shprehur të gjithë shqetësimin e tij, ka deklaruar se “personat më vunerabël, pra personat që vuajnë nga sëmundje të rënda kronike, ata me aftësi të kufizuar, të moshuarit”, do të duhet të qëndrojnë të izoluar më shumë se të tjerët, pra edhe pas 11 majit 2020, sepse nga të dhënat shkencore e nga statistikat rezulton se virusi ka prekur një numër të lartë prej tyre madje edhe numri më i lartë i vdekjeve është nga kjo kategori e popullsisë.
10. Makron ka bërë publik programin special financiar për bizneset që do të preken rëndë e për një kohë të gjatë, si turizmi, hoteleria, restorantet, kultura, eventet masive e tjerë; për to do të hiqen ngarkesat fiskale dhe po mendohet për një ndihmë specifike. Po ashtu Presidenti i ka kërkuar qeverisë të programojë “ndihma speciale pa afat” për “të gjitha familjet në gjendje të vështirë ekonomike dhe studentët në gjendje pamundësie financiare për të jetuar larg familjeve.” Po ashtu ai ka deklaruar se do të “vazhdojë ndihma speciale financiare” e cila do të rritet për ndërmarrjet e prekura rëndë duke ju paguar punëtorët në “papunësi të pjesshme” por edhe duke i dhënë edhe financime…