Partizan Myftari/ Revolucioni i lëvizjes me pesë yje? Shqipëria dhe Rilindja Italiane

554
Sigal

JEAN LASSALLE një parlamentar i Asamblesë Parlamentare Franceze në datën 9 maj gjendej në Napoli dhe ndiqte aktivitetin e Lëvizjes me Pesë Yje me zgjedhësit e saj për votimet e 25 Majit. Duke folur për praninë e tij në qytetin e Napolit, parlamentari francez i tha njërit prej deputetëve të kësaj lëvizjeve Luigi di Maio, lindur në Pomiglianio d’Arco, afër Napolit, një nga nënkryetarët e Parlamentit italian, se jemi duke studiuar dukurinë tuaj, për të cilën po flitet në gjithë Evropën.

Po kush e nxiti këtë domosdoshmëri shoqërore për lindjen e kësaj lëvizjeje?!

Kriza e thellë ekonomike që ka përfshirë Evropën, po ta shikojmë thelbësisht, zhveshur për një çast nga uria, nuk është në të vërtetë ekonomia, por kriza Morale, identiteti i institucioneve sociale, vetë njeriu me egoizmin e tij…

Ndryshimet e mëdha sociale pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore sollën disa ekuilibre sociale dhe si rrjedhojë edhe zhvillimet ekonomike sociale patën një rritje të admirueshme… Në ecje, paralel me humanizmin social, u zhvillua me shumë edhe egoizmi individual social për t’u pasuruar e pasur pushtet edhe me mënyra të jashtëligjshme… Burokracia e tmerrshme në të gjitha shkallët e institucioneve ushqeu deformimin social dhe prishja e raporteve ekonomike midis pushtetit, klasave politike, grupeve sociale. Të gjitha këto nuk udhëtuan kurrë së bashku mbi peshoren e një arsye… E, çuditërisht, tani në fillim shekulli Europa është në kufijtë e maksimumit të plakjes së saj morale institucionale… Vetë politika lëviz si një makinë e vjetër e zhytur në një baltë të rëndë korrupsioni. Institucionet dhe Shtetet e së Drejtës janë bërë anemike dhe funksionojnë vetëm për inerci. Nuk mungojnë realisht të ardhurat globale, ekzistenca në vlerë e pasurisë evropiane. Ajo është, por gjithë kjo pasuri tashmë është hedhur në lakun e lobeve, të shoqërive multinacionale të bankave, të cilat mrekullisht gjithë veprimtarinë e tyre, herë në mënyrë ligjshme dhe herë në mënyrë të paligjshme, kërkojnë, nxiten dhe ngulmojnë, ta justifikojnë edhe nëpërmjet rrugës institucionale me politikat e vendeve përkatëse e gjer edhe tek qeveria hije e Brukselit… Që kërkon të nxisë vlera, edhe pse shpenzimet e saj janë marramendëse. Kriza e thellë, varfëria, mbyllja e shumë vendeve të punës, vetëvrasjet, shkalla e lartë e korrupsionit ka ndërgjegjësuar popujt dhe i ka detyruara ata të humbin shumë besimin tek klasa politike në të gjithë Evropën. Ne kemi kthyer kokën nga ajo e po rendim drejt saj, sepse akoma përfytyrojmë kohën e mbjelljes së vlerave. Kjo kohë, sot, ose ka mbetur në vend, ose është venitur tmerrësisht dhe vazhdon të funksionojë për shkak të disa rregullave institucionale si pjesë e fasadës. Politikat e ndjekura (të detyruara nga bankat, multinacionalet dhe korrupsioni) tashmë po i krehin flokët e thinjura Evropës plakë. Një copë krerë të ndryshkur kanë marrë në dorë edhe politikanët shqiptarë që më shumë se sa të lidhur me popullin kanë miqësi me krimin e të gjitha niveleve, e po nxiten t’i krehin flokët kësaj Europe të shpërfytyruar moralisht. Biles, shpesh, shkoj gjer atje me mendimin tim se politikanët shqiptarë me sjelljet e tyre (me përjashtime të rralla) kanë veshur kostumet më të këqija të kësaj Europe të trazuar…. Vendet e vogla i ndjejnë shpesh krizat më shpejt… Greqia, Spanja dhe tani e ka radhën Italia. As Franca nuk është në ditët e saj të mira. Anglia ende nuk e ka forcuar besimin për monedhën evropiane, por luan aktive brenda saj. Në gjithë këtë krizë (është më shumë se sa shfaqet) lindi si domosdoshmëri prej disa vitesh Lëvizja me Pesë Yje në Itali. Në fillim e kanë parë me dyshim, por tani është bërësi uragan. Klasa politike e vjetër italiane (e majtë dhe e djathtë) e shikon me frikë dhe ka nxjerrë në fushë gjithë arsenalin e saj intelektual, mediat dhe po tenton të bëjë reforma institucionale për të rifituar besimin e humbur… Skandalet e korrupsionit të ditëve të fundit si arrestimi i ish ministrit të brendshëm Claudio Scaiola, dënimi në mënyrë definitive i dy deputetëve të djathtë, aleatë të Berluskonit, goditja e një kupole ekonomike në Milano që me tenderët vidhnin në mënyrë të çmendur, kërkesa për arrestimin e një tjetër deputeti të majtë nga ana e gjykatës në Genova, duket sikur kanë forcuar bindshëm elektoratin e Lëvizjes me Pesë Yje. Ata kanë më shumë se dhjetë milionë votues dhe tani pritet të dalin forca e dytë politike në vend. Kujdesi i kësaj lëvizjeje që politika e vjetër e quan populiste, është që në të zgjedhurit e saj, të mos ketë asnjë të dënuar. Kandidatët e kësaj lëvizjeve janë të rinj intelektualë e pa asnjë lloj kompleksi. Njohin mirë situatën politike, hallet e qytetarëve italianë ashtu siç njohin po aq mirë edhe implikimin e shumë politikanëve italianë nga kasta e vjetër për raportet e veprimtarinë e tyre të paligjshme, korruptive, mafioze në dëm të popullit dhe Shtetit Italian. Kjo Lëvizje politike, e nisur dhe ideuar nga komiku profesionist Beppe Grillo, tashmë ka fituar terren jo vetëm për shkak të krizës, por edhe për paaftësinë e vetë klasës së vjetër politike, për të nxjerrë vendin nga kriza. Kryeministri aktual, ish kryetari i bashkisë së Firences, Renzi, me gjithë përpjekjet e tij, duke formuar një kabinet të ri qeveritar me fytyra të reja nuk po mundet të çajë, sepse vetë kasta e vjetër e deputetëve dhe senatorëve të majtë e të djathtë është bërë mur i mbrojtjes së interesave të grupeve të përmendura më sipër. Kryeministri ka mbetur për këto momente vetëm në tribuna premtimesh. Të njëjtën gjë bëri edhe Edi Rama në vizitën e tij të fundit në Torino: I premtoi Renzit se do t’u lutet emigrantëve shqiptare që ndodhen në Itali dhe kanë të drejtë vote, të votojnë për Partinë Demokratike… Kjo thirrje e kryeministrit tonë duket qesharake, duke parë kontekstin italian, por duke menduar se Rama vjen nga shkolla e politikës shqiptare është plotësisht e justifikueshme për funksionin qesharak të saj… Megjithatë, kjo lëvizje, tashmë, po duket se po bëhet figura më bindëse e përfaqësimit politik real të një shoqërie në krizë. Zgjedhjet e 25  majit për deputetët e parlamentit evropian duhet të tregojnë më dukshëm pozicionin real të saj. Do të jetë e dhimbshme që kjo lëvizje të mos gjejë mbështetje edhe në Shqipëri, ku tashmë partitë politike janë marrë peng nga vetë morali i tyre i pandershëm për një popull e për një Komb.