INFODEMIA KONSPIRATIVE, NGA MANIPULIMI TE ÇMENDURIA MASIVE

568
Sigal

Nga Gentian Çala

Në harkun e disa muajve, prej kur Virusi Sars-Cov2 u shfaq në Kinë, dhjetra teori konspirative janë përhapur me shpejtësi, ku aleatë të përhapjes kanë qenë dy cilësi njerëzore: dëshira e ethshme për gjetjen e shkakut të një dukurie të caktuar dhe kurioziteti. Disa prej teorive janë fantazmagorike dhe kanë të bëjnë me forca okulte: si beteja për pushtet ndërmjet Andromedanëve dhe Reptilianëve, e Iluminatëve me Masonët, etj. Disa teori kanë të bëjnë me pushtetin dhe kontrollin: efekti i rrjetit 5G, vaksinat me nano teknologji, ndryshimet demografike dhe deri te ato gjeo-politike: virusin e bëri në laborator ky apo ai shtet që të dëmtojë të tjerët, u bë për interesa të korporatave, nga bankat apo institucionet e mëdha financiare, si dhe kishte lidhje me lëvizjet në bursat, me emetimin e parave, etj. Pra, shumëllojëshe, nga më të çuditshmet deri te ato të mundshmet…

Disa prej teorive konspirative ishin të vjetra, pra parapandemike, kurse disa kanë lindur në këtë periudhë. Disa prej tyre nuk mbështeten në asnjë fakt, kurse disa të tjera duken më të arsyeshme për të ndodhur. Infodemia konspirative, sidomos tezat me qëllime gjeo-politike dhe ato që ndërlidhen me pushtetin, duken më qëllime thellësisht manipulative dhe duken të fabrikuara, kryesisht bazuar në përhapjen e lajmeve të rreme (fake news), çka ka çuar në reagim të vendeve apo organizatave të caktuara (BE doli me një raport për këtë qëllim, NATO kërkon hapjen e një qendre në RMV që ka synim parandalimin e fake lajmeve nga lindja).

Në situatën aktuale kur gjysma e globit ndodhet në kushtet e izolimit apo të kufizimit të lirive për shkak të pandemisë së COVID-19, receptiviteti i popullatave duket mjaft i lartë ndaj infodemisë konspirative. Teoritë konspirative kanë potencial të shndërrohen bë disa raste në probleme që cënojnë sigurinë publike, sidomos kur ata që e besojnë atë arrijnë një masë kritike, që unë do ta quaja “çmenduri masive”. Një shembull tipik i kësaj ishte teoria e rrjetit telefonik mobil 5G, ku turmat në disa vende ju drejtuan të shkatërronin antenat që shpërndanin këtë sinjal, kur faktet shkencore të deritanishme nuk kanë arritur të saktësojnë dëmin në shëndetin e njerëzve dhe aq më pak lidhjen e rrjetit 5G me pandeminë e COVID-19.

Pra betejës me pandeminë, me problemet në shëndetin mendor, me pasojat sociale dhe ekonomike të shkaktuara në këtë periudhë i duhet shtuar edhe masat parandaluese apo intervenuese ndaj infodemisë konspirative me qëllime manipuluese apo nxitëse. Këtu duket se beteja u takon qeverive demokratike, organizmave që merren me këtë subjekt dhe posaçërisht mediave. Te kjo e fundit, jo në pak raste, në emër të lirisë së shprehjes u jepet hapësirë mediatike zëdhënësve, ithtarëve apo lajmeve fake dhe konspirative duke i bërë një dëm qytetarëve dhe sigurisë. Teknologjia lehtëson qasjen dhe shpërndarjen e teorive të tilla, ku formatet e rrjeteve sociale strehojnë adresa apo llogari që helmojnë publikun me infodemi fake dhe konspirative.

Sot, kemi arsye më shumë që të gjithë ti themi stop një informacioni që nuk mbështetet në fakte shkencore, gjë të cilën mund dhe duhet ta bëjnë zërat e besueshëm që vijnë nga shkenca apo fusha të tjera dhe qe sqarojnë popullsinë. Në këtë kohë aspak normale, nuk kemi nevojë për një “çmenduri” më shumë që përpiqen të na injektojnë në mendjet tona të trazuara disa nga marria, disa nga etja për më shumë pushtet dhe disa nga dashakeqësia.