Frank SHKRELI/Shënjtërimi i një Pape të madh

599
Sigal

 Mik i gjithë njerëzimit – e veçanërisht i shqiptarëve

Vatikani njoftoi të Premtën që kaloi se Papa Françesku ka nënshkruar dokumentacionin për shpalljen e Papa Gjon Palit II — i cili ndërroi jetë 8 vjetë më parë —  shenjtor i Kishës Katolike.   Këjo ndodhi pasi Papa Françesku  aprovoi mrekullinë e dytë që i atribohet Papa Gjon Palit të II.  Vatikani gjithashtu njoftoi njëkohsisht edhe kanonizimin e Papës Gjonit 23-ët, i cili për 5 vjetë udhëhoqi riorganizimin dhe modernizimin e Kishës Katolile deri në vitin 1963, kurë ndërroi jetë. Mirëpo, Papa Gjon Pali II është konsideruar si kandidat për shënjtor,pothuaj menjeherë pas vdekjes.  Në prill të vitit 2005, turmat e mëdha  në Sheshin e Shën Pjetrit, bërtisnin, “Santo Subito” të Shënjtërohet Menjëherë.  Papa Gjon Pali II kujtohet si njëri prej udhëheqësve më me influencë i shekullit të kaluar.  Është i famshëm tanimë roli i tij në rrëzimin e komunizmit.  Ai, së bashku me Presidentin amerikan Ronald Reagan — dy udhëheqës gjigantë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar — konsiderohet si personi  i cili ndihmoi në rrëximin e komunizimit në vendlindjen e tij në Poloni dhe eventualisht  në mbarë Evropën.   Ai shërbeu si frymëzim shpirtëror për bashkatdhetarët e tij polakë, gjatë një periudhe shumë të vështirë për ‘ta, nga mbarimi i 70-ave dhe fillimi i 80-ave të shekullit të kaluar.  Ish-udhëheqsi i sindikatave polake, Lek Walesa ka thënë se Papa Gjon Pali II u dha polakëve kurajo dhe shpresë për të bërë ndryshime. Sipas Walesës, askush deri atëherë nuk kishte ide se si të rrëzohej komunizmi.  Gjatë vizitës së tij në Poloni  në vitin 1979, Gjon Pali II u tha bashk-kombasve të tij: “Mos kini frikë”, ndërkohë që iu lutë Perëndisë që të ”sillte Shpirtin e Shënjtë mbi këtë tokë dhe të ndryshonte imazhin e vendit.” Gjatë   vizitës së dytë në Poloni më 1983, Gjon Pali sfidoi strukturat shtypëse të shtetit komunist duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij, që të keqen ta quajnë të keqe dhe të mirën të mirë duke mos pushuar së kërkuari të vërtetën absolute. Gjon Pali II besonte në paqë dhe e konsideronte luftën si një humbje për të gjithë njërzimin.  Ai ka shkruar se, “Shëmbja e bllokut sovjetik nuk u realizua me luftë, por nepërmjet “angazhimit të pa dhunë të njerzëve, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të zbuluar të vërtetën”. Gjatë mandatit të tij, presidenti amerikan Ronald Reagan ishte në kontakt të vazhdueshëm dhe shkëmbente rregullisht korrespondencë me Papën Gjon Palin II, gjatë kësaj periudhe shumë kritike për Evropën dhe botën, në atë që revista e njohur amerikane Tajms e pat cilësuar, si një “aleancë e shënjtë për të shembur sistemin komunist” në Poloni dhe në botë.  Njihet mirë admirimi që Presidenti Reagan kishte për Gjon Palin II dhe për rolin që ai ka luajtur në shembjen e Murit të Berlinit.   Madje edhe bashkohasi i tij, ish-udhëheqsi  komunist sovjetik Mikail Gorbaçov, duke folur për admirimin dhe respektin që ai kishte për Gjon Palin e II, ka thënë se “Shëmbja e Perdesë së Hekurt do të ishte e pamundur pa Papa Gjon Palin II.”  Ish-presdienti amerikan Xhorxh Bush në vitin 2004 i akordoi Medaljen e Lirisë Gjon Palit II, me motivacionin: ”Këtij biri të Polonisë…parimet e të cilit në mbështetje të paqës dhe lirisë kanë frymëzuar miliona njerëz për të shembur komunizmin dhe tiraninë.” Historianët thonë se Papa Gjon Pali i II, nga pozita e tij si udhëheqës i Kishës Katolike, bëri shumë edhe për përmirësimin e marrëdhënjeve të Kishës me fetë e tjera, përfshirë judeizmin, islamizmin dhe ortodoksizmin.  Thuhet se një prej objektivave kryesore si Papë ishte që të vendoste Kishën në qëndër të një aleance të re fetare duke bashkuar tri fetë e mëdha botërore, judeizmin, islamizmin dhe kristjanizmin, në një aleancë të madhe  fetare.  Si promovues i të drejtave të njeriut,  dindjitetit njerëzor dhe solidaritetit ndërkombëtar,Papa Gjon Pali II udhëtoi anë e mbanë botës, duke vizituar gjithsejt 130 vende, gjatë periudhës që ai ka shërbyer si udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike. Një nga këto vende që vizitoi Gjon Pali ishte dhe Shqipëria, kur me 25 prill, 1993, ai puthi tokën arëbërore, “tokën e harmonisë të tre besimeve”, sipas Ismail Kadaresë. Ismail Kadare ka shkruar  për këtë vizitë se, “Papa Gjon Pali i Dytë u prit në Shqipëri me të njëjtin ngazëllim nga gjithë populli shqiptar, katolikë, ortodoksë e myslimanë, bashkë. Dhimbja njerëzore, ëndrra për lirinë i kishte afruar më shumë se çdo gjë tjetër, të tre besimet. Me udhëtimin e tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II, kreu udhëtimin e ndërprerë të një pape tjetër në shekullin e 15-të. Liria e shqiptarëve ishte në kërcënim përballë ushtrisë otomane, dhe Papa Kaliksi do të vinte për t’u dhënë zemër shqiptarëve, në aktin e fundit të qëndresës së tyre.  Papa Gjon Pali II erdhi bashkë me fillimet e lirisë”, ka shkruar Kadare, për vizitën e historike të Papës në Shqipëri. Në sheshin Skenderbe në Tiranë, para mijëra qytetarve që kishin dalur për ta pritur, Gjon Pali II me fjalët baritore, inkurajuese dhe shpresësdhënse — drejtuar një populli të vuajtur por bujar — për një të ardhme më të mirë për kombin shqiptar, iu drejtua me këto fjalë: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në ‘të janë mbjellë farat e shpresës.  Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare.” Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha përshëndeti me atë rast Gjon Palin në  emër të të gjithë shqiptarëve, duke theksuar lidhjet historike midis Vatikanit dhe të kombi shqiptar. “Lidhjet e Shqipërisë me Selinë e Shënjtë janë lidhje shpirti dhe lirie”, tha udhëheqësi shqiptar. “Në historinë e tyre, shqiptarët kanë patur në Selinë e Shënjtë  mikun dhe aleatin e tyre, kanë gjetur mbështetjen  e fuqishme në luftën  dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur lirinë, ndërsa tek Ju, mikun e shquar që lutej gjithnjë për Shqipërinë.  Zoti e ka dëgjuar lutjen Tuaj dhe sot Ju vini në një Shqipëri të lirë.  Ne, dhe brezat që do vijnë, do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës”, tha ndër të tjera ish-presdienti i Shqipërisë Sali Berisha  Lidhjet e Papës Gjon Palit me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar kalonin nepërmjet Nënë Terezës, me të cilën ai kishte jo vetëm  njohuri, por edhe bashkpunim të ngushtë, por mbi të gjitha ai shprhte gjithmonë respekt për të dhe për kombin që lindi këtë bijë të madhe.  Nënë Tereza, e shoqëronte Papën në këtë vizitë historike në Shqipëri dhe Papa Gjon Pali falënderoi kombin shqiptar dhe iu drejtua Nënë Terezes duke thënë se, “Nuk mund të mos përshëndes sot një njeri që ndodhet sot midis nesh, Nënë Terezen e Kalkutës.  Të gjithë e dimë se cili ështe atdheu i saj.  Atdheu i saj është këtu! Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërëve që përfaqësonte  në të gjithë botën emërin e Atdheut të saj.  Me personin e Nënë Terezës, Shqipëria është  nderuar gjithmonë”, ka thënë Papa.  Papa Gjon Pali II ishte gjithashtu edhe shumë afër Kosovës gjatë kalvarit të saj, dhe jo vetëm shpirtërisht.  Nga pozita e tij si një udhëheqës botëror dhe fetar, ai përpiqej që të zgjonte ndërgjegjen e botës mbi krimet që po ndodhnin në Kosovë.   Në një deklaratë “Urbi at Orbi”, dmth. drejtuar Romës dhe botës, udhëheqsi i Kishës Katolike, prononcoi uratën e tij para botës, “Për tokën e martirizur të Kosovës, ku lotë e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjet e tyre, për ata që janë detyrua të ikin larg…Të mobilozohet solidariteti i të gjithëve anë e mbanë botës,” vazhdoi Gjon Pali i II, “që më në fund të flitet serish për vëllazërim e paqë.  Si mund të qëndrojmë pasiv para lumit të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë”?, sfidoi botën Papa Gjon Pali, për të bërë diçka për Kosovën martire.  Si një shëmbëll i seriozitetit të Papës për të sensibilizuar  botën mbi gjëndjen tragjike në Kosovë, dhe për thirrjet e tija për aktivizim ndërkombëtar në mbështetje të Kosovës, ish-presdienti amerikan Bill Klinton shënon në biografinë e tij, telefonatën që ai shkruan se mori nga Papa Gjon Pali II, me të cilën, Papa i drejtohet atij me kërkesën: “Zotëri President. Duhet të bëni diçka për Kosovën. Këjo gjëndje nuk mund të tolerohet më.” Njëri ndër këta burra të Kosovës që trokiti në derë të Papës Gjon Palit II për t’i kërkuar ndihmë për Dradaninë e tij të vuajtur, ishte Presidenti Ibrahim Rugova, i cili ka patur disa takime me Gjon Palin II.  Pas vdekjes së Papës, Presidenti Rugova ka thënë se, “Papa Gjon Pali ishte një mik dhe At për Kosovën.  Ai ka merita të mëdha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë, Kosovës.  Mund të them se isha mik i një Pape dhe njeriu të Madh.  Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, do ta kujtojnë si At të shënjtë të Madh, i cili ka bërë shumë për kombin tonë”, ka thënë Ibrahim Rugova.  Edhe ish-presdienti i ShqipërisëAlfred Moisiu e ka vlerësuar  Gjon Palin II si, “një figure të madhe, pasi ai është jo vetëm baritori i  katolikëve në mbarë botën, por edhe i mbarë njerëzimit, sepse kontributi i tij ka përmasa të tilla…ai i ka dhënë njerëzimit atë që i ka munguar, dashurinë e njeriut për njeriun”, ka thënë ish-udhëheqsi shqiptar. Ndërsa, Dom Lush Gjergji, që ka takuar shpesh Gjon Palin II, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pas vdekjes së Gjon Palit, ka venë në dukje mbështetjen e palëkundshme të Papës për Kosovën, gjatë takimeve private  në Vatikan me të dhe me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Imzot Nikë Prela.   Sipas Dom Lush Gjergjit, “Do të mbetet një kujtim i paharrueshëm fjala e madhe e Papës Gjon Palit, thënë më 1981 pak para shpërthimit të ngjarjeve të Kosovës se “pas popullit tim polak”, i tha ai Imzot Nikë Prelës dhe mua, “po ua shploj zemrën dhe po u them se më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse keni vuajtur shumë dhe padrejtësisht dhe na e keni dhuruar Nënë  Terezën”.  “Kur e përqafoi Nikë Prelën në karrocë, Papa i tha dhe këtë fjalë që më ka mbetur gjithnjë në zemër dhe në veshë. “Kosova – shpresa jonë, Kosova-plaga jonë”, kujton Dom Lush Gjergji.  Gjatë gjithë kohës që jetoi, në personin e Gjon Palit II — sidomos në kohë të vështira — kombi shqiptar kishte një përkrahës aktual dhe të fortë në këtë botë.  Tani, shqiptarët kudo, kanë një Shënjt mbrojtës që së bashku me Nënë Terezën do të luten, sipas vet uratës së Gjon Palit kushtuar kombit shqiptar, “Për një ditë në të cilën ky popull fisnik të shohë edhe njëherë të realizuara dëshirat më të thella të shpirtit të tij, atëbotë kur të gjithë — bijë e bija të tij — do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar një të ardhme në drejtësi e paqë.”  Këjo ishte lutja e Papës Gjon Palit II, mikut të madh të shqiptarëve për fatet e kombit shqiptar. Këjo është dëshira e madhe e të gjithë shqiptarëve, në këtë vit të shënjtërimit të tij.