Realisht vota në këtë sistem ekonomiko-shoqëror është ” një përrallë me mbret.” Në çdo sistem shoqëror karrigia sjell përfitime. Në socializëm sillte, sepse ai ishte “rend borgjez pa borgjezinë” . Posaçërisht në kapitalizëm ku gjithçka është mall, karrigia e deputetit pjell para.Vota blihet disa herë para dhe pas hedhjes në kuti. Madje blihet edhe votuesi me gjithë votë.Tani që do votojnë edhe emigrantët u hap edhe një tjetër portë për të vjedhur vota sa më shumë.

Vota e popullit është ajo që vendos se kë do të kemi në udhëheqje. Ky princip demokratik,me gjithë arritjet e mëdha shoqërore, vijon të mashtrojë për shekuj të gjithë votuesit e vendeve ku sundon kapitali.Një nga gënjeshtrat më të përkora të sistemit demokratik ku jemi kredhur kokëngultazi edhe në shqiptarët për gjatë këtyre 35 viteve është thënia gojëplote e politikanëve tanë të shpëlarë”Vota është arma më e fuqishme në dorën tuaj! Ne po luftojmë vetëm për votime të ndershme”! Disa guxojnë edhe më tej afër së vërtetës së njëanshme : “Vota është e vetmja armë në demokraci”!? Ka edhe nga ata që i anashkalojnë këto deklamime bajate dhe punojnë heshturazi e nën rrogoz, për të realizuar qëllimin e tyre fitimprurës edhe me anë të votës. E vërteta e hidhur është se votimi në kapitalizëm i përjashton fjalët “ndershmëri”, “vërtetësi” dhe “demokraci”, ashtu siç fjala ‘rojë’ përjashton fjalën ‘gjumë’.
Ne që votuam për 45 vjet edhe në rendin shoqëror socialist, dimë të bëjmë krahasimin. Ju që kini provuar të hidhni votën në kuti vetëm në vitet pas 1990-ës, jini aq të paditur sa një fëmijë i lindur në 2011 që pyet ciceronin”kush ishin partizanët?”Atëkohë, pra në kohën e Enver Hoxhës, deputeti propozohej nga Fronti Demokratik, organizata më e gjerë popullore në Shqipëri. Propozimi fillimisht miratohej parimisht në organizatën bazë të partisë ku shoshitej që kandidati të kishte figurë të pastër morale, besnikëri ndaj çështjes së atdheut, popullit, partisë dhe të dallohej për arritje të larta në punë. Kandidatura fizike reale, shtrohej para zgjedhësve fizikë realë ku votuesit flisnin ato që dinin për personin dhe shtronin edhe ndonjë kërkesë që duhej t’u plotësohej si fshat, lagje apo institucion. Vetë deputeti zotohej se do justifikonte besimin e votuesve. Deputeti paguhej sipas punës që kryente atje ku ishte caktuar dhe si shtesë i jepej një sasi fare e vogël lekësh mujore për lëvizje e harxhime të njohura ligjërisht. Bëhej propagandë me ato mjete e teknologji që kishte koha vetëm për kandidatët e frontit demokratik. Kur vinte puna te votimi praktik, as që bëhej fjalë për ryshfete, pagesa, shtrëngesa, premtime, abuzime etj.,etj. Mospjesëmarrja në votime ndëshkohej moralisht dhe quhej akt mosbesimi ndaj vijës së partisë së vetme që ishte në pushtet. Prandaj edhe pjesëmarrja në votime ishte po ashtu 99,9% dhe 100%. Është një e vërtetë paksa e çuditshme që rezultatet e votimit delnin thuajse gjithnjë 99.9 % për kandidatët e frontit demokratik. Ajo shifra 0,1% përfaqësonte ata që ishin kundër pushtetit popullor dhe që nuk kuptohesh se kush ishin,se ruhej rigorozisht fshehtësia e votës. Atë kohë nuk kish as kamera, as celularë e as çimka, as policë e ushtarë afër kutisë së votimit. madje të sëmurëve dhe pleqve të pamundur u dërgohej kutia e votimit në shtëpi apo spitalë.
Ne, mbi shtatëdhjetë e pesë vjeçarët, (që tashmë jemi në fazën e “relikteve muzeale”të pavlerësuara, sepse as “çekapi”i së majtës apo përtej të djathtës, -po e themi siç shqiptohet shqip-nuk na ka në listë, as dentisti nuk na sheh dhëmballët e mbetura e as shitësja e maksimarketit nuk na i jep kusurin e plotë), e kuptojmë më lehtë këtë situatë demagogjike që stisin sot gjithë ato partitë politike në pazarin e ndotur “bli e shit “ të votave tona. Madje vetë votuesi në këtë kohë të mjegullt që jetojmë është një mall i parablerë nga partitë. Realisht vota në këtë sistem ekonomiko-shoqëror është ” një përrallë me mbret.” Praktika e këtyre tridhjetepesë vjetëve ka treguar më së kthjellti se vota, së pari, është një fasadë, perde dekorative që mbulon prapaskenat tejskajshmërisht të ndyra të politikanëve dhe hajdutëve të shumtë me kollare që kërkojnë të zënë një karrige, të bëhen miliardierë brenda një apo tre vitesh. Në çdo sistem shoqëror karrigia sjell përfitime. Në socializëm sillte, sepse ai ishte “rend borgjez pa borgjezinë”, por kur ‘kalonte bishti sqeparin’ vepronte ligji me ashpërsinë e vet, karshi kujtdo dhe në çdo vend, kohë e post. Dhe atëherë qëroheshin mirë hesapet.
Posaçërisht në kapitalizëm ku gjithçka është mall, karrigia e deputetit pjell parà. Së dyti, meqë është kjo aksiomë, vota ime, jotja , e atij dhe e asaj, është parakthyer në një lloj malli me vlerë të shumëfishtë. Blihet disa herë para dhe pas hedhjes në kuti. Njëlloj siç blihet një kilogram patate franceze, bizele greke apo mish brazilian. Madje blihet edhe votuesi me gjithë votë. Së treti, vota shpërdorohet nga vetë votuesi, sepse bëmat e datëvotimeve shqiptare të pasvitit 1990, tregojnë se në vend të Aliut ka votuar Kadriu; po ashtu Myqeremi ka votuar tetë herë, një nga të cilat ishte për Eqeremin që kish vdekur para shtatë vjetësh. Në një rast tjetër u vodhën komplet qendrat e votimit të një lagje shtatëdhjetë mijë vetëshe dhe të një krahine me 16 fshatra, edhe pse diplomatët përveshën mëngët…’Sevdaja’ për pushtet hedh parà dhe vjedh vota, se e di që më pas do të vjelë shumë më tepër nga ai kolltuk. Së fundi, janë disa stacione ku votës i kanë zënë pritë për ta grabitur. Është personi që ka të drejtë vote, janë individët rreth e rrotull që e impulsojnë, është komisioni i qendrës së votimit, pastaj komisioni zonal, më tej transportuesi i kutive, pak më tutje pritësi i kutive, komisioni qendror, kontrolluesi përfundimtar i kutive dhe , mos u habitni, është edhe komisioni apo personi që do të caktohet nga ligji si më i besuari për të nxjerrë të vërtetën, kur dikush ka kundërshtuar rezultatin e votimeve. Këtë vit kemi edhe votën e diasporës, ku mundësitë për të vjedhur votat janë edhe më të shumta veç të tjerash edhe për ‘faj’të teknologjisë moderne dhe të asaj që tani qëllimisht po quhet ‘inteligjencë artificiale’.
Në kohën e Enverit, nuk njiheshin listat e hapura e të mbyllura. Këto janë terma të kapitalizmit dhe veçanërisht për ne ku roli i kryetarit është varrndjellës dhe kobsjellës. Kryetari vendos e vulos ato (ata) që do ai! Kësisoj, që këtu ka ranë përdhe dhe është shkelur me këmbë ajo që deklarohet si demokraci! Provoni, qoftë edhe një herë të vetme që të votohet si në socializëm dhe shihni se sa vota do marrë personi kryetar partie e sa do marrë ai që është fare i thjeshtë! Kini për të parë që asnjë nga kryetarët e tanishëm nuk do fitojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet! Tani i majti i ‘gjigandizuar’, i veshur në të zeza Edi Rama prezanton një pëllëmbë me gishta të hapura (dmth nr.5 në listë) dhe premton të zbresë Hënën në Tokë duke na siguruar një pasaportë europiane. I djathti i tejplakur, por me këshilltar’arkitekt’ amerikan Sali Berisha, reklamon nr.1 të listës dhe premton se do t’iu japë shuplakë të fortë SPAK-ut, qenve, gjarprinjve dhe narkoshtetit duke na bërë të fluturojmë me…raketë drejt lumturisë. Këtë vit politikanët tanë, mbuluar fytyrën me maskën popullore ”të votojnë të gjithë shqiptarët ku janë e ku s’janë”, nga Vermoshi në Alasakë, nga Konispoli në Santiago, nga Finiqi në Florida, nga Arramerasi në Adelajda, miratuan edhe votimin e diasporës. Pra u hap edhe një tjetër portë për të vjedhur vota sa më shumë. Gjithsesi, jeta na ka mësuar që të jemi shpresëplotë se do të kemi votime të rregullta dhe do të fitojnë ata që e meritojnë të jenë deputetë.