Ilirian Lluri: Bashkia Gjirokastër dhe Bajo Topulli

100-Vjetori i zgjedhjes së Bajo Topullit kryetar bashkie i Gjirokastrës.

1925-2025

NOA

Gjithmonë më ka shqetësuar mungesa e një historiku rreth institucioneve të Gjirokastrës, e në veçanti atë mbi Bashkinë. Pesë vjet më parë ideova një aktivitet kushtuar 100 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, por pa e finalizuar ashtu si duhet. Arsyeja ishte e thjeshtë; ka njerëz që nuk të dalin përballë me argumenta mbi historinë e funksionit të këtij institucioni, por të marin krahët në atë mënyrë që dinë ta bëjnë vetëm të paaftët, egoistët dhe servilët. Ndoshta dikush në një të arthme jo të largët do mbështesë faktin se Bashkia e qytetit tonë e nisi funksionin, atëherë kur nisi të fumksionojë shteti shqiptar, pas Luftës së Madhe të Vlorës 1920. Por ky shkrim ka në qendër të vëmendjes jo shterimin e këtij fakti, por evidentimin e kontributit të çmuar të Bajo Topullit, i cili e drejtoi bashkinë e Gjirokastrës një shekull më parë. Në historikun 105 vjeçar të Bashkisë së Gjirokastrës, Bajo Topulli është pa dyshim kryetari me Cv më të spikatur.

ARSIMIMI I BAJOS

Bajo Topulli lindi në 9 korrik 1873 në lagjen Dunavat të Gjirokastrës. Pasi kreu arsimin në vendlindje në moshën 11 vjeçare familja e nisi drejt Stambollit, moment ky përcaktues për të arthmen e tij;  Në 23 gusht të 1884 u nis nga Gjirokastra karvani i studentëve të shkollave të ndryshme të Stambollit. S’kisha mbushur as 11 vjeç. Ika nën kujdesin e vëllait tim Kamanit.

Alfabetin e gjuhës shqipe Bajo e mësoi nga Jani Vreto në qoshen e një kafeneje të Stambollit, Të parat vargje që lexoi në gjuhën shqipe ishin ato të një kënge të njohur dasme: Moj unaza rreth me ar, rreth me ar / More trimin kordhëtar, kordhëtar / Shoqet të kishin nakar, kishin nakar / Ato nakar kishinë, zjenin e s’pëlcisninë. Pas mbarimit të shkollës “Ruzhdie” Bajo zotëronte gjuhët: turqisht, arabisht dhe persisht. Në përfundim të shkollës së lartë Normale të Stambollit, në 1895, u emërua mësues në Liceun e Trabzonit ku qëndroi vetëm një vit, sepse u transferua në gjimnazin e Erzurumit.

TAKIMI ME NAIM FRASHËRIN

Përpara transferimit në Selanik Bajo u takua me Naim Frashërin në lagjen Erenqoj të Stambollit. Përshtypjen e këtij takimi të 1900, Bajo i ka lënë në këto pak rreshta:

”I dhashë fjalën e nderit se do të punoja pa rreshtur, i mora dorën me respekt të posaçëm dhe u ndashë prej zotërisë, me një ndjenjë patriotike më shumë se ç’do herë tjetër”.

Bajo formoi në Selanik një shoqëri studentësh mes të cilëve bënte pjesë edhe vëllai i Idriz Gurit, Duro Guri. Rrugës për në fabrikat e birrës apo të akullit ku çonte nxënësit për praktikë mësimore, Bajua bashkë me ta këndonte këngën patriotike; Në dy javë të kollozhegut / U fillua shoqëria / Brënda m’u në Sofje / Për shkolla në Shqipëri / Burra djem përpiquni / Mbushuni me dashuri.

VRASJA E PAPA KRISTO NEGOVANIT

Ngjarja që solli një ndryshim rrënjësor tek aktiviteti i Bajo Topullit ishte vrasja nga grekët e priftit mësues Papa Kristo Negovani. Pas vrasjes së priftit me origjinë nga Humelica e Gjirokastrës, Bajo deklaroi: “Kjo vrasje e tmerrshme ka për qëllim shuarjen e shqiptarizmës, përmbysjen e Shqipërisë, vazhdimin e skllavërisë, mjerimit dhe zisë së madhe që na ka goditur që pas vdekjes së Skënderbeut. Kjo ngjarje e vuri Bajon në krye të Komitetit të Fshehtë të Manastirit.

ARRATISJA NGA MANASTIRI

Në 15 shtator 1904 Bajo filloi punë në shkollën e mesme “Idadi-Mylqi” e cila ishte kthyer në shkollë qëndrore të vilajetit. Ashtu si në Selanik edhe në Manastir Bajua u shoqërua nga dy vëllëzërit e tij, Çerçizi dhe Namiku. Në 15 mars 1906 ai u arratis nga Manastiri së bashku me studentët Selim Pojani, Qamil Panariti, Hysen Dishnica. Pas dështimit të ngritjes së çetës në Korçë, ai formoi çetën e të “Trembëdhjetëve”, që mori hakun e papa Kristos, e më pas çetën famëmadhe të Gjirokastrës, e njohur me emrin, çeta “Çerçiz Topulli”.

PËR MËMËDHENË – KËNGA PËR BAJO TOPULLIN

Në librin “Kryengritja shqiptare” Mihal Grameno ndër të tjera pohon se këngën “Për mëmëdhenë” e kishte krijuar në nderim të Bajo Topullit. Kjo ishte kënga që çeta këndoi në nisje të aktivitetit të saj në mbrojtje të gjuhës shqipe:  Të shtunën në 16 Maj mbasdite, Ahmeti, varkëtari ynë tha gati. U nisëm. Ne ja morrëm këngës “Për mëmëdhenë”, të cilën e kisha bërë unë dhe ja kisha dedikuar Bajos.  Ata mbërritën në bregdetin shqiptar ditën e hënë në datën 18 maj ndaj të gdhirë pas 36 orë lundrimi. Ç’do luftëtar mbante në trastën e vet 500 fishekë, libra dhe ushqime. Askush nuk mund ta mendonte se data 18 e nisjes së çetës në Shqipëri do të kthehej në një datë sa profetike po aq dhe simbolike. Në 18 mars të dy viteve më vonë çeta do të zhvillonte betejën e saj më të ashpër e njohur me emrin; Lufta e Mashkullorës.

TRYEZA FESTIVE E SELANIKUT

Shpallja e Konstitucionit turk në orën 10 të datës 10 korrik 1908 në Ohër sipas Mihal Gramenos, u prit ftohtë. Pak të pranishëm bërtitën; Rroftë Padishahu! Rroftë liria! Në Selanik me këtë rast u shtrua dreka zyrtare, ku në emër të Komitetit Xhon Turk foli Mustafa Qemali. Në emër të shqiptarëve foli Bajua. Në përfaqësimin tonë të parë diplomatik pas shpalljes së Konstitucionit, Bajo foli turqisht. Askush, madje as ai vetë nuk e ka spjeguar faktin se përse foli turqisht në atë tryezë, ndërkohë që gjuha shqipe, për të cilën ai luftoi aq shumë, sapo e kishte fituar lirinë e saj. Këtë gabim, ndoshta për shkak të miqësisë që Bajo kishte me Mustafa Qemalin, e korigjoi mëndjendrituri Mihal Grameno, i cili u ngrit e foli shqip; – Liria e fituar, i detyrohet më shumë kombit shqiptar.

FITORJA E LIRISË DHE “ZHDUKJA” E BAJO TOPULLIT

Pas shpalljes së Konstitucionit emri i Bajo Topullit nuk u dëgjua për disa vjet. Shumë historianë nuk e kanë trajtuar këtë detaj të rëndësishëm mbi këtë personalitet të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Ja vlen të theksojmë me këtë rast dy arsye që e detyruan Bajon të “humbasë’ apo të mungojë për disa vjet me rradhë;

  • Pas shpalljes së Konstitucionit Bajon nuk e zgjodhën për deputet, megjithëse ai sipas shtypit, shpenzoi më tepër se 1.000 lira në shërbim të mbrojtjes së gjuhës shqipe.
  • 2 – Gjirokastritët refuzuan të paguajnë kur Bajo ju afroi shërbimin e tij si mësues për një pagë prej 8 lirash në muaj. Në këto rrethana ai u largua nga Gjirokastra, ndërkohë që në shtëpinë Topulli 10-15 shokë të Çeços prisnin t’u gjente punë, i papuni Bajo.

BAJO TOPULLI APO MUFIT LIBOHOVA

Atë që nuk e bënë shqiptarët në zgjedhjet e para të Parlamentit turk e bënë Xhon-turqit në zgjedhjet e 1912. Ata vendosën si kandidat në Gjirokastër Bajo Topullin përballë Mufit Bej Libohovës. Kandidatura e tij u sulmua menjëherë nga gazetari Jani Vruho, i cili e akuzoi Bajon për largimin nga Shqipëria dhe heshtjen e tij disa vjeçare. Shkrimi u botua në gazetën “Liri e Shqipërisë” dt. 8 mars 1912: Ne që shihnim tek fytyra e Bajos punëra të rralla e sende të mëdha, sipas fjalëve që na kishte thënë, nuk e gjejmë atë më të mirë se Mufit Beu. Bajua që kur u shpall Hurieti nuk e hapi më gojën për të folur për të gjithë atë badërdi e kërdi që ju bë fatkeqes Shqipëri. Në mbrojtje të Bajos doli vetë redaksia e gazetës “Liri e Shqipërisë”:

Bajua mbeti pa bukë. Asnjë shoqëri a klub s’u kujdes të thoshte, dale të shohim kush ishin ata që bënë therror veten e tyre për lirinë e mëmëdheut? Cilët qenë ata që kanë punuar për të ngratën literaturë shqipe. Me t’u shtruar tryeza të tjerë u shfaqën me lugë në brez duke e quajtur veten mëmëdhetarë. Fajin më të madh ne shqiptarëve, na i ka padija dhe egoizmi, zoti Vruho. Në argumentet e redaksisë nënvizohej edhe fakti se Bajon nuk e thirrën as për drejtimin e shkollës Normale të Elbasanit, argument ky që u hodh poshtë nga Aleksandër Xhuvani.

ALEKSANDËR XHUVANI KUNDËR BAJOS

Aleksandër Xhuvani në gazetën “Liri e Shqipërisë” të dt.21 prill 1912 thekson se shoqëria “Përparimi” e thirri Bajon me telegraf, kur ai drejtonte shkollën Idadije në Selanik, për ta bërë drejtor të Normales, po Bajua u përgjigj se do të bënte një operacion në Vjenë. Xhuvani e argumenton kështu refuzimin e Bajos për marrjen e kësaj detyre! Duket që ju duk punë e rëndë direktioni i Normales, pse Bajua e di shqipen vetëm ta flasë, por atje duhesh tu japë djemve mësime në shqipe. Nuk i kanë faj shqiptarët Bajos. Në këtë argumentim bie në sy një lloj cinizmi i hapur i Xhuvanit ndaj Bajo Topullit. Për “çudi” ai nuk përmend asnjë kontribut të tij në shërbim të mbrojtjes së gjuhës shqipe, të cilës vetë Xhuvani do t’i kushtonte jetën. Ja vlen të rikujtojmë se Bajua, antar i Kongresit të Manastirit (kongresit të shkronjave shqipe) e mësoi leximin shqip nga mësuesi Jani Vreto. Bajo Topulli, ky gjirokastrit i famshëm, nuk i ktheu kurrë përgjigje Xhuvanit.

REFUZIMI I DYTË I GJIROKASTRITËVE 

Në zgjedhjet e 7 Korrikut për në Parlamentin turk, Bajo Topulli u refuzua për të dytën herë nga bashkëqytetarët e tij, të cilët nxorrën fitues Mufit bej Libohovën. Ishte koha kur lufta kundër atdhetarëve shqiptarë vijonte. I liruar nga burgu në Janinë Idriz Guri në artikullin me titull “Nga Gjirokastra” të dt. 24 korrik shprehej pesimist mbi gjëndjen në vend kur thoshte; – “Të pasurit nuk ndihmojnë në çështjet kombëtare.” Pak ditë më vonë, në shtator u vra në Janinë patrioti dhe atdhetari libohovit Kadri Gjata Kumbaro. Idriz Guri shok i Bajos dhe Çerçizit në një shkrim të tij shpreh zhgënjimin nga Mufit beu: Dihet që mëmëdhetarët u përpoqën me të tërë fuqinë deri sa nxuarë, Myfit Libohovën deputet. Pastaj kur i thoshim për lëvizjen Kombëtare ai na përgjigjej: Dale kemi kohë, mos u nxitoni. Dhe kështu duke na ngushëlluar, hypi arabanë dhe shkoi në Stamboll!

RIKTHIMI I BAJO TOPULLIT

Bajo Topulli u rikthye në Gjirokastër në 1924 kur për shkak të sëmundjes hoqi dorë nga funksioni që kryente në Turqi. Gjirokastritët e propozuan Bajon për kryetar bashkie të qytetit. Zgjedhjeve bashkiake nuk ju jepej ndonjë rëndësi e madhe në ato kohë. Vendin e kryetarit të bashkisë dhe të këshilltarëve historikisht e kishin zënë agallarët ose hoxhallarët. Rëndësi më të madhe në atë kohë kishte prefekti. Megjithatë zgjedhjet për kreun e bashkisë Gjirokastër nuk do të mbeteshin jashtë vëmendjes së Ahmet Zogut. Për të shmangur zgjedhjen e Bajos ai nxiti rritjen e numrit të konkurentëve, që votat të ndaheshin. Lista përfundoi me 27 kandidatë. Konkurentët u ndanë në katër grupe; tre grupe muhamedanësh dhe një grup i krishterë;

GRUPET PJESMARRËSE

  1. Në grupin e parë bënin pjesë, Bajo Topulli, Islam Angoni, Beso Gega, Abedin Hasani e Bastri Çuçi.
  2. Në grupin e dytë bënin pjesë, Zuhdi Karagjozi, Vehap Kokalari, Isuf Çoçoli, Elmaz Hadëri, Haxhi Kashahu.
  3. Në grupin e tretë bënin pjësë Sami Karagjozi, Qazo Kurti, Ismet Çoçoli, Muslli Kokobobo, Galip Çano.
  4. Në grupin e katërt bënin pjesë Lame Dilo, Cile Lito, Harallamb Papadhopulli, Aleks Çeçi, Nikolla Godella, Spiro Lolomani, Apostol Dhima, Koto Zhuli, Zoto Lula, Leonidha Duda

Zgjedhjet nisën mëngjesin e ditës së enjte dt.10 dhe mbaruan në mbrëmjen e datës 13 dhjetor. Bajo Topulli fitoi me një diferencë prej 116 votash nga vendi i dytë. Kjo është dhe hera e parë që populli kuptoi dhe tregoi rëndësinë e votës. Në artikullin “Rezultati i zgjedhjeve” të gazetës “Demokratia” lexojmë:

Populli fisnik i Gjirokastrës, me vota gjenerale votoi patriotin e shquar z. Bajo Topulli, i cili në shumë raste ka sakrifikuar jetën dhe pasurinë për Atdhe. Në ato kohë kur shumica e shqiptarëve mohonin kombësinë, ky shkelmonte nëpunësitë dhe rrogat e mëdha. Në atë kohë kur shumica e shqiptarëve nuk dinin Shqipërinë, Bajua bashkë me disa shokë luftonte për ringjalljen e saj. Ahmet Zogu e njohu triumfin e Bajos, tre muaj pas mbarimit të zgjedhjeve.

ARRITJET DHE DISFATAT E BAJOS

Në kërkim të punësimt të gjirokastritëve Bajo ariti të fitojë një nga investimet më të mëdha të kohës; ndërtimin e burgut të kalasë, i pari burg i organizuar në Shqipëri. Ai mbështeti sa mundi Liceun Francez të Gjirokastrës. Gjatë mandatit të tij u hoq ferexheja dhe u vendos si ditë pushimi e diela, ashtu siç ishte përpara pushtimit otoman. Ndihmoi në emancipimin e shoqërisë gjirokastrite, duke mbështetur shoqatën “Përparimi” të drejtuar nga Urani Rumbo. Në këtë shoqatë bënte pjesë edhe gruaja e Bajos, Merushja si mësuese e punimeve të dorës. U krijua e para shoqëri në mbrojtje të produkteve vendase, shoqëria “Dele”. Por tre nga aritjet e tij u shoqëruan edhe me probleme. Burgu i kalasë u ndërtua me gurin e nxjerrë pas shkatërrimit të Urave të Mëdha të Ujësjellsit ajror të ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. Liceu Francez mbylli dyert në 1928. Problemi tjetër lidhet me jetën e tij familjare. Bajo u nda nga bashkëshortja e tij Merushja, megjithëse kjo gjë nuk arriti të mbyllej ligjërisht sa ai ishte në jetë.

VARRIMI I BAJO TOPULLIT

Mardhëniet me bashkëshorten e tij Merushen, u vështirësuan shumë, kur ajo ra në dashuri me Mitat Frashërin. Pas rëndimit të sëmundjes (kancer në grykë) mjekët në Vjenë e këshilluan Bajon të jetonte në bregdet. Gruaja e tij shkoi të bashkohej me të, por ai e refuzoi. Bajo Topulli u nda nga jeta në Sarandë në 24 korrik 1930. Varrimi i tij në Gjirokastër mbetet një nga varrimet më madhështore. Ceremoniali i lamtumirës për ‘Veteranin Kombëtar”, u bënë në sheshin “Çerçiz Topulli”. Shenjat e zisë u panë edhe tek Merushja, e cila u vesh me të zeza. Ajo vijoi të qëndrojë me Mitat Frashërin, pa e ditur se nuk do të ishte e largët ajo ditë, kur do të pendohej thellë për këtë akt. Pendesën e saj na i ka dëshmuar  Musine Kokalari.

ATENTAT PËR DASHURINË

Të dy të dashuruarit, Merushja dhe Mitat Frashëri ishin të njohur për Musinenë. Në rëfimin e saj ajo pohon se gjirokastritët nuk ja falën kurrë Bajos lidhjen me këtë grua, të cilën as familja e Bajos nuk e donte. Mitati njihej si feminist. Ai luante edhe me gratë e shokëve, pohon Musinea. Ashtu siç ra në dashuri me Merushen, Mitati ra në dashuri edhe me një tjetër grua. Nga xhelozia Merushja hyri në librarinë e Mitatit dhe e qëlloi me armë,  por nuk e vrau dot, vetëm e plagosi. Ajo qëlloi edhe mbi veten, duke mbetur e plagosur gjithashtu. E burgosur për këtë ngjarje ajo përgjatë viteve 1947-1949 e kaloi një pjesë të dënimit në burgun e femrave ku vuante dënimin edhe Musinea. Një ditë pohon Musinea, pasi ajo mori vesh vdekjen e Mitat beut në Amerikë duke hapur gjoksin më tha: E shikon këtë plagë të mbyllur, e shikon Musine? Vetëm tani që ai vdiq, u mbyll. Jam e gëzuar, jam e lumtur që vdiq para meje. Jam 58 vjeçe, po kam vuajtur për atë qen, që tradhëtova burrin tim të mirë e të ndershëm, Bajon.  Por më e madhe se gjithçka mbi Bajon ishte armiqësia e pushtetit. Me cv e tij të pasur dhe aktivitetin e tij në shërbim të shqiptarisë, Bajo Topulli linte në hije çdo funksionar të kohës. Pushteti e tregoi qëndrimin e tij armiqësor edhe gjatë kohës që ai vuante i sëmurë. ”Veteranit Kombëtar” Bajo Topulli ja dhanë pensionin 25 ditë përpara se ai të ndahej nga jeta.

THIRRJA E VOTUESVE NË ZGJEDHJE

Ndryshe nga sot që zgjedhësit thërriten në votime nga partitë politike, dikur të tilla thirrje i drejtonte shtypi. Por, ai ishte vërtetë i pavarur.

Votoni njerëzit e ndershëm, të zotë, të ditur, energjikë dhe punëtorë.

Mos u vini veshin fjalëve të bukura e gurrëve në trastë.

Mendoju një ditë kur do të japësh votën, që të mos vuash katër vjet.

Përmes këtyre thirrjeve një shekull më parë populli i Gjirokastrës zgjodhi Bajo Topullin kryetar të Bashkisë. Njëqind vjet më vonë, të shumtë janë ata që e kanë harruar kontributin që ky personalitet dha për kombin. Ata që nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë gjë, janë gjirokastritët. Më së pari kjo duhet të ndodhi nga institucioni i Bashkisë, të cilën ai e drejtoi përgjatë viteve 1925-1929. Propozimi i ngritjes së bustit të Bajo Topullit do të ishte gjesti i duhur në kuadër të 100 vjetorit të zgjedhjes së tij kryetar Bashkie. Duke nderuar atë, në fakt ne kemi nderuar veten!

 

VOTAT E KANDIDATËVE

Nr. Rendor                 EMRI Nr. Votave
1.        Bajo Topulli

 

746
2.        Islam Angoni

 

630
3.        Beso Gega

 

610
4.        Lame Dilo

 

589
5.        Cile Lito

 

569
6.        Abidin Hasan

 

559
7.        Sami Karagjozi

 

553
8.        Kasëm Bozgo

 

551
9.        Zuhdi Karagjozi

 

544
10.    Harallamb Papadhopulli

 

518
11.    Aleks Çeçi

 

484
12.    Nikollë Godele

 

483
13.    Vehap Kokalari

 

479
14.    Haxhi Kashahu

 

448
15.    Galip Çano

 

441
16.    Telo Cici

 

431
17.    Isuf Çoçoli

 

414
18.    Elmaz Hajdëri

 

393
19.    Spiro Lolomani

 

375
20.    Qazo Kurti

 

373
21.    Apostol Dhima

 

367
22.    Ismet Çoçoli

 

356
23.    Koto Zhuli

 

351
24.    Halit Peshkopia

 

303
25.    Zoto Lula

 

290
26.    Leonidha Duda

 

282
27.    Muslli Kokobobo

 

271