Organizimi i Shoqatës Çamëria ndër vite ka qenë me ngritje dhe ulje të herë pas hershme, që ka lënë portretin e vet në dëshirën e madhe të trashëgimtarëve të vërtetë të kësaj krahine autoktone shqiptare. Por, nëse kemi pritur që demokracia në vendin tonë të mos kishte tranzicion të tejzgjatur, po ashtu kemi dëshiruar që funksionimi i Shoqatës Çamëria të ishte e lartësuar dhe në përgjigje të atij programi që u krijua. Por sot, nuk di se çfarë emri t’i vë këtij realiteti të gjendjes në të cilën ndodhet Shoqata Çamëria pas 34 vjet e gjysëm që nga krijimi i saj. Nuk ka za, nuk ka përfaqësim, nuk ka aktivitet dhe mbi të gjitha ka nje sabotim të veprimtarisë së saj statutore dhe programore.
Nuk e besoj, nuk e pranoj, nuk ndjehem mirë jo vetëm unë që kam kontribute jo të vogla që nga krijimi e deri më sot kur përfaqësimi ynë në jetën shoqërore, politike, edhe më shumë akoma atdhetare është bërë jo vetëm i padukshëm, por edhe inekzistent. Është ulëritëse dhe e pafalshme ajo çka ka ndodhur me metamorfozën e kauzës së Çamërisë. Nuk është çështje e një emri që ka në dorë zhvillimet në Shoqatën Çamëria, por është amaneti për kauzën tonë që po duket se po nëpërkëmbet apo po tentohet të mbahet nën kontroll, në heshtje dhe pa aktivitet, pa protesta.
Kemi hyrë në muajin e Çamërisë në vitin e 81 të genocidit që nisi në Çamëri nga banditizmi shtetëror grek mbi popullatën e pafajshme që u vra dhe u dëbua me të gjitha metodat e një kriminalizimi krahasuar me atë që ndodhi në Kosovë më 1999. Por ky vit është edhe viti i 90 vjetorit të lindjes së shkrimtarit tonë të madh Bilal Xhaferi dhe do ta quaja edhe viti i Bilal Xhaferit, të cilit i detyrohemi ta kujtojmë e ta nderojmë. Se ashtu si u veprua nga grekët ndaj çamëve, ashtu veproi edhe diktatura staliniste ndaj familjes së Bilal Xhaferit që i vreau babanë më 1945 dhe më pas e internoi dhe përndoqi familjen e tij dhe atë vetë deri në ikjen nga vendi në atë fund gushti 1969.
Ndaj dhe sot kur e dimë aktivitetin e këtij personaliteti në SHBA, kur lexojmë poezitë dhe krijimtarinë e Bilal Xhaferit drithërohem për fjalët dhe mesazhin që ai përcjell. Do të doja ta rikujtoja si në një film atë jetë të këputur në mes në moshën 51 vjeçre nga një dorë krimineli që sigurimi i shtetit çoi në Çikago në spitalin ku ndodhej i operuar Bilali dhe e goditi atë në kokë duke i marrë jetën.
Virtuozi dhe famozi Bilal Xhaferri , edhe pse në një vend tjeter larg Shqipërisë, zhvilloi një aktivitet të gjallë të Shoqatës Çamëria, u bë dishepull i përfaqësimit dinjitoz të kauzës së Çamërisë, ngriti lart vlerat e një krahine sa të lashtë, aq edhe e mbushur me personalitete dhe histori duke dhënë një shëmbull se si duhet të veprojë një çam për Çamërinë e tij. Mjaft të shfletosh revistën “Krahu i Shqiponjës” dhe gjithë krijimtarinë e tij që e ka përmbledhur me aq vlerësim Profesori i nderuar çam Bashkim Kuçuku, kupton se sa të turpëruar duhet të ndjehemi para veprës së tij, që ishte vazhdim i veprimtarisë të së parës Shoqatë Çamëria në SHBA të Beqo Izet Kushit që luajti një rol të madh në vitet 1919 e më tej me sensibilizim deri të Presidentit amerikan të kohës.
Po sot në vendin tonë Shqipërinë dhe mes shqiptarëve, mes vëllezërve tanë, në një hapsirë të vogël kemi një përgjumje dhe mosdëshirë që duket si më shumë e qëllimshme, për të mos thënë që një dorë antiçame vepron sipas një tip plani për të fikur zjarrin e vatrës të Nënës Çamëri. Duket se ajo përndjekje tipike greke që na përndjek të gjithë ne çamëve në një shekull të tërë, ashtu si edhe Bilalin, shkrimtarin e madh ka si qëllim që gjaku i pastër pellazg të helmohet e të mos jetojë.
Por kur e mendon këtë që po ndodh me aktivitetin inekzistent të Shoqatës Çamëria duket se e keqja është futur brenda nesh nga duart e atyre që kanë investuar antishqiptarizëm brenda nesh. Ata që morën mandate deputeti në emër të çamëve do të doja t’i pyesja se cili është aktiviteti i tyre për mbarëvajtjen e punëve në Shoqatën Çamëria. Si kontribuan dhe çfarë arritën ndër vite ? Se midis Shoqatës Çamëria dhe të quajturës Partia e Çamëve (PDIU) që në fakt nuk ka parti çame dhe marrëveshja ishte një fiasko e padrejtësive të njëpasnjëshme që janë bërë me komandimin e drejtuesvë të shoqatës Çamëria, me mendjen andrrallë të kryetarit të PDIU, ishte një futje nën ombrellë për ta pasur të bllokuar aktivitetin e Shoqatës që sot ka arritur në inekzistencë me kryetarë të komanduar njeri pas tjetrit si kukulla në duart e kryetarit të partisë të ashtuquajtur çame.
Do të doja një Ibrahim Rugova të dytë në drejtimin e Shoqatës Çamëria që, ashtu si lideri i Kosovës e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës, edhe ata që duan të luajnë liderin e interesave të bëheshin një herë burra e ta ndërkombëtarizonin çështjen e Çamërisë dhe të drejtave legjitime. Në fakt për fasadë është thënë me fjalë që kanë rezultuar mashtrime se kemi vajtur në Kongresin Amerikan, kemi çuar dosjen në Hagë, ka shpënë një raport në Bruksel, është pajtuar në një studio avokatie në Angli, u bë edhe një Rezolutë dhe të gjitha bashkë ishin një tollumbace që plasi menjëherë.
Si mund të tallesh me një kauz të shenjtë siç bënë ata që sot kanë marrë damkën e dështimit ? Lexoja dikur ca vargje kushtuar Çamërisë dhe u drithërova për mesazhin e madh që jep dhe që na bën të ulim kokën para dështimit që ma ka shoqëruar deri më sot :
“Çamëria
Tokë që më dhe emrin dhe mallin.
Më mësove të dua ullinjtë e heshtur dhe këngët e thinjura që s’këndohen më.
Më more nën hijen e maleve dhe më dhëmb çdo herë që të kujtoj.
Shtëpitë mbetën pa zë, rrugët pa hapa, oxhaqet pa tym.
Dhe unë u rrita me rinjë të këputura, duke kërkuar një shteg kthimi që s’duket gjëkundi.
Kudo që të shkoj, je me mua – në shpirt, në sy, në mall.
Çamëri, ti nuk je veç tokë e largët, je një plagë që rri hapur, por edhe një shpresë që nuk shuhet”.
O Zot, them sa dhimbje e sa mesazhe, sa detyrime dhe sa mësime që kërkojnë të kryhen në këto kohët e sotme”?
U bënë shumë vite që unë anëtari i Këshillit Kombëtar të Shoqatës Çamëria nuk jam pjesëmarrës në takime, jo se nuk dua, por sepse kemi vite që nuk mblidhemi jo vetëm në rrang kombëtar, por as në qytetet ku janë degët e Shoqatës Çamëria. Çfarë është kjo “vepër” e investuar nga antishqiptarizmi i Greqisë ndaj shqiptarëve në tërësi dhe çamëve në veçanti ? Cila mendje e ka ideuar këtë gjendje, cila dorë e ka zbatuar këtë politikë që sot pas 34 vjetësh të gjendemi të shushatur dhe të paorganizuar, të paorientuar dhe pa asnjë strategji e program për kauzën tonë të shenjtë ?
Nuk ka nevojë ta komentosh se gjithçka e ka brenda çdo fjale.
Në këto kushte po të ishte gjallë Ndre Mjeda do i lutesha ti thoshte me za ato vargjet e poezisë së tij : – “Kjoft mallku kush qet ngatrrime
Nër kta vllazën shoq me shoq,
kush i dan me fjalë e shkrime
çka natyra vet përpoq!”
Dikur Dario Fo, dramaturgu italian mik i Zef Skiroit në një paraqitje të tij të titulluar “Intelektualeve u kane prere kordat e zerit..”, ndër të tjera do të shkruante : Çfarë po ndodh ? Askush tashmë nuk ngre krye. Intelektualët ndihen të “tredhur”.
Mos qoftë e thënë se kjo heshtje që vret, ulëret është fundi i një kauze dhe një amaneti të lartë se Çamëria rron dhe do të rrojë në shekuj.