Hyqmet Zane: Demokraci në fjalë dhe diktaturë në realitet

263
Sigal

Vitet ikin e vijnë, po ashtu si edhe jetët e njerëzve në këtë vendin tonë dhe në mbi një shekull kemi kaluar tranzicione të mëdha. Janë tranzicione, që kanë kushtuar shumë mbi të gjitha jetë njerëzish dhe shqiptarët ende nuk kanë gjetur veten dhe suksesin e sakrificave, që kanë bërë. Ndërkohë që ata që kanë dalë të fituar në këto trazicione janë disa individë që janë të regjistruar në kujtesën e historisë së vendit

Mund ta cilësojmë një tranzicion të suksesshëm shpalljen e Pavarësisë së vendit përballë Perandorisë Osmane dhe ishte e vetmja qeverisje e vendit, që sakrifikoi veten për kombin sipas modelit “shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë” edhe siç kemi dijenitë që Ismail Bej Qemali – Vlora u gjet i vdekur,- ndoshta i helmuar në Itali. Shumë nga firmëtarët dhe ministrat e asaj qeverisjeje të nderuar u vranë rrugës së jetës apo vdiqën në harresë dhe një pjesë emigruan të pakënaqur nga rrethanat e kohës. Ishin personalitete të kohës që dolën nga Rilindja Kombëtare dhe bënë me të mirën e mundshme në kohën e duhur, për vendin e duhur edhe pse me vonesë.

Ky tranzicion në ndryshimin e sistemit u shoqërua me një fatkeqësi të nxitur nga Europa që në konferencën e Ambasadorëve më 1913 në Londër, e coptoi kombin shqiptar në 6 pjesë. Është një vepër që e vuajmë edhe sot e kësaj dite të shoqëruara me genocide antishqiptare si një padrejtësi që nuk paska të sosur. Për këto gjëma në kohë tranzicionesh nuk u kërkua asnjëherë falje kur bëhet fjalë për shqiptarët kur përkundër kësaj ndryshe u veprua me sjelljen e Turqisë ndaj Armenisë.

Më pas pati edhe Haxhi Qamilë që donin “babën” në një kohë vërtet në tranzicion për vendin tonë mes Luftës Ballkanike dhe Luftës I Botërore. Ndikimi në popull ishte i konsiderueshëm se pati vrasje dhe dhunime, hajdutëri dhe çorganizime. Ndoshta Lufta I Botërore me mbështetje austriake, pati ndikimet e veta përballë Serbisë që kishte synime të nxituara për zaptime territoriale ndaj Shqipërisë.

Ky realitet, falë edhe mbështëtjes së Austrisë që kishte më shumë sens ndihmues dhe jo pushtues, siç edhe e kemi vërtetuar. Falë edhe arsimimit të shqiptarëve në shkollat më të mira në shtetet europiane, veçanërisht në Austri, solli edhe një ndryshim në këndvështrimin e punëve të tranzicionit të vendit tonë që zunë vend në Kongresin e Lushnjes më 1920, kryetari i së cilës ishte Aqif Pashë Biçakçiu si njeriu, që ngriti fjamrin e Pavarësisë i pari në Elbasan. Ky Kongres historik solli institucionalizimin e qeverisjeve dhe që më 1924 pati Fan Nolin në pushtet në qershor, pas një revolucioni të quajtur demokratik dhe në dhjetor pati përmbysjen dhe ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut.

Mund të themi se qeverisja e Ahmet Zogut, veçanërisht pas shpalljes së tij Mbret të shqiptarëve, solli një stabilizim pushteti dhe krijoi një tranzicion pozitiv në konsolidimin e shtetit saqë në radiogramet e ambasadorit amerikan të kohës i shkruhej DASH se “Mbreti hodhi bazat e shtetit modern shqiptar”. Nuk është pak, por ishte një kohë e shkurtër deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 1939. Edhe pse një qeverisje monarkiste, në Shqipëri u krijua një elitë e arsimuar në shkollat më të mira europiane, që hodhën bazat e një arsimi elitar mbarëkombëtar: pati një zhvillim të marrëdhënieve ndërkombëtare sidomos me Italinë: leku shqiptar mori vlerë si edhe shkëmbimet e mallrave të tregtarëve, që u bënë të pasur me rregulla të paravendosura. Por edhe stabiliteti i vendit u bë i lavdërueshëm sa edhe sot e kësaj dite kujtohet për mirë qetësia e kohës së Mbretërisë. Mbi të gjitha u krijua një administratë me nivel të mirë dhe me baza të cilësueshme si e tillë që mbahet mend për sjelljen me istitucionet. Me gjithë tendencat e elementëve komunistë, që kishin nisur një rrugëtim antimbretëror, Mbreti Ahmet Zogu hyri në histori si njeri me zgjuarsi dhe me sens të mirë në popull, që vuri rregulla dhe shmangu një situatë tranzicioni nga revolucioni i qershorit i Fan Nolit e deri në pushtimin e eShqipërisë.

Lufta II Botërore dhe përfshirja e Shqipërisë në këtë luftë të cilësuar antinazifashiste, krijoi një situatë të vështirë në tranzicionin që la gjurmë jo të mira në opinionin shqiptar për shkak të ndikimit serb në pjesën e Nacionalçlirimitares dhe parrulla “Bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje”, nuk bëri “Shqipërinë e Lirë dhe Demokratike” që u propagandua si të domosdoshëm, por që Shqipëria u bë e izoluar dhe diktatoriale.

Kalimi i pushtetit në duart e komunistëve u shoqërua me një tranzicion të madh dhe me pasoja në jetën e shqiptarëve sa mund të thuhet se për 45 vjet shqiptarët përjetuan një tranzicion të kohëpaskohshëm nga 5-vjeçari në 5-vjeçar dhe të stërmundimshëm me luftën e klasave në një vend ku nuk u lejua pluralizëm dhe kishte vetëm një klasë politike, që brenda saj gjeneroi lufta e brendshme. E dhe miqësitë u kthyen në armiqësi me shtetet si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, Kina dhe armiqësinë e spikatur ndaj Europës Perëndimore dhe SHBA. Ndërkohë që ekonomia shqiptare ishte e rënë përtokë sa diktatori mendonte për bunker dhe tunele, se sa për të ushqyer popullin, sa varfëria u bë e spikatur deri në racionimin me tollona, tufëz a e arrëza.

Kështu e gjeti 1991-shi këtë vend që kaloi nga një system qeverisës monist në pluralizëm politik. Ishte një tranzicion me spikatje të paorientuar dhe me një luftë të brendshme të njerëzve të sistemit monist nën shoqërinë e sigurimsave të fshehur të diktaturës, ndaj pluralizmit dhe të ardhmes së vendit. Ky dualitet politik i pluralizmit ka pasur uljet dhe ngritjet e veta dhe përballë dëshirës me fjalët proverbiale “e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Përkundër kësaj , u propagandua “revolucioni i vonuar demokratik” me mendësi të së majtës, që nuk po merret vesh se janë të majtë në fjalë dhe me elementë të dukshëm dhe të spikatur korrupsioni, trafikimi, keqpërdorimit të pushtetit dhe mosfunksionimin e administrates, që janë baza e shtetit. Është pikërisht ky tranzicion që na sjell në kujtesë administrimin e shtetit në Mbretëri si model i paarritur edhe sot e kësaj dite, shfrytëzimin e pushtetit në funksion të diktaturës dhe shthurjen e pushtetit në tranzicionin demokratik.

Mbajtja e një populli në tensionin e shtirur dhe të mijëra herë përsëritur se cila është dita e çlirimit, 28 apo 29 Nëntori, a thua se ky është problemi i një kombi që është në ditët e tij më të zeza sa një kryeministër na imponon të pranojmë se Open Ballkan si ide e hershme e “Nacertania”, sikur të mos na mjaftonte “Megali Idea” greke që të dyja me qëllime antishqiptare. T’i marrësh mendjen një populli me të tilla mistifikime bajate dhe me të pavërtetat që nxjerr nga goja një kryeqeveritari që po zbaton përpikmërisht atë platformën e dikurshme të diktatorit stalinist, ky është një krim tipik i së majtës së degjeneruar në këtë farë feje në Shqipëri.

Në biseda me njerëz të shumtë, që janë të interesuar dhe të shqetësuar për ngjarjet, që ndodhin në Shqipërinë tonë, shprehin bindjen se përtej politikës, në këtë vend po ndodh një tranzicion i frikshëm me ikjen dhe moskthimin e fëmijëve të familjeve shqiptare me një zhgënjim potent. Edhe shumë e shumë të rinj të tjerë që gjithnjë përgatisin rrethanat për të ikur edhe ata për të shpëtuar nga mizerja e jetës dhe poshtërsia e qeverisjes.

Kjo elitë intelektuale që e kemi në moshën e lules së rinisë veç po ikin, duke kryer një shërbim vetes së tyre që të mos mbeten peng të një patronazhisti si spiunët e diktaturës që të ngatërrojnë jetesën. Edhe vajza ime e mrekullueshme që mbaroi me diplomimin ekselent me notën 10 Juridikun në Universitetin e Tiranës, iku se nuk mund të merrej peng nga politika e sotme e mashtruesve të së majtës në pushtet dhe të atij lidershipi të PD ku babai i saj kontribuon dhe që sot ndjehet i zhgënjyer nga loja me dy porta.

Për këtë realitet krenohet një kryeministër që prrallis si të ishte më i suksesshmi i qeverive europiane dhe jo që është më i cilësuari me gisht si degjeneruesi i një qeverisje me hajdutë dhe kriminelë, me oligarkë dhe injorantë në pushtetmbajtësen e tij të dështuar, që me fjalë flet për demokraci dhe në realitet po instalon  një diktaturë që veç na dëmton rëndë të ardhmen e këtij kombi që ka 110 vjet në tranzicion..