Hajro Limaj: Tradhëtitë dhe dështimet e qeverive në këto 30 vite

48

Politikanë të paaftë, të papërgjegjshëm, apo tradhëtarë?!!

Sigal

Hajro Limaj, Kolonel (R)

“Populli u hodh në rrugë dhe diskuton mbijetesën, ndërsa “liderët” politikë, shtetarët dhe deputetët u pasuruan padrejtësisht me vjedhjen masive të pasurisë kombëtare, në të gjitha format e saj. Vendi është ndarë në dy pjesë: politikanët dhe shtetarët, që pasurohen në kundërshtim me ligjet dhe nuk ndëshkohen e nuk dënohen për vjedhjen e pasurisë, ndërsa populli varfërohet për ditë e më shumë, sidomos shtresat e varfëra dhe pensionistët.”

Mendoj dhe lexoj çdo ditë. I kthehem, e i rikthehem historisë të shtetit shqiptar. 32 kryeministrave që kanë drejtuar vendin. Ngritjet, përplasjet, dramat. Natyrisht gjykimet bëhen për kohërat që kanë ndodhur, mbi ngjarjet, që janë zhvilluar. Por aspak, me mendje të kthjellët dhe me thellësi mendimi më rezulton se Atdheu ynë i dashur, Shqipëria, 33 vitet e fundit drejtohet nga liderët dhe politikanët, ndoshta nga më të dyshuarit edhe për tradhëti kombëtare. Kush nuk ka mbërritur në këtë konkluzion natyrisht që do të pyes: Po përse?!

1.Me ndryshimin e sistemit, në vitet 1990, ishte fatale euforizmi ndaj kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut. Shqipëria, nga terapia e shokut dhe çmenduria e “çekut të bardhë”, shkatërroi kapitalin ekzistues mendor, fizik, tokësor dhe nëntoksor, vetëm për faktin se fabrikat dhe uzinat ishin me “tulla të kuqe”.I vetmi vend i Europës Lindore që i bëri vetes këtë tragjedi të pandreqshme.
U shpërdorua dhe u vodh pasuria jonë kombëtare. Ajo u përvetësua abuzivisht nga bandat kriminale të “BIZNESIT”, të politikanëve e “shtetarëve” shqiptarë, që pushtuan Shqipërinë. Ndërsa tani vazhdojnë me koncesionimin e aseteve të mbetura, nga të cilat nuk do të ngelet asnjë pasuri për brezat e ardhshëm, por, në të kundërt, një borxh i madh që do ta mbajë të varfër popullin shqiptar. Shqipëria vuan nga sëmundja, të cilën ekonomistët e quajnë “mallkimi i resurseve natyrore”. Jemi një vend i pasur me burime natyrore dhe nëntokësore, por fatkeqësisht populli më i varfër në Ballkan dhe në Europë. Mjafton të shkojmë në Bulqizën e kromit apo Ballshin e naftës, për të parë realitetin e trishtueshëm, ku njerëz të varfër jetojnë mjerisht mbi tokën e pasur që shfrytëzohet nga të huajt. Jemi të gjunjëzuar përballë pasojave të erozionit shkatërrimtar ndaj kapitalit natyror, fizik dhe njerëzor. Nëse në vitet e para “eksporti i krahut të punës” ishte burimi i të ardhurave për familjet e varfëra shqiptare, në vitet e fundit “hemoragjia e trurit”, sidomos mes të rinjve dhe profesionistëve, është kostoja më e lartë që po paguajmë.

2. Shkatërruan shtetin në themel duke e lënë vendin pa mbrojtje, pa siguri, pa drejtësi. Këtë realitet e vërtetoi kriza politike-ekonomike dhe sociale e viteve 1996-1997. Vendi ngeli pa ushtri, pa rend dhe pa qetësi. Edhe pse historia e Shqipërisë shpreh pasojat që ka pësuar vëndi nga politikat e gabuara apo tradhëtitë e kohës, ajo asnjëherë nuk jep një shëmbëll të shkatërrimit plotësisht të ushtrisë shqiptare nga vetë shqiptarët.

3. Populli u hodh në rrugë dhe diskuton mbijetesën, ndërsa “liderët” politikë, shtetarët dhe deputetët u pasuruan padrejtësisht me vjedhjen masive të pasurisë kombëtare, në të gjitha format e saj. Vendi është ndarë në dy pjesë: politikanët dhe shtetarët që pasurohen në kundërshtim me ligjet dhe nuk ndëshkohen e nuk dënohen për vjedhjen e pasurisë, ndërsa populli varfërohet për ditë e më shumë, sidomos shtresat e varfëra dhe pensionistët.

“Populli kërkon integrimin në BE, ndërsa krerët e politikës shqiptare realisht punojnë kundër integrimit. Veçanërisht, në 8 vitet e fundit janë dashuruar me Beogradin, Ankaranë dhe pjesërisht me Athinën, vendet që e kanë pushtuar dhe e kanë tjetërsuar në shekuj Shqipërinë.”

4. Populli shqiptar është i pushtuar nga pushtetarët shqiptarë.. Ata kanë bërë ligje krejtësisht të kundërta nga ato që zbatohen për popullin, duke zeruar barazinë para ligjit. Nuk arrestohen, nuk ndëshkohen dhe nuk gjobiten, në kundërshtim me të gjitha standardet e vendeve të rajonit, Europës dhe botës. Mos ndëshkueshmëria e tyre dhe mungesa e barazisë para ligjit ka shkatërruar parimin e barazisë para ligjit, unitetin kombëtar dhe besueshmërinë për të ardhmen. Kohët e fundit ka filluar një lëvizshmëri dënimesh me këmbënguljen e Amerikës, por është krejtësisht e pamjaftueshme. Po s’u arrestuan njëri pas tjetrit, pa kohë zgjatje të gjithë kryeministrat dhe shumica e ministrave të tyre, që vërtetohen abuzimet kapitale të tyre, populli nuk mund të ketë besim dhe rritje të mirëqënies.

5. Mos përfaqësimin e popullit në Kuvend, mbasi deputetët zgjidhen me listën e kryetarëve të partive, duke mos përfaqësuar realisht interesat e qytetarëve. Kryetarët e partive, partitë i kanë kthyer në prona të tyre dhe rreth vehtes së tyre kanë biznesmenët, të inkriminuarit, ata që nuk i thonë asnjë herë jo kryetarit. Demokracia brënda partive ka mbaruar, e cila reflektohet pastaj në të gjithë veprimtaritë politike jashtë tyre. Mendimi ndryshe në këshillat kombëtare dhe kryesitë e partive nuk ekziston. Kush shprehet me alternativa të tjera nga kryetari ai përjashtohet. Asnjë prej kryetarëve të partive të mëdha nuk e do ndryshimin e sistemit, sepse e kanë kthyer parti- kryetar, ashtu si qeveri- kryetar.Totalitar. Nëse do ndryshohet sistemi do kemi rregulla më të mira për të funksionuar më mirë demokracia. Ndërkohë që kundërshtarët që janë të gjithë, thonë që çfarëdo sistemi të kesh vota do vidhet. Është një përdorim i keq, dinak. Nuk është sistemi që rregullon mundësitë për të pasur proces zgjedhor me standarde. Sistemi duhet trajtuar për të rregulluar funksionimin e kësaj shoqërie si shoqëri demokratike. Jemi në këtë situatë që duke iu pamundësuar zgjedhësve, çdo partie tjetër për të hyrë në skakierë, pamundëson çdo iniciativë të re politike. Këta e dinë që po ndryshove sistemin krijon kushte, që bien ndesh me interesin e tyre si agallarë të mëdhenj të partive politike dhe nuk e bëjnë. Nuk ka ndonjë shpresë.

6. Dy partitë kryesore, PS dhe PD, kanë ndërtuar një sistem zgjedhor, që u mundëson mos t’i konkurojë apo rrëzojë një forcë e tretë politike. Ky sistem solli shkatërrimin e demokracisë, konkurencës dhe pa barazisë apsolute të shtresave të popullsisë. Vetëm krijimi i një partie të re duke mos afruar asnjë nga kjo klasë politike, me intelektualë dhe atdhedashës duke përmbysur këtë sistem totalitar shqiptarët mund të marrin frymë lirisht si europianët.

7.Populli kërkon integrimin në BE, ndërsa krerët e politikës shqiptare realisht punojnë kundër integrimit. Veçanërisht ,në 8 vitet e fundit janë dashurar me Beogradin, Ankaranë dhe pjesërisht me Athinën, vende që e kanë pushtuar dhe e kanë tjetërsuar në shekuj Shqipërinë. Në vend të punojnë me të gjitha forcat për t’u bërë pjesë e Europës së bashkuar me mbi 500 milionë qytetarë me prodhim të përgjithshëm bruto 20 trilionë dollar e kanë braktisur atë. A ka tradhti më të madhe sesa të bësh politika ekonomike për genocidizimin e shqiptarëve nga Shqipëria? Jo vetëm të rinjtë, por tani kërkojnë edhe të moshuarit një vend ku të futen për të jetuar allashqiptarçe, apo alla afrikanshe. Këtë vuajnë sot shpirtërisht dhe mendërisht shumica e shqiptarëve të vërtetë e të thjeshtë. Prandaj edhe për reformën në drejtësi dhe krijimin e SPAK-ut shpresojmë pak. Po nuk u arrestuan dhe po nuk u dënuan drejtuesit kryesorë të partive politike, ministrat që i kanë bërë gjëmën këtij populli me Gërdecët apo tenderat, koncesionet, PPP-të, Shqipëria shkon drejt shpërbërjes. Politikanët dhe shtetarët tani janë shkëputur përfundimisht nga bashkëjetesa me popullin e mesëm dhe të varfer. Ata kane ndërtuar supervila me pishina në Kodrën e Diellit, në Surel, në Farkë, në Gjirin e Lalëzit e shume vende të tjera turistike. Këtu nuk mund të mendohet më për shtet të së drejtës dhe shtet ligjor. Klanet politike dhe oligarkët e kanë skllavëruar plotësisht popullin shqiptar. Vetëm ngritja masive e të gjithë popullit në protesta dhe në demostrata, duke bllokuar institucionet partiake, qeveritare dhe vilat me pasuritë e mëdha të tyre, mund ta detyrojnë policinë kriminale dhe prokurorinë të arrestojnë në masë këtë hordhi kaq ë rrezikshme.