Gjergj Meta: Papa Françesku flet shqip

547
Familja është një dëshirë e gjallë mes të rinjve
Sigal

Dokumenti i Papës për martesën dhe familjen në shqip 

“…Pavarësisht prej shenjave të shumta të krizës së martesës, «dëshira për familjen mbetet e gjallë, veçanërisht mes të rinjve, dhe e motivon Kishën». Si përgjigje ndaj kësaj aspirate «shpallja e krishterë që ka lidhje me familjen është me të vërtetë një lajm i mirë». (AL 1). Me këto fjalë hapet Nxitja Apostolike e Papës Francesku, Amoris Laetitia, Gëzimi i dashurisë që këto ditë ka parë dritën e botimit në shqip. Është folur e stërfolur tashmë rreth këtij dokumenti edhe në mediat botërore. Në disa vende të botës janë bërë edhe dokumente, të cilat japin disa vija udhëzuese rreth aplikimit të këtij dokumenti sidomos të kapitullit VIII ku flitet për çështjen e pranimit në sakramentet e kishës të personave të divorcuar e të rimartuar. Kisha katolike e ka për zemër martesën dhe familjen prandaj edhe dy sinodet e fundit të Ipeshkëvive, për vullnet të shprehur të Françeskut, u mblodhën pikërisht rreth kësaj teme. Prandaj do të ishte shumë limituese të reduktohej ky dokument vetëm në çështjen e divorcit apo të problemeve që tjera që kanë të bëjnë me familjen. Më së pari ky dokument na ofron një vizion pozitiv të martesës si një “dëshirë e gjallë” e njeriut. Është një aspirate, e si e tillë rrjedh nga brendia e njeriut. Prandaj më së pari Kisha mundohet t’u ofrojë besimtarëve të saj, por në disa raste edhe jo besimtarëve që martohen me një katolik, një vizion rreth martesës që ka në përmbajtjen e tij thelbësore kujdesin e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit si dhe lindjen dhe edukimin e fëmijëve. Në këtë pikëpamje martesa, e parë nga Kisha katolike, është ajo e gjithmonshmja, një akt njerëzor, një pakt ndërmjet dy personash, por që për ata që janë të krishterë ky pakt merr edhe vlerën e një sakramenti, pra kthehet në një shenjë që i shfaq botës dashurinë e Hyjit. Nëpërmjet martesës, kujdesit reciprok, lindjes dhe edukimit të fëmijëve, gjinia njerëzore, një mashkull dhe një femër bëhen kështu përçues të dashurisë së Hyjit në botë. Në kushtet e ndryshueshme të realitetit tonë, i cili paraqitet pa një themel të qëndrueshëm dhe shumë sizmik, lind nevoja e edukimit të të rinjve me martesën, sidomos me faktin që ata janë të aftë të marrin vendime përfundimtare dhe t’i çojnë deri në fund e po ashtu të perceptojnë e të përjetojnë sensin e përkatësisë në një bashkësi fillimi i së cilës është martesa. Për këtë arsye Nxitja post-sinodale në kapitujt e pare, sidomos 4 dhe 5, na jep disa linja ballafaqimi dhe propozimi për të edukuar të rinjtë me bukurinë e martesës dhe të familjes. Por gjithashtu kisha nuk harron as ato situata të plagosura që moderniteti na ofron, fatkeqësisht gjithnjë e më shumë. Lidhja martesore është gjithnjë e më shumë e paqëndrueshme e kjo vërehet në shumë përmasa të shoqërisë dhe të formimit njerëzor sot. Prandaj, për këto situata, përpara se të gjykohen duhet të kuptohen për të nxjerrë pastaj konkluzionet se si të ndihmohen. Kjo nuk heq apo minimizon përgjegjësitë e vendimeve të çdo personi dhe pasojat që rrjedhin. Divorci është një plagë, është një shpërfytyrim i planit të Hyjit mbi martesën, por në shumë raste ai është i pashmangshëm. Janë në mes fëmijë, shpesh të mitur, prindër të cilët kanë nevojë për ndihmë në detyrën e tyre dhe në frustracionet që ndarja sjell e po ashtu në lidhjet e reja që mund të krijohen. Detyra e Kishës është të ketë një fjalë ngushëlluese edhe për këto situata, të gjendet afër tyre e të gjejë ato rrugë që çojnë drejt një përfshirje sa më të madhe të këtyre personave në jetën e kishës dhe të shmangë çdo lloj logjike përjashtimi. Ky tekst që sapo ka dalë në shqip shpresojmë të jetë udhërrëfyes për shumë çifte që përgatiten për martesë në Kishën katolike, por edhe për ata që përgatisin çiftet e reja që kanë vendosur të shkojnë drejt altarit për t’i thënë njëri-tjetrit “po” për gjithë jetën.