Gëzim Zilja: Një plotësim në këtë 75 vjetor të gjimnazit “Ali Demi”

362
Sigal

Kam pasur fatin të jem drejtor i këtij gjimnazi me famë, në periudhën 1991-1996. Ishin vite mjaft të vështirë, sidomos periudha 1991-1993 kur shteti ra. Duhet të bënim vetë mësuesin, policin, prindin, rojen e shkollës dhe të ndryshonim tekstet nga politizimi i tmerrshëm. Kisha në dispozicion një trup pedagogjik përbërë nga mësues të papërsëritshëm; jo vetëm qytetarë, intelektualë të klasit të pare, por edhe luftëtarë për mbrojtjen e të drejtave të të rinjve dhe sigurisë së jetës së tyre. Unë do e përsëris sa të jem gjallë: Të gjithë për punën e bërë në atë periudhë meritonin pa përjashtim gradën e gjeneralit në arsim. Nder dhe respekt për Xhelo Bratin, Masar Sinoimerin, Ali Belshin, Sotir Kamberin, Spiro Billën, Guri Xhuvelin, Engjëll Saliun, Gëzim Halilin, Elvira Zhorin, Harallamb Baben, Petrit Osmanin, Memet Likën, Kozma Lekën, Ardi Stefën, Dashuri Ganin, Zhaneta Dodin, Kristaq Papavangjeli, Elca Sallatën, Mimosa Shaqirin, Natasha Llanajn, Eli Skramen, Enver Hanxharin, Dhimitraq Savën, Xhuljeta Muçon, Serenela Kaurin, Kastriot Malajn, Alketa Sulon, Etleva Sheshin, Afërdita Xhaferrin, Antoneta Hanxharin, Agron Begotaren, Zina Sinajn, Elvira Bejlerin, Besim Sinanaliaj, Miranda Alimerkon, Lenka Jakupin, Donika Koçin, Evgjeni Gerdhuqin etj.

Ndjesë atyre, që këtë çast nuk po më kujtohen, por që mund të plotësohen nga lexuesit. Dua të përmend një grup të posaçëm nxënësish të talentuar, që me nismën e tyre krijuan gazetën e shkollës dhe plot guxim na treguan dhe na mësuan jo rrallë se kishte ardhur koha që edhe ne mësuesit të ndryshonim. Gazeta e parë ka dalë në vitin 1992 e shkruar e gjitha me shkrim dore, me stilolaps. Në gazetën e titulluar “E reja” lexoj këta emra: Aurel Simoni, Jakup Vrioni, Etleva Memisha, Rudina Shkurti, Gent Kola. Aty nga viti 1994 doli gazeta “Dallandyshja” nën redaksinë e Silda Anagnosti, Eros Qesari, Mariola Mërtiri, Jezerca Tigani, Marjola Xhunga, Alketa Sula. Me vonë gazeta mori emrin “Jona” nën redaksinë (ndjesë për ndonjë mungesë) e Bledar Fejzo, Estela Shyti, Gerti Veshi, Edmond Fetahu, Rada Zilja, Sokol Demaliaj, Olsi Lafe, Laura Zani, Orjana Alushi, Ardi Stefa etj. Një seri të plotë të gazetave e ruaj në arkivin tim, me shpresën se do ia dhuroj një ditë muzeut të shkollës. Është një koleksion, që vlen për ata, që kuptojnë dhe duan të ruajnë kujtesën, trashëgiminë dhe historinë e shkollës për ato vite të paharruara. Nuk mund të le pa përmendur këtë ditë mikun tim, kolonel Ilir Ngresin, sot Dëshmor i Atdheut, për ndihmën e tij të paçmuar kundër gjithfarë vagabondësh, hajdutësh e skafistësh që jo rrallë ngacmonin e dhunonin djemtë e vajzat e shkollës. Por shkolla vuan ende nga politizimi. Në këta 30 vjet demokraci drejtuesit e shkollave, të arsimit në rrethe dhe përgjithësisht mësuesit, janë emëruar sipas përkatësisë partiake, të kuq ose blu.


Në shkollë mësohet morali i lartë, ndershmëria, rriten e perfeksionohen aftësitë, respekti ndaj pronës, dashuria ndaj familjes e atdheut, historia e kombit, luftërat për liri e pavarësi, solidariteti njerëzor etj, etj. Atëherë pse drejtuesit e arsimit dhe në shumë raste mësuesit duhet të caktohen nga përkatësia partiake? Kjo nuk është e drejtë. Shkollat nuk janë prona të partive dhe historia e arsimit apo e një shkolle nuk fillon me drejtuesit e saj të emëruar nga çdo lloj qeverie. Partia nuk është historia, nuk është dituria, nuk është merita, nuk është e vërteta, nuk është patriotizmi, nuk është Atdheu. Demokracia nuk ndërtohet, duke përjashtuar dhe anashkaluar njerëzit, por duke i bashkuar ata. Koha tregoi që historia e Shqipërisë nuk filloi as me Enver Hoxhën, as me Sali Berishën, as me Ilir Metën, as me Fatos Nanon, as me Pandeli Majkon, as me Edi Ramën, as me PD-në, as me PS-në dhe as me kokëshqopet e shumtë, të emëruar prej tyre, në drejtimin e institucioneve shtetërore. Respekt pa kufi në këtë 75 vjetor për gjithë mësuesit e djeshëm e të sotëm, që kanë dhënë mësim në gjimnazin “Ali Demi!”