Gentian Çala: Pincetat në mendjen e Ramës

760
Sigal

KM-ja ka një siklet të madh, posaçërisht me shëndetësinë, ku makutëria ka kaluar parashikimet e çdo mendje të arsyeshme. Për ta mbrojtur koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale i nevojitet të sajojë një të pavërtetë, por për ata që marrin pjesë në ndërhyrje kirurgjikale kjo është një marrëzi që vetëm një mendje jo e shëndoshë mund ta krijojë. Sikleti nuk zgjidhet me një sajesë dhe aq më tepër me një përbaltje. Duket që mendja e KM-së është shtrënguar fort nga pincetat e panikut prej ndëshkimit për një aferë pa skrupuj.

Nga njëra anë përbetohet se do të luftojë krimin, nga ana tjetër merr në sqetull ose përpiqet të justifikojë një histori përfitimi, e cila aktualisht është duke u shqyrtuar si padi në SPAK. Përtej kësaj, deklraratat e KM-së influencojnë te qëndrimi i shoqërisë ndaj mjekëve, ndaj punës së tyre. E vërtetë që shumë nga pajisjet tona, duke përfshirë dhe ato kirurgjikalet mund të jenë vjetëruar, ndonjëherë ka mungesa, por operacionet nuk mund të bëhen me mjete të tjera që nuk përdoren nëpër salla kirurgjie apo në shërbimet ku bëhen ndërhyrje mikrokirurgjikale.

Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, nuk justifikon aspak një koncension klientelist, me çmime të fryra dhe të dalë jashtë kontrolli. KM-ja përveç se bëri një gabim trashanik, nuk tha asgjë të re. Ai e shikon krimin te kundërshtarët, apo te ata që nuk janë pjesë e oborrit të tij, por aspak te vetët. Ndaj edhe iniciativa e fundit anti KÇK tingëllon e pabesueshme dhe thjesht propagandistike. Përtej problematikave kushtetuese apo represive që mbart, ajo është thjesh një dridhje beli parazgjedhore. Derisa nuk i është dhënë zgjidhje ende asnjë prej denoncimeve opozitare publike, atëhere si mund të mendohet që e ka seriozisht?!

Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë dhe aq më pak të dalin broçkulla të tilla nga goja e një KM-je, i cili përbetohet pa argumenta se ajo që ka bërë ishte e drejtë. Janë regjistruar kaq shumë raste të tilla sa e kanë bërë atë të pabesueshëm. Kostot e fryra të tenderave dhe koncensioneve kanë qenë qartazi një strategji përfitimi nga paraja publike për qeveritarët dhe klientët e tyre. Kjo duhet ndëshkuar dhe jo të anatemohen mjekët, të cilët vazhdojnë të punojnë në kushte jo të mira dhe me rroga mjaft të ulëta, madje më të ultat në rajon.

Pincetat e KM-së mbeten një shembull qesharak i justifikimit të një babëzie të pashoqe, të cilat nuk e nxorrën dot qimen nga qulli që përgatitën vetë!